HARRESA E PATRAZUAR E SË SHKUARËS (III)

3. Elita e re: shkatërruesit e të shkatërruarit

pjesën e parë të këtij shkrimi flas për vlerën që mund të ketë të kuptuarit e gjendjes së elitës shqiptare që të kuptohet natyra mizore e socializmit që patëm. Në pjesën e dytë diskutoj për një imazh të përgjithshëm të kësaj elite sipas librit me kujtime të Liri Lubonjës “Kohë të reja – kujtime të vjetra”. Në këtë pjesë të tretë analizoj më konkretisht karaktere e grupe të elitës, përgjithësisht mbështetur në përshkrime po nga libri i L. Lubonjës dhe interpretime të tyre.

Enveri pa dyshim ze vend themelor në shumë histori, por unë rrëfimin mbi të e shoh pa interes, sepse dalldia e tij gjakatare ekstreme dhe natyra diktatoriale e sëmurë nuk më ka krijuar ndonjëherë ekuivoke e nevojë për dritë që t’ia kërkoj zhvillimet apo degradimin njerëzor. Veç kësaj, Liri Lubonja sjell plot të thëna të përziera mbi të që qarkullonin që në vitet e Luftës. Ndaj mua më duket se L. Lubonja vetë nuk e ka parë atë me të njëjtën simpati siç thotë se shihte udhëheqës të tjerë të Luftës. Problemi që unë vë re në këto rrëfime si edhe mes të tjerësh ish-komunistë të ndëshkuar nga vetë sistemi komunist, është që, edhe në vitin 1991 duan të mbajnë gjallë partinë komuniste, por të zhbëjnë dëmin që kreu në të Enveri. Për këtë punë Todi Lubonja pasi ka kryer 13 vjet burg, pasi ka parë t’i shkatërrohet dhunshëm familja, pasi e ka parë vdekjen sociale që solli komunizmi me syrin më të drejtpërdrejtë të mundshëm – atë të të dënuarit a të turpëruarit publikisht, të të ndëshkuarit, të të burgosurit politik, ende përçapet t’i mbushë mendjen Ramiz Alisë të revizionojë Partinë dhe shpreson në po atë parti që po të shpërndahej e riorganizohej, po të kritikonte Enverin e rehabilitonte të gjallët e të vdekurit (386), pra shumicën e anëtarëve të saj që po kjo Partia i kish dënuar si armiq të niveleve të ndryshme (dhe ata të pakëtë që kishin ngelur pa dënuar, patën vdekur natyrshëm, ose pranuan të përlyhen me të pëgërat e domosdoshme), atëherë do rinohej e shëndoshej si parti. I bie që 50 vjet terror i faturohet në fund të fundit vetëm Enverit. Për mua kjo është shkreti vizioni që nuk ma rrok dot mendja. Liria e justifikon me faktin që Todi mbeti deri në fund “besnik i patundur i idealeve të rinisë” (131). Cilave ideale, si i pa të evoluonin idealet T. Lubonja në ato 50 vjet, a s’e pa ç’u ndodhi bartësve të tyre pa përjashtim, në praninë e Ramizit dhe shokëve të tjerë që pati? Unë e kuptoj që për t’i dhënë votën Berishës, do duhej kurajo edhe më e madhe se për t’ia dhënë atë Frontit Demokratik, por ekzistonte edhe mosvotimi.

Kur kërkoj përsenë e një regjimi përbindësh, pa dyshim nuk jam pas E. Hoxhës që pa as më të voglën mëdyshje është projektuesi i tij. Ajo që kërkoj janë kontributet e dhëna nga tufa e njerëzve të zakonshëm që e mbajtën me frymë e gjak përbindëshin. Në narrativën e L. Lubonjës, Nexhmija e Ramizi i takojnë një tjetër diskursi më të përzierë. Ajo duket sikur pret e kërkon që këta të jenë a të bëhen të mirë, duket sikur e zhgënjejnë vazhdimisht, po jo krejtësisht. U çmon në të shkuarën butësinë, qetësinë, thjeshtësinë e ndonjëherë kulturën, por duket sikur në këtë proces kërkimi del e zhgënjyer! Edhe unë kujtoj se kam dashur për shumë vjet të besoj tek R. Alia, dhe të mos e marr sistemin si një bllok, por si bashkim elementësh të ndashëm e të ndryshëm. Por më vjen të qesh me naivitetin tim rinor. Ndoshta mungesa e një fijeje drite të bën qorr sa të mos kuptosh se natyra e bishës është përcaktuese dhe gjallim lejohet veç pas një nënshtrimi total. Në rastin e çiftit Lubonja, siç thuhet edhe në libër, ka pasur lidhje të hershme dhe intime mes T. Lubonjës dhe R. Alisë, dhe në fakt ai ishte personaliteti më i lartë të cilit Lubonjët i drejtoheshin sa herë kishin halle të mëdha. Këtu marrëdhënia nuk është më përfaqësuese dhe me interes diskutimi, sepse kalon në idiosinkreci personale. Sidoqoftë për një burrë si T. Lubonja që me të drejtë konsiderohet si i hapur dhe kompleks, pararendës dhe i guximshëm në të menduar, shpresat tek Ramizi, pasi ndoqi në afërsi 40 vjet të  sistemit ku Ramizi qe qendror, mbeten në kufirin e dritëshkurtësisë.

Është interesante të ndiqen fazat se si analizon L. Lubonja N. Hoxhën (Xhuglinin) deri në vitet e demokracisë (të themi “demokraci”, sepse kështu ia thonë). Ka një qasje kristaline Liria ndaj Nexhmijes që ish më e madhe dhe më e rëndësishme se Liria vetë, ku ndahen qartë fazat. E adhuron si të re aktive, ilegale e të bukur, që e kish hasuar e takuar nëpër bazat tiranase, prezantuar fillimisht nga Qemal Stafa, shkrimin e guximshëm të së cilës e kish pëlqyer shumë. “E mençur, e thjeshtë, e dashur, e edukuar dhe e afërt me njerëzit”, thotë Liria për “vajzën dibrane” të kësaj faze; duket si karakterizim në një organizatë pionieri (100-102). Pastaj vijnë takimet me të në Lirëz (Helmës), moment aq entuziast dhe idealist për Lirinë e mikeshat e veta! Në një fazë të dytë Liria e quan atë “gruan e Enverit”, dhe sheh “distancim” të Nexhmijes nga njerëzit (103). Nuk vonon dhe Nexhmia nis e shihet si egërsirë, dhe në fakt, si pjesë e sistemit nuk mund të mos ishte. Liria nuk i vë re këto tipare në vitet 80, por i ka vënë re që gjatë viteve të para pas Luftës kur Nexhmia iu kthye kundër atyre që e pritën dhe e ushqyen, atyre që pati shokë jete e ideali. Trajtimi i Galip Hatibit nuk i ka shpëtuar Lirisë. Më pas, çfarë Todi i tregon për trajtimin prej saj të mikut të saj e të Todit, Fadil Paçramit: “Ha atë bukë që të japin atje, se ka edhe më keq!” (që në fakt do të thotë: ji mirënjohës që nuk të pushkatuam!), dhe në fund si person e nënë shpirtkazmë që nuk lejon në ’81-shin shoqen e vet, Liri Belishovën, të shohë të bijën para vdekjes. Profili i Nexhmijes zbret nga mali drejt e në ferr, dhe në fakt Liri Lubonja e sheh shkakun: “Si i tjetërsoi deri këtu pushteti njerëz si Nexhmia?!” (105). Jep edhe rastin e ish-mësueses së vet në Shkollën e Mesme Femërore, Liri Gegës, të qeshur, sociale e liberale kur u kthye nga studimet në Itali, por vrasëse që s’i dridhej syri në vitet e socializmit, që më pas u trajtua prej tij po ashtu si veproi vetë.

Nuk ka dyshim që këto dy personalitete të së shkuarës sonë komuniste, Nexhmia dhe Ramizi, janë dy natyra të ndryshme nga ajo e Enverit, por ata që ishin kaq afër tij dhe që e ndoqën edhe pas vdekjes, janë pa dyshim njëlloj pjesë e së keqes sa edhe Enveri. Unë këtë grup as që e fus në atë që për thjeshtësi e quaj elitë e pas-Luftës. Këta morën rolin e makinës, të ligjit dhe të armës që vriste çdo të dyshuar a të padyshuar që duhej bërë shembull. Truri i tyre funksiononte në mënyrë robotike. Këta kishin ndaluar prej kohe të udhëhiqnin me ide e të prodhonin ide të reja sipas nevojës që sugjeronte realiteti, një rol që për mua është themelor për elitën. Po ashtu ata kishin ndaluar së qeni njerëz: nuk ndienin më dhembje apo empati njerëzore, mund të urdhëronin lehtësisht vrasje apo t’i justifikonin ato si të nevojshme e në dobi të shumicës e të momentit politik. Të mos harrojmë se episode vrasjesh në kufij apo në situata krizash vazhduan deri ditët e fundit të socializmit tonë.

Por a do ishin tjetërsuar njëlloj Liri dhe Todi Lubonja nga pushteti (unë lexoj “sistemi”, sepse pushteti nuk ekziston si entitet abstrakt) po të kishin ngjitur shkallët e tij si Nexhmia dhe Liria tjetër? Apo në fakt mos-ngjitja e atyre shkallëve nuk ishte rastësi e fat, por pikërisht padëshirë e individëve të elitës që të bëheshin njësh me të, një rezistencë e pjesshme, e frikësuar dhe e fshehtë ndaj së keqes sistemike socialiste?

Nje grup tjetër “kuadrosh” përshkruhen me admirim e madje adhurim nga L. Lubonja. Kryesorë ndër ta janë Qemal Stafa, Nako Spiru (për të cilin ka shumë pasazhe në kujtimet), Mustafa Gjinishi, Drago Siliqi etj (sidoqoftë, të gjithë njerëz që herët ose vdiqën e u neutralizuan, ose në mënyra të ndryshme, i dënoi me vdekje sitemi). Pastaj admiron ca më të vegjël në poste, diploma e moshë që Lubonja i njihte e i shihte me admirim që në Helmës si intelektualët e ardhshëm (124), por thotë se, pas kohës së Koçi Xoxes, u lanë qëllimisht anash e pa pozita të larta politike duke u dhënë poste anësore kulture dhe akademie.

Por libri sjell dëshmi me bollëk për intelektualët e vegjël, paqësorë, aktivistët politikë pa ambicje të mëdha, njerëzit e pavendosur, ata që ishin intelektualë të kompletuar që para socializmit me studime kryer në Perëndim, por tepër tolerantë e liberalë për t’u bërë pjesë e tij, ata që guxuan të krijojnë parti të tjera, ata që studiuan pas Çlirimit jashtë (sido që vetëm në Evropën Lindore), dhe u kthyen me ide e hapje të reja prej andej. Pikërisht këta përbëjnë masën intelektuale shqiptare, dhe sjelljet dhe pësimet e kësaj mase janë tregues shumë më shënjues për të stabilizuar një ide se çfarë ishte dhe çfarë i ndodhi klasës sonë elitare. Liri e Todi Lubonja, pjesë e këtij grupi, nuk mund të thonë se s’e kuptuan regjimin apo se nuk patën rast ta vënë re para 1973-shit, sepse ishin fare në qendër të tij, në zemër të Tiranës dhe të intelektualëve të saj të vjetër e të rinj, apolitikë dhe politikë. Njerëzit që ndanin me Lirinë oborrin e shtëpisë e pësuan; daja i saj i kulturuar Pertefi u internua herët dhe mbeti në rrëzë më pas; galeria e gjerë e “profesorëve, intelektualë, e burra të nderuar” (46), plot njerëzve të studiuar të Tiranës që ajo përshkruan e që ose ikën e s’u panë më, ose u pushkatuan e rrëzuan me mllef e neveri nga mekanizmi i “gjyqeve të popullit”; aktivistët me ideale dhe komunistët me të cilët ajo punonte u sakatuan pjesë-pjesë; vëllezërit dhe kushërinjtë e saj ishin copë nga sistemi; ata që guxuan të besojnë se sistemi ishte demokratik siç pretendonte, dhe shprehën ide demokratike por jo komuniste ose vunë kandidatura jashtë Frontit që në zgjedhjet e para të ‘45-ës, e hëngrën paq; Shiti i shkretë debatikas – i biri i Qazim Mulletit që Liria e njihte si burrë atdhetar, u nis fill e në internim për gati 50 vjet; Maku, fotografi trim dhe artist i partisë dhe partizanëve, po ashtu përfundoi në burg; shoqet e saj të shkollës e të rinisë që nga Shyrete Turkeshi tek Naxhie Dume, ose u fikën në dënime, ose u fshehën qosheve të shtëpisë apolitike.

Këto histori sa makabre aq edhe idealiste, nuk i kam zbuluar unë; këto m’i ka treguar Liri Lubonja që i kuptonte që herët e jo vetëm gjatë e pas ndëshkimeve dhe internimeve në Lezhë, Fishtë e Malecaj.

[vijon]

Rreth Autorit

Eda Derhemi është shqiptare që sot jeton në Champaign, Illinois, ShBA. Ka lindur më 1963 në Tiranë, dhe është rritur e edukuar po aty. Përfundoi Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë e Letërsi Shqipe në 1985, dhe deri më 1990 punoi si pedagoge në Departamentin e Gjuhësisë në po atë universitet. Nga 1990 deri në vitin 1995 jetoi dhe punoi në Itali ku u përpoq të balancojë Italinë-ëndërr të brezit të saj, me Italinë-realitet të viteve 90. Balanca nuk punoi asnjëherë besueshëm në ato pesë vjet. Jeta, pritshmëritë, zhgënjimi dhe ëndrra silleshin të gjitha pandashëm në një vorbull absurde. Mes vitit 1995 e 2002 kompletoi shkallët konvencionale të studimeve pasuniversitare në ShBA: rinisi një master në gjuhësi, dhe pas tij kreu studimet dhe kërkimet për PhD në komunikim në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku vazhdon ende të japë leksione në sociolinguistikë e komunikim në Departamentin e Frengjishtes dhe Italishtes. Gjuhët në rrezik dhe mbrojtja e tyre janë pasioni i saj shkencor më afër zemrës. Shqipja, Tirana, dhe Shqipëria vazhdojnë të jenë pjesë e jetës së saj të përditshme . Eda ka dy vajza, jeton me të shoqin, i falet familjes, dhe do fort e beson shoqet e shokët e vet.

Author Archive Page
error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: