NUK-KE-GOJIZMI

I ngjashëm me bulverizmin po më duket edhe një tjetër -izëm i super-pëlqyer në debatet tona publike, dhe që gjysmë me shaka do ta quaja nuk-ke-gojizmi, sipas shprehjes “nuk ke gojë ti të flasësh për X a për Y” që e karakterizon.

Është një lloj kundërshtimi ad hominem, që i bëhet argumentit të tjetrit, jo sepse ka aty doemos ndonjë gjë gabim, por sepse vetë tjetri konstituohet “gabim”, si subjekt i argumentit; në kuptimin që akuzohet si person i papërshtatshëm për ta ngritur çështjen (çfarë parakupton – premisë e dyshimtë – që vetëm persona që plotësojnë kritere të caktuara mund të sjellin, ose kanë “gojë” a “fytyrë” të sjellin argumente të caktuara).

Pashë dje në TemA një analizë të Alban Dacit (Morali politik i Blushit duhet të nisë nga transparenca) dhe më bëri përshtypje një pasazh ku flitej për Mimoza Hafizin, një deputete që i është bashkuar nismës politike Libra.

Sipas autorit, Mimoza Hafizi paska marrë guximin të flasë në foltoren e Parlamentit për minimumin jetik, “sikur ajo ishte njeriu më i varfër në Shqipëri dhe ishte sensible për të varfrit.”

Artikulli sqaron pastaj se “Intelektualja Hafizi e ka bashkëshortin një ndër biznesmenët më të fuqishëm të vendit…” dhe se ka lidhje me LSI-në, e cila ka pasur një dëshirë të kahershme për të përçarë PS-në, etj.

Nuk hyj dot në këto kulisa e labirinte, as më interesojnë. Por më ngacmoi argumenti se një deputete pas gjase në gjendje shumë të mirë ekonomike, si Hafizi, “nuk ka gojë” që të flasë për minimumin jetik.

Premisa e këtij argumenti është se duhet të jesh i varfër, që të flasësh për këtë çështje; meqë i varfri e përjeton në lëkurën e vet, se ç’do të thotë të mos kesh para për të mbyllur muajin, për shkak të rrogës tejet të ulët.

Kjo premisë logjikisht nuk qëndron; e megjithatë, modeli i themeluar mbi të mbetet nga më “të suksesshmit” në debatet publike. Kur dikush përmend diçka që nuk na pëlqen, ose që na duket pa vend, etj., e kemi të lehtë ta kundërshtojmë duke i thënë se “ti nuk ke gojë të flasësh për këtë”, sepse jeta jote, pozita jote, familja jote, etj., e përgënjeshtrojnë pozicionin tënd.

E solla shembullin e Hafizit, sepse është flagrant; një deputet, në Parlament, ka mandatin që të flasë për çështje që shqetësojnë zgjedhësit dhe qytetarët në përgjithësi; dhe jo për çështje që shqetësojnë atë vetë, për shkak të biografisë ose të kurrikulumit. Kur ajo ngre një shqetësim në Parlament, e bën këtë me rolin dhe titullin dhe kapacitetin e saj si deputete, jo si bashkëshortja e një biznesmeni, si nënë, si lojtare tenisi a ku di unë ç’tjetër; dhe dallimi midis këtij roli dhe atij tjetrit, të themi, të një aktori në skenë nuk është aq i madh sa ç’mund të na duket.

Nuk-ke-gojizmi ka edhe një tjetër efekt anësor të papritur. Ta zëmë se një deputet do të përmendte, në Parlament, nevojën për struktura të përshtatshme aksesi nga personat me paaftësi fizike (dhe të kërkonte që të ndërtoheshin rampa, në ndërtesat publike, etj., për ata që lëvizin me karrige me rrota).

A do të ngriheshim dhe t’i thoshim këtij se ti nuk je personi i përshtatshëm për ta shprehur këtë shqetësim publikisht, sepse ti vetë nuk vuan nga ndonjë paaftësi fizike dhe mund ti ngjitësh shkallët vetë?

Natyrisht jo; edhe pse ndonjë edhe mund ta bënte – shembulli i artikullit më lart të bën të mendosh. Por tani nuk e kam fjalën këtu. Dua të vazhdoj dhe t’ju ftoj të përfytyroni sikur deputeti që e ngre në Parlament shqetësimin për rampat të ishte vërtet invalid dhe të qarkullonte nëpër qytet me karrige me rrota.

Vallë nuk do të ngrihej aty ndonjë kundërshtar i tij politik dhe t’i vinte në dukje se ai po artikulonte në publik një shqetësim personal qoftë edhe të maskuar si shqetësim qytetar, i cili përndryshe kushedi nuk ngre peshë, në krahasim me nevojat e mirëfillta të qytetarëve sot?

Me fjalë të tjera, sikur Hafizi të kish qenë vërtet njeriu më i varfër në Shkodër, a nuk do të ngriheshin këta dhe ta kritikonin se po përgjithësonte – duke përfituar nga pozita e saj zyrtare – një problem të vetin personal, duke e maskuar prapa nevojës kinse “objektive” për ta rritur minimumin jetik, pa çka se varfëria e saj mund të kish shkaqe të tjera, p.sh. parazitizmi ose vesi i pijes a bixhozi e kushedi ç’tjetër?

Dua të them: nuk-ke-gojizmi e ngushton shumë lirinë e fjalës; sepse fton madje autorizon që të flasin vetëm ata që “kanë gojë”, ose që i përjetojnë problemet në kurriz.

Sipas kësaj logjike të çalë, një deputet që nuk ka fëmijë, s’ka pse të ngatërrohet në çështje të shkollës fillore; një deputet burrë s’ka pse të ngatërrohet në çështje të grave; një deputet që nuk ka makinë private, s’ka pse të ngatërrohet në çështje të rregullimit të parkimeve në qytet; një deputet i verbër duhet të abstenojë, kur të votohet për ligjin e kinemave.

Mes mënyrave si mund t’ia bllokosh fjalën tjetrit, nuk-ke-gojizmi është nga më grotesket: krijon një farë efekti komik, ose hilariteti, duke nxjerrë në dritë një kontradiktë plateale mes folësit si subjekt të ligjërimit përkatës dhe folësit si subjekt (dhe produkt) të biografisë së vet; por pa ofruar ndonjë kontribut të mirëfilltë në debat.

E megjithatë, e dëgjon të sillet e të risillet nga njerëz përndryshe të mençur, të cilët tingëllojnë të bindur se kanë të drejtë që ta përdorin. Pse vallë?

Njëlloj si në rastin e bulverizmit, do të thoja se edhe kjo patologji i ka rrënjët në mosbesimin që është krijuar, ndaj figurave publike; ose në kontradiktën midis biografisë së tyre, të cilën mediat na e shërbejnë çdo mëngjes, dhe nevojës së tyre për t’u ripërkufizuar herë pas here, ose për reboot.

Vetë shprehja “nuk ke gojë” (ose e ngjashmja “nuk ke fytyrë”) i referohet këtij entiteti metaforik, gojës ose fytyrës, e cila i shërben dikujt si kredenciale për t’u shprehur në publik ose si autorizim për t’u angazhuar në çështje të caktuara; çfarë mund të merrej edhe si një lloj kapaciteti ose “titulli” moral të akumuluar.

Edhe këtu, vlera në vetvete e një argumenti të caktuar – qoftë nga pikëpamja logjike, ashtu edhe nga ajo pragmatike – ngatërrohet herë pa dashur herë qëllimisht me kapitalin etik të subjektit që e sjell; dhe çdo lloj debati publik rrezikohet të degradojë, sakaq, në një verifikim të integritetit etik të subjekteve të përfshira në të; verifikim që kërkon edhe ai debatin përkatës.

Premisa e përgjithshme e këtyre patologjive diskursive është se e drejta e fjalës publike nuk buron natyrshëm nga subjekti, por duhet merituar dhe përligjur sistematikisht; premisë që të paktën bie ndesh me qasjen e sotme ndaj lirisë së shprehjes.

Çfarë flet shumë edhe për shpresën tonë, në fakt foshnjore, për t’u udhëhequr nga figura politike abstrakte, njëpërmasore, mundësisht aq të larguara prej hapësirës sonë, sa të mund t’i respektojmë mirëfilli.

9 Comments

  1. Nuk – ke – gojizmi nuk mund te neglizhoje, ate tjetren – Nuk – ke – Surratizmin qe eshte te pakten me i ndershem pare nga perspektiva se evokon nje pervoje personale me ate qe po jep mend.
    Ose keshtu me duket mua.

  2. Thashë se e kisha përfshirë, kur fola edhe për gojë, edhe për fytyrë. Nëse goja përfaqëson licencën për të folur në publik, fytyra përfaqëson licencën për të dalë në publik. Surrati i përket kësaj të dytës.

  3. Nuk besoj se mund te flitet per kete fenomen pa pasur parasysh parimin e mirebesimit (buona fede).
    Cdo forme komunikimi politik ne fund te fundit synon te prodhoje nje kontrate mes paleve, me jep voten te mbroj x,y interes publik apo edhe privat.
    Natyrisht nuk kemi nje kontrate juridike privatiste ku nese nuk verifikohet mirebesimi por e kunderta, keqbesimi, atehere kontrata behet nul, por gjithsesi ky parim qe buron nga parimi i solidaritetit , qe gjendet ne kushtetuten e Shqiperise sikunder ne te gjitha kushtetutat, mund dhe duhet te udheheqe eshte kontratat politike mes perfaqesuesve dhe te perfaqesuarse, te pakten ne nivelit etik.

    Ne kete kuptim parimi i mirebesimit ( pa u futur tek konflikti i interesit) na legjitimon nga pikepamja e etikes politike, qe ne rast se demostrojme se deputeti apo cdo aktor politik eshte duke na propozuar nje kontrate ku mungon parimi i mirebesimit, atehere cfaredo gjeje te logjikshme e pozitive qe permban kontrata e propozuar te jete me ves, pra rrjedhimisht per t’u hedhur poshte a priori.

    Ketu, pra, nuk kemi te bejme me nje falsitet logjik, por me nje interpretim te parimit te mirebesimit, ku aktori politik vleresohet ne keqbesim, i bie ndesh edhe parimit kushtetutues te solidaritetit.

    Vemendja ne kesi rastesh transferohet logjikisht drejt argumentit te akuzuesit se aktori eshte ne keqbesim, shihet nese argumenti qendron ose jo. Nqs argumenti i akuzuesit qendron ( ne rastin ne fjale perpos mirebesimit, Daci flet per konflikt interesi), atehere aktori politik del ne keqbesim, pra kontrata e propozuar eshte vetiu nul.

    Ne rast se argumenti i akuzuesit nuk qendron, atehere nuk kemi pse te flasim per keqbesim e kushdo i interesuar mund te ”vere firmen e tij” (voten ne kete rast).

    Natyrisht, nuk eshte se nje i pasur s’mund te flase per minimumin jetik, argumenti nuk qendron, por ama nje i pasur nuk mund te kete si prioritet politik minimumin jetik.
    Nje i pasur, qe supozohet kaq i dhene pas problemeve te te varferve me siguri do ish rivali i Caritas-it apo do kish hapur me kohe fondacione per te varferit, pra do ish prej kohesh nje figure e mirenjohur shoqerore.

    Pra, ky i pasur pa aktivitet te mirenjohur shoqeror ne favor te varferve apo deputeti tjeter qe ka prioritet te drejtat e njerezve me aftesi te kufizuara pa nje aktivitet te mirenjohur ne favor te tyre e me radhe, nuk arrijne dot te kapercejne kritiken e parimit te mirebesimit.

    Si perfundim, çeshtja e nuk-ke-gojizmit e pare ne kete kendveshtrim, ruan shoqerine prej atyre qe duan te perfitojne ne keqbesim prej parimit te solidaritetit shoqeror. Natyrisht, ka sa te duash njerez ne keqbesim qe hedhin poshte me ane te mekanizmit te mesiperm, kontrata te sinqerta ne mirebesim, por argumentet e tyre, mund te hidhen poshte serisht me ane te parimit te mirebesimit. Ajo qe ngelet ne kesi rastesh eshte nje transparence me e madhe per votuesin i cili ka te drejte ne drite te te gjitha fakteve te nenshkruaje kontraten politike me palen qe i duket atij me e drejte apo e sinqerte.

    1. Në zgjedhjet e fundit në SHBA, interesat e mirëfillta të shtresave më të paprivilegjiuara – përfshi këtu të varfrit, të papunët, zezakët, imigrantët hispanikë – i mbronte Bernie Sanders, i cili nuk është absolutisht i varfër, përkundrazi. Megjithatë, me pak përjashtime qesharake, argumenti se Sanders-i nuk i plotësonte “kriteret” për tribun të vegjëlisë nuk u përdor dhe Sanders-it nuk ia vunë në dyshim qëllimet që kishte, me përjashtim të qëllimit për t’u bërë President. Por nëse varfëria përbën një problem shqetësues, atëherë është e natyrshme që të ketë nga ata politikanë të cilët ta bëjnë të tyrin, pa qenë doemos në keqbesim; dhe fakti që këta janë vetë të pasur apo jo nuk ngre shumë peshë. Po ashtu, nuk ka nevojë të jesh i papunë, që ta bazosh fushatën tënde elektorale mbi nevojën e reduktimit të papunësisë, dhe ta bësh këtë në mënyrë të besueshme. Tek e fundit, është detyrë e politikanit, me përkufizim, që të merret me punët e të tjerëve; dhe t’ia vësh këtë në dyshim, është si të vësh në dyshim se ai është politikan. E kuptoj që në Shqipëri politika, e parë nga ky këndvështrimi, nuk ekziston; dhe njerëzit e marrin për të mirëqenë që kush i futet politikës, e bën këtë “për t’u rregulluar.” Por nëse është kështu, atëherë vetë procesi demokratik ka vdekur që në embrion.

    2. Një shembull tjetër: avokati. A ka nevojë që të jetë avokati “i besueshëm”? Jo doemos, përtej certifikimit profesional. Për një arsye të ngjashme, avokati nuk ka nevojë të ketë kryer vetë një vrasje, për të mbrojtur dikë të akuzuar për vrasje: i kërkohet vërtet ndershmëri dhe integritet, por vetëm në rolin e tij si avokat. Nuk ka nevojë as të ketë përjetuar në lëkurën e vet ose të familjes një padrejtësi, për t’iu kushtuar pastaj profesionalisht luftës ndaj padrejtësisë. Nuk më duket rastësi që shumë avokatë (juristë) merren me mbrojtjen e të drejtave civile dhe jo rrallë përfundojnë në parlament. Si t’ua gjykosh këtyre qëllimet? Ka njerëz që e bëjnë për narcisizëm, ose ngaqë e gjejnë veten në rolin e atij që përfaqëson të tjerët – por kjo nuk ka lidhje me biografinë e tyre private ose familjare. Ka të tjerë që e bëjnë sepse u jep kënaqësi argumentimi i çështjeve në publik, ose lufta kundër një pushteti të konsoliduar; ose u pëlqen adrenalina. Ka që e bëjnë për t’u bërë të famshëm ose për t’u pasuruar. Nuk ka rëndësi: mjafton që ta bëjnë mirë punën si avokatë ose përfaqësues të tjetrit. Si ta përcaktosh besueshmërinë e avokatit? A mjafton të besosh se është avokat i mirë, apo mos duhet të jetë edhe njeri i mirë? A mjafton roli, apo duhet gjykuar edhe njeriu që e luan rolin?

      1. Fluturimthi pashe qe Sandersi kishte qe ne rini aktivizim per te drejtat afro-amerikane, pra hyn tek rasti i te pasurit me aktivitet te mirenjohur, qe ceka me lart.
        Nga ana tjeter argumenti nuk vlen vetem per te papunin qe mund te mbroje nje program punesimi, persa kohe qe punesimi eshte interes direkt edhe i biznesmenit, si dhe indirekt i mbare shoqerise.
        Ceshtja eshte gjithnje tek parimi i mirebesimit, si psh a eshte me i besueshem nje Berluskon qe mbron rrogen e 13 apo nje Berluskon qe mbron heqjen e rroges se 13 (nqs nje debat i tille do ekzistonte).

        Nqs ne flasim per politike te majte e te djathte, e bejme duke u nisur nga disa interesa te papajtueshme ne rrafshin ekonomik e nuk presim qe zerin e te varferve ta mbrojne te pasurit ndersa zerin e te pasurve ta mbrojne te varferit. Ka dicka qe vetvetiu nuk shkon, nuk mund te jete argument se politika eshte pune e te gjitheve qe mund te flasin per gjithcka.

        Kur ka dicka qe nuk shkon vetiu, na ndihmon pikerisht mirebesimi e korrektesa, si filtra. Edhe sikur te pasurit qe flasin per te varferit t’i kalojne keto filtra, nqs ka vetem te pasur ( te gjithe ne mirebesim) qe flasin per te varferit atehere ka dicka te stermadhe qe nuk shkon tek sistemi ( Anglia e shek 18 ishte e perbere nga parlamentare lorde, te cilet shihnin te gjitha punet edhe te te varferve, apo ne Gjermani le te themi Bismarku krijoi sistemin e pare te pensioneve ne bote, e dihet se ciles shtrese i duhet me shume pensioni)

        Ne si politike jemi duke shkuar pikerisht tek kjo pike, politikanet me kalimin e kohes kane grumbulluar pasuri, ata vete ose familjaret e tyre, dhe tani me te vertete eshte bere e veshtire te besosh individe personalisht apo familjarisht te pasur qe flasin per te varferit , te papunet e shtresat ne nevoje ne pergjithesi.

        Le t’i kthehemi shembullit te Hafizit, Blushit dhe rroges minimale. Jane persona me shume vjet ne politike, kane pasur mundesi 100 here ose edhe 1000 here te vendosin si prioritet dicka te tille. Hafizi fale pasurise se burrit qe del se qenka mjaft i pasur , ne terma shqiptare, mund te kishte ndonje fondacion apo te ndikonte te burri qe rrogat e punetoreve te tij te ishin me te larta se rrogat e punetoreve qe punojne tek rivalet biznesmene. Kjo ne fakt do e falimentonte burrin e saj, apo s’do e pasuronte kaq shpejt, keshtu qe perderisa ai eshte i pasur s’ka ndodhur nje gje e tille.

        Ketu pra kemi thjesht demagogji, te pasur qe luajne me shpresat e punetoreve te keqpaguar, per t’u marre votat.

        Por, qe te mos duket se kam gje me Hafizin e po mbroj Dacin (se kjo puna e mirebesimit te kthehet gjithnje kunder), mund te them edhe se Daci , si zedhenes i Kaubojsit ( e Tom Doshit qe duket se ka marreveshje me Kaubojsin) do te dobesoje pozitat e Hafizit ne Shkoder e Lezhe, prandaj po e sulmon. Per me teper qe Kaubojsi e Tom Doshi mbahen per figura pasanikesh qe bejne per te varferit e zonave te tyre, pra Hafizi po u hyn ne pjese.

        Cfare ngelet eshte transparenca per votuesin, njeri s’ka goje, as tjetri s’ka goje, votuesi te gjeje se me ke do e beje kontraten, kush i duket me i hajrit. Nqs edhe une do kisha ndonje interes ne ate zone, prandaj do flisja per ata te dy, do dilte nje tjeter e do thoshte t’i ke x,y interes tek te varferit e asaj zone, prandaj po flet. Ok ja nje tjeter oferte qe mund te jete ose jo ne keqbesim per votuesit e asaj zone.

        Ideja eshte qe ne kushtet e Shqiperise, kur te pasurit po luftojne me njeri-tjetrin kush mashtron me mire shtresat ne nevoje, kemi nevoje me shume se kurre qe te zbatojme parimin e mirebesimit ndaj ketyre pasanikeve (qe pak e shume e kemi te gjithe nje ide se si i kane vene leket e cfare duan realisht), ne menyre qe te kete me shume transparence.

        Jo vetem kaq por nje vend ku ne cdo pune publike ka vetem mashtrim, ose me mire ku ”res publica” e ka humbur fare virtytin e solidaritetit, zbatimi edhe maniakal apo paranojak i parimit te mirebesimit mund t’i sjelle vetem gjera pozitive. Nqs mashtrimi eshte kaq i perhapur sa te gjithe e mendojne atehere le te dalim te gjithe mashtruesa, perderisa jemi e nqs kjo eshte keq, atehere le te fillojme te mendojme si te veterregullohemi per te hyre ne kufijte e decences (s’po me vjen fjala shqip tani), se lame nam si shoqeri.

        1. Persa i perket avokatit, besueshmeria e tij eshte nje nga problemet kyc serisht ne Shqiperi. Kushdo qe i duhet nje avokat, preferon te marre ate qe ka lidhje me gjyqtare e prokurore, kurse nqs s’ka leke merr nje cfaredo e eshte ne duart e Zotit, ne pergjithesi i humb leket e avokatit kot, zakonisht avokati ua fut. Nqs ka nje kategori profesionistesh te lire me besueshmeri zero ky eshte avokati.

          Per ta kthyer per pak ceshtjen ne parim, ne cdo shoqeri te shendetshme solidariteti eshte vlere, ne e kemi qe ne preambulen e Kushtetutes, Italia e ka ne nenin 2 te Kushtetutes e me radhe.
          Tani, solidariteti nuk mund te kuptohet pa mirebesimin e korrektesen mes paleve apo shtresave shoqerore. Nje shoqeri qe shkon drejt individualizmit normalisht fillon e humbet solidaritetin, keshtu edhe vendin e mirebesimit e korrekteses e ze perfitimi individual qe duket si parimi baze. Perfitimi con tek mashtrimi e ketu fillon perplasja e privates jo vetem me privaten tjeter, por edhe me publiken.

          Ne kushtet kur privatja e nisur nga perfitimi nepermjet mashtrimit perplaset me publiken, atehere o jemi me publiken dhe me shtetin, rrjedhimisht me solidaritetin e mirebesimin ose nuk duam te kemi limite ne perfitimin prej aftesive tona mashtruese, por gjithsesi legale apo te padenueshme (sepse jemi ”aq te afte sa”).

          Ckemi bere ne me shtetin eshte spektakolare ne sojin e vet, ne e kemi nenshtruar publiken ndaj privates ne emer te publikes, dmth me motivin e perfitimit individual kemi privatizuar publiken ne emer te publikes.
          Por ketu motivi nuk eshte ceshtje dytesore ndaj argumentit, sepse keta qe kane privatizuar shtetin e nepermjet tij po na mjelin si lopet, per argumente te thajne, ama edhe per te mjele te thajne.
          Pra ketu kemi te bejme me argumente A qe duhet te sjellin efekte A , jo qe sjellin efekete -A.

          Kur argumenti nuk sjell efektet logjike,per te cilet eshte shkruar e propozuar, atehere problemi qendron logjikisht tek motivimi i argumentuesit, sepse aty qendron difekti i cili nuk sjell efektet e pritura.

          Ne keto kushte, meqenese ne deshirojme efektet, kryesor behet kalimi ne site i motivimit, ose me sakte, nje vleresim i argumentuesit persa i perket besueshmerise se tij e me gjere kapacitetit te tij solidar.
          Nje indidivid qe rrezaton solidaritet, pavaresisht kapaciteteve argumentuese, merr apo duhet te marre perparesi absolute, sepse sistemi eshte kaq i krimbur ne individualitet, saqe po shkon drejt shkaterrimit. Pra eshte ne kete rast nevoja per ekuiliber mes solidaritetit dhe individualitetit, ne favor te solidaritetit.

          Kemi nevoje per individe me prirje solidare apo edukim te tille, nuk kemi nevoje as per te pasur, as per te mencur, as per teknokrate as per demokrate, kemi nevoje te gjejme kete kategori individesh per t’i vendosur ne punet publike, per t’i perzgjedhur me metodat e duhura e vendosur pike se pari ne administraten publike.
          Te pakten keshtu e shoh une fillimin e nje zgjidhjeje per problemin, t’i japim shtetit njerezit e shtetit ata me prirje e edukim statalist.

  4. Per Hyllin! Nuk mendoj se shkrimi dhe as tema e tij perbenin nje rast unikal per komente, si vazhdim i te ashtuquajturit “bulverizem” qe eshte! Thjesht ishte shkrim per te qeshur, se na kujtoi kohet e shkuara, (por dhe te sotme, si dhe kudo ne bote). Por nga komentet e tua ndalem te them, se padashur ti i hedh po vete poshte argumentet qe sjell, tek merr shembujt e keqinj te shoqerise se sotme shqiptare si shembull, pa ua mohuar negativitetin! Eshte pikerisht ky lloj paragjykimi, ai qe nuk u jep kurre zgjedhje problemeve. Cdo paragjykim pasohet nga nje paragjykim, e keshtu shmanget thelbi i ceshtjes. Natyrisht qe dhe mua me vjen shpesh inat kur shoh se si nje mafioz-kriminel del dikur dhe flet per politikat sociale. Apo prostituta flet per moralin! Ne kete rast paragjykimi vjen menjehere ne koke: surrati i ketij na flet per shendetin dhe dinjitetin! Surrati i saj na tregon edukaten! E lere me, po te mendosh se jo ralle keta mafioze-kriminele jane jo nje e dy, por masa te tera, ku nje pjese e tyre e ardhur nga bota e biznesit mafioz nis karrieren politike, (jo vetem ne Shq. por edhe ne Amerike e gjetke, gjate shek. 19, 20, 21), dhe retorika e paketave sociale dhe dinjitetit njerezor i percjell pastaj keta mafioze te qete deri ne fund te jetes. Ja c’ti besh! E shumta ketyre mund tu thuash: ku ishte deri tani ti zoterote!? Dhe ata mund te te pergjigjen: Porta e parajses eshte gjithmone e hapur per te penduarit!.. Shou mbaron, shou vazhdon!… Prandaj ligjet duhet te drejtojne dhe jo paragjykimet!

Comments are closed.