kur një lajmëtar çonte një mesazh nga një skaj i shtetit te tjetri, edhe ai vetë ishte mesazhi që udhëtonte
Thuhet se në Tibet, lajmëtarët që çonin mesazhe të shkruara nga një anë e shtetit tek tjetra, përcillnin edhe një mesazh të dytë, të cilin e kishin mësuar përmendsh dhe që ndryshonte shumë nga i pari. Po të ndodhte që lajmëtari të binte në duart e kusarëve apo të armikut, këta do t’ia gjenin mesazhin e shkruar dhe do ta përdornin sipas dëshirës, prandaj ky përmbante zakonisht informacion të rremë, të tillë që ta ngatërronte armikun. Përkundrazi, mesazhi tjetër, ai që lajmëtari do ta përcillte gojarisht, ishte i vërteti.
Kjo praktikë do të ketë qenë sekret i madh, përndryshe asgjë nuk do t’i pengonte kusarët apo çetat e armikut që ta vinin lajmëtarin nën torturë, për ta detyruar që ta rrëfente mesazhin tjetër, atë të mirëfilltin. Por mund të ketë ndodhur – them unë – edhe që, për ta pështjelluar armikun, lajmëtarit t’i jepej mesazhi i rremë për ta mësuar përmendsh dhe ai i sakti me shkrim; por pa e ditur ky se cili mesazh duhej mbrojtur me çdo kusht. Siç edhe mund të ketë ndodhur që një lajmëtar të dërgohej me dy mesazhe të rreme – njërin të shkruar, tjetrin të mbajtur mend, për ta bërë armikun të kujtojë se, të paktën, njëri prej këtyre ishte i vërteti.
Këtu më ngacmon ideja që, kur një lajmëtar çonte një mesazh nga një skaj i shtetit te tjetri, edhe ai vetë ishte mesazh që udhëtonte; madje edhe po të mos kish mësuar ndonjë gjë të fshehtë përmendësh, si alternativë ndaj çfarë kish të shkruar. Me pak imagjinatë, mund ta bart këtë dinamikë tek e përditshmja jonë, me çdo tekst që na del përpara; ai tekst përmban një mesazh që mund të jetë për ne, aq sa të na bëjë të harrojmë për lajmëtarin, ose atë që na e solli tekstin; dhe që është edhe ai tekst, në mënyrën e vet. Nuk do të ishte madje gabim që tekstet që na dalin përpara t’i konsiderojmë si “lajmëtarë të kapur”, dhe t’i vëmë në torturë ata që na i kanë sjellë; natyrisht, jo duke u vënë vezë të ziera nën sqetull e duke u gudulisur shputat e këmbëve, por duke i lexuar si shenja.
Dërgimi i një teksti me lajmëtar është akt komunikimi, i ndryshëm nga shkrimi apo leximi i tekstit. Ndonjëherë ndodh që marrësit e lajmit të zemërohen aq shumë, sa ta ekzekutojnë lajmëtarin – don’t shoot the messenger, thotë një fjalë e urtë e anglishtes; dhe kjo pavarësisht nëse lajmëtari e di apo jo se çfarë lajmi po sjell, meqë ka edhe lajmëtarë analfabetë, ose që janë porositur të mos e hapin dhe ta lexojnë letrën. Rrallë ndodh që t’i thonë lajmëtarit se “lajmi je ti vetë”, dhe se tekstet që ai sjell, të shkruara a të folura qofshin, shërbejnë vetëm për të dizinformuar. Marrësi i mençur di t’i interpretojë edhe tekstet e rreme dhe të ekstraktojë prej tyre të vërteta, sa kohë që edhe sajimi e mashtrimi janë edhe ato vetë akte të qëllimshme.
Natyrisht, nëse duam të mësojmë diçka, ose qoftë edhe të marrim vesh pse po na gënjejnë, duhet të dimë si ta torturojmë tekstin, përfshi këtu edhe lajmëtarin-tekst; edhe kur qëllimet e atij që e dërgon mesazhin nuk mund të merren vesh me siguri, të paktën mund të përfytyrohen. Edhe lajmëtari, sado të jetë ai vetë mesazh me dijeninë e vet ose pa e ditur, mund të ketë synimet e veta, që shkojnë përtej honorarit që ka marrë për porosinë dhe që jo doemos përkojnë me synimet e lajmit vetë dhe synimet e atij që lajmëron; dhe aq më pak kur lajmi është i natyrës “shoot me”. Me këtë nuk dua të them, gjithsesi, që marrësi i lajmit – i mirëfilltë apo aksidental – ta zgjedhë lajmëtarin si dhëndër për të bijën; por vetëm ta kuptojë që, në çdo rrethanë, lajmëtari është tani po aq pjesë e lajmit sa ç’është lajmi pjesë e lajmëtarit.
Tregojnë se Galileo-ja, në letërkëmbimet me kolegët e vet anembanë Europës, i lajmëronte ndonjëherë zbulimet e veta me tekste të pakuptueshme, të cilat nuk ishin veçse anagrama frazash latine, që pastaj duheshin rikombinuar nga marrësit, për të marrë vesh se çfarë e reje u vinte nga mjeshtri. Ashtu leximi i letrës shndërrohej edhe në një test inteligjence për marrësin, sepse vetëm ai që ish në gjendje ta zgjidhte gjëzën e meritonte që të lajmërohej për zbulimin – diçka që, në mënyra të ndryshme, e bën çdo tekst i denjë për këtë emër. Gjithsesi, problemi me anagramat është se, sa më të gjata që të jenë, aq më të mëdha janë gjasat që të lexohen në mënyra të ndryshme, siç ka ndodhur edhe me Galileo-n vetë, të cilit iu atribuuan pastaj disa zbulime që nuk i kish bërë por që mund t’i kish bërë).
Në këtë rast, kjo që teksti është anagramatik dhe duhet rikombinuar është gjithashtu pjesë, në mos e tekstit, të paktën e mesazhit; përndryshe vetë mesazhi nuk funksionon si duhet. Me këtë nuk dua të them që tekstet që na dalin përpara të fillojmë t’i trajtojmë si anagrama dhe të kalojmë me të orë, ditë, muaj e vite, duke kërkuar atje të vërtetën e fshehtë siç bëjnë ndonjëherë kabalistët me Biblën hebraike; por se nuk do të ishte fare keq sikur të mendonim ndonjëherë se leximi i gabuar i tekstit që kemi përpara është pikërisht synimi i atij që na e ka dërguar – qoftë ky njeri që na troket në derë, qoftë një televizion a një media sociale – dhe se lajmëtari, ose ai që na e sjell tekstin, mund ta dijë por mund edhe të mos e dijë këtë, çfarë nuk e bën, gjithsesi, më pak pjesë integrale të shkëmbimit.
(c) 2025 Ardian Vehbiu & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është përfytyruar me Flux.
Kjo ese është botuar më parë në substack-un Menditime. E ftoj lexuesin të klikojë linkun dhe të abonohet te substack-u për t’i marrë shkrimet me email (mund ta bëjë abonimin falas ose me një pagesë simbolike, sipas dëshirës dhe mundësive). Si rregull, shkrimet e substack-ut nuk do të sillen në revistë, sepse plotësojnë një nevojë tjetër dhe, prandaj, ndryshojnë nga shkrimet që dalin zakonisht këtu.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.