MË E KEQJA E CENSURËS ËSHTË…

 

Në takimin që kryeministri shqiptar, piktori Edi Rama, mbajti te Galeria Marian Goodman në New York, shtrova pyetjen se sa prej atyre që ishin mbledhur aty për të festuar ekspozitën e tij, pra atë të një artisti-politikan, realisht dinin diçka për pikërisht politikat e Ramës dhe të qeverisë së tij gjatë 3 viteve të fundit. E vetmja përgjigje nga salla erdhi në formën e një pyetje se kush isha unë, nga artisti Liam Gillick, që edhe ka ngjyrosur një prej pallateve në Tiranë gjatë kohës që Kryeministri ishte Kryebashkiak. Ndërkohë përgjigjja e Kryeministrit, sikurse mund të pritej para adhuruesve të tij në New York, ishte që unë, njëlloj si të gjithë ata që e kritikojnë apo akuzojnë, “thjesht nuk po e kuptoja (you don’t get it).” Pyetjen time të plotë si dhe përgjigjen e Kryeministrit e gjeni në videon që tashmë është shpërndarë gjerësisht në mediat elektronike në Shqipëri, ndaj s’po e riprodhoj këtu; por tani po ndalem veç tek një pjesë të vogël e asaj që më tha Rama dhe që shumë vëzhgues e kanë interpretuar si kërcënim, sado të maskuar. Kryeministri e pa të nevojshme të më sigurojë mua, dhe nëpërmjet meje publikut të tij në sallë, që asgjë nuk do të më ndodhte mua pas kësaj kritike-me-pyetje, madje më ftoi që edhe unë të përdor hapësirën e COD për protestën time, gjithë duke qenë e përgatitur që të marr edhe përgjigjen përkatëse në shqip. Aty për aty ia ktheva që ajo përgjigje sigurisht do ishte më e ashpër, siç edhe nënkuptohet.

024-0120155549-censorship1Pas takimit, pata mundësinë të bisedoj me disa të pranishëm të interesuar të mësonin më shumë rreth kritikës që ngrita. Më pyetën si është kjo puna e censurimit në Shqipëri, pasi media është me gjasë private dhe nuk kontrollohet nga shteti, pra as nga Rama. Pasi u shpjegova pak si, jo ndryshe nga kudo tjetër, mediat në Shqipëri në mos pronë e partive të ndryshme politike, janë pronë e pronarëve që kanë interesa të lidhura ngushtë me pushtetin; me atë pushtet që shpërndan, në mos gjë tjetër, tendera e kontrata për miqtë që e sollën dhe e mbajnë në fuqi, dhe i përmenda vetëm dy rastet më të fundit: censurimin e investigimit të vrasjes së Ardit Gjoklajt dhe konfliktin e interesit të tenderit për restaurimin e Teatrit Kombëtar.

Por realisht korrupsioni në Shqipëri nuk i bën kujt përshtypje, siç dëshmoi artikulli në The Guardian për ekspozitën e Ramës në Marian Goodman, dhe nga ky aspekt, çfarë duhej t’u kisha përmendur me të madhe bashkëbiseduesve të mi është situata e artistëve në vend. Kohët e fundit kam vënë re (sa në dy vizitat e mia të fundit në Tiranë aq edhe te statuset e aktivizimi në Facebook) si shumë artistë çdo ditë e më tepër po tërhiqen a po fshihen, duke treguar kujdes të jashtëzakonshëm që të mos shprehin ndonjë bindje a qëndrim politik dhe as të mbështetin apo dhe “shihen” publikisht me ndonjë që edhe thjesht duket sikur flet kundra këtij apo atij pushteti. Edhe ndonjë artist që qëllon të bëjë art “politik” a të angazhuar, nuk është se e sheh të marrë pjesë në protesta ambientaliste a të kërkojë drejtësi për vrasjen e një 15-vjeçari në landfill. Jo, jo! Këtë artist nuk e sheh as të denoncojë korrupsionin në vetë fushën e artit ku lëvron; as të revoltohet kur pushtetarët që s’kanë bërë asgjë për të deri dje, sot i mohojnë punën dhe marrin merita për arritjet e tij; as të refuzojë të marrë pjesë në ekspozita të çelura në bunkerë apo edhe jashtë Shqipërisë, bie fjala në Francë, ku arti bashkëkohor trajtohet si dekor në rastin më të mirë dhe si objekt etnografik në rastin më të keq. Këtë kisha parasysh kur konstatova që skena artistike nuk ka qenë ndonjëherë më keq se ç’është nën pushtetin e Kryeministrit-artist dhe përgjigja e tij që asgjë nuk do të më ndodh mua, nuk është se vlen edhe për ata artistë në Shqipëri që i druhen protestës dhe kundërshtimit publik.

Njoh dhe kam marrëdhënie sa profesionale, aq edhe shoqërore me shumë e shumë artistë atje, me të cilët kemi biseduar hapur dhe pa komplekse për zhvillimin e tyre artistik si dhe atë skenës dhe prej të cilëve jam informuar hap pas hapi për situatën e atjeshme, sidomos gjatë legjislaturës së tanishme. Shpresoj të kem qenë për ta më shumë sesa bashkëbiseduese me të cilën qanin hallet, bënin thashetheme dhe i tregonin punët e fundit – pasi jam munduar t’i mbështet me shkrime, përkthime dhe kritikë sa herë më është kërkuar, madje edhe kur nuk më është kërkuar. Shpesh kam bërë avokaten e tyre, pa e ditur ata. Asnjërit prej atyre që më njohin nuk do t’i ketë ardhur si befasi që tani jam kaq kritike ndaj kësaj qeverie, e cila ka përvetësuar e si rrjedhojë përkeqësuar artin dhe skenën që un kam vite që e ndjek, e njoh, dhe jam aktive në të. E megjithatë, ata pak nga pak kanë filluar të distancohen dhe të shkëputin marrëdhëniet me mua, disa të paktën në publik e ndonjë ka shkuar deri aty sa edhe të më bllokojë krejt në rrjet, ngaqë nuk i ka pëlqyer diçka që kam thënë; pa çka se kjo diçka nuk ka pasur të bëjë drejtpërdrejt me ta, artin e tyre dhe statusin e tyre, por ka shënjestruar etërit e tyre artistikë, që tani çdo ditë e më tepër po u bëhen etër burokratikë.

Është krijuar një atmosferë që, në mos e diktuar nga pushteti, është e vetë-imponuar; pasi askush nuk don të prishë marrëdhëniet (reale a të imagjinuara) me pushtetin; dhe aq më tepër kur rrezikojnë jo vetëm karrierën e tyre artistike por edhe vetë mbijetesën, e cila u varet, për shembull, nga kontratat si dizajner grafik a videograf. Ka qenë ky siklet që i ka detyruar kolegët e mi të tërhiqen nga unë, nga njëri-tjetri dhe përfundimisht nga arti! Sado keq më vjen keq për këtë situatë në aspektin profesional si dhe personal, ajo që ndjej dhe vuaj më së shumti është dëmi që vetvetiu po i bëhet skenës artistike, e cila sot më shumë se kurrë ka nevojë për mbështetje, bashkëpunim, por edhe për debat e kritikë. Edhe më shqetësuese është këtu logjika e të mosbërit kritikë ndaj pushtetit, një farë “playing it safe,” e cila tashmë përfshin edhe vetë artin. Që të mos keqkuptohemi, flitet boll nëpër kafe, në Facebook, e aq më tepër në biseda private, por nuk para guxon njeri të shkruajë kritikë arti, qoftë edhe në terma formaliste e estetike, ndaj ndonjë artisti apo hapësire/organizate artistike që në mos ka pushtet, është fare pranë tij dhe gëzon miratim dhe mbështetje prej tij. Ose jo pa bërë të paktën ca muaj punë kërkimore dhe shteruese në 40 e kusur faqe studimi akademik, që kritika të merret seriozisht dhe të mos injorohet si inat personal!

Druhem se ky fenomen nuk i përket vetëm botës së artit por është i pranishëm në çdo fushë e aspekt të jetës sociale e politike dhe jo vetëm në Shqipëri, pasi e has kudo edhe në USA, ku njerëzit sa për të respektuar një farë etikete, sa nga frika, nuk para flasin keq dhe as janë negativë pa qenë nevoja (çka shpjegon edhe pse askush realisht nuk do të bëjë ndonjë kritikë artistike të artit të Ramës në New York apo gjetkë, nisur nga parimi “kur s’ke gjë të mirë të thuash, më mirë mos thuaj asgjë”.) Por në Shqipëri kjo patologji ka arritur përmasa absurde dhe shqetësuese, kur një artisti i thuhet deri edhe se nuk mund te jem unë kuratorja e ekspozitës se tij të planifikuar prej muajsh, pasi unë kam qenë kritike dhe “kam sharë” në mos hapësirën vetë, të paktën personin që e drejton atë. Në rastin konkret, kjo ishte e tëra një farsë, pasi hapësira në fjalë nuk e pati problem të më priste mua dhe nja 20 të ftuar ndërkombëtarë fiks një ditë para se të hapej pikërisht ajo ekspozitë që e kishin parë të udhës të ma refuzonin. Po të kishin qenë aq të lënduar nga kritika ime, administruesit e kësaj hapësire dhe të zotët e shtëpisë nuk do të kishin pranuar as këtë eventin e dytë! Në fakt, unë dhe artisti në fjalë nuk po ndëshkoheshim për qëndrimin tonë kritik ndaj këtyre të zotëve të shtëpisë, por për kritikën ndaj pushtetit që i mbështet ata; ose pikërisht atij pushteti të cilit nuk ia mbajti të refuzonte eventin me të ftuarit e huaj, sepse të huajt në Shqipëri gjithnjë u dashkan impresionuar nëpërmjet artit dhe hapësirave të kontrolluara ku kultivohet dhe mirëmbahet hipokrizia. Po e sjell këtë shembull vetëm tani që artisti në fjalë e hapi ekspozitën e tij tjetërkund dhe ky episod censure nuk do të ndikojë dot në mënyrën si u përcoll ky event, i cili gjithsesi meriton më shumë se kaq.

Këtë lloj atmosfere shtypëse nuk besoj se e regjistron dot ndonjë instrument a raport i Komisionit Europian, por ajo është akoma më e ndjeshme sesa efekti butaforik i ngjyrave me të cilat vijon të krekoset Kryeministri. E nëse ai kërkon të marrë meritat që beson se i takojnë për përmirësimin e sjelljes dhe të jetesës së qytetarëve të tij me një të rënë të lapsit, atëherë do të na duhet t’i faturojmë edhe dëmin që po shkakton sa me retorikën ofenduese ndaj bashkëbiseduesve, pra të njëjtëve qytetarë të tij konsumatorë të ngjyrave, aq edhe me psikozën dhe frikën e instaluar nëpërmjet favoreve apo ndëshkimeve që lëshon.

Ndaj shumë artistë i janë bashkuar tashmë pushtetit për të përfituar nga ndonjë kontratë pune si reklamaxhinj (dikush duhet t’i filmojë e të montojë gjithë ato orë propagandë që prodhojnë Kryeministria e Bashkia për projektet e tyre!); si organizatorë e DJ festivalesh; a si artistë zyrtarë që ekspozojnë artin e tyre në COD – ndërsa të tjerë thjesht po presin, disa madje duke bërë të pamundurën, që të shalojnë valën e brandit Kryeministër, për t’u katapultuar vetë si artistë ndërkombëtarë; ose në një rol ku besoj s’do të ngurojnë të bëjnë artistin shqiptar, që sipas kërkesave të vëmendjes dhe tregut global të artit bashkëkohor, do të thotë të bëjnë art për gjendjen socio-politike në Shqipëri. Përtej oportunistëve të të gjitha ngjyrave, kemi dhe plot artistë të tjerë që realisht janë të lodhur dhe të mundur nga lufta kundër kësaj gjendjeje prej vitesh dhe në mos e kanë lënë artin fare, tashmë janë mbyllur në “studio”, larg çdo vëmendjeje. Të tjerë që edhe pse kanë aq sukses e treg ndërkombëtar sa prej tyre do të pritej që të ndiheshin të lirë nga trysnia e të mbijetuarit, kanë frikë që pushteti i sotëm mund t’u bëj dëm edhe jashtë, sa kohë që Kryeministri lëviz në qarqe që çdo artist ia ka zili; ose thjesht zgjedhin të mos përfshihen, falë sigurisë financiare që kanë siguruar dhe që tashmë i lejon të izolohen nga efektet e politikës. Të tjerë akoma, në mungesë të ndonjë tradite disidence apo thjesht të modeleve të shëndetshme të artistit të angazhuar – përfshi këtu edhe vetë Kryeministrin që më shumë njihet për rolin e tij si kritik dhe nxitës i lëvizjes studentore në Akademinë e Arteve sesa si artist mirëfilli – nuk dinë të luajnë tjetër rol përveç atij të artistit “të pavarur”, a thua se kjo i shpëton nga përgjegjësia e të qenit qytetarë.

Nuk po dua të tregoj kënd me gisht, pasi jam e vetëdijshme për konditat ku jetojnë e punojnë të gjithë këta artistë, që nuk janë të reja as janë shkaktuar nga pushteti i sotëm; por nuk kam as si të mohoj përkeqësimin e trysnisë dhe censurës që po përshkruaj. Nëse ky shkrim ndokujt i duket i hidhur dhe realiteti i ekzagjeruar, atëherë kjo do të dëshmonte pikërisht atë për çka po flas. Çdo pretendim ndryshe vjen vetëm nga dikush që përfiton drejtpërdrejt nga kjo situatë, pra dikush në pushtet ose në pritje për të marrë pushtetin; apo dikush tjetër që sikletoset se nuk do të mund ta injorojë më tej këtë gjendje ku janë katandisur arti dhe artisti sot! Dhe kjo shpjegon edhe pse kaq shumë artistë parapëlqejnë të krijojnë distancë midis vetes dhe kujtdo që denoncon apo kundërshton politikat në kulturë apo më gjerë. E bukura është që të qenit kritik është gjë që ngjit dhe infekton, po të mos i largohesh a të mos pretendosh se nuk e sheh dhe se ajo nuk ekziston. Këto kohë edhe unë po zgjedh ta rrethoj veten me njerëz që sa më mësojnë me qëndrimet dhe artin e tyre kritik, aq edhe shpresoj t’i frymëzoj, pasi janë ata që realisht po i vuajnë efektet e kësaj politike ndaj artit dhe do t’u duhet të vazhdojnë t’u rezistojnë.

Njëkohësisht, prej ditësh kam marrë me dhjetëra mesazhe inkurajuese nga miq, të njohur e dashamirës të qëndrimit tim, që e cilësojnë si të guximshëm. Një pjesë e mirë e këtyre më duken të motivuara thjesht ngaqë unë po bëj opozitën e kaq munguar në Shqipëri dhe jo ngaqë realisht kanë gjetur veten në kritikën time: në fakt, unë nuk identifikohem me dhe nuk e lë veten të përvetësohem nga ndonjë prej partive opozitare sot. Do duhej t’i gëzohesha kësaj mbështetjeje, por edhe njëherë kjo vetëm sa dëshmon censurën në mos reale, të paktën që perceptohet dhe përjetohet nga ata që po më kontaktojnë dhe urojnë për guximin. Ndërkohë që pyetja ime kritike, normalisht pjesë përbërëse e historisë dhe diskursit së artit me të cilën unë jam formuar dhe traditës kritike që unë i përkas, i drejtohej retorikisht audiencës së mbledhur në New York, pra nuk ishte e destinuar për një publik shqiptar; pa çka se përfundoi pastaj e përcjellë rrapa-shtrapa nga çdo media dhe e shtrembëruar në çdo mënyrë të mundshme. Në fakt, unë nuk e shoh si kushedi sa të guximshëm qëndrimin tim në atë kontekst, dhe zihem ngushtë kur më shohin të tjerët ashtu. Guximtarë ka plot të tjerë aty ku duhet, në Shqipëri, dhe unë veç sa dua t’u bëj jehonë, t’i mbështet e t’ua plotësoj aktivizmin dhe artin e tyre aty ku mundem.

Ka shumë nevojë për kurajë dhe zemër; dhe atyre që më përshëndesin mua sot u lutem të vazhdojnë ta lexojnë, ta ndjekin, ta kërkojnë atë këtu, përditë, mes studentëve të lëvizjes Për Universitetin, tek Peizazhet e Fjalës dhe media të tjera që nuk i lëpihen pushtetit as paguhen prej opozitës; si dhe te shumë artistë që vazhdojnë të krijojnë dhe të na mësojnë të gjithëve si të shohim dhe të ndërveprojmë me botën përreth.

9 Komente

  1. E dashur qenke hedhur dege me dege e s’ke thene asgje. Ankohesh se ka censure ngase mediat jane kapur nga pushteti, ndersa Rama ankohet se ka shume llum mediatik ku çdokush mund te shpif e s’i hyn gjemb ne kembe, e asnje investigim gazetaresk per ato qe pretendohen. Ndaj edhe ai zgjedh komunikimin e drejtperdrejte ne rrjetet sociale pa sponsorizuar ndonje media te veçante. Sot çdokush e gjen hapesiren per te folur dhe per te thene ate qe do ndaj akuzat per censure jane te pabaza, pa patur nje reagim kafsheror ku te perndiqej gjithe fisi nese shkruaje apo flisje ndaj te parit dhe te vinin me qindra kercenime ne kutine e FB-se. Flet per vdekjen e mjeranit ne Sharre dhe e merr te mireqene qe Veliaj e ka bllokuar ate emision ne A1 Report, nderkohe qe Veliaj me Kokedhimen dhe drejtorin e tij jane brire me brire per arsye qe dihen dhe e perdoren ate emision pikerisht per te ngritur kete fortune ne filxhan kafeje.
    Po ashtu duhet te dish edhe ti limitet e tua sado shpirt i lire e konsideron veten. Nese ne nje event jeni mbledhur per art, fol per art dhe jo per politike, se po dole jashte teme duhet te presesh edhe reagime me te forta, se sa ai krejt normal qe more prej Rames. Nese s’te pelqen Rama mblidhi mbeshtetesit e tu online dhe reale dhe krijo nje parti e beje vendin si do ti, per aq kohe sa ai merr vota nga populli ka mbeshtetjen e sovranit per te marre vendime qe nje pjese te grupeve te interesit nuk do u rrine mire, por ketyre te fundit askush s’u jep te drejten te sillen si vandale me veze e salce per te treguar qe mendimi i tyre eshte me i drejti.
    Kam shume per te thene, por eshte humbje kohe.
    Qendro shpirt i lire sikur pretendon, por leri njerezit e tjere te mendojne dhe veprojne ne lirine e tyre.

    P.S. Jam nje qytetar i Shqiperise qe jetoj ne emigrim e s’kam asnje lidhje te afert apo te larget me pushtetin politik ne vend, por jam edhe nje ndjekes i kujdesshem i politikes se brendshme ditore ne vend, sikurse kam dhe bindjet e mia politike.

    1. Ermal, komenti juaj ka disa pasaktesi, ndoshta prej te qenit larg dhe i shkeputur. Me sa duket, politiken e brendshme ditore nuk e ndiqni me aq kujdes, pasi bindjet politike nuk ecin dot gjithmone paralel me deshiren per t’u informuar sakte. Me poshte, po ju qartesoj pasaktesite:

      1 – Komunikimi ne rrjetet sociale nuk eshte i drejtperdrejte dhe gjithashtu paguhet (nga buxheti i shtetit). Komentet ne rrjetet sociale perzgjidhen dhe flitet tashme qe paguhen persona per te “bombarduar” me komente pro-pushtetit neper artikuj. (mbase ju?)
      2 – Emisioni per Ardit Gjoklaj nuk ka qene ne A1 Report, por ne Vizion Plus. Kanal ne pronesi te Tan Dulakut, ndertues me nam ne 15 vitet e fundit dhe perfitues qindra lejeve te ndertimit per komplekse rezidenciale si ne Don Bosko, k. Parisit, etj. Vizion plus eshte nje kanal ne krize financiare prej vitesh, pasi nuk ka audience te mjaftueshme per te thithur reklama. Dihet qe financohet prej biznesit te ndertimit te pronarit te vet. Aq sa shume nga shfaqjet i kane studiot ne salla qe u ndertuan per kinema dhe deshtuan edhe ne ate treg. Kuptohet hapur qe mbijetesa si ndertues e si media do t’i kete disa kompromise.
      3 – Kokedhima gjithashtu nuk eshte aksioner ne A1 Report prej 3 vitesh.
      4 – Nese do shihni videon e prezantimit te Rames, do shihni qe i gjithe thelbi dhe justifikimi i asaj ekspozite eshte politika: Komunizmi, tranzicioni, censura, varferia dhe ne fund “ngjyrat e artit”. Pastaj kush ju ka treguar qe politika nga arti ndahen?
      5 – Pyetja e Erioles, sic edhe shkruhet ne kete artikull i referohet pikerisht artit nen trysni politike (njesoj sic edhe Rama i referohet nje tjeter epoke)
      6 – Prej vitesh, me ligj, per te krijuar nje parti, te nevojiten 60.000 firma, se bashku me karta identiteti te konfirmuara. Ky eshte vetem nje prej disa kufizimeve te tjera. Kuptohet qartazi, qe per te hapur nje parti, tashme, vetem teknikisht te nevojiten miliona leke, nje staf i madh, logjistike dhe organizim. Cmim te cilin mund ta paguaje ndonje afarist tregtar, por jo nje sociolog, profesor, shkrimtar, apo historian arti (larg qofte artist). Kjo ben qe nga gara elektorale te perjashtohet e gjithe shtresa intelektuale dhe te mbeten vetem biznesmenet.

      Nuk po ju pergjigjem per komentet mbi studentet, pasi eshte e panevojshme nga momenti qe per 6 pikat e tjera jeni krejtesisht i informuar gabim.

  2. I habitshem Shqiptari ! Qe prej Antikitetit e deri tek fjala e priftit per te predikuar kryqezata, apo tek politikanet show-men bashkekohore, arti dhe politika nderveprojne ne gjirin e shoqerise. N’a del Shqiptari me sepat e do te ndaj politiken nga arti (piktur, literatur..). Por politika ne vetvete eshte nje poetike e te folurit ku metafora, hiperbola..i’a ben mendjen çorrape auditorit dhe provokon debat. çensura nuk eshte vetem perdjekje me sopat nga mbrapa; ndryshe Rilindasit (e kam tek vellezerit Frasheri) do jetonin ne Shqiperi e jo te shkruanin nga jashte: se fjala te vret e fjala eshte edhe aksion.

    p.s Edhe une jetoj jashte dhe ne nje nder vizitat e mia ne Atdhe konstatova : ” Shqiptaret e diaspores jane nje e keqe,ne shumicen e rasteve, per bashkekombasit e tyre, me ato mendimet e tyre te pluhurosura dhe politike “.

    1. Censura eshte censure debati eshte debat, nuk e kuptoj se ne cfare situatash mund ti ngaterrosh keto te dyja me njera tjetren. Ne fakt ky eshte nje nga shkrimet me te sakte qe kam lexuar keto kohe dhe une ketu jetoj. Nuk e kuptoj se si mund te flasesh per art e politike ne te njejten fjali duke e gjykuar si dicka pozitive. Kjo eshte pikerisht fatkeqesia e cekesia e mendimit qe na ka cuar ne keto kontekste ku ndodhemi sot. Qe politika te gjykohet si poetike dhe ku fjalet boshe te jene te vetmet gjera qe i konsiderojme si te bukura dhe me vlere. Poetika e fjaleve ne ere.

      1. Dhe po ! arti e politika bejne pjese e sistemit shoqeror dmth nuk mund ti analizosh pa dinamiken shoqerore. Dhe mos vini = aty ku ka prerje, aty ku politika e arti afrohen por nuk barazohen. Fatekeqesia e cekesia e mendimit eshte te mos njohesh fuqin e fjales : “Poetika ne ere = politika ne ere” ! Nuk eshte rastesi qe studimet filologjike merren me diskurin politik, dhe shembulli i fundit eshte puna e Maixent Chenebaux. Besoj se do kishte vlere te analizohej, me nje metode objektive, sesi Zoti KM perdor petken e artistit dhe ne çfare konteksti politiko-shoqeror : A shumefishohen ekzpozitat e tij ne momente te cakuara? Ne cilin kontekst shoqeror? Ne cilat vendi i mbane? Cilat jane lidhjet diplomatike Shqipetare me keto vende? Kush eshte publiku i cibluar ? e bla bla…

        p.s”gjykuar si diçka pozitive” e ku eshte pozitivja aty? Cektesia e mendimit me mban large gjykimit bardhe e zi, por kenaqem duke pare nuancat!

        p.s.s komenti im nuk ka te bej me individin por me nocionin: e thene ndryshe, ne kete kuader, mendoj qe Znj. Eriola Pira ka te drejte ti beje nje pyetje politike artistit perballe saj.

  3. Eriola, çdo gjë që ke thënë lidhur me kryeministrin Rama dhe me politikat e tij që shkojnë në dëm të pavarësisë së artistit apo skemave të tij pvr ti bllokuar artistët që rreshtohen kundër tij apo politikave të tij, mund të jetë e vërtetë…
    Por, me që pretendon se je kaq e drejtë dhe se ua do të mirën artistëve shqiptarë dua me t’ba një pyetjë për të cilën ti sigurisht ke me thanë: “Po çka ka lidhje tash kjo qështje me ato që shkruajta unë?!”…
    Pse tu desht ty, nga New Yorku, të fusësh duart në Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe padrejtësisht, projektin që aty u realizua me vite të tana t’ia “dhurosh” një sipërmarrësi privat me kuazi Qendrën e tij të Artit Bashkëkohorë?! Sigurisht se tashmë e kuptuve që fjalën e kam për projektin “Artistët e së nesërmes”, apo jo? Me këtë ndërhyrje tinzare në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ti i ke shkaktu dëm të jashtëzakonshëm artit të këtij vendi dhe në rend të parë Galerisë e cila, në mënyrë shumë dinjitoze dhe gjithmonë, shumë transparente i ka organizuar Konkurset për projektin që po të shkruaj*.
    Nuk je ti aq e shenjtë sa përpiqesh të tregohesh përmes këtij reagimi kundër kryeministrit tënd, piktor! Bile nga ky shkrim e kuptova se ti nuk e ke fare hallin e artistëve të Shqipërisë por e ke hallin e pamundësisë me e shtri ndikimin tënd edhe në Tiranë.
    Une se kam ndërmend me u fsheh pas nofkave apo emrave të rrejshëm por dua të nënshkruhem me emrin e vërtetë dhe mbase edhe të kujtohem, pastaj! | Fahredin Spahija, profesor i fotografisë në Prishtinë

    (*Eriola Pira është Drejtor i Programit “The Young Visual Artists Awards” – një rrjet i Çmimeve për artistët e rinjë në Europën Qendrore e Jugore dhe programit për residenca, në New York.)

    1. Zt. Spahija,

      Nuk kam ndërmend të komentoj mbi cka shkruan pasi shkrimi im i mësipërm nuk është shkruar në kapacitetin tim si drejtoresha e programit YVAA. Për cdo paqartësi mund ti referoheni komunikatës për shtyp për sa i përket lëvizjes së cmimit AOT. Më shume se kaq nuk është vëndi këtu të shpjegohem për vendime të marra nga një ekip pune, që organizojnë cmimin dhe rezidencën në NY dhe zgjedhin me kë të bashkëpunojnë, dhe jo nga unë personalisht. Nëse iu lypen sqarime të mëtejshme, jeni të lirë ti drejtoni pyetjet tuaja në adresën e YVAA tek info@yvaawards.org.

      http://yvaa.tumblr.com/post/137162474772/stacion-center-for-contemporary-art-prishtina.
      E gjen dhe në shqip këtë komunikatë që është shpërndarë në Shtator të 2015.

  4. Eriola, përshëndetje sepse me atë pyetje na ke prezantuar edhe ne që duam t’u rrimë larg me kilometra politikanëve të llojit Rama. Jo sepse kemi frikë, por se kemi neveri.

    Për të sqaruar ata qe flasin për ndarjen e artit nga politika. Ajo që bën Edi Rama nuk është as art dhe as politikë – është thjesht makutëri dhe vjedhje.

    Ne këtu në New York e dimë se nga erdhën paratë për të paguar për ekspozitat e Edi Ramës. Erdhen nga Shqipëria. (Pse nuk pyesni Edi Ramën se kush ia blen pikturat, dhe kush janë këta artëdashësit nga diaspora?)

    Ato para jane ose të vjedhura nga taksapaguesit, ose të fituara me aktivitete të jashtëligjshme (hashashi e droge). Me këto lloj aktivitetesh, Rama po varfëron jo vetëm Shqipërinë dhe po kërkon të blej diasporën.

    Eriola, keep up the good work! They can’t buy us all.

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: