Titulli: Magjistrica e Firences
Autori: Salman Rushdie
Shqipëroi: Ilir Baçi
Botimet Dudaj
Përgatiti për Peizazhe të Fjalës: Ilir Baçi
Romani “Magjistrica e Firences” është romani i dhjetë i autorit të letrave britanike Salman Rushdie, i botuar në Britaninë e Madhe në vitin 2008. Rushdie fitoi famë në rrethet letrare me botimin e romanit “Fëmijët e mesnatës” në vitin 1981, i cili u nderua me çmimin “Man Booker Prize”. Sigurisht, më pas, në popullatën e gjerë globale atij i doli nami (i mirë, për disa, dhe i keq, për disa të tjerë) për shkak të romanit “Vargjet satanike” të cilin e botoi në vitin 1988. Krijimtaria e Rushdie-ut, gjer tani, mund të ndahet në dy periudha: periudha e parë, deri në vitin botimin e romanit “Furia” në vitin 2001, dhe periudha e dytë, që ka nisur me botimin e romanit “Shalimar the Clown” në vitin 2005. Edhe pse në të gjitha veprat e tij mbizotërojnë tiparet e realizmit magjik, periudha e parë dallon për nga ndërlikimi i skajshëm i veprës, me shumë subjekte paralele dhe, sidomos, me referime jashtëtekstuale, të cilat e vështirësojnë shijimin e veprës. Ndërsa në periudhën e dytë kemi një thjeshtim, nëse mund të shprehemi kështu, të veprës, me pakësim të numrit të subjekteve paralele brenda romanit, dhe me një ritëm më të shpejtë. Por, gjithsesi, mbetemi brenda realizmit magjik. Ndër morinë e elementeve me ndikim në krijimtarinë e Rushdie-ut, dua të veçoj përrallat arabe, të cilat ne i njohim si “Një mijë e një net”. Edhe në romanin “Magjistrica e Firences” janë të forta tiparet orientale, të cilat autori, enkas, i ka përplasur me ato oksidentale. Romani bën fjalë për takimin e dy dashnorëve të destinuar për njëri-tjetrin: Karakëzja, princesha Syzeza e dinastisë mongole, sundues të nënkontinentit indian, me kalimin e saj dorë më dorë nga njëri princ, mbret e sunduesi humbur te tjetri, drejt perëndimit; dhe Argalia, gjeneralisimi i ushtrisë osmane, një djalë i lindur dhe rritur në Firence, shok i ngushtë fëmijërie i Nikolo Makiavelit, i cili kërkoi kësmetin e tij që i vogël jashtë Firences dhe të cilin kësmeti e hodhi në duart e osmanëve. Argalia dhe Karakëzja takohen, siç e kishin të shkruar fatin. Se çfarë ndodh me ta, këtë mund ta mësoni në këtë roman të magjishëm. Këtu veç sa po hedhim disa copëza, të cilat janë shkëputur pa asnjë kriter drejtësie apo merite, sepse gjithë romani, guxoj të them, është një mozaik xhevahiresh.
1.
Liqeni vezullues, në grimat e fundit të dritës së ditës, në këmbët e pallat-qytetit, ngjante me një det ari të shkrirë. Udhëtarit, i cili po kalonte këndej në perëndim të diellit, përgjatë rrugës së bregut të liqenit, mund t’i dukej sikur po i afrohej fronit të një monarku kaq të kamur, saqë kishte dhënë lejen që një pjesë të thesarit të tij ta shkrinin e, me të, të mbushnin një gropë të stërmadhe në tokë, e gjitha kjo për të lëbyrur sytë dhe mendjet e mysafirëve. Dhe sado i madh të ishte liqeni i arit, me siguri që nuk ishte veç një pikë e nxjerrë nga deti i pasurisë së mbretit—mendja e rrugëtarit nuk e rrokte dot madhësinë e atij oqeani pasurie. Madje, në breg të ujërave të arta nuk kishte as roje. Të ishte, vallë, kaq bujar mbreti, saqë t’u kishte dhënë leje të gjithë nënshtetasve të vet, madje edhe të huajve e mysafirëve, siç ishte vetë ky rrugëtar, të merrnin nga uji i begatë i liqenit? Po të ishte kështu, atëherë ai do të ishte ajka e burrave, një Prestër Xhon i vërtetë, mbretëria me këngë e përralla e të cilit fshihte në gjirin e vet mrekulli të pamundura. Mbase, pandehu rrugëtari, brenda mureve të qytetit ndodhej burimi i rinisë së përjetshme, madje në të ndodhej edhe porta e parajsës mbi dhe, Por pastaj dielli u fsheh prapa horizontit, ari u zhyt nën sipërfaqen e ujit dhe humbi nën të. Deri në rikthimin e dritës së diellit, do ta ruanin sirenat e nepërkat. Gjer atëherë, i vetmi thesar i kapshëm do të ishte uji, një dhuratë, të cilën rrugëtari i etur e pranoi me mirënjohje.
2.
Milord i shëtitur, ky Hoksbanku i po atij soji. Tregonte më pak vjet nga ç’i kishte. Syri i vetëtinte dhe lëkurën e kish pa rrudha, paçka se kishte nja shtatë vjet që i kish hedhur të dyzetat. Mënyra si e përdorte shpatën ishte kthyer në legjendë dhe fuqitë i kishte si të demave të bardhë. Një herë, kishte shkuar vetëm me trap deri në burimin e Lumit të Verdhë, në liqenin Karku, ku kishte ngrënë çorbë me penis tigri. Kishte bërë gjueti rinoqerontësh të bardhë në Kraterin e Ngorongoros dhe i kishte ngjitur më këmbë të dymijë e tetëdhjetekatër majat e Munrove skoceze, që nga Ben Nevisi e deri në kulmin e paarritshëm të Sgurr Deargut në ishullin Skaj, atdheun e Skathasë së Tmerrshme. Përpara shumë kohësh, në kështjellën Hoksbank, ish grindur me të shoqen, një grua trupvogël dhe gjuhëgjatë, me kaçurrela të kuqe dhe me nofullën si arrëthyese holandeze dhe kështu e kishte lënë lart, në Malësi, me dhëntë e saj të zeza, dhe ishte nisur të kërkonte kësmetin e vet, siç kishte bërë edhe një i pari i tij. Ishte bërë kapiten i një anijeje, në shërbim të Drejkut, për të rrëmbyer arin e Amerikave nga spanjollët në Detin e Karaibeve. Mbretëresha mirënjohëse e kishte shpërblyer duke i ngarkuar ofiqin e ambasadorit në vendin ku ishte nisur tani të shkonte. Duhej të mbërrinte në Hindustan, ku kishte dorë të lirë të merrte për vete sa pasuri të gjente, qoftë kjo në formën e xhevahireve, opiumit apo floririt, për sa kohë t’i jepte dorazi mbretit një letër prej Glorianës dhe t’i kthente kësaj të fundit një përgjigje prej mongolit.
– Në Itali, e quajmë ‘mogor’, – i tha prestidigjitatori i ri.
– E kush e di se si mund të spërdridhet, lidhet e shkapërderdhet kjo fjalë në gjuhët e pashqiptueshme të atij vendi! – ia ktheu lordi Hoksbank.
3.
Në agim, pallatet si fantazma, prej guri ranor të “qytetit fitimtar” të ri të Ekberit të Madh ngjanin sikur ishin prej tymi të kuq. Shumica e qyteteve fillojnë të japin përshtypjen se janë të përjetshëm thuajse sapo lindin, mirëpo Sikri do të ngjante gjithmonë me një mirazh. Kur dielli ngrihej në kupë të qiellit, nxehtësia e ditës i godiste rrasat si çomange, e shurdhonte veshin e njeriut, e bënte ajrin të dridhej si antilopë e frikësuar dhe e bënte më pak të dallueshëm kufirin midis kthjelltësisë dhe kllapisë, midis të paqenës dhe të qenësishmes.
4.
Nuk ka qytet që të jetë vetëm me pallate. Qyteti i vërtetë, ai i ndërtuar me dru, baltë, bajga, tulla e gurë, kërrusej nën muret e bazamentit madhështor prej guri të kuq, mbi të cilin rëndonin sarajet mbretërore. Lagjet ndaheshin sipas racës dhe zejes. Ja, këtu ishte rruga e argjendarëve, atje punishtet e zhurmshme të armëtarëve, ndërsa, atje tej, buzë atij kanali, ishte vendi i teshave dhe arturinave të lira. Në lindje ishte kolonia e hinduve dhe përtej saj, ngjitur pas mureve të qytetit, lagjja persiane, dhe më tej akoma, krahina e turanëve dhe edhe më tej akoma, pranë portës së stërmadhe të Xhamisë së Xhumasë, ndodheshin shtëpitë e indianëve të kthyer në myslimanë. Të shpërndara nëpër fusha ishin vilat e fisnikëve, studiot e artit dhe shkrimtoret fama e të cilave ishte hapur në mbarë vendin, si edhe një tendë ku këndohej, dhe një tjetër ku vallëzohej. Në pjesën më të madhe të këtyre lagjeve kokulura, njerëzit nuk kishin nge ta merrnin veten me të mirë. Kur perandori kthehej në qytet nga luftërat, urdhri për të heshtur u sillte njerëzve të qytetit prej balte ndjesinë se nuk merrnin dot frymë. Pulave duhej t’ua mbyllnin sqepin kur i thernin, nga frika se mos i prishej rehati mbretit të mbretërve. Sikur t’i kuiste rrota e qerres, mbi shpinën e qerrtarit binte kamxhiku dhe, sikur të nxirrte zë nga kamxhiku, qerrtari e pësonte edhe më keq. Kur pillnin, gratë i mbysnin britmat, ndërsa lëvizja pa zë në treg ngjante si çmenduri: “Kur është mbreti këtu, luajmë të gjithë mendsh,” thoshin njerëzia, duke shtuar, pastaj, shpejt e shpejt, se kishte hafije e tradhtarë sa të duash në çdo qosh, “nga gëzimi, natyrisht.” Qyteti prej balte e donte shumë perandorin, ngulte këmbë për këtë, ngulte këmbë pa thënë asnjë fjalë, sepse fjalët përbëheshin nga ai materiali i ndaluar, nga tingulli. Kur perandori largohej përsëri për në ndonjë fushatë lufte, për në ato betejat pa fund (paçka se gjithmonë fitimtare) të tij, kundër ushtrive të Guxharatit dhe Raxhastanit, të Kabulit dhe Kashmirit, atëherë hapej burgu i heshtjes, binin boritë, shpërthenin brohoritjet dhe njerëzit, më në fund, mund t’i thoshin njëri tjetrit gjithçka që kishin qenë të detyruar ta mbanin të pathënë për muaj me radhë. Të dua. Më ka vdekur nëna. E paske bërë të mirë supën. Po nuk m’i dhe paratë që më detyrohesh do të t’i këpus krahët. I dashur, edhe unë të dua. Gjithçka.
5.
Më në fund, vendin e bekoi paqja. Mirëpo shpirtin mbreti nuk e kishte asnjëherë të qetë. Ai sapo ishte kthyer nga fushata e tij e fundit, ku kishte shtypur kryengritjen në Surat, por gjatë ditëve të gjata të marshimit dhe të luftës, mendja i mundohej nëpër skutat e filozofisë dhe të gjuhës, po aq sa edhe në çështjet ushtarake. Perandori Abyl-fat Xhelaludin Muhameti, mbret i mbretërve, i njohur qysh i vogël me emrin Ekber, që do të thotë “i madh”, madje kohët e fundit i thirrur me emrin Ekberi i Madh, i madhi i madh, i madh në madhështinë e vet, dyfish i madh, kaq i madh saqë për të shprehur lavdinë e lavdisë së tij, të Mogolit të Madh, të perandorit të pluhurosur, të lodhur nga beteja, fitimtar, mendimtar, disi të shëndoshë, sypatrembur, me mustaqe, poetik, seksualisht të fuqishëm dhe absolut, i cili ngjante si një qenie tepër madhështore, tepër e përbotshme, dhe, si përfundim, tepër e madhe për të qenë vetëm njeri, ky sundimtar pushtetmadh, ky gëlltitës i botëve, ky përbindësh shumëkokësh, i cili për veten fliste në vetën e parë shumës, kishte filluar të meditonte, gjatë udhëtimit të gjatë rraskapitës për në shtëpi, në të cilin shoqëri i bënin kokat e armiqve që kish mposhtur, të futura në qypa balte, për mundësitë turbulluese që i ofronte veta e parë njëjës: Uni.
6.
Ky fiksim i menjëhershëm i perandorit Zelabedin Eçeber me figurën femërore që ishte pasqyrimi i tij, Mbretëreshën Zelabet Gilorijana e Parë, pati si rezultat një lumë letrash, të cilat në Angli i çonin kasnecët personalë mbretërorë, por që nuk morën asnjëherë përgjigje. Letrat rapsodike mbanin mbi shpinë vulën personale të perandorit dhe mbartnin në vetvete një fortësi emocionale dhe gjuhë seksuale që ishte e pazakontë për Evropën (dhe Azinë) e kohës. Shumë prej letrave nuk mbërritën fare te personi të cilit i drejtoheshin, sepse kasnecët binin pre e pritave që u ngrinin armiqtë gjatë rrugës dhe, nga Kabuli e deri në Kale, plaçka që u kapej kasnecëve të zënë rob ushqente shakatë dhe humorin e fisnikëve dhe princave të argëtuar nga deklaratat e çmendura të perandorit të Indisë, ku shpallte dashurinë e pavdekshme të tij për një grua me të cilën nuk ishte njohur kurrë, si edhe nga fantazitë megalomane të tij për të krijuar një perandori të përbashkët botërore, e cila do të bashkonte hemisferën lindore me atë perëndimore. Ato letra që ia dilnin mbanë të arrinin në Pallatin Uajtholl trajtoheshin si falsifikime apo si vepra të ndonjë ekscentriku. Personat që i sillnin merrnin si shpërblim për rrugën e gjatë dhe të rrezikshme burgun. Pas një farë kohe, thjesht nuk i qasnin më në pallat dhe ata të cilët mund të bënin rrugën e kthimit, çalë-çalë, deri në Fatepur Sikri, vinin me fjalë hidhërimi. “Ajo palo mbretëreshë është e virgjër sepse asnjë burrë nuk do të donte të binte në jatak me atë copë akulli,” thoshin ata. Dhe pas një viti e një dite, dashuria e Ekberit u tret po aq shpejt dhe çuditshëm, mbase për shkak të fjalëve të irnosura të mbretëreshave të tij, të cilat u bashkuan, për çudi, me të dashurën joekzistente të perandorit për ta kërcënuar se nuk do t’ia bënin më qejfet nëse nuk i jepte fund dërgimit të letrave të zjarrta kësaj anglezeje, heshtja e së cilës pas asaj letre të nga ana e saj që ia kishte ndezur interesin perandorit, tregonte mefshtësinë e karakterit të saj dhe budallallëkun e përpjekjes për të kuptuar këtë grua të huaj dhe jotërheqëse, sidomos kur pranë kishe këto zonja që ishin ku e ku më të dashura dhe të dëshirueshme.
Diku nga fundi i mbretërimit të gjatë të tij, shumë vjet pas vizitës së sharlatanit Mogor del Amore, perandori i plakur kujtoi me mall atë punën e çuditshme të letrës së Mbretëreshës së Anglisë dhe kërkoi ta shihte përsëri. Kur ia sollën dhe kur ia lexoi një përkthyes tjetër, një pjesë e mirë e tekstit të dikurshëm ishte zhdukur. Dokumenti i mbetur doli se nuk fliste fare për të si të pamposhtur apo për Papën. Letra, madje, nuk kërkonte as aleancë kundër armiqve të përbashkët. Në të vërtetë, nuk ishte gjë tjetër veçse një kërkesë e thjeshtë për t’u ofruar kushte të mira tregtimi tregtarëve anglezë, që shoqërohej me ca fjalë rutinë për të shprehur respektin. Kur perandori e mësoi të vërtetën, e kuptoi edhe një herë se sa guximtar kishte qenë magjistari që kishte takuar atë mëngjes të largët, pas ëndrrës me sorrën. Mirëpo, tani, kjo njohuri nuk i hynte më në punë, përveçse t’ia rikujtonte atë që nuk duhej ta kishte harruar asnjëherë, se magjia nuk ka nevojë për lëngje çudibërëse, shpirtra të këqij apo shkopinj magjikë. Mjafton vetëm fjala e thënë nga një gjuhë e shkathët, që magjia të zërë.
7.
Në errësirën e birucës, zinxhirët i peshonin, njësoj si historia e papërfunduar e tij. E kishin lidhur me kaq shumë zinxhirë saqë, në atë errësirë, i dukej sikur kishte hyrë brenda një trupi më të madh, brenda trupit të një njeriu prej hekuri. Lëvizjet ishin të pamundura. Drita ishte vetëm një ëndërr. Biruca ishte një zgavër e gërryer brenda shkëmbit gjallues të kodrës mbi të cilën ngriheshin pallatet perandorake dhe ajri brenda saj ishte njëmijëvjeçar dhe, mbase, po aq të lashta qenë edhe krijesat që i zvarriteshin mbi këmbë, i hynin nëpër flokë dhe i depërtonin brenda në organet gjenitale, buburrecat e bardhë, gjarpërinjtë e verbër, minjtë e tejdukshëm, akrepat fantazmë, morrat. Do të vdiste pa e treguar historinë. Ky mendim iu duk i padurueshëm. Ky mendim nuk pranonte të largohej, i hynte dhe i dilte nëpër veshë me zvarritje, i rrëshqiste në cepat e syve dhe i ngjiste me qiellzën dhe indet e buta poshtë gjuhës. Të gjithë njerëzit duhet t’i tregojnë historitë e tyre. Edhe ai ishte njeri, por nëse do të vdiste pa e treguar historinë, atëherë nuk do të ishte më njeri por një qenie më e ulët, një buburrec i bardhë, një morr. Biruca nuk e rrokte dot kuptimin e historisë. Biruca ishte statike, e përjetshme, e zezë, ndërsa historia kishte nevojë për lëvizjen, për kohën dhe për dritën. Ndjente si po i largohej pak nga pak historia, si po vdiste. Nuk kishte asnjë histori. Nuk ekzistonte asnjë histori. Nuk ishte njeri. Nuk ekzistonte asnjë njeri këtu. Ekzistonte vetëm biruca dhe errësira zvarranike.
8.
Qysh prej kthimit nga haxhillëku në Mekë, Gjylbadeni dukej se e kishte humbur sigurinë. A thua sikur besimi i saj në gjërat e qëndrueshme dhe të pandryshueshme të gjithësisë qe dobësuar në vend që të forcohej nga pelegrinazhi i shenjtë. Për mendimin e Hamide Banos haxhillëku i grave, i organizuar nga Gjylbadeni dhe i përbërë thuajse tërësisht nga plakat e oborrit, ishte në vetvete një tregues i natyrës së padëshirueshme revolucionare të stilit mbretërues të djalit të saj. Haxhillëk grash? kishte pyetur të birin kur e përmendi për herë të parë Gjylbadeni këtë çështje. Si mund ta lejonte ai një gjë të tillë? Jo, kishte thënë mbretëresha, ajo nuk do të shkonte në këtë haxhillëk me gra, në asnjë mënyrë, në asnjë mënyrë. Mirëpo, kishte shkuar mbretëresha tjetër, Selimeja. Kishte shkuar edhe Sulltanam Begumi, e shoqja e Askari Kanit, e cila ia kishte shpëtuar jetën Ekberit kur e kishin braktisur prindërit e vet pas dëbimit. Sulltanamja, e cila kishte qenë nënë për Ekberin e vogël më shumë se vetë Hamideja. Kishte shkuar edhe gruaja e Babarit, edhe kushërirat e Ekberit, edhe mbesa e Gjylbadenit, për të mos përmendur shërbëtoret dhe shoqërueset. Tre vjet e gjysmë të larguara, për të shkuar në vendet e shenjta! Koha e kaluar në dëbim ia kishte shuar mbretëreshës oreksin për të udhëtuar dhe tre vjet e gjysmë largim e tmerronin vetëm po t’i mendonte. Le të shkonte Gjylbadeni në Mekë! Nëna mbretëreshë do të mbretëronte në atdhe.
Dhe, padyshim, gjatë atyre tre vjet e gjysmë paqeje dhe qetësie, pa llomotitjet e pafund të Gjylbadenit, ndikimi i Hamide Banos mbi mbretin e mbretërve nuk kishte pasur asnjë rivale dhe nuk kishte hasur në asnjë pengesë. Kur duhej ndonjë grua për të lidhur ndonjë martesë apo për të bërë ndonjë pajtim, ajo ishte e vetmja zonjë e madhe për këtë punë. Mbretëreshat e vetë Ekberit ishin të gjitha çupëlina, me përjashtim të Fantazmës, sigurisht, të asaj kuçke lugat që kishte mësuar përmendësh të gjithë librat e pisët, dhe që nuk ia vlente ta fusje fare në hesap. Mirëpo, pastaj u kthye Gjylbadeni, e cila tani ishte Haxhi Gjylbadeni, dhe peshorja e pushtetit ndryshoi. Kjo bëhej edhe më e padurueshme nga fakti se princesha plakë fliste shumë më pak për Allahun dhe shumë më shumë për femrat, për fuqitë e pashfrytëzuara të tyre, për aftësinë e tyre për të bërë çfarë të donin dhe se si nuk duhej t’i pranonin më kufizimet që u kishin vendosur meshkujt por t’i merrnin vetë në dorë frerët e jetës. Nëse ishin të zonjat të shkonin për haxhillëk, atëherë ato mund t’u ngjiteshin edhe maleve, të botonin poezi dhe ta sundonin botën të vetme. Ishte një skandal i paparë, sigurisht, por ja që perandorit i pëlqente shumë kjo, çdo gjë e re i pëlqenin atij, a thua se vazhdonte të ishte fëmijë dhe, si i tillë, të binte në dashuri me çdo ide të re ngjyra-ngjyra, sikur po bëhej fjalë, këtu, për rraketake argjendi për bebe dhe jo për muhabete serioze të njerëzve të rritur.
9.
Perandori kuvendon me Mogorin lidhur me femrat, mes konkubinave:
“Që ta kënaqë burrin gruaja,” tha perandori, “duhet të jetë e aftë të këndojë. Duhet të dijë t’u bjerë veglave muzikore dhe të vallëzojë. Dhe t’i bëjë të tri gjërat, kur t’ia kërkojnë: të këndojë, të vallëzojë dhe t’i bjerë fyellit apo qemanes. Duhet të shkruajë mirë, të vizatojë mirë, të dijë të bëjë tatuazhe dhe të jetë e gatshme t’ia bëjnë tatuazhet në cilëndo pjesë të trupit që t’i teket burrit. Duhet të dijë të flasë gjuhën e luleve kur të zbukurojë shtretërit apo divanet, apo madje kur të zbukurojë edhe dheun: qershinë ta përdorë në emër të besnikërisë, narcisin për gëzimin, zambakun e ujit për pastërtinë dhe të vërtetën. Shelgu është gruaja, ndërsa bozhuri është burri. Gonxhet e shegës sjellin pjellori, ullinjtë sjellin nder, ndërsa boçat e pishave sjellin jetëgjatësi dhe begati. Lule-mëngjesi nuk duhet vendosur në asnjë vend, sepse ndjell vdekjen.”
… “Në mjeshtëritë e zbukurimit, ngjyerjes dhe pikturimit të dhëmbëve, teshave, gishtave dhe trupit, një femër duhet të jetë e pakrahasueshme,” tha perandori, …
“Gruaja duhet të dijë të nxjerrë muzikë nga gotat e mbushura me sasi të ndryshme lëngjesh të ndryshme,” tha perandori, e fjalët mezi i dalloheshin. “Ajo duhet të jetë e aftë ta zbukurojë dyshemenë me qelqe me ngjyra. Duhet të dijë si të bëjë, të presë dhe të varë një pikturë, si të ndreqë një gjerdan, një tespihe, një kurorë apo një varg me lule dhe si të mbajë apo mbledhë ujë në një ujësjellës apo sternë. Duhet të marrë vesh nga erëmirat. Dhe nga zbukurimet e veshit. Dhe duhet të jetë e aftë të luajë teatër. Duart duhet t’i ketë të shpejta dhe të sigurta. Të jetë e aftë të gatuajë dhe të bëjë limonadë ose sherbet. Të mbajë në trup xhevahire dhe të lidhë çallmën e një burri. Dhe, sigurisht, duhet të marrë vesh nga magjitë. Femra që i di këto pak gjëra është thuajse e barabartë me çdo mashkull të pagdhendur.”…
… “Në qytetin tim,” tha [Mogor del’Amore], shumë kohë më pas, i shtrirë mbi shilte, mes melankolisë së femrave pas dashurisë, “një femër e sojshme duhet të jetë e kujdesshme dhe e qashtër dhe nuk duhet t’ia ndyjnë namin thashethemet. Një femër e tillë duhet të jetë modeste dhe e qetë, e sinqertë dhe mirëdashëse. Kur të vallëzojë, nuk duhet të bëjë lëvizje të vrullshme, ndërsa kur të luajë muzikë, duhet të evitojë paturpësinë e tunxhit dhe gjëmimin e daulles. Nuk duhet të vërë shumë bojëra mbi fytyrë dhe flokët nuk duhet t’i zbukurojë me tepri.” Perandori, edhe pse ishte thuajse në gjumë, lëshoi një tingull neverie. “Atëherë burrat e sojshëm, aty te ju, duhet të vdesin nga mërzia,” tha. “Ah, mirëpo, kemi kurtizanen,” ia ktheu Mogori, “ajo i plotëson të gjitha idealet tuaja, mbase me përjashtim të qelqit të ngjyrosur.” “Nuk duhet bërë dashuri kurrë me një femër e cila nuk merr vesh nga qelqi i ngjyrosur,” tha rëndë-rëndë perandori, duke mos treguar asnjë gjurmë se po bënte humor. “Një femër e tillë është gërnjare.”
10.
Me të dëgjuar nga goja e Selimit të Rreptë në sallën e fronit të Pallatit të Lumturisë fjalët e pretencës së dënimit me vdekje për tradhtarin Argalia, luftëtari i madh, i cili i njihte mirë rregullat, ktheu majat nga thembrat dhe filloi të vrapojë. Nga salla e fronit deri te Porta e Peshkhanes ishte gati gjysmë miljeje vrap përmes kopshteve të pallatit. I duhej të arrinte atje përpara bostanxhi-bashit fezkuq, poturebardhë dhe trupzhveshur, i cili kishte ndenjur gati për garën dhe po i afrohej pas çdo hapi. Po ta kapnin do të vdiste në Peshkhane dhe do ta hidhnin në Bosfor, ku përfundonin të gjitha kufomat. Në vrap e sipër, mes leheve të luleve, pa përpara Portën e Peshkhanes, nga pas dëgjoi hapat e bostanxhi-bashit dhe e kuptoi se nuk do t’ia dilte dot të arratisej. “Sa pa kuptim qenka jeta!” mendoi. “Epo, të dalësh gjallë nga gjithë ato luftëra dhe të vdesësh i mbytur nga duart e një kopshtari. Nuk thonë kot, të gjithë heronjtë e mësojnë kotësinë e heroizmit vetëm kur vdesin.