GËZUAR VITIN E RI 2021!

 

Të dashur lexues, ndjekës, miq dhe dashamirës të revistës “Peizazhe të fjalës”,

Sapo mbyllëm një vit të vështirë për të gjithë, për shkak të epidemisë, të imponimeve karantinës, të vështirësive ekonomike por jo vetëm. Me gjasë,  çdokush nga ne ka humbur tashmë, sërish me gjasë, për shkak të Covid-it, një të afërm, një mik a një koleg tonin dhe, nuk i kemi shlyer ende llogaritë me këtë të keqe biologjike, sociale dhe politike, që na gjeti të papërgatitur.

Edhe kultura, pjesë e së cilës jemi, po paguan haraç të lartë, anembanë botës; mes shqiptarësh madje më keq se gjetiu, meqë rezervat tona të qytetërimit nuk janë gjithnjë ato që duhen. Skamjes kulturore, që shkaktoi rishtas pandemia ndër shqiptarët, do të duhen vite për t’ia rrokur në tërësi pasojat.

Edhe pse revista jonë “Peizazhe të fjalës” nuk u rrezikua drejtpërdrejt nga pasojat e pandemisë, u rrezikuan lidhjet tona të qëndrueshme me lexuesit, gatishmëria e publikut për të ndarë shqetësimet tona dhe, në përgjithësi, interesi i njerëzve për çështje që nuk lidhen drejtpërdrejt me bashkëjetesën.

Teksa zotohemi të vazhdojmë të ngulim këmbë, si “Peizazhe të fjalës”, në përpjekjet për t’u profiluar si alternativë e portaleve dhe formulave të tjera të manipulimit mediatik, na duhet tani edhe të ruajmë relevancën, në një sferë komunikimi masiv ku kakofonia e mbyt informacionin dhe dialogun.

Megjithatë, numri i madh i vizitave në faqen tonë dhe në hapësirat që mirëmbajmë në rrjetet sociale, por edhe interesimi i madh i lexuesve, nga e gjithë bota shqipfolëse, për temat dhe trajtimet, na japin shpresë për përpjekjet tona.

Ne nuk japim lajme, as përcjellim lajme të marra nga të tjerët; por duam të reflektojmë, nga një këndvështrim kulturor, për realitetin e sotëm të komunikimit publik mes shqiptarëve. I mbetemi bindjes se pluralizmi, edhe i fjalës së lirë, nuk shprehet në mizërinë shurdhuese të  “portaleve”, por në pasurinë e temave dhe të këndvështrimeve.

Ajo çfarë ndodhi këtë vit në Tiranë, me Teatrin, dhe që mori hapësirën e duhur edhe në faqet e revistës sonë, na konfirmon se kultura mbetet seriozisht e rrezikuar dhe askush nga ne nuk duhet ta konsiderojë veten të imunizuar ndaj kërcënimit për asfiksim.

Gjatë vitit 2020, botuam 410 shkrime, ese, opinione dhe studime origjinale; pa llogaritur ato mijëra shkrime të tjera në arkiv, që janë në dispozicion të kujtdo dhe që po shfrytëzohen intensivisht nga lexuesi, duke e shndërruar revistën tonë në një bibliotekë të besuar online, veçanërisht për çështje të kulturës, të gjuhës shqipe, të antropologjisë dhe të historisë.

I kemi ofruar të gjitha këto, së bashku me qindra orë punë editoriale për revistën, jo vetëm ngaqë mundemi, por edhe ngaqë duhet. Gjithsekush ka mënyrën e vet për t’i shërbyer publikut – ne kemi zgjedhur atë që mendojmë se mund ta bëjmë më mirë.

Ëndrra jonë është që, jo vetëm të vazhdojmë t’i shërbejmë publikut dhe kulturës, por edhe të provojmë se, në mes të komercializimit të egër të mediave dhe të manipulimit, është ende e mundshme të mbahet në këmbë një media si “Peizazhet”, përmes një ekonomie të dhurimit dhe të bashkëndarjes.

Këtë duam ta realizojmë me simpatinë, mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj edhe gjatë vitit që vjen.

Gëzuar Vitin e Ri 2021: le të gatitemi për të kaluar së bashku një vit që urojmë të  jetë produktiv, të lirë, të shëndetshëm dhe të mbarë.

Ardian Vehbiu dhe Elona Pira

 

Nje përzgjedhje shkrimesh nga ky vit

TURI PREJ DRURI – Ardian Vehbiu
DRITËHIJE NË HISTORI – Auron Tare
PËR TESTIN – Teuta Toska
ELEGJI PËR TIRONËN QË FIKET – Eda Derhemi
PËR RRËNOJAT E KRYETARIT – Elsa Demo
SPROVË PËR NJË FENOMENOLOGJI TË TË “FORTIT” – Edon Qesari
TELEVIZORËT E LIBRIT – Ardian Vehbiu
ÇËSHTJA CAMAJ DHE KOLIQI – NËN VËZHGIM… – Visar Zhiti
MËSUESI NË SHESH – Teuta Toska
NDERIM PËR ATA QË NUK DININ – Ardian Vehbiu
OSMAN MYDERRIZI DHE MODELET TEORIKE PËR SHPJEGIMIN E EMRIT ETNIK SHQIPTAR – Albert Doja
TIRANA E FOTOGRAFIVE – Sokol Çunga
KRITIKË LOGOSH TË 100-VJETORIT TË TIRANËS – Erlind dhe Taulant Sulko
RAMA, RRËNOJA E LULËZIMIT TË QYTETARISË – Idlir Azizaj
DOSSIER À LA CARTE – Arjan Shahini
EFEKTI I TERRORIT – Ardian Vehbiu
KRISTAQ SOTIRI, SHQIPËRIA NGA NJË BOTË NË TJETRËN – Lazjon Petri
DOSJET CAMAJ NË MYNIH – Bardhyl Demiraj
NËNA IME ME PESË EMRA – Ardian Vehbiu
ARS LONGA: BEAT-HOVENI TAKOHET ME JAZZ-IN – Eda Zari

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin