IDEJA E POPULLIT TË ZGJEDHUR

Karakteristikë e ideve themelore të ndërgjegjes kombëtare amerikane është ndikimi i tyre  i dukshëm nga besimi kristian, dhe më e vjetra e më historikja e këtyre ideve është ajo e popullit, “të zgjedhur”. Kjo nënkupton se Zoti e ka zgjedhur Amerikën dhe popullin e saj ndërmjet tërë popujve të botës, me misionin e përcaktuar për të qenë shembull i besimit kristian e për ta përçuar atë tek të tjerët, duke bërë të mundur kështu realizimin e mbretërisë së Zotit në tokë. Një term që përdoret shpesh në këtë kontekst është ai i “veçanësisë (exceptionalism) amerikane”, por kjo e zbeh disi origjinën besimtare të këtij vizioni. Kjo sepse është një gjë ta konsiderosh Amerikën si të veçantë në po atë kuptim që edhe shumë popuj të tjerë e quajnë veten të veçantë, por është diçka e ndryshme ta quash popullin tënd të veçantë për arsye të një zgjedhjeje të posaçme hyjnore, për një mision të përcaktuar.

Rrënjët më të lashta e më të thella të koncepteve të “zgjedhjes” e të “popullit të zgjedhur” gjenden në shkrimin e shenjtë të hebrejve, Dhiatën e Vjetër, ku tregohet se Zoti i zgjodhi hebrejtë “midis gjithë popujve të tjerë në fytyrë të dheut” sipas besëlidhjes që kish bërë me të parët e tyre kur i çliroi nga skllavëria egjiptiane. Kjo ide e zgjedhjes hyjnore u përdor fuqimisht nga predikues të ndryshëm protestantë gjatë Reformës në Europë (1517-1648), me një përhapje të gjerë sidomos në Angli pas vitit 1534. Në atë kohë mbreti Henry VIII e shkëputi vendin e tij nga Kisha Katolike Romane pas refuzimit të Papës për ta lejuar të divorcohej, duke krijuar kësisoj Kishën kombëtare Anglikane, e duke lehtësuar futjen e ideve të Reformës në ishujt britanikë.

Një rol të veçantë pati këtu sidomos predikuesi William Tyndale i cili përktheu në anglisht një pjesë të madhe të Biblës duke u tërhequr veçanërisht nga tema e besëlidhjes, apo marrëveshjes, së Zotit me popullin e zgjedhur prej tij. Thelbi i asaj besëlidhjeje përshkruhet në kapitullin 28 të librit të Ligjit të Ripërtërirë, me bekime të shumta nëse populli i mbetej besnik Zotit, por edhe me mallkime e katastrofa edhe më të shumta në rast mosbindjeje. E reja që solli Tyndale ishte, së pari, se kjo besëlidhje përbënte thelbin e krejt sagës biblike, dhe së dyti se ajo s’u përkiste vetëm hebrejve apo Izraelit të lashtë, por Zoti kishte bërë një të tillë edhe me Anglinë e kohës. Për fat të keq kjo e fundit kish vazhduar me kokëfortësi në rrugën e mëkatit, prandaj zemërimi hyjnor do të binte shpejt mbi vendin, dhe e vetmja rrugë shpëtimi ishte pendesa e thellë. Tyndale u bë me kohë një predikues i famshëm, dhe koncepti që Anglia ishte njëfarësoj një komb i zgjedhur, dhe në besëlidhje të posaçme me Zotin, zuri rrënjë të thella në botëkuptimin e bashkëkohësve.

Më vonë konfliktet e shumta fetare, me persekutimet periodike të protestantëve, u interpretuan si dëshmi që Zoti e kish braktisur e mallkuar Anglinë për shkak të mosbindjes, dhe një numër klerikësh filluan të predikonin se shpëtimi nga zemërimi i afërt hyjnor ishte restaurimi rrënjësor i besimit kristian origjinal. Këta besimtarë radikalë filluan të njiheshin me nofkën “puritan”, sepse kërkonin spastrimin e Kishës së re Anglikane nga çdo mbeturinë e praktikave katolike. Por shpejt ata i humbën shpresat për një reformim nga brënda të asaj kishe, dhe vendosën të ndaheshin prej saj, duke synuar të punonin vetë për të restauruar kishën e vjetër, gjithmonë sipas teologjisë së besëlidhjes. Duke qenë të bindur se rënia e mallkimit të Zotit mbi Anglinë ishte tek dera, një grup i madh prej tyre u shpërngul nga Anglia dhe u vendos fillimisht në Hollandë, për të marrë më pas vendimin historik të kapërcimit të Atlantikut më 1620, e themelimit të ngulimeve të para në Amerikë, në territorin e shtetit të sotëm Massachusetts. Ata shpresonin që në tokat e virgjëra amerikane të ngrinin kishën e pastër të ëndërruar, e ashtu ta përdornin atë si shembull për bashkatdhetarët e lënë pas, si një përpjekje të fundit për ta shpëtuar Anglinë nga katastrofa.

Edhe në kontinentin e ri puritanët vazhduan ta bazonin eksperimentin e tyre në idenë e besëlidhjes, që fillimisht kuptohej si dashuri vëllazërore për njeri-tjetrin dhe dëshirë për të punuar sëbashku si një trup i vetëm. Ata besonin se vetëm në atë mënyrë do të mund të shikonin që Zoti i Izraelit ishte vërtet në mes tyre, duke e kuptuar kështu fund e krye besëlidhjen si udhëheqje me anën e shembullit. Por për fat të keq, e megjithë këtë konceptim të përkorë, në jetën praktike të kolonive kuptimi i zgjedhjes hyjnore u transformua gradualisht nga ajo për të “udhëhequr me anën e shembullit” në atë për të përfituar “privilegje e favore”. Këtu ndikoi mes të tjerash edhe izolimi gjeografik e shpirtëror, me largësinë e madhe nga toka mëmë, që u krijoi puritanëve bindjen se kisha e Anglisë po e injoronte shembullin e tyre e po refuzonte të ripërtërihej sipas mësimeve të Dhiatës së Re. Kolonistët mendonin po ashtu se ata ishin të vetmit që kishin restauruar kishën e hershme dhe qëndronin kësisoj të vetëm përballë gjithë botës në besnikërinë e tyre ndaj Zotit. Pas kësaj s’mbetej veç një hap që ta konsideronin po ashtu veten si populli i zgjedhur prej tij.

Besimtarët anglezë kishin hequr prej kohësh paralele ndërmjet Anglisë dhe Izraelit të lashtë, por me ardhjen në Botën e Re, këto paralele iu dukën atyre fare të qarta. Nëse dikur Zoti i kishte çliruar hebrejtë duke u prirë në ikjen e tyre nga Egjipti përmes Detit të Kuq për në “tokën e premtuar”, e njëjta gjë ishte përsëritur me puritanët në ikjen e tyre nga Anglia e korruptuar, përmes Atlantikut, për në një tokë tjetër të premtuar. Anglia barazohej pra me Egjiptin, Atlantiku me Detin e Kuq, tokat e Amerikës me tokën e premtuar biblike, ndërsa vetë puritanët me popullin e Izraelit. Por nëse të ardhurit e mendonin veten si të zgjedhur nga Zoti, kjo do të thoshte se të tjerët s’mund të ishin të tillë, e ashtu kolonistët asnjëherë s’i trajtuan fiset indiane si të barabartë, duke folur për viset e banuara prej këtyre të fundit si ‘vakante’, duke refuzuar t’ua blenin me marrëveshje apo duke i dëbuar me armë. E vërteta është se njëri prej liderëve puritanë, Roger Williams, e kundërshtoi me forcë këtë konceptim të “zgjedhjes”, duke predikuar se Zoti kishte zgjedhur vetëm një popull, hebrejtë, dhe askënd tjetër pas tyre, prandaj s’kishte vend për krahasime me Izraelin e lashtë. Por megjithë argumentat e Williams, formulimi bindës i historisë së tyre nga ana e puritanëve bëri që ideja e “popullit të zgjedhur” të vazhdonte të përhapej duke u bërë me kohë e gjithëpranishme në imagjinatën e amerikanëve dhe pjesë e pandashme e ndërgjegjes së tyre kombëtare.

Dëshmia më e mirë e suksesit të kësaj ideje është fakti që ajo ka patur një vend qendror në mendimin politik amerikan në çaste kritike të historisë së vendit dhe është përqafuar me forcë nga pothuaj të gjitha palët e angazhuara. Kështu në retorikën patriotike gjatë Revolucionit e luftës për pavarësi në vitet 1765-1783 ishte karakteristike paraqitja e amerikanëve si popull i zgjedhur, si “Izraeli i ri i Zotit”. Për përkrahësit e pavarësisë kauza e tyre ishte jo vetëm e drejtë, por edhe kauza madhore e krejt racës njerëzore, kauza e vetë Zotit, ndërsa për besnikët, përndryshe jo të pakët, ndaj kurorës angleze lufta revolucionare ishte ndëshkimi i merituar hyjnor ndaj kolonive për mëkatet e tyre. Të dyja këto perspektiva, megjithëse të kundërta për sa i përket vetë konfliktit me Anglinë, ishin kësisoj dakort në konceptimin e kolonive amerikane si populli i zgjedhur i asaj kohe.

Po ashtu gjatë Luftës Civile të viteve1861-1865, ashpërsia e së cilës tejkaloi çdo përfytyrim, të dy palët, edhe Veriu edhe Jugu, e shikonin veten si bijtë e Izraelit përpara Detit të Kuq tek ndiqeshin nga ushtria e faraonit egjiptian, dhe ndryshimi ishte vetëm tek rolet që luante secila palë. Për Veriun faraoni ishte institucioni çnjerëzor i skllavërisë dhe përçarja e vendit prej saj, e Deti i Kuq vetë lufta e përgjakshme që kishin përpara, ndërsa për Jugun, faraoni ishte presidenti i urryer Abraham Lincoln që s’i lejonte jugorët të largoheshin prej Shteteve të Bashkuara në paqe.

Një shembull tjetër kuptimplotë i forcës së kësaj ideje është edhe qëndrimi i pakicës zezake ndaj saj duke pasur parasysh nevojën për të mbijetuar në një kulturë të huaj dhe armiqësore. Ata përpunuan nga ana e tyre një lloj identifikimi me Izraelin historik, por ndryshe nga të bardhët që e shikonin veten si hebrejtë në tokën e premtuar, pra pasi i kishin shpëtuar zgjedhës egjiptiane, popullsia zezake e krahasonte veten me Izraelin ende në skllavëri. Vendin e Egjiptit në ndërgjegjen e tyre e zunë gradualisht shtetet e Jugut, me sistemin skllavopronar të plantacioneve, ndërsa Veriu shihej si toka e premtuar. Po ashtu drejtuesit e revoltave të tyre të herëpasherëshme krahasoheshin rëndom me Mojsiun e Biblës, udhëheqësin e izraelitëve në ikjen nga Egjipti. Ky konceptim nga ana e pakicës me ngjyrë vazhdoi edhe më vonë, sidomos gjatë lëvizjes për të drejtat qytetare në vitet ’60 të shekullit të kaluar. Kështu udhëheqësi i asaj lëvizjeje, Martin Luther King, në fjalimin e fundit një natë para vrasjes më 1968, identifikoi qartë, dhe në mënyrë profetike, veten e tij me Mojsiun dhe audiencën e tij zezake me izraelitët e lashtë. “Zoti, tha ai, më ka lejuar të ngjitem në majë të malit, dhe prej atje e kam parë me sytë e mi tokën e premtuar. Ndoshta s’do të jem me ju në çastin e madh të arritjes atje. Por sonte po ju them që të jeni të sigurt që ne, si popull, do ta arrijmë tokën e premtuar.”

Më së fundi rasti i spikatur i presidentit Lincoln gjatë Luftës Civile që përmendëm, ofron një shembull tejet interesant të një shtetari që u ndesh ballazi me efektet e idesë së “popullit të zgjedhur” dhe ja doli të orientohet në mënyrë origjinale, me pasoja të ndjeshme për historinë e mëvonshme. Në fjalimi e tij të dytë inaugural në mars 1865 Lincoln iu drejtua bashkatdhetarëve të tij, si të Veriut edhe të Jugut, në një kohë kur fundi i luftës ishte pranë, por duke evituar çdo notë euforie e triumfalizmi në atë krizë egzistenciale kulmore të historisë amerikane. Sipas tij, të thuash se kombi apo kauza jote gëzojnë përkrahjen hyjnore është përveçse arrogancë e skajshme, edhe injorim i gjykimit të drejtë të Zotit mbi të gjitha pretendimet njerëzore, bile edhe mbi vetë pretendimin e qenies popull i zgjedhur. “Të dy palët, theksoi presidenti, lexojnë të njëjtën Bibël e i luten të njëjtit Zot, dhe secila kërkon ndihmën e tij për kauzën e saj…. Është e pamundur që lutjet e të dyja palëve të plotësohen, e në fakt lutjet e asnjërës s’kanë marrë përgjigje të plotë. Zoti i gjithëfuqishëm ka qëllimet e veta.” Ishte pikërisht një kuptim i tillë modest i besëlidhjes, pra që qëllimet e Zotit s’mund të dihen nga njerëzit, që e shtynte Lincoln të mos lutej thjesht për fitoren e Veriut, palës “së tij”, por vetëm që i gjithë vendi të shpëtonte sa më parë nga “mallkimi i rëndë i luftës”. Haptazi në kundërshtim me arrogancën e vetësigurinë e secilës palë ndërluftuese, Lincoln flet si president i të gjithë amerikanëve dhe e shikon luftën si mallkim të drejtë hyjnor mbi nje popull mëkatar në të dy anët e kufirit Veri-Jug.

Nga sa thamë më lart del qartë se ideja e popullit të zgjedhur ka pasur ndikim të ndjeshëm, por edhe kompleks, në historinë dhe ndërgjegjen kombëtare amerikane, duke qenë në fakt shtysë për qëllime fisnike kur i është referuar besëlidhjes në kuptimin biblik, pra si përgjegjësi e shembull ndaj të tjerëve. Por në disa raste kjo ide është përkufizuar në terma të privilegjit e të dominimit, duke u kthyer kësisoj në pengesë për vënien në jetë të premtimit aq solemn të kredos amerikane se të gjithë njerëzit “janë krijuar të barabartë dhe janë pajisur prej Krijuesit me disa të drejta të patjetërsueshme, midis të cilave janë jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë”. Për këtë arsye aspekte të ndryshme të kësaj ideje janë kritikuar jo vetëm nga popullsia me ngjyrë, por edhe nga përfaqësues të shquar të elitës së bardhë, si senatori J. Fulbright i cili thoshte se amerikanët s’janë të zgjedhurit e Zotit për ndonjë mision të veçantë, por vetëm “një nga degët më fatlume të njerëzimit, të pajisur prej Krijuesit me të njëjtën aftësi për të bërë mirë ose keq ashtu si pjesa tjetër e qenieve njerëzore.

Megjithë paralajmërimet e personaliteteve si Lincoln, King apo Fulbright, ideja se Zoti e ka zgjedhur Amerikën për të qenë kombi i tij i favorizuar e për të sunduar mbi të tjerët është paraqitur jo rrallë si e qartë dhe e padiskutueshme. Ndërthurja e saj me idetë e tjera themelore që do të shohim në vijim, do të na sqarojë më mirë për arsyet e jetëgjatësisë së “popullit të zgjedhur” dhe ndikimit të vazhdueshëm të këtij konceptimi.

(vijon)

Siç dihet, Shtetet e Bashkuara sapo përfunduan një fushatë presidenciale nga më të ashprat e më jokonvencionalet në historinë e tyre dhe fitorja e kandidatit po aq jokonvencional Donald Trump nxorri edhe një herë në pah rolin e fuqishëm e të pazëvendësueshëm të votuesve kristianë ungjillorë në jetën politike të vendit. Ky grup i elektoratit ishte mbështetësi më konsistent i Trump, duke dëshmuar për ndikimin e madh të grupimit të së Djathtës Fetare (Religious Right) në skenën politike amerikane, një dukuri kjo e cila jo vetëm që ka rrënjë të thella historike, por përbën gjithashtu edhe një veçori të spikatur në krahasim me vendet e tjera të zhvilluara të Perëndimit.

Artikujt e Dr. Ernest Nasto që do të sjellim në vijim janë bazuar kryesisht në librin e këtij autori me titull “Një komb nën Zotin – besimi fetar dhe politika në Shtetet e Bashkuara” (AIIS, Tiranë, tetor 2016). Në këtë seri do të shtjellohen fillimisht disa nga idetë historike më themelore të ndërgjegjes kombëtare amerikane, e sidomos roli i besimit kristian në mbrujtjen e tyre, për të vazhduar pastaj me pasqyrimin e këtyre ideve bazë në politikat konkrete të kohës moderne nga ana e Shteteve të Bashkuara.

1 Koment

  1. Mos na lente Zoti pa te zgjedhurit e Tij, qe te qeshim nga pak! Vetem se problemi eshte, qe keta djallusher nuk dine se c’eshte puna! Dhe megjithate, parate nuk u mbarojne kurre!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin