INDINJIMI I PERSEKUTORIT

nga Gjovalin Macaj

Shkrimi i botuar nga Peizazhet e Fjalës me 5 korrik 2020 i cili përpiqet të çmitizojë dy figura si Ernest Koliqi dhe Martin Camaj nuk duhet të përbëjë lajm për nga vlera e tij si studim. Megjithatë, mund të shërbejë për të vu në pah atë çfarë ky shkrim dhe debati rreth tij anashkalon ose mohon me dije ose me padije. Mjafton të ndalemi në tre aspekte për të kuptuar se pse.

Asgja nuk duhet të mbrohet nga hulumtimi i lirë

Pikë së pari, a duhen çmitizu këto dy figura? Po. Pa asnjë kufizim. Asgja nuk duhet të mbrohet përtej kritikës. Gjithçka duhet vu’ në pyetje deri sa pyetjet nuk ecin ma’. Ky asht një parim që duhet me u mbrojt kurdoherë, sidomos kur krijon pakënaqësi dhe kundërshti. Kjo frymë vlen të mbrohet akoma më tepër sepse përbën një themel të domosdoshëm për të çmitizu çdo mit të ri që ngrihet, duke qenë se pa mite asnjë shoqëri nuk mbijeton dot.

Pra në parim, nuk ka asgja të keqe në përpjekjen e autorit për “demaskimin” e këtyne figurave për të tregue se nuk janë të kullueme e të denja për t’u vënë në piedestal. Po ashtu, autori duhet të ndahet nga vepra. Vepra qëndron mbi dhe përtej autorit – ajo hap shtegun e saj dhe mund të vlerësohet në mënyrë të pamvarun nga autori. Veset e autorit nuk kanë pse të cenojnë vlerën dhe vlerësimin e veprës në vetvete. Hulumtime të mirëfillta rreth autorëve në fjalë na ndihmojnë të njohim më mirë kushtet në të cilat janë prodhuar këto vepra, krahas njohjes së shumanshmërisë së historisë sonë në përgjithësi.

Jo çdo shkrim mund të cilësohet si hulumtim

Aspekti i dytë që duhet sqaruar mirë është se kjo frymë nuk do të thotë se çdo shkrim mund të cilësohet si hulumtim – sepse ndryshe hulumtimi do të zhvlerësohej plotësisht ngaqë nuk do të dallohej dot nga një opinion i çastit. Prandaj lind pyetja që nuk mund të anashkalohet: çfarë përban shkrimi n’fjalë? A përban ai një studim, siç paraqitet në editorialin që e përcjell në Peizazhe të Fjalës? Jo. Aspak.

Kjo sepse, si minimum, çdo studim i mirëfilltë përcakton qartë objektin e hulumtimit dhe rëndësinë shkencore e shoqërore që ka; tregon çfarë dihet rreth çështjes, çfarë nuk dihet akoma dhe ia vlen të dihet, dhe çfarë shton studimi në fjalë; përcakton përzgjedhjen e shembujve nga larmia e rasteve të tjera që mund të merreshin nën shqyrtim; përcakton llojin e burimeve ose dokumenteve të cilat shërbejnë si bazë për analizimin e këtyne rasteve, pasi të ketë motivuar përzgjedhjen e tyne në lidhje me burimet e tjera që mund të merreshin parasysh; përcakton mënyrën se si këto burime interpretohen për të nxjerrë njohuri të besueshme. Gërshetimi i këtyne elementeve bazë në mënyrë logjike duhet të nxjerrë një përfundim të qartë e bindës, që hulumtues të tjerë të munden ta kuptojnë, përvetësojnë, dhe kritikojnë ose hedhin poshtë, për t’i lënë vendin një studimi tjetër më të fortë. Dhe kështu fitojmë dije rreth së kaluarës e së tashmes.

Shkrimi në fjalë nuk ka asgja të përbashkët me një studim. Ne fakt jep një shembull se çfarë nuk përban një studim. Nuk ka as fillim, as mes, as fund, as fill që i lidh këto tre pjesë që të mund të formojnë një studim. Mënyra se si autori përzgjedh, servir dhe kupton ‘faktet’ e marra nga burime “arkivore” dëftojnë as ma shumë e as ma pak se vetë zellin e autorit për çmitizimin e këtyne dy figurave, pa qenë i zoti të prodhojë analizë historike. Këto arnime dokumentesh jetime mund të bajn kuptim vetëm sipas ndonjë “metode sampiste”, e panjohun deri më sot, por jo sipas metodës shkencore.

Pra kemi të bëjmë me një qasje absolutisht absurde. Autori sheh Disneyland dhe kujton se ka zbulu Amerikën. Hidhet nga një breg hamendsimesh tek tjetri pa u lag fare nga njohuria e analizës historike. Sikur të kishim të gjithë imunitetin që tregon autori ndaj logjikës së kërkimit, ne do të mund t’i bënim ballë pa frikë virusit Covid-19. Por, për një studim të mirëfilltë, ky lloj imuniteti asht fatal.

Por prapë them se jemi me fat që autori ka zgjedh të merret me gjana të padamshme ose me dame të riparueshme. Imagjinoni për një moment, sikur autori t’kishte qenë prokuror, nuk e di se kush do t’i kishte shpëtu burgut të sigurt prej tij – duke pa se me sa zell e merak iu fryn dyshimeve e hamendësimeve me qellim goditjen n’asht të armikut të klasës.

Pra kemi të bëjmë me një potpuri pohimesh që shpuzitin vetëm dyshime pa hedhur asnjë rreze drite mbi fenomenin në fjalë. Si për mrekulli, kjo përpjekje nuk hedh asnjë dyshim mbi atë çfarë asht themelore: se ky shkrim përban studim. Ky shkrim mund të quhet një studim aq sa cicërimat e Donald Trump-it mund të lexohen si poezi.

Prandaj u habita dhe më erdh keq që Peizazhet e Fjalës e kanë botu këtë shkrim si ‘studim’, dhe jo në një formë tjetër pa krijuar inflacion pritshmërish tek lexuesi. Akoma më keq, hyrja editoriale krijon pritshmëri se kemi të bëjmë me një studim të rëndësishëm që duhet lexuar me kujdes. Por pasi lexova ‘studimin’ në fjale, kuptova se editoriali ishte një lyerje e lehtë me buzëkuq e një krimbi mëndafshi, për ta quajtur flutur. Por kjo “flutur” mund të fluturojë vetëm në shpellën e territ të plotë – pra atje ku askush nuk dallon dot nëse fluturon apo jo!

Një keqkuptim i madh do të ishte shmangur sikur ky shkrim të botohej në një rubrikë të krijuar apostafat: ‘Hulumtime Tallava’. Ndryshe, duke parë vlerën e Peizazhe të Fjalës, asht njëlloj sikur kuratorët e një muzeu të merrnin një shishe Coca-Cola dhe ta vendosnin në një ekspozitë e që vizitorët ta merrnin për vepër arti. Më tmerron e trishton fakti që diçka e tillë kalon si “studim” në një nga revistat më me vlerë në vend, sepse dëshmon se jemi në një gjendje për t’u vajtu, ku sapuni shitet për djathë, e tallashi për miell.

E gjitha kjo kur ne kemi nevojë, si për dritën e diellit, për të pasur e ndjekur shembuj të vyer, për hulumtime të mirfillta që t’na shërbejnë si qirinj për të gjetur rrugdaljen nga shpella e hijeve ku kemi qenë e jemi, edhe pse vetiu nuk na nxjerrin dot prej saj.

Konteksti mohues

Prap se prap, një të mirë e ka ky shkrim dhe debati rreth tij. Përveç se na jep shembullin që nuk duhet ndjekur, na bën të shohim e vlerësojmë një aspekt të tretë, rëndësia e të cilit nuk mund të mbivlerësohet: kontekstin. Rëndësia e kontekstit njihet, sidomos kur bahet fjalë për leximin e duhun të veprës dhe veprimtarinë e këtyre dy figurave në kontekstin e duhun historik për të kuptuar si duhet domethënien e tyre.

Por ka një kontekst tjetër, akoma ma themelor, që nuk ceket fare, me dije ose me padije. Ky asht konteksti i kësaj “përpjekje” për me çmitizu këto dy figura.

Këto dy figura nuk vijnë nga një botë paralele apo e përfytyrume, por janë të ngulituna në një kulturë, gjuhë, krahinë, dhe fe të mirëpërcaktume – çfarë ishin arsyet për të cilat janë shtypë me egërsi e zell të rrallë e për të njëjtat arsye që gjurmohen edhe sot e kësaj dite. Pra flasim për filiza të pjesës ma të shtypun në vend, në një kohë kur përmasat dhe pasojat e kësaj shtypje të shumanshme nuk janë zbardh hala.

Në këtë kontekst, pra mbi kurrizin e pjesës ma të përndjekun e të përvujtun në shoqërinë tonë, sulmohet nga i njëjti pozicion e në të njëjtin drejtim. E kjo nga njerëz që ose kanë qenë pjesë e shtypësve vetë, ose kanë qenë të lirë të shijojnë privilegjin e jetës rreth majës së piramidës shtypëse.

Shtresa e persekutume nën sundimin komunist nuk përban tjetër veçse material interesant për të vu në pah të metat dhe mëkatet e bijve të kësaj shtrese, dhe jo për të zbardh kalvarin e vuejtjeve dhe rrënimit të gjithanshëm nën sundimin komunist, çfarë do të përbënte një mënyrë për me vendos drejtësinë e munguar. Veprojmë në një kontekst ku krimet e komunizmit jo vetëm që nuk hetohen dhe nuk njihen, por kur ato shpërfillen dhe nënvlerësohen, kjo jo nga padija por nga pandjesia.

Kjo nuk do te thotë aspak se, në mënyrë parimore, nuk mund të hulumtohen veset e mëkatet e viktimës, pamvarsisht se sa “gjurmuesit” ndjekin apo mbrojnë këtë parim për vete në raste të tjera. Por duhet të jemi të vetëdijshëm se në çfarë konteksti flasim. Asht sikur përpara se të hetohej e dënohej Holokausti si krim i pashoq, të hetoheshin e dënoheshin hebrenjtë që kishin bashkëpunu me nazistët.

Asht qelibar e qartë se çfarë duhet hulumtu ma se pari, por në Shqipni ndodh krejt e kundërta. Pjesa ma e përvujtun i nënshtrohet persekutimit të përsëritur, gjoja pse figura të caktuara të tyne nuk janë të shenjta. Ma tragjike asht se kjo pastërti e kullume nuk kërkohet prej një shenjtori, por një djalli.

Do të ishte sikur përpjekja e një xhelati me rivra viktimën e tij, për ta ridënuar atë edhe një herë në emër të virtyteve që ai nuk i gëzon, për me vendos një drejtësi që ai asht i padenjë ta përfaqësojë, vetëm e vetëm që t’i shpëtojë ndërgjegjes së tij prej xhelati. Thanë ma butë, zelli për të “demaskuar mëkatet” e këtyne dy figurave apo të tjerëve i ngjan ma tepër indinjimit të persekutorit. Përveç etikës së mangët të këtyne përpjekjeve, në kritikat e tyne ato bajnë qimen tra, dhe traun qime. Por faji fle me akuzën, jo me të akuzuarit.

Ky fakt nuk ka të bëjë me autorin e shkrimit në fjale dhe as me Peizazhet e Fjalës. Nuk ka të bëjë fare as edhe me synimin e tyne apo të kujtdo tjetër që merr nisma të tilla. Në fakt, “motivet e fshehura” mund të jenë të qarta, por janë krejtësisht pa rëndësi.

Ajo çfarë duhet vrojtuar asht fenomeni në fjalë, fryma që përftohet nga bashkëveprimi i asaj çfarë thuhet, çfarë shkruhet e mënyrat se si përdoren përtej synimit të tyre fillestar, nëse do të kishte një të tillë. Ndërthurja e këtyre veprimeve përfton një kontekst mohimi që nuk synon drejtësi, por godet viktimën për të dytën herë.

Ky kontekst me doemos krijon një klimë dyshimi, për të mos thënë paranojë, tek kjo shtresë e përndjekun, sidomos kur ndjen të sulmohet në të njëjtin drejtim e nga e njëjta shtresë e për të njëjtat arsye si më parë. Nuk dallojnë dot kontekstin i cili përfton këtë gjendje dhe iu vërsulen studimeve, edhe të mirfillta qofshin ato, si sulme të koordinuara nga qendra nga ku vinin sulmet e mëparshme. Ju drejtojnë gishtin ‘bijve të etërve’, sikur bijtë çojnë përpara veprimtarinë e etërve të tyre pa ndërprerje.

Parimisht, ky lloj “akuze” asht i gabuem – për të njëjtat arsye pse biografia e keqe iu priste krahët të deklasuarve nën sundimin komunist, të njëjtëve të deklasuar që sot përdorin të njëjtat akuza si shtypësit e tyre të djeshëm. Parë nga ky prizëm, këto “akuza” nuk nxjerrin asgja në dritë, veç ndjelljen e territ. Vepra duhet të vlerësohet për meritat e saj, pamvarësisht autorit.

Gjithsesi, kjo nuk do me than që përqeshja e këtyre “akuzave” asht e drejtë. Në fakt, ndihmon përpjekjet për mbytjen dhe mosnjohjen e kontekstit të mohimit, me dije ose me padije. Asht e panevojshme e madje e gabueme që kuptimi i këtyne “akuzave” të merret në mënyrë të drejtpërdrejtë. Në rastin ma të mirë, humbasim një mundësi për të lexuar plagët e dhimbjes dhe rënkimet për drejtësi të munguar të një shtrese historikisht të anatemuar e të përvujtun. “Akuza” të tilla nuk janë veç reagime instinktive të papërpunuara që rrjedhin nga sindroma e përndjekjes; ato janë “akuza” pa adresë por ndaj një regjimi që ka ndryshuar ashtu si ujku, qimen por jo zakonin, e që vazhdon t’i mbajë nën trysni këtë shtresë.

Kjo sindromë e përndjekjes asht e damshme para së gjithash për vetë shtresën e përndjekur, që i detyron t’i “fryjnë kosit pse ju ka djeg tamli”. Kjo shtresë duhet të dalë e para në mbështetje të plotë të hulumtimit të lirë dhe të çdo përpjekjeje tjetër për të hedhur dritë mbi çfarëdo figure apo fenomeni. Në vend të qëndresës instinktive, ajo duhet të kërkojë me ngulm që të hidhet drite gjithkund, par edhe mbi shtypjen e shtypësit e tyre historikë, akoma pa emër e pa fytyrë, akoma të panjohur, a thua të ishin djaj nga ndonjë përrallë, e jo kriminelë prej mishi e gjaku, kriminelë që akoma janë në mohim të krimeve.

Gjithashtu, nuk kërkon veçse pak empati e mirkuptim për të dallu rranjët e këtyne “akuzave”, pa qenë nevoja të denigrohen si shprehje të mendësive prapanike. Një frymë e tillë tregon ose padije e mosndjesi të thellë, ose mungesë vullneti për të lexuar fenomenin në fjalë në kontekstin e duhun—në kontekstin mohues.

(c) 2020, Gjovalin Macaj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Rreth Autorit

Gjovalin Macaj është Asistent Profesor në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Institute for History, University of Leiden në Hollandë. Ka një DPhil nga University of Oxford, ku ka dhënë mësim për katër vite radhazi dhe ka mbajtur një post si Lecturer in Politics në Keble College, University of Oxford.

Author Archive Page

10 Komente

  1. Me poshte keni nje dalje publike te Ibrahim Kelmendit per ata qe nuk e njohin nje prej themeluesve te asaj organizate qe me vone u quajt UCK. Kelmendi ka pasur nje veprimtari shume te hershme ne Gjermani me grupet irredentiste kosovare. Bashkepunetor i Jusuf Gervalles dhe njeriu qe duhet te ishte me te kur u krye atentati qe vrau Gervallen dhe 3 anetare te tjere por qe rastesia i shpetoi jeten. Gjithsesi Kelmendi insiston se levizja rinore kosovare e kohes kishte dijeni per veprimtarine e Camajt dhe per kete i shmangej. Detaj ky i cili mund te shpjegoje edhe arsyes se perse ne letren e Camajt derguar nga Beogradi per Koliqin dhe Lazer Sheldijen thekson faktin se Kosovaret nuk e duan.

    PROVERB: “TRADHTIA I BASHKON TRADHTARËT.”
    Kështu po e nis komentin tim për këtë prononcim Tëndin, i respektuari Ardian Vehbiu.
    Duhet të jetë e vetëkuptueshme që kuislingët e marionetat e pushtuesve dhe shërbimeve armiqësore nuk kanë autonomi në vendimmarrje, sepse ata përherë komandohen nga eprorët. Për rrjedhojë edhe “bashkëpunimi” në mes kuislingut Ernest Koliqi dhe marionetës të UDB-së ranoviçiane Matin Camajt nuk duhet të kuptohet e prezantohet si i vetë-vullnetshëm mes tyre, por i komanduar. [Aleksandar Rankoviç ishte kryenacionalist fashistoid serb, i cili në ato vite ishte nënkryetar i Jugosllavisë dhe ministër famëkeq federativ i punëve të brendshme]
    Kuislingu Koliqi kishte plotë emigrantë intelektualë shqiptarë, që ishin më të përgatitur se marioneta Camaj, për të qenë kryeredaktor i revistës “Shejza”. Ta zëmë, kuislingu Koliqi kishte edhe një studiues tepër më intelektual se së marioneta Camaj. Ishte kroati i Kosovës Lazar Dodic (i lindur në Janjevë të Kosovës), por që gjithë shkollimin fillor dhe të mesëm e kishte mbaruar në shkollat e jezutëve në Shkodër. Lazar Dodic, – kur qe “arratisur” Camaj nga Jugosllavia në Itali, – tashmë kishte mbrojt doktoratën si albanolog në Universitet në Romë, duke e pas për mentor kuislingun Koliqi. Albanolog fisnik Dodic, duke e ditur çfarë e priste në Vendlindje në Kosovë, pas prishjes mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, u arratis nga Shkodra në Romë. Atje, me përkrahje të imigrantëve shqiptarë, regjistron studimet, për të mbaruar edhe doktoratën.
    Fatmirësisht dhe fatkeqësisht i kam njohur të dy personalisht. Fatmirësisht, sepse Albanologu Dr. Lazar Dodic ishte ligjerus me thirrje profesori, në Lektorat të Albanologjisë në Ruhr-Universität në Bochum, thirrje që nuk e kishte Martin Camaj në München. Angazhimet gjuhësore, albanologjike, të Lazar Dodic, ishin ku e ku më shqiptare se ato të letrarit Camaj.
    Miqësia mes tyre prishet për shkak se Camaj bënë një shkrim në gazetën FAZ (Frankfurter Allgemein Zeitung) kundër Gjuhës se standardizuar Shqipe, “në emër” të Dr. Lazer Dodic, pa e pyetur dhe pa e informuar se po bënte atë shpërdorim. Arsyetimi i pastajmë i Camajt, kur Albanolgu Dodiç i kërkon llogaridhënie për atë flagrancë, ishte se shkrimi do të kishte më ndikim për hir të gradës shkencore që kishte Albanologu Dodic e nuk e kishte Camaj.
    Camaj e dinte se Albanologu Dodic ishte përkrahës entuziast i “unifikimit” të dialekteve në Shqipe standarde. Megjithatë ia ka shpërdoruar emrin për të shkruar kundër Shqipes standarde.
    Fatkeqësisht, e kam njohur Martin Camajnë në një moment të lig, i cili më pat zhgënjyer deri në palcë (kam informuar më herët).
    Edhe Studiuesi Tare po anashkalon informimin se marioneta Camaj ka qenë i atashuar nga UDB-ja në gazetën “Rilindja” në Prishtinë (e cila ishte simotër me “Zërin e Popullit” në Tiranë, si organe të partive komuniste përkatëse), dhe aty ai i ka bërë zullum të madh stafit që e përgatiste atë gazetë. Jam llahtaris kur kam dëgjuar rrëfimet e Shkrimtarit Ramiz Kelmendi për ato angazhime UDBeske të Camajt në Prishtinë.
    Katolikëve fanatikë dëshiroj t’ua përsëris: nuk kanë nevojë të shesin taraf për më patriotë e më të qytetëruar, duke shpërdoruar krahasimin me barbaritë e muhamedanëve fundamentalistë, sepse religjionet, të cilëve të dy palët u përkasin, ngjajnë si dy pika uji. Katolicizmi barbar, qysh kur Perandori Flavius Valentinianus në vitin 380 aprovoi dekret për ngritje të religjionit katolik në religjion të vetëm zyrtar perandorak, duke ndaluar të gjitha religjionet tjera, i ka imponuar Europës “mesjetën e errët mbi njëmijë vjeçare”, e cila i ka pas përmasat e një diktature ku e ku më fashistoide se ajo e Hitlerit. Prandaj nuk kanë nevojë të na terrorizojnë duke shpërdoruar kompleksin e inferioritetit si pakicë fetare, rrjedhimisht si viktimë, sepse katolikët në Shqipëri kishin më shumë liri kulturore shqiptare se sa muhamedanët, edhe nga Sulltanët pushtues! Përkundrazi, edhe rreth 5 % e shqiptarëve myslimanë që i kemi në hapësirat shqiptare, dhe rreth 90 % e shqiptarëve sekularistë, ateistë, laikë, agnostikë, po e respektojnë ekstra komunitetin katolik në Shqipëri e Kosovës, edhe për shkak të keqardhjes së janë minoritet.
    Uroj të drejtë-kuptohem.
    Përgëzime për këto demaskime!
    [Ibrahim Kelmendi, me 11.07.2020]

    1. Nuk e di nese e sjell ketu kete leter se je dakord, apo thjeshte po e percjell.

      nese eshte e para, duhet ti shkosh ca me thelle muhabetit. Sherret djaloshare te ketyre nuk jane argument. Duhet te kesh jetuar ne kurbet qe te kuptosh nga psikologjia e emigrantit. Une kam njohur njeher nje komunitet te tille, dhe i njoh sa ziheshin me njeri-tjetrin (lere qe ta thone edhe dokumentet e CIA, edhe pse ca me bute se ata ne Shqiperi qe edhe vrisnin njeri-tjetrin). Angazhimi politik i bente keta te ndiheshin te rendesishem ne token e huaj – dhe diaspora patjeter qe ka rendesine e vete. Por jane egot personale qe i shtyjne ndonjehere ne te tilla angazhime (puna ne fabrike, dhe kafeja me miqte ku diskutohen hallet e kombit). Duhe te shohesh pertej kesaj … se po na shtin ne gjynah me kurbetllinjte, se jam vete i atille.

      Ja ta relativizojme: ky Kelmendi tjeter qe permendet ne leter, cfare e ka Kelmendin letershkrues?

      Shkurt, dua te them, se konkluzionet kane shume zhurme. Ne statistike ky term quhet “noise”. Pra duhen pastruar te gjitha ngjarjet nga keto hatermbetjet qe te arrihet te e verteta. Keto letra na thone se c’inate apo cfare mendonte Ibrahimi per Camaj, por asgje mbi Camaj.

      1. Ju thoni se “keto letra na thone se c’inate apo cfare mendonte Ibrahimi per Camaj, por asgje mbi Camaj.” Mirepo ai incidenti me Franfkurter Algemeine Zeitung, nese konfirmohet si i vertete, flet shume, madje mjerisht shume per Camajn…. Apo jo?

        1. Arkivi i FAZ ka vetem nje artikull te Camaj (Camay) dhe Viktor Meiyer, e flet nder te tjera (mbi hapjen e mundshme pas vdekjes se E. Hoxhes) dhe permend edhe librin e gramatikes se gjuhes shqipe, ne vitin 1986.

          Lazar Dodic (jo Lazer) permendet edhe ai vetem ne nje artikulll, ndoshta si autor dhe shkruan per 70 vjetorin e prof. Georg Stadtmüller, albanologut ne institutin e studimeve te evropes juglindore, ne vitin 1979.

          Nuk kam akses te e gjithe arkiva, keshtu qe nuk mund ti sjelle artikujt ketu.

          https://www.faz-biblionet.de/

  2. Shkruan:

    Shtresa e persekutume nën sundimin komunist nuk përban tjetër veçse material interesant për të vu në pah të metat dhe mëkatet e bijve të kësaj shtrese, dhe jo për të zbardh kalvarin e vuejtjeve dhe rrënimit të gjithanshëm nën sundimin komunist, çfarë do të përbënte një mënyrë për me vendos drejtësinë e munguar. Veprojmë në një kontekst ku krimet e komunizmit jo vetëm që nuk hetohen dhe nuk njihen, por kur ato shpërfillen dhe nënvlerësohen, kjo jo nga padija por nga pandjesia.

    Nëse e kam kuptuar mirë, kjo nuk më duket e saktë.

    Mjaft të kujtoj veprimtarinë shumë-vjeçare të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, që financohet relativisht mirë dhe ka edhe një numër të madh botimesh, ku hetohen krimet e komunizmit dhe informohet për to publiku.

    1. Ne ISKPK di qe punojne (kane punuar) dy shkrimtare shume te perkushtuar. Meqe perkushtimi nuk mjafton (see: Tare), dime gje per kualifikimet e ketyre dy personave apo per nje insitucion te tille eshte e kote te pretendojme kualifikime?

    2. Keni ju te drejte, duhet te isha me i qarte. Une kam me teper parasysh nje perballje te pergjithme me te kaluaren – ky krimet hetohen e kriminelet ndeshkohen. Kjo per te vendosur drejtesine per viktimave dhe per deftuar gatishmerine e shoqerise sone per te ndeshkuar krime te tilla ne te ardhmen. Qendra si kjo qe permendni ju sigurisht qe kryejne pune te lavderueshme – por nuk besoj se mjafton. Mundet edhe te perdoret si nje gjest simbolik, sikur ne po merremi me te kaluaren jo fort ndritur, per te mos u perballur me problemin ne themel. Ka edhe pagesa te vogla per ish te perndjekurit, qe tregon te pakten gatishmeri per njohje te terthorte te problemit.

      Por verej se ish te perndjekurit trajtohen si viktima te nje fatkeqesije natyrore, dhe jo te shetit ame, me struktura e emra te pervecem. Nuk e di nese njohja e permasave te krimeve nen regjimin komunist te jete me e madhe se sa nostalgjija qe ekziston per po kete regjim qe eshte pergjegjes per to. Kemi nevoje qe drejtesia te vihet te vend, dhe te vihet ne menyre te hapur e publike, qe njerezit te shohin se drejtesia po vendoset me te vertete. Fakti qe vullneti i sovranit kryesohet nga Gramoz Ruçi, pra nje ish-minister i puneve te brendshme dhe aparatçik shtylle, do te thote se jemi akoma larg perballjes se munguar me te kaluaren, larg kujtimit te saj si duhet e nxjerrjes se mesimeve si shoqeri. Prandaj mendoj se jemi ne mohim te se kaluares. Ky mohim jo vetem qe nuk qon drejtesine ne vend per nje shtrese jo te vogel, por nuk eshte aspak e shendetshme per shoqerine tone ne teresine e saj. Besoje se duhet t’a kemi kaluar kete process te dhimbshem qe te merremi me krimet e “anes tjeter”. Kjo eshte fryme e asaj çfare jam perpjekur te them.

  3. Po e percjell pasi letra i eshte dergu Z Vebiu por me qe Kelmendi nuk dinte ku ta dergonte ma dergoi mua qe ta percillja

  4. Përshëndetje zoti Macaj,
    shkrimin tuaj e lexova dhe më ra në sy fatkeqësisht pikërisht ajo, prej të cilës kisha frikë. Ju shkruani me mllef dhe me siguri keni arsye personale të mjaftueshme ta bëni këtë. Problemi është, që ju dhe në përgjithësi përfaqësuesit publikë të klanit katolik (nuk po përmend termin “fe”, për të mos i ngatërruar gjërat) e shndërroni gjithë diskursin lidhur me diktaturën komuniste në një konflikt i cili është vazhdim i asaj gjakosje të djeshme.

    Ju shkruani me të drejtë për terrorin kundër popullsisë katolike dhe veçanërisht shfarosjes së elitave intelektuale të saj, por mesazhi mbërrin kryesisht si një thirrje për revansh.

    Revanshin nuk e do askush, ngaqë herët e vonë ai të çon në thyerje kafkash. Tabloja bardhë e zi që shpalosni ju është skematike. Diktatura ka pasur shumë nuanca të ndërmjetme, viktimat i ka pasur të shumëllojshme dhe çdokush e ka parë herët a vonë të persekutuar prej saj, edhe kur ka qenë afër kupolës. Sinqerisht Macaj, unë e kam kaluar fëmijërinë dhe rininë shumë afër pushtetit dhe frika e goditjes fatale dhe shfarosëse ndiqte dhe terrorizonte këdo. A nuk ja vranë veten Mehmet Shehut dhe ja syrgjynosën familjen nëpër burgje e kampe pune për një përjetësi të pafundme? A nuk shfarosi Stalini pa asnjë kriter pothuajse të gjithë kadr-in politik dhe ushtarak që kishte rreth vetes, pra vrau pa asnjë brengë shumëkënd, që deri dje i kishte vajtur pas qorrazi.

    Në këtë kuptim dëgjuesi i vëmendshëm dhe kritik është i lodhur nga viktimizim i klani katolik.

    Natyrisht që është e nevojshme që diktatura e djeshme të gjykohet si moralisht ashtu edhe politikisht. Penalisht do të ishte e vështirë, ngaqë kuadri ligjor nuk e jep këtë mundësi. Pa dashur të dal jashtë temës por shteti i diktaturës së proletariatit doli nga lufta antifashiste dhe u pozicionua që në krye ekstremisht majtas. Pjesë e kësaj axhende ishte edhe shfarosja fizike e eksponentëve të djathtë, ngaqë në këtë skemë ishte ndërtuar e gjithë Lindja. Dhe e djathta katolike nuk është se kishte lënë gjë simpati të madhe pas Luftës së Spanjës apo pas tolerimit që i bëri Papa gjithë Holokaustit apo luftës shfarosëse të Gjermanisë Naziste në Lindje. Në këtë kuptim, kur erdhën komunistët në pushtet e ndërtuan shtetin siç deshën vetë, por edhe siç deshën edhe Fuqitë fituese të luftës dhe kështu, katolikëve ju vunë mbi kurriz gjithë gjynahet e të djathtës reaksionare. Se nuk po futen më thellë, që katolikët në përgjithësi pas Reformacionit nuk ishin parë si për nja 500 vjet si forcë progresive, apo tymi i turrave të drunjve të terrorit inkuizitor ishte akoma në ajër.

    Katolikët humbën në Shqipëri një luftë, që as e kishin filluar e as e kishin luftuar, pra u bënë viktima të një terrori shtetëror. Fataliteti i kësaj historie qëndron për mendimin tim në faktin, që katolikëve në ato kushte historike siç gjendej Shqipëria, nuk mund t’ju binte një fat tjetër.

    Pa qenë aspak ekspert i kësaj pune, por përshtypja tjetër e imja është, që dogmën ideologjike komuniste në Shqipërinë e pas 1944 e sendërtonin kuadro partiakë shqiptarë të besimit ortodoks. Myslimanët në Shqipëri kanë jetuar gjithnjë mirë me të krishterët në jug dhe me ata në veri, por dy besimet kryesore të krishtera nuk janë marrë kurrë vesh mirë ndër vedi. Pra në këtë kuptim në atë terror që u ushtrua mbi komunitetin katolik ndoshta ka pasur edhe një gjë tjetër të vjetër, përtej komunizmit, pra diçka midis Kishës Katolike dhe asaj Ortodokse. Hamendje kjo.

    Edhe diçka tjetër do të doja të shtoja. Është duke u shkruar për gjëra shumë serioze. Pra ose e bëjmë atë punë me përgjegjësi, ose biem në petetizëm dhe vazhdojmë me ofshama. E kam fjalën për skandalizime të tipit “Gramoz Ruçi kështu, dhe Gramoz Ruçi ashtu”. Unë nuk e njoh Gramoz Ruçin personalisht dhe nuk kam dëgjuar për atë njeri asnjë fjalë gjatë kohës së diktaturës. Ai nuk ka qenë dikush me përgjegjësi brenda sistemit, nuk ka pasur asnjë emër as për të mirë e as për të keq, ngaqë nuk ka pasur asnjë emër. Njësoj si Fatos Nano, kundër të cilit nuk lanë gjë pa thënë duke e vënë si figurë politike në relacion me diktaturën, ndërkohë që edhe ai ishte askushi. Në këtë kuptim diskutimi infantilizohet dhe humbet substancën.

    Dhe e fundit që dua të them është, që nuk ka asnjë të keqe, që të dalin në dritë fakte historike lidhur me figurat publike politike apo kulturore. Nuk ka asnjë komplot në atë gjë. Dihet, që një nga mënyrat e veprimit të shërbimeve sekrete të shteteve të këqija ishte edhe ushtrimi i presonit për t’i rekrutuar këto figura deri në atë masë, që të vlenin si të komprometuara në rast se do t’i kundërviheshin pushtetit. Në ato raste që dush ka pranuar të nënshkruaj një copë letër ku shpreh gatishmërinë për të shërbyer nuk ka bërë akoma asgjë për t’u përbuzur; e ca më pak kur e ka bërë këtë kur ka qenë i ri. Shoqëri diçka më civile i kanë zhvilluar mekanizmat e tyre për të bërë dallimin midis krijuesit dhe njeriut banal të trupëzuar në një person të vetëm. Christa Wolf është rasti klasik, e cila u rekrutua nga Stasi në rininë e saj. E të tillë ka plot në ish Gjermaninë Lindore. Tani kush do t’i hyjë kësaj pune me themel shikon se ç’dëme ka bërë Christa Wolf me këtë cilësi dhe se ne ç’relacion janë ato me veprën e saj letrare dhe figurën e saj publike si shkrimtare në përgjithësi. Pra përsëri, jo bardhë e zi.

  5. [Ky koment u hoq që këtej me kërkesë të Gjovalinit, që po e bën gati për ta nxjerrë si shkrim më vete. A.V.]

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin