VETJA AUTORIALE DHE SHËMBËLLTYRA

(Fragment[1] nga leksioni i laureates Olga Tokarczuk, në ceremoninë e dorëzimit të Çmimit Nobel në letërsi, për vitin 2018.)

Jetojmë në një realitet narrativash polifonike në vetën e parë dhe na rrethon nga të gjitha anët zhurma polifonike. Çfarë kam parasysh me vetën e parë është ajo lloj rrëfenje që orbiton nga afër veten e rrëfimtarit, i cili pak a shumë drejtpërdrejt shkruan thjesht për veten dhe nëpërmjet vetes. Kemi vendosur tashmë se ky lloj këndvështrimi individual, ky zë që vjen nga vetja, është më i natyrshmi, njerëzori dhe i ndershmi, edhe kur ai heq dorë nga një perspektivë më e gjerë. I konceptuar kështu, rrëfimi në vetën e parë end një motiv absolutisht unik, të vetmin në llojin e vet: është si t’i japësh kuptim autonomisë sate si individ, duke qenë i vetëdijshëm për veten dhe fatin tënd. E megjithatë, kjo do të thotë edhe të ndërtosh një kundërvënie mes vetes dhe botës, e cila ndonjëherë mund të jetërsojë.

Mendoj se rrëfimi në vetë të parë është shumë karakteristik për këndvështrimin bashkëkohor, ku individi luan rolin e qendrës subjektive të botës. Qytetërimi perëndimor në masë të madhe themelohet dhe mbështetet mbi pikërisht këtë zbulim të vetes, e cila na jep masën më të rëndësishme të realitetit. Këtu njeriu është aktori kryesor dhe gjykimi i tij – edhe pse një mes të shumtëve – gjithnjë merret seriozisht. Historitë e thurura në vetën e parë duket sikur janë mes zbulimeve më të mëdha të qytetërimit perëndimor; ato lexohen me nderim dhe me besim të plotë. Ky lloj historie, ku ne e shohim botën me sytë e një veteje unike, ndërton një lidhje të posaçme me rrëfimtarin, i cili i kërkon dëgjuesit që ta vërë veten në vendin e tij unik.

Çfarë kanë bërë narrativat në vetën e parë për letërsinë dhe, në përgjithësi, për qytetërimin njerëzor, nuk ka të paguar – ato e kanë ripunuar tërësisht historinë e botës, në mënyrë që kjo të mos jetë më hapësira ku veprojnë heronjtë dhe zotat ndaj të cilëve nuk kemi asnjë ndikim, por një vend për njerëz si ne, me historitë tona individuale. Është lehtë të identifikohesh me njerëz që janë si ne, pse ashtu përftohet një lloj i ri mirëkuptimi emocional midis rrëfimtarit të historisë dhe lexuesit ose dëgjuesit të saj, i bazuar në empatinë. Dhe kjo, përmes natyrës së vet, i bashkon njerëzit dhe i eliminon kufijtë; është shumë lehtë ta humbësh fillin, në një roman, e kufijve mes vetes së rrëfimtarit dhe vetes së lexuesit, madje një lloj romani, “romani përthithës”, mbështetet pikërisht mbi mjegullimin e këtij kufiri dhe mbi atë lexues që, përmes empatisë, shndërrohet në rrëfimtar për një copë herë. Kështu letërsia është bërë një fushë për shkëmbimin e eksperiencave, një agora ku gjithkush mund të rrëfejë fatin e vet, ose t’i japë zë alter egos së vet. Kjo është, pra, një hapësirë demokratike – gjithkush mund të ngrihet dhe të flasë, gjithkush mund të krijojë një zë folës për veten. Kurrë më parë në historinë e njerëzimit nuk ka pasur kaq shumë shkrimtarë dhe rrëfyes historish. Mjaft të shohim statistikat, për t’u bindur.

Kur shkoj në panaire librash, shoh sa shumë nga librat që botohen sot në botë kanë të bëjnë pikërisht me këtë – veten autoriale. Instinkti për t’u shprehur mund të jetë po aq i fortë sa edhe instinktet e tjera që na mbrojnë – dhe ai shprehet më plotësisht në art. Ne duam të na vënë re, duam të ndihemi të jashtëzakonshëm. Narrativat e tipit “Do të rrëfej historinë time”, ose “Do të rrëfej historinë e familjes sime” ose edhe thjesht “Do të rrëfej se ku kam qenë” përfaqësojnë sot zhanrin letrar me më shumë popullaritet. Kjo dukuri ka marrë sot kaq shumë përhapje, ngaqë tani ne jemi universalisht në gjendje të marrim akses në shkrim, dhe shumë prej nesh e shfrytëzojnë mundësinë – dikur të rezervuar për të paktit – për t’u shprehur me fjalë dhe histori. Paradoksalisht, megjithatë, kjo situatë i ngjan një kori të formuar vetëm nga soloistë, zëra që konkurrojnë mes tyre për vëmendje, të gjitha duke ndjekur shtigje të ngjashme, dhe duke mbytur njëri-tjetrin. Ne dimë gjithçka është për t’u ditur rreth tyre, jemi në gjendje të identifikohemi me to dhe t’i përjetojmë ato jetë si të ishin tonat. E megjithatë, tepër shpesh, eksperienca e lexuesit mbetet e paplotë dhe zhgënjyese, meqë rezulton që të shprehësh një “vete autoriale” nuk garanton aspak universalitet. Çfarë nga mungon – me sa duket – është ajo përmasë e historisë që është shëmbëlltyra (parabola)[2]. Meqë heroi i shëmbëlltyrës është njëkohësisht vetja, një person që jeton në rrethana historike dhe gjeografike specifike, por edhe njëkohësisht shkon mjaft përtej këtyre detajeve konkrete, për t’u shndërruar në një Gjithkush të Gjithkundshëm. Kur një lexues ndjek hap pas hapi historinë e dikujt të shkruar në një roman, ai mund të identifikohet me fatin e personazhit të përshkruar dhe ta gjykojë situatën e këtij personazhi si të ishte e vetja; por te një shëmbëlltyrë lexuesi duhet ta dorëzojë tërësisht veçanësinë e tij, për t’u bërë Gjithkushi. Në këtë operacion psikologjik kaq kërkues, shëmbëlltyra e universalizon eksperiencën tonë, duke gjetur një emërues të përbashkët për fate krejt të ndryshme mes tyre. Që ne e kemi nxjerrë tashmë, në masë të madhe, shëmbëlltyrën nga vëmendja, ky është testament për pafuqinë tonë aktuale.

(përkthimi im nga anglishtja, pa shumë pretendime)


[1] Fragmentin e përkthyer më lart e pata nxjerrë si koment, poshtë esesë së Erlind Sulkos, “Kundër shkrimit të shkrimit në përkthim”, të botuar më 12 dhjetor në këtë faqe. Mendova pastaj se ka interes që ta nxjerr si shkrim më vete, sepse ashtu do të konsultohet më lehtë nga lexuesit, sidomos në të ardhmen.

[2] Këtë term, shëmbëlltyrë, po e përdor për të dhënë anglishten parable, me kuptimin “një histori e shkurtër, alegorike, që ilustron një të vërtetë, parim fetar ose mësim moral”. Të njohura janë Shëmbëlltyrat e Krishtit, nga Ungjijtë ose Shëmbëlltyrat nga Kurani. E ngjashme me përrallën, por me personazhe njerëzore. Megjithatë, kam përshtypjen se te ky fragment, Tokarczuk-u e zgjeron kuptimin konvencional të termit, për të shënjuar një lloj rrëfimi të de-psikologjizuar, ku teknika rrëfimtare e përrallës përdoret në kontekste të tjera, jo doemos fantastike, as morale dhe fetare.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin