MBLLAÇITU E MOS THUAJ GJË

nga Lazjon Petri

– I dashuni im! Merre biçikletën të shkojmë nga kodrat sot. Ma ka ënda të shtrihemi tek pylli me kaçka, e me t’u lodhur së përqafuari e pasi t’i kemi thënë e dëgjuar dëshirat e njëri-tjetrit për Vitin e Ri 3020 nën miratimin e qukapikëve, do doja të të rrëfeja një ndodhi të 1000 moteve më parë.

– Të thuhet dot jo ty?! Se jo vetëm më propozon kësi gjërash të bukura, por më shikon edhe me ca sy kaq joshës teksa i thua! Do vij sa hap e mbyll sytë, vetëm të lutem më premto që ndodhia që do të më rrëfesh s’ka të bëjë me atë tërmetin famëkeq, për të cilin, siç më the, po hulumtoje dokumentet përkatëse tek Biblioteka. Pse më sheh e çuditur, s’e mban mend që diç më tregove se ç’kishe zbuluar kur po pinim çaj me Kosinën dhe burrin e saj robot, 3 ditë më parë, edhe pse biseda na u ndërpre në mes?

– E di që do ta kesh mirësinë t’ia rikujtosh kujtesës sime që s’harron të firaksë. Për çfarë e ke fjalën, i dashun?

Merr frymë shumë thellë symbyllas dhe pas një buzëqeshjeje të dhembshur prej gjendjes së atyre togfjalëshave që do t’i duhej t’i shqiptonte në vijim shoqezës së tij të shtrenjtë, i thotë:

– “Një shoqëri ku 57 % e atyre që sado që shkolloheshin e dinin të lexonin për bukuri, s’kuptonin gjësend nga ajo që lexonin, që ndërtonin rrugë tek të cilat jepte shpirt përditë dikush, që disa grupime që quheshin Parti Politike, vinin ku vinin, synonin e sendërtonin Sulltanatin osman, Carizmin rus apo Pallatin e Dogjëve venecianë, bash në simbolikë dhe në veprimtari… e që publiku aq i shumtë, në vend të luante rolin e vet të domosdoshëm, më një anë përvuante sëmundjen e pashmangshme që shkaktonte asajbote shoqëria skajshmërisht e dhënë pas hedonizmit si konsum dhe si pangopësi dhe në anën tjetër, parapëlqente heshtjen dhe mospërfshirjen në çështje të dobiprurjes së të Përbashkëtës së Mbrothësuar, duke u mjaftuar me atë që disa poetë satirikë romakë të 3000 viteve të shkuara e quanin Bukë dhe argëtim (LP)[1]. E pra, sikur të mos mjaftonin këto, a thua se ende s’ishte mbushur kupa, do duhej edhe një tërmet po në ato vite, për të shembur me mijëra shtëpi, sjellë rrotull njerëzit pa katandi, e marrë me vete dhjetëra-e-dhjetëra jetë njerëzish”.

– Oh, i dashun! S’e ke idenë sa më ngazëllen kur vë re se ndonjëherë jo vetëm më dëgjon me vëmendje, por edhe je në gjendje të riprodhosh thuajse me përpikëri ç’ke dëgjuar prej meje! Pikërisht për tërmetin dua të flasim, aspak për atë që vjen me lëkundjet ciklike jo të Tokës, por të Kokës.

– Të kokës? Si tërmetin e kokës moj?

– Po, të kokës së njeriut, që së bashku me mendimet e shkretuara apo të bekuara i përngjason lavjerrësit që kur anon nga shkretimi, sjell dhe rrezaton energji negative, frikë, ankth, xhelozi dhe tërësinë e ndjesive djallëzore. E kur plumbçja varet nga bekimi, i buzëqesh gëzimit, dashurisë, harmonisë dhe tërësisë së ndjenjave të përkora. E bukura është se s’mësuam që s’mësuam t’a kurdisim siç duhet zemberekun e këtij lavjerrësi.

– Çfarë po thua zonjërote2 se s’po të kuptokam më duket!

– E kam fjalën sidomos për tërmetin që pëson Shpirti kur cungohet liria e të shprehurit të mendimeve dhe ndjenjave, kur synohet të burgoset nëna e nënave pas së cilës rrodhën të gjitha me radhë, kur vihet në shënjestër Ajo që ishte e para: FJALA.

– E dashun, ti sesi je sot. Pusho pak, mos fol fare për një farë kohe se po më shqetëson!

– Eh! E lashtë sa bota kjo puna e nevojës së disave për t’i mbyllur gojën të tjerëve me çdo kusht, apo jo? Edhe kur bëhet në emër të mospërdorimit të mbrapshtë të së drejtës së të folurit të Tjetrit! Nuk na mjaftuan përndjekjet dhe vrasjet e atyre që u vranë vetëm se menduan, folën e shkruan xhanëm?! Do ti, që para 1000 vjetësh, shoqëria e atëhershme kishte një libër: Kushtetuta e quanin. Porsi Bibla apo Kurani dikur, Kushtetuta mbante të shkruara dhe gëzonte kanonet e të sjellit drejt në shoqëri. Kjo vepër, ndonëse arnohej herë-pas-here nga vendas e të huaj, e pasandaj nga robotë si puna e burrit të Kosinës, ashtu si tek ato veglat artizanale në të cilat disa gra punonin me normë të detyruar për të nxjerrë në dritë një qilim shumëngjyrësh në përputhje me disenjon e paracaktuar, bash me këtë zellin e qilim-punueseve, ndodhte jo rrallë që t’i binin gjoksit dhjetëra dado njëkohësisht: kush-e-kush të mburrej e ta ushqente fëmijën e para, pa treguar as merakun, kujdesin dhe përgjegjësinë më të vogël se kishin të bënin veç me një foshnjë, të cilës mund t’i merrej fryma sakaq!

– Për këto ma paska vërtet ënda të më rrëfesh më shumë kur të jemi në pyllin e kaçkave, e dashun: për lirinë që njeriu e harroka së respektuari porsa mendon se e ka fituar dhe për fijen e leshit të qilimit që nisur nga ç’më thua, me gjasë shkelej e zhvoshkej pa u shtruar mirë. Po marr biçikletën të ikim se na zuri goja lesh.

 

© Dhjetor 2019, Lazjon PETRI


1 Panem et circenses;

2 Fjalë e futur në diskursin publik dhe familjar aty nga viti 2349.

 

1 Koment

  1. Habitem, përse shkoni kaq larg për të siguruar analogjinë e pushtetarëve të sotëm, të cilët në çdo gjë që bëjnë janë të ngjashëm, sipas jush, me “.. Sulltanatin Osman, Carizmin Rus apo Pallatin e Dogjëve venecian…”? Më vjen keq, por krahasimi çalon dukshëm. Do të ishte, besoj, i mjaftë krahasimi me pushteti që lamë pas në vitin 1991, ndonse ky krahasim mund të mos ju paraqiste interesant, siç natyrshëm dëshironi të jeni përballë lexuesit. Sepse të krahasosh sundimin e sotëm tek ne me, ta zëmë, Carizmin Rus, një terren që siguroj kondita brilante për Çernisevskin, Turgenievin, Dostojevskin, Gonçarovi, Çajkovskin,Glinkan, Cehovin, Tolstoin e ku di unë, sikur vërtetë nuk shkon.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin