KE THËNË

Si vlera, ashtu edhe kostoja e fjalës së shkruar kanë ardhur duke rënë, paralelisht me përparimin teknologjik të shkrimit dhe të komunikimit. Një dokument formal i gdhendur në një rrasë guri kushton përpjesëtimisht shumë më tepër, se një dokument i ngjashëm, i shtypur dhe i riprodhuar në një fletushkë që shpërndahet në masë; pa folur pastaj për të njëjtin dokument, që mund të riprodhohet dhe të qarkullojë lirisht dhe praktikisht falas online. Një mënyrë tjetër për ta shprehur këtë dukuri, është të thuash se numri i SHKRUESVE ka ardhur duke u rritur, aq sa sot, në epokën e rrjeteve sociale dhe të smartfonit, të barazohet me numrin e pjesëtarëve të një komuniteti çfarëdo, i cili njëherazi përftohet nëpërmjet këtij komunikimi.

Ky “masivizim” i shkrimit ka ndryshuar edhe statusin e tekstit apo të GJËSENDIT të shkruar; në kuptimin që një tekst, që është botuar në një revistë akademike “peer reviewed” ka status tjetër nga ai i të njëjtit tekst, të botuar në një diskutim në një forum online. Ka disa lloje botimesh që janë më formale se të tjerat dhe ku autori është më i përgjegjshëm për sa thotë e për sa shkruan; dhe autori i tekstit e ka këtë gjithnjë parasysh, kur zgjedh se çfarë të botojë në një revistë shkencore dhe çfarë të thotë në një debat informal me kolegët e vet, në një rrjet social.

Për mua kjo prek drejtpërdrejt edhe etikën e CITIMIT: në kuptimin që cituesi gjithnjë bën mirë të mbajë parasysh mediumin se nga e merr fragmentin që do të citojë. Një paragraf nga një traktat teorik i Umberto Eco-s ka tjetër peshë autoriale nga një paragraf i nxjerrë nga rubrika e tij e përjavshme “La Bustina di Minerva” që dilte në një periodik italian; dhe gjithashtu tjetër peshë autoriale, nga një paragraf i nxjerrë nga një intervistë po e Umberto Eco-s, dhënë një gazete lokale të fshatit ku ky shkonte për pushime.

Popullarizimi i komunikimit me shkrim është shoqëruar edhe me popullarizimin e citimit; kushdo e ndjen tani veten të titulluar të citojë këdo, dhe ta përdorë këtë citim sipas midesë, paçka se citimi gjithnjë kërkon të ndiqen rregulla të caktuara profesionale, nëse cituesi shpreson që të merret seriozisht. Për fat të keq, meqë debatet publike sot në kulturën shqip vazhdojnë të ndjekin verbazi modelin PERVERS të gjyqit popullor, ku kalohet me lehtësi të papërballueshme nga kritika e një argumenti tek akuza kundër atij që e ka sjellë, edhe citimet priren të përdoren si PROVA a DËSHMI kundër autorit, pavarësisht se nga e kanë burimin.

Këta lloj citues, që i nisin ndërhyrjet e tyre me “A NUK KE THËNË TI SE…” dhe pastaj risjellin ndonjë tekst cofëtirë, të nxjerrë nga plehrat e përditshme të Internetit, zakonisht janë thjesht duke kërkuar “gjak”; synimi i tyre është të ndëshkojnë burimin e argumentit, jo të çojnë më tutje debatin. Modeli i tyre mbeten diskutimet e Byrosë Politike, ku Enver Hoxha senil ndërtonte, para publikut sylesh të vartësve e të sejmenëve të vet, kështjellat prej rëre të thashethemeve që i sillnin hafijet: “A NUK KE THËNË TI SE…?” Citati inkriminues është i barasvlershëm me makinën mitike të ambasadës jugosllave, ku hipën gabimisht armiku i kLLasës, për të gëlltitur atje lugën fatale të çorbës së prishur.

Nëse këta luftëtarë të palodhur të debateve online do ta pranonin një këshillë prej meje, kjo do të ishte që ta kontrollonin burimin e citatit SIDOMOS kur ky u ka rënë në sqep tërthorazi, ose është kaluar dora-dorës. Se ç’ka thënë aksh arkeolog për ilirët, është mirë që të gjendet në ndonjë prej librave dhe artikujve të tij, jo në emisionet ku i ka qëlluar të kacafytet me provokatorin ose turbologun e radhës; se ç’ka thënë aksh sociolog për të drejtat e grave, është mirë që kjo të gjendet në përmbledhjet e tij me ese, jo në procesverbalin e gjyqit të divorcit të tij.

Me fjalë të tjera, shkrimi i shqipes online, si i çdo gjuhe tjetër, e ka modifikuar thekshëm dallimin mes ligjërimit të shkruar dhe ligjërimit të folur; aq sa ka teoricienë që flasin për një rrafsh të tretë, të ndërmjetëm, të përdorimit të gjuhës, që nuk mund të identifikohet më as me shkrimin as me të folurin. Për argumentin tonë, kjo do të thotë se teksti i shkruar dhe i botuar NË ÇAST, pa kaluar në filtrat e rishikimit dhe të redaktimit dhe të korrektimit, si tekstet e shkruara tradicionale, vendos me autorin një raport të ndryshëm, sa kohë që këtij nuk mund t’i kërkohet e njëjta përgjegjësi, si në të shkuarën.

Në esenë e tij aq të rëndësishme, “Çfarë është autori”, filozofi Michel Foucault shpjegoi, mes të tjerash, se autori u përftua, në krye, në kontekstin e një sistemi ligjor, për të identifikuar personin që do të NDËSHKOHEJ, nëse teksti do të gjykohej si transgresiv; ose sa kohë që “në kulturën tonë […] diskursi nuk ishte origjinalisht një gjësend, një produkt ose një zotërim, por një veprim i kapur në një fushë bipolare të sakrales dhe profanes, të ligjshmes dhe të paligjshmes, religjiozes dhe blasfemes. Ishte një gjest i ngarkuar me rreziqe, shumë kohë para se të ishte zotërim i përfshirë në një qarkullim vlerash pronësore. Por pikërisht në momentin kur u vendosën një sistem i pronësisë dhe rregulla të rrepta të copyright-it (dikur nga fundi i shekullit të 18-të dhe fillimi i shekullit të 19-të), vetitë transgresive gjithnjë të trupëzuara në aktin e të shkruarit u bënë imperativi imponues i letërsisë.”

Foucault-i e shkroi esenë e vet pjesërisht edhe në përgjigje të esesë tjetër të njohur, “Vdekja e autorit”, nga Roland Barthes-i. Shumë e shumë vjet më pas, mund të themi lirisht se teknologjia – falë përsosjes dhe sidomos uljes së kostos së metodave të riprodhimit mekanik dhe të transmetimit të teksteve – na detyron ta rishikojmë edhe një herë statusin e autorit dhe, bashkë me të, të fjalës së shkruar; sikurse na fton për një marrëveshje a mirëkuptim, rreth etikës së citimit. Kjo jo aq për t’u mbrojtur nga masa e analfabetëve funksionalë, që do të vazhdojnë në përpjekjet e tyre për ta institucionalizuar akademinë e bretkosave; por më tepër për ta qartësuar distancën dhe dallimin e nevojshëm prej tyre.

© 2024 Ardian Vehbiu & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.

Shënim: Këtu po kujtoj edhe se, para disa vjetësh, Nassim Nicholas Taleb pat lënë këtë status në Facebook, për etikën e debatit:

Mund të sulmojmë se çfarë ka thënë një person, ose mund të sulmojmë se çfarë ka parasysh ky person.

Sharlatani dallohet, vëren Taleb-i, ngaqë sulmon dikë duke u fokusuar në thënie specifike (“shiko se ç’ka thënë”), dhe jo në pozicionin përkatës (“shiko se çfarë ka parasysh”).

Natyrisht, qasja e dytë kërkon më shumë punë dhe, sidomos, pranim të çfarë e kanë quajtur principle of charity në debatet; që unë në shqip do ta jepja si “parimi i mirëkuptimit” dhe i cili kërkon prej debatuesve që t’i referohen versionit më të fortë interpretativ të thënieve të tjetrit. Disa autorë shtojnë këtu edhe nevojën për “simpati”, në kuptimin intelektual.

Shpërfilljen e këtij parimi shqipja e quan “të kapesh pas fjalëve.”

Nga sa shoh në mediat, por edhe nga përvoja ime vetjake, e kam të lehtë të besoj se sfera e komunikimit publik shqip sundohet nga “sharlatanët” (në kuptimin që i jep termit Taleb-i në kontekstin e këtushëm).

Qëllimi i këtyre nuk është të angazhohen në debat dhe as t’i afrohen së vërtetës në mënyrë dialogjike, por thjesht të rrëzojnë kundërshtarin duke ia identifikuar pozicionin me një citat të zgjedhur ad hoc.

Tundimi për të vepruar kështu është i fortë; nuk e përjashtoj që t’i jem dorëzuar edhe unë.

Në mediat shqip, megjithatë, sëmundja shndërrohet në obsesion; dhe thëniet e rastit ose aksidentale të dikujt, veçanërisht nëse ky perceptohet si armik ose kundërshtar, humbin çdo lloj lidhjeje me kontekstet dhe përdoren për ta karikaturizuar tjetrin.

Mes komenteve që ndoqën tekstin e Taleb-it në FB, më tërhoqi vëmendjen një pasazh i cituar, nga kardinali Richelieu:

“Më jep gjashtë rreshta të shkruara nga dora e më të ndershmit mes njerëzve dhe unë do të gjej aty një arsye për ta dënuar autorin me varje.”

Dhe pikërisht kjo ndodh: ne hyjmë në debate për ta dënuar tjetrin. Nuk mund të përfytyrojmë dot se dialogu, shkëmbimi i argumenteve mund të ketë edhe përdorime dhe synime të tjera, më fisnike, më ndriçuese, më intelektuale.

Madje edhe kur nuk e bëjmë këtë, përtojmë të vrasim mendjen dhe të kërkojmë kuptimin prapa fjalëve; sepse është gjithnjë më lehtë që t’i shkëputim fjalët nga tekstet dhe kuptimin t’ua shtojmë ne vetë.

2 Komente

  1. E lexova ate te shkruaren ne FaceBook. Nuk e kam kuptuar asnjehere perse njerezia lengezohen kaq shume e i bejne qejfin dhe lajka publike njeri-tjetrit ne menyra groteske ku vaniteti arrin ne nivele per te vjelle. Me duket totalisht paradoksale qe prindi i nje teenager qe lengoka keshtu per Atdheun mburret, po po thjesht mburret me te birin per atdhetarizmin, dhe me falni shprehjen, inteligjencen e tij dhe nga ana tjeter eshte po ky prind qe e ka marre ate djalken dhe e ka cuar diku gjetke. Tashti pa me thoni ku eshte kuptimi i kesaj. Kjo nena Ervina le ta mare djalken per dore, te hipe ne avjon e te vije e te kendellet me malet e larta dhe fushat e gjera te Shqiperise dhe kushedi na prodhon nje Rilindas tjeter, se mesa duket keta qe kemi neper kembe nuk mjaftojne.

    PS. Me falni dhe nqs gjykoni qe ky koment nuk e ka vendin ketu mos e postoni (jo se po ju tregoj se cfare duhet te beni). U perpoqa ta postoj atje ku duhej, por nuk munda pa e kuptuar se perse. Sorry!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin