FYTYRA E TRISHTUAR E TIRANËS

Kurrë nuk më janë dukur aq të trishtuar qentë e Tiranës. Kurrë nuk i kam parë ashtu të lëshuar pa kujdes në anë të një trotuari, të vetëbraktisur midis dy makinave, të shpërfillur rrëzë një muri. Kurrë nuk më janë dukur më të heshtur, më të pikëlluar.

Kush u ka vjedhur cilësinë e parë të personalitetit të tyre, qenllëkun? Pse nuk lehin më qentë e Tiranës? Çfarë i shtyn të harrojnë vrullin e instinkteve të tyre legjendare?

Nuk e di pse duke i vështruar ashtu, si në prag të një vetëvrasjeje masive, m’u kujtua një rrëfim poetik i Bodlerit. Ku shkojnë qentë, përsërit ai pyetjen e N. Roqueplan, për të cilën thotë se mbase autori vetë e ka harruar por në ato kohëra vazhdonin ta kujtonin ai dhe miku i tij Saint-Beuve. Dhe pastaj përgjigjet se ata, qentë, shkojnë në punën e tyre. Po qentë e Tiranës, pse nuk shkojnë gjëkundi ?

20160423_101008Se në të vërtetë gjithnjë i kemi parë duke shkuar diku. Me nxitim a ngeshëm, kryelartë, madhështorë, më vështrim të epërm, kokoroçë të vërtetë a me llapat e veshëve osh, ata gjithnjë shkojnë diku. Edhe atëherë i kam parë të pshurrnin rrëzë një muri, por këtë e bënin shpejt e shpejt, se mendjen e kishin gjetiu, se i prisnin diku, se kishin punë të tjera. Seriozë e të përpiktë, me aq sa linin të kuptonin, ata duket se gjithnjë kanë patur një angazhim të tyrin. I pret a nuk i pret njeri, ata shkojnë për atje ku janë nisur. Nuk kishin kohë për të humbur.

Por tani çfarë ka ndodhur me qentë e Tiranës? Pse sjellja e tyre të lë të kuptosh se ata nuk dinë më as si të vrasin kohën, se vetja u duket e tepërt në atë qytet, për natyrë zemërgjërë?

Natyrisht, diçka u ka mbetur nga e kaluara. Ndonjëherë i pashë edhe të nisen për diku, por nuk vazhdojnë gjatë. Mu pas Teatrit të Operas, në një udhëkryq, njëri prej tyre, u vu të ecë një copë rrugë bashkë me njerëzit që do kalonin vijat e bardha. Priti qetësisht sa të ndizet drita jeshile… dhe u nis.  Veçse m’u në mes të xhadesë, i la të gjithë të ikin dhe u kthye. Drita e kuqe e zuri në trotuarin nga qe nisur. Aty vështroi ata me të cilët kishte ecur një copë herë, por nuk m’u duk se kishte ndonjë shenjë pendese. Sikur të qe i sigurt se nuk ia vlente të shkonte më tej.

Sikur qe i vetmi që e dinte një gjë të tillë.

E megjithatë vërejta se tashmë ata pranohen diçka më mirë nga komuniteti i banorëve të Tiranës, nuk pashë shumë agresivitet ndaj tyre (shenjë se gjendja ekonomike është më e mirë dhe kanë se ç’të ndajnë).

Dhe në një farë mënyre prania e tyre e pashqetësuar nëpër rrugët e qytetit më kujtoi disi lopët e Indisë. Së largu, se qentë e Tiranës nuk mund t’i qasësh me lopët e Indisë. Jo se këta të këtushmit u kanë zili shenjtërinë atyre të atjeshmeve. Nuk është aspak kjo. Duket se qentë e Tiranës nuk ndjenë lumturinë e lopëve të Indisë, nuk ndihen të respektuara si ato. Nuk mjafton të shtrihesh në mes të lulishtes, të endesh rrugëve, të flesh në trotuar që të besosh se të gjithë ata që e bëjnë këtë, mendojnë të njëjtën gjë, kanë kuptuar të njëjtën gjë. Shprehja e një deprimimi të thellë në sytë e qenve të Tiranës flet për diçka tjetër, mbase për një kasavet për të cilin lopët e Indisë nuk bëhen fort merak, nëse vërtet e dinë përse është fjala, gjë për të cilën dyshoj.

20160423_161609Trishtimi filozofik i qenve të Tiranës shoqërohej me diçka që nuk më ra në sy (në fakt në vesh) menjëherë. Por kjo nuk mund të vazhdonte më gjatë: qentë e Tiranës nuk lihnin si më parë. Nuk dua të them se lihnin ndryshe, por nuk lihnin fare!  Ata nuk ushtronin të drejtën universale për të lehur. Dhe unë nuk besoj se këtë ua ka ndaluar njeri, por nuk mund të them se e kuptova menjëherë se çfarë kishte ndodhur, pse kishin hequr dorë nga lehja, nëse këtë e kishin bërë vullnetarisht. Sekretin e tyre përvëlues më dukej e pamundur që ta zhbiriloja në ato dy ditë që qendrova aty. E megjithatë e ndjeja se diçka i kishte prekur në thellësi të ekzistencës së tyre, diçka që mbase do t’i ketë shtyrë të vënë në dyshim përdorimin e vetë shenjës më të dukshme të identitetit të tyre, kodin personal të komunikimit, të lehurën, pra.

Dikur duke parë kurrizin e një çifti qensh që ishin ulur poshtë karrigeve të një bari (të cilat i zoti i kishte shtyrë deri tutje në trotuar), kuptova se ata po vështronin në brendësi të lokalit, në murin e të cilit ishte varur një televizor i madh. Sikundër klientët e pakët, pata përshtypjen se edhe qentë  ndiqnin së largu debatin politik të radhës. Nuk e di nëse kuptonin gjësendi, por sytë andej i kishin. Unë nga ana ime, nuk është se kuptoja më shumë nga historia e dikujt me emrin Shullaz, histori që ato ditë sapo kishte zbritur në arenën e parlamentit shqiptar. Dhe histerizmi i deputetëve ishte i mjaftueshëm për të masakruar materien gri të klientëve.  E megjithatë, pra, ata vazhdonin të dëgjonin. Për këtë jam vetë dëshmitar. Njerëzit dëgjonin, por ajo që më bëri përshtypje ishte se dikur, qentë u ngritën e ikën. Nuk duronin dot më tepër.20160423_101025

I ndoqa me sy, jo pa respekt, ndërsa shkuan më tutje dhe u lëshuan të dëshpëruar rrëzë një muri, me vështrimin e zbrazët e të pikëlluar.

Gjithmonë në kërkim të një shpjegimi të këtij shqetësimi që më kishte kapluar edhe mua, m’u kujtua se njëherë e një kohë, kur më qëllonte të shkoja në Shkodër, kthehesha të pija një kafe te një miku im, folklorist i njohur. Në kësi rastesh blija edhe një qese duhan Taraboshi, për të atin e tij, mjaft të moshuar e njeri fjalëpaktë. Veçse një ditë, miku më tha ta fus qesen e duhanit në xhep se baba nuk tymoste më. M’u duk e pabesueshme. Por e vërteta ashtu ishte. Ai më shpjegoi se kjo kishte ndodhur një ditë pazari, nja dy javë më parë, kur një çunak nja dymbëdhjetë vjeç i qe afruar të atit dhe i kishte kërkuar të ndizte cigaren te çibuku i tij.

Plaku qe kthyer në shtëpi dhe nga fyerja kishte hedhur qesen dhe çibukun e tij në zjarr dhe nuk besonte më se i kishte mbetur ndonjë gjë e madhe nga ajo që e kishte cilësuar si shenjë të burrnisë së tij. Që atë ditë nuk fliste më.

Unë nuk di të them se duke vërejtur fytyrat e vrugosura të deputetëve shqiptarë, qentë kishin hequr dorë nga lehja dhe tashmë vuanin deri në asht faktin se një lukuni tjetër kishte mundur t’u vidhte sintaksën e tyre personale, të lehurën. Nuk di të them se tamam këtë e kishin marrë për fyerje të madhe, pa folur këtu për frikën, se do të kishte nga ata që do t’i krahasonin me deputetët në fjalë.

Vërtet nuk di ta them këtë.

Nuk di as të them se atyre u pikonte në zemër që për një punë, për të cilën ata ishin të bindur se e bënin mjaft më mirë (po qe se ishte fjala thjesht për të lehur), deputetët e dalldisur shqiptarë gëzonin privilegje të panumërta. E të papërligjura në sytë e tyre.

Jo, as këtë nuk e them.

Por jam i sigurt se të gjitha këto ishin të mjaftueshme për të shkallmuar qetësinë dhe besimin e qenve të Tiranës te vetja e tyre, për të vënë në dyshim trashëgiminë e të parëve të tyre. Qentë janë një zemër e ndjeshme e mbështjellë me lesh, thotë Brixhid Bardoja, por tashmë përpara horrorit të përditshëm parlamentar shqiptar, këtë zemër të vrerosur (me gjithë leshin përsipër) nuk kishte asgjë që mund të ngazëllente më në këtë botë. Për ta, në Tiranë kanë ardhur kohëra të nje depresioni sepulkral.

PS. Fotot janë të autorit.

8 Komente

  1. Më pak se një vit më parë e pata prekur edhe unë shkurtimisht çështjen e Qenve të rrugës (http://peizazhe.com/2015/08/17/qente-e-rruges/). Mirëpo vështrimi i këtij shkrimi po më bën të mendohem, sikundër ballafaqimi i fotografive. Tek fotoja ime, edhe pse në depresion, qentë ishin bashkë, ndonjëherë në tufë. Në fotografitë e tanishme janë krejtësisht të vetmuar.

  2. Pishak, me sa duket ishte nje kohe kur kohezioni i brendshem siguronte me mire mbijetesen e grupit. Tani gjithçka tregon se ka ardhur koha, secili per vete.

  3. Pavarësisht alegorisë së ndërtuar në shkrim, prapa atyre pamjeve të përshkruara e të postuara fshihet rezultati i aksionit të kohëve të fundit të zelltarëve të bashkisë. Janë qen të tredhur (nëse mund të lejohet këtu përdorimi pa dallim gjinie). Po t’i shihni me vëmendje kur t’i ndeshni tjetër herë, do t’u dalloni edhe ndonjë mballomë matrikulimi për veshi. S’kanë ata faj që janë katandisur ashtu – ua kanë bërë njerëzit. Nuk u kanë grabitur vetëm lehjet.

    1. Ndoshta tredhja (metaforike) mund të shihet si opsion edhe për disa lehës recidivistë në Parlament – institucionet vetëm përfitim do të kishin.

    2. Në parlament shumica e qenve, paçka se lehin e grinden, të tredhur janë, mu pikërisht për këtë edhe ndodhen aty. Madje kreu i njërës prej tufave që popullojnë atë sallë ka tash sa kohë që promovon me të lehura alfe por në stil Evrope pjesëmarrjen e grave me shumicë, jo vetëm në atë institucion, ndoshta nisur nga një interpretim frojdian se ato janë të tredhura që në origjinë. Ka shumë pak aty mbi të cliët mund të zbatohet rekomandimi juaj. Megjithatë, s’do ishte keq ta paraqisnit si nismë idenë. Veç shikoni mos ju zemërohen miqtë.

    3. Meqë hymë në këtë linjë, z. Vehbiu, ja dhe një vlerësim i fundit, për të kuptuar ç’vlerë kanë në tryezë lehjet e udhëheqësve tanë, ato lehje që në ekranet tona, ashtu si para pasqyrës, ngjajnë madhështore.
      http://www.politico.eu/interactive/power-matrix-charting-the-eu-players-by-country-european-council-national-capitals-leaders-ambassadors/
      Na paralajmëroi fqinji serb njëherë, para pak kohësh, po s’e dëgjoi kush fjalën e armikut.

  4. Qente e Tiranes jane nje hap perpara, e kane kuptuar para njerezve kotesine e te lehurit/folurit, nuk i degjon askush ! Profeci qensh, shenja te nje te ardhme te afert.

  5. Njerëzit dëgjonin, por ajo që më bëri përshtypje ishte se dikur, qentë u ngritën e ikën. Nuk duronin dot më tepër.

    E pra, me aq shume sa ka duruar shqip-mileti keto 25 vjet shprehja duhet bere nga durim qeni ne durim njeriu. Ti paske durim shqiptari, i tha qeni shokut te ve qen para se te kthente koken e te ikte.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: