MATERIALIZMI NË KULTURËN TONË IDENTITARE

Julius

Një nga epitetet më të përdorshme që i atribohen popullit shqiptar, është ai i të qenit thelbësisht pragmatist. Realisht kjo mund të kuptohet si komb materialist, meqë pragma prej greqishtes së vjetër do të thotë materialgjë e prekshme. Në mbështetje të argumentit gjerësisht të pranueshëm si komb materialist, vjen gjuha dhe epitetet që përdorim, kur identifikojmë veten. Edmond Tupja sot në gazetën Panorama kishte një shkrim ku përmblidhte një numër të madh shprehjesh, të njohura për të gjithë, citoj prej Tupes:

(…) “Vdektë nëna për ty!” – i thotë e ëma fëmijës së vogël, ndërkohë që kjo fëmijë, për t’u rritur e zhvilluar normalisht ka nevojë jo që të vdesë nëna për atë, por, përkundrazi, që të jetojë për atë, për motrat e vëllezërit e tij, për babanë gjithashtu. Dhuna deri te përkëdheljet merr nganjëherë karakter kanibalesk: “Do të të ha si llokum!”; “Ta hëngsha syrin”; “O Zot, sa e/i mirë që je! – i thotë tezja apo halla mbeskës apo nipçes njëvjeçar – Ec të ta ha pak gushën, të ta nduk pak faqen, të ta kafshoj pak doçkën, të ta këpus pak këmbkën” (…)

Tupja i interepreton këto shprehje si një formë dhune verbale me anë të të cilave më tej interpreton dhunën dhe konfliktet sociale që kanë përfshirë vendin. Këtë kulturë, ai e quan menjëherë kulturë të dhunës dhe bën thirrje për t’u marrë parasysh dhe parandaluar. Përpara se ta quaja “kulturë të dhunës” si bën Tupja, unë do shihja se në thelb kjo është kulturë materialiste, me një nënshtrat pagan, të cilit i janë mbivendosur fetë monoteiste, por pa pasur mundësi të gjenerojnë vlera të mjaftueshme prej tyre.

Një shembull që e kam përmendur shumë herë në mbështetje të argumentit, është shprehja burrë i dheut apo e veçanta karakteristike për femrën si e bukura e dheut – e para, të përngjashmen në greqisht e ka njeri i perëndisë. Shqiptari e sheh veten dhe tjetrin shqiptar si një person të lidhur me tokën ku ka lerë dhe jeton, ndërsa greku e identifikon të ngjashmin e tij, sipas besimit që mban. A të jetë ky thelbi i diferencimit të marrëdhënieve midis grekëve dhe shqiptarëve? Dhe sidomos a qëndron këtu handicapi i pamundësisë së përballimit të propagandës greke ndaj shqiptarëve të të njëjtit besim me ta? Kjo është çështje tjetër, por shkojmë më tej, epitete dhe shprehje të ngjashme mund të gjenden me shumicë në gurrën popullore, bukuria fizike krahasohet me shpendë (bilbil, thëllëzë, gjeraqinë) apo lule dhe pemë (manushaqe, luledele, lis, selvi); ndërsa ndër epitetet denigruese do të gjejmë: racë e keqeracë e qelbur, gjakprishur, sojsëz e me radhë.

Këto të fundit janë koncepte materialiste të identifikimit dhe shfaqen kur hedhim poshtë të ngjashmin shqiptar, duke u kufizuar për t’a akuzuar si gjakprishur. I gjejmë pra kështu një arsye racore diferencimit të tij nga ne, dhe jo ideologjike. Akuza të ngjashme raciste janë ato kur Tjetri identifikohet si vllah, serb apo grek, në thelb ia mohojmë mundësinë e abonimit në shqiptari për arsye racore dhe raciste. Materializmi është në rrënjë të kulturës identitare kur tjetri skualifikohet si “material gjenetik” i ndryshëm nga yni. Në thelb, edhe kur përdoret një identifikim denigrues ideologjik, si psh “komunist”, konotacioni përsëri nuk është i shkëputur prej gjenetikës. Edhe identiteti i armikut konfirmohet nëpërmjet përjashtimit të tij prej materialit gjenetik i të cilit jemi mbartës. Kështu Napoleon Zervas “nuk ka qënë shqiptar” as i tillë ka qënë Hamza Kastrioti e me radhë.

Edhe natyra e konflikteve mes shqiptarëve është e lidhur ngushtë me materializmin. Jashtë mase të mëdha janë konfliktet për pronën, që shkojnë në rrënjë thellë dhe shumë herë edhe brenda familjes. Në rast se dikush ka ndonjë dyshim se konfliktet nuk mund të jenë as të kenë tjetër natyrë përveç asaj materialiste, atëherë rikujtoj përsëri reagimet e myslimanëve ndaj filmit të famshëm kopt.

Natyra materialiste ndikon dukshëm dhe në politikë, jo vetëm nëpërmjet akuzave. Tek këto ka vend për tu ndalur pak, sepse gjithnjë e më të shpeshta janë ato të dekoduara me bij baballarëshpërkatësi klanore të veçantë dhe sidomos shumë të dashurat në mos serb dhe grek shërbëtorë të këtyre të fundit. Më shumë dëm se këto lloj akuzash, natyra materialiste bën që koncepti i drejtësisë dhe i të drejtës të shpërfytyrohet dhe rëndom t’i atribohet atij apo atyre që janë më të shumtë në numër, apo kanë më shumë para. Po njësoj dhe konceptet që kemi për aleatët – jemi me ata që janë më të fortë.

Ky lloj shpërfytyrimi i konceptit të së drejtës së bashku me natyrën materialiste, bën që të denigrohen vlerat morale dhe të shkëmbehen me vlera materiale. Aq më tepër që autoritarizmit sot po i bëhet hapur propagandë nga lloj lloj liderësh të Evropës periferike apo më gjerë si Llukashenko, Orban, Nazarbajev etj.

Pasojat e argumenteve materialiste janë, se nëse e shohim veten dhe Tjetrin si material gjenetik madje si kundërshtar, gjendemi veç një hap larg anihilimit fizik të personit. Formohet një qark i shkurtër mes tij dhe nesh, sepse mënyra e vetme si t’i kundërvihesh dikujt që konsideron material gjenetik, është t’i mohosh ekzistencën. Ndërsa ideologjia, së bashku me sensin abstrakt të së drejtës do të shërbente si një lloj lubrifikuesi i marrëdhënieve ndërpersonale dhe ndërkomunitare, pamundësia e saj e shndërron një shoqëri të caktuar në kanibale.

Teoritë e shumta për material të përbashkët gjenetik, prejardhje të njëjtë, gjene të përbashkëta, autoktoni etj, edhe pse qëllimin fillestar e kanë përbashkues, funksionojnë në kah të kundërt, sepse vlerën e vetme e mbështesin tek materiali (në këtë rast gjenetik) dhe janë shumë ekskluzive. Është fatkeqësi që në prag të këtij njëqind vjetori, mënyra e vetme si promovojmë vlera – janë ato të formës raciste. Por më e keqja e këtyre teorive, është se edhe ndryshueshmërinë e brendshme mes grupimeve të ndryshme, e promovojnë të jetë e formës raciste. Pra nëse të gjithë shqiptarët janë të një race, frakturizimi i brendshëm është po ashtu nënracor dhe u përgjigjet klaneve apo përkatësisë gjeografike. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe.

No Comments

  1. Nuk jam krejtesisht dakort me termin materialist, te pakten ashtu si e kuptoj une kete term.
    Sa per ato aspektet semantike te frazeologjise shqiptare, eshte shume e vertete. Mbaj mend qe vite me pare kam lexuar diku nje artikull nga Xhevat Lloshi qe i analizonte hollesisht te gjitha keto kuptime te nenteshme te frazeologjise shqiptare. Po kushdo mund ta vere re kete nese lexon fjalorin e shprehjeve frazeologjike te Jani Thomait. E verteta eshte se frazeologjia, sidomos ajo shqipe, ndryn ne vetvete shpirtin e thelle te kombit.
    Sa per ato qe thua mbi racizmin shqiptar, nuk ka diskutim se ne shqiptaret jemi shume raciste, madje me shume sesa ndaj “racave” te tjera, pra ndaj te huajve, ne jemi raciste ndaj njeri-tjetrit. Kam parasysh ketu dallimet jug-veri, terma si malok, çam, skraparli i qelbur, shkodran prej Puket, etj. etj.
    Pavaresisht se nga jemi me origjine, te gjithe e dime se sa problem e kishin nenat tona nese bijte a bijat e tyre do te martoheshin me dike qe ishte nga disa zona qe ato i konsideronin per t’u shmangur. Nuk kam parasysh ketu dallimet dhe paragjykimet sociale, se ato jane ne gjithe boten, flas vetem per ato krahinore. Aq e theksuar eshte kjo nder shqiptaret sa shume prej nesh nuk do ta kishin fare problem te lidhnin krushqi mes fesh te ndryshme, por nuk do te donin nje lidhje te “gabuar” nderkrahinore, fjala vjen nje gjirokastrit me nje tropojane apo nje shkodran me nje vlonjate. Besoj se ketu ka ndikuar edhe izolimi krahinor dhe besoj se me rritjen e vellimit te migrimit te brendshem, kjo dukuri do te zbutet gjithnje e me shume.

    1. Për materializmin shoqëror, flas nën këtë prizëm: http://en.wikipedia.org/wiki/Post-materialism

      Jo për materializmin dialektik per se, megjithëse këto janë të ndërlidhura dhe ndërthurura me njera tjetrën.

      E gjithë çështja këtu qëndron, Relapso, se nëse stimulojmë teori të prejardhjes së përbashkët, racës së përbashkët, po ashtu stimulojmë dhe klanizimin dhe racizmin ndërmjet njeri tjetrit.

  2. E pashe kete artikullin, po ketu behet fjale per nje dukuri qe lidhet me prirjen per permbushjen e nevojave materiale, e gjithsesi thuhet se eshte karakteristike e shoqerive moderne. Eshte, sikurse thua ti, pragmatizem ekonomik, prirje drejt konsumizmit etj. Ndersa mua me duket se shoqeria jone karakterizohet nga parime te tipit: Edhe bar do te hame, por parimet nuk i shkelim”.
    Kur isha ne Prishtine bisedoja me nje mik per mundesine teorike te paqtimit me serbet. Une sillja argumente dhe beja krahasime historike te tipit: “Ja shiko gjermanet dhe francezet qe per shekuj me radhe kane derdhur lumenj gjaku e sot jane ne paqe”. Por miku im kosovar ma mbyllte gojen duke me thene se nuk mund te krahasoja serbet me gjermanet a francezet. Ketu ta kam fjalen kur them se nuk shoh ndonje pragmatizem ekonomik ne kete mes.

    1. Postmodernizmi, shfaqet si shoqëri që e ka kaluar stadin e materializmit. Një tregues për këtë gjë, është numri i klasës punëtore – sa vjen dhe ulet. Ky është argument që i takon të majtës të merret me të, dhe prandaj po del problemi i ri-identifikimit të saj, meqë baza ideologjike e së majtës është materializmi dialektik. Shoqëri të caktuara i ndërtojnë marrëdhëniet në një botë post-materialiste. Në një botë që nuk ka më punëtorë, dhe marrëdhëniet midis tyre, vlerat e shoqërisë, shndërrohen gjithnjë e më shumë në virtuale. (Meqë jemi tek gjuhësia virtu dhe virtualitet kanë të njëjtën rrënjë, apo jo?) Shembull për këtë, jemi ne të dy që komunikojmë tani, ti në njërën anë të globit, unë në anë tjetër.

      Çështja është, a ka Shqipëria vlera virtuale? Dmth mirëbesim, respekt, komunikim të sjellshëm, tolerancë, integritet, etj? Jo, nuk më duket, është shumë larg këtyre. Prandaj mënyra si sillen shqiptarët me njeri tjetrin është e egër, imponuese, dhunuese. Për ideale dhe parime, nuk bëhet fjalë. Këtu kemi 20 vjet dhe nuk po realizojmë dot një palë zgjedhje të sakta.

      1. Shkruan:

        Çështja është, a ka Shqipëria vlera virtuale? Dmth mirëbesim, respekt, komunikim të sjellshëm, tolerancë, integritet, etj? Jo, nuk më duket, është shumë larg këtyre. Prandaj mënyra si sillen shqiptarët me njeri tjetrin është e egër, imponuese, dhunuese. Për ideale dhe parime, nuk bëhet fjalë.

        I gjej disa nga këto vlera në komunitetet e stabilizuara – por jo në Shqipërinë e sotme që themelohet mbi instabilitetin dhe lëvizjen browniane të njerëzve, besnikërive dhe zotimeve. Diçka ka funksionuar dhe vijon të funksionojë keq, gjatë kalimit nga komuniteti në shoqëri (post)moderne. Dhe, më rëndë akoma, shteti dhe turmat po i sulmojnë komunitetet ekzistuese nga të gjitha anët, duke i rrethuar.

        Përndryshe, çfarë shoh t’u mungojë totalisht shqiptarëve të sotëm është pafajësia – dhe pa pafajësi asgjë e mirëfilltë s’mund të arrihet. Por ne, qëkur lindim, ia shkelim syrin mamisë…

        1. Problemi që Ramfos ia dallon Greqisë, është tek shteti jo-organik, kuptimi i tij si uzurpim prej një grupi njerëzish – madje në të njëjtën mënyrë shpjegon dhe evazionin fiskal, si arratisje nga një shtet në thelb shtypës. Çdo nëpunës administrate e shikon veten në këtë mënyrë si tagrambledhës, me të drejtën t’u vjedhë të tjerëve që “ia kanë nevojën”, flasim për stad civilizimi shumë të ulët….

          Nuk më hiqet nga mendja ai debati për shërbimin e detyrueshëm ushtarak para pak vitesh, shteti vetë i eleminoi relatat e detyrim-përgjegjësisë së ndërsjelltë midis tij dhe qytetarit, duke këputur kështu një hallkë marrëdhënieje besimi, apo lidhjeje shtet-qytetar. Një qytetar që e kryen detyrimin ndaj shtetit të vet, ka të drejtë gjithashtu t’i kërkojë llogari, dhe një shtet të mbajë përgjegjësi për mirëqënien e qytetarëve.

          Megjithatë, për t’a bërë të plotë diskutimin, do duhet të pohoj se vlerat shpirtërore (virtuale), kanë një bazament fetar. Qoftë fetarizmi si përmasë e tejkaluar, por e shndërruar në raport civil marrëdhëniesh komunitare.

          Relapso si Xha Xhai, ti merresh me gjuhësi, besoj dhe me përkthime, ke vënë re, ndonjë vështirësi në përkthimin e termave abstrakte në shqip?

        2. Funksionon keq dhenia e pergjigjeve nga nje politike qe ripropozon te majten ne nje vend pa kapitaliste dhe neoliberizmin po ne nje vend pa kapitaliste.

          Asnje nga keto te dyja nuk ka qene dhe nuk mund te jete pergjigja.

          Per mendimin tim eshte shume e dobishme te verehen mungesat dhe fenomenet negative, por nese Shqiperia ka qene njefare Far West-i, shkaqet duhen kerkuar tek paaftesia e shoqerise per t’i dhene nje pergjigje politike problemit te kalimit nga socializmi ne kapitalizem.

          Ne u detyruam per shkaqe te brendshme, te propozojme nje te majte e nje te djathte qe dihet si jane, por harruam apo beme sikur s’e dinim qe ardhja e kapitalizmit pa kurrfare rregulli, do na çonte ne gjendjen kur te prodhosh politikane eshte si t’u varesh ujqve melçite ne qafe per t’i ruajtur.

          Ne kapitalizem pa rregulla ne duhet te kapercenim vetveten, qe te mos e kthenim Shqiperine ne Far West, pra duhet edhe te mos paraqisnim kete te majte e kete te djathte, por diçka krejt te re, pa kurrfare lidhjesh te forta historike.

          Nga ana tjeter, nuk mund te perputhet kurrkund as ne teori, as ne praktike, prodhimi i kapitalisteve me nje te majte protagoniste.
          Prandaj edhe e majta jone ne pushtet nuk ishte kurrkund e majte dhe as mund te jete kurrkund e tille derisa te themi se kapitalizmi eshte konsoliduar (dmth s’ka me kalime te shpejta nga nje shtrese tek tjetra, hiq talentet).

          Permasa shpirterore nuk pi uje ne faza transformimesh te sistemit ekonomik,te mos harrojme qe deri ne 1945, ishim i vetmi vend ne Europe ku pushtetin e kishin bejleret dhe shumica e qytetareve punonin si tregtare pakice e çirake te mjeshtrat, esnafet, pra as mund te kerkojme ndonje tradite te mirefillte kapitaliste para komunizmit.

          Kapitalizmi vjen dhunshem, traumatizon shoqerine e institucionet e hershme, kthen permbys vlerat dhe zhduk shumicen e pikave te meparshme te referimit.

          Kapitalizmi shkaktoi lufte civile e/o revolucion ne Angline e shek 17, Francen e shek 18 e Ameriken e shek 19.

          Opsioni tjeter i mbajtjes nen kontroll me ane te diktatures, funksionoi ne Gjermanine e Japonine e shek 19, Kinen e fundshek 20 dhe po funksionon ne Rusine e Putinit.

          Ne Rusine cariste, proçesi i kontrollit deshtoi dhe perfitoi komunizmi. Ashtu si ne Shqiperi edhe ne Rusi, komunizmi perdori armet dialektike te kapitalizmit, toke per gjithe fshataret, lirine nga bejleret dhe demokracine.

          Problemi i mbledhjes se kapitalit eshte teper jetik per kapitalizmin, qe ky te merret me çeshtjen e vlerave, madje as nuk mund te pretendojme qe vlerat te jene themeli i mbledhjes se kapitalit, dmth te pararendin kapitalin, por nga nevoja e stabilizimit te tij, do te lindin edhe vlerat e reja apo do ritkhehen vlera te vjetra.

          Si vend i fundit ne kapitalizem, i prapambetur teknologjikisht, popull i vogel e i varfer, ne s’kemi as shanse qe ta mbledhim kapitalin duke grabitur ndonje popull tjeter, nepermjet piraterise, luftes,tregtise apo vetedeklarimit si parajse fiskale. Diçka eshte kryer ne kete drejtim nepermjet krimit te organizuar apo edhe ordiner, por ato para jane kthyer mbrapsht jashte nepermjet defiçiti tregtar. Kemi grabitur me ane te mafies na kane grabitur nepermjet tregtise.

          E keqja eshte se ne kemi pritshmeri te medha dhe mjete fare te papershtatshme per ti permbushur ato, çka rrit edhe nivelin e stresit.

          Mungesa e mjeteve do te na e beje teper te gjate fazen e konsolidimit te kapitalizmit dhe per nje kohe ende te gjate politika do te jete mjeti i vetem per mbledhjen e kapitalit, gje qe nuk u ka shpetuar aspak shqiptareve, pertej endrrave me Europe, po te shikohen si zgjaten fijet e politikes ngado dhe sa te fuqishme jane fale besimit te pergjithshem se pasurimi lidhet me politiken.

  3. Natyrisht qe kam veshtiresi me termat abstrakte, sidomos ne ca fusha te caktuara.
    Nje nder perkthimet me te veshtira per mua ka qene nje studim nga italishtja qe, veç te tjerash, permbante shume terma nga filozofia dhe teologjia, kryesisht nga ajo qe italianet quajne “patristica” (tradita e Eterve te Kishes). Thelbi i studimit ishte me interes albanologjik, por e keqja ishte se filozofia dhe teologjia nuk jane fusha ime, pra m’u desh te studioja e te kuptoja termat, para se t’i perktheja. Ishte tmerr i vertete. Nuk dija ç’te beja, t’i shqiperoja ishte e pamundur, se banalizoheshin, t’i lija ashtu siç ishin, perveç se me tingellonin keq, teknikisht nuk ekzistojne ne shqipe dhe lexuesi nuk i kupton. Lere se ç’hoqa!
    Tani me ka gjetur belaja me nje tekst teorik te semiotikes, fushe qe une e njoh se jam marre me vite me te, veçse ne shqip nuk di si t’i jap, sepse nuk kemi nje tradite te konsoliduar me keta terma. Duhet krijuar. Ka ca perkthime te pakta e te ndojtura, por me termat njeri i bie gozhdes e tjetri patkoit. Kulle Babeli eshte!

    1. Pikërisht, këtu e shoh unë mungesën e përmasës shpirtërore, që më pas e quaj kulturë materialiste. Teologjia, filozofia, janë fushat më të vështira për t’u përkthyer në shqip. Të njëjtën vështirësi kam hasur në termat nga greqishtja. Shqipja psh, nuk e ka fjalë të vetën sensin e përpjekes, atë çka grekët e quajnë αγώνας, apo në arabisht do quhej xhihad – jo ai me bume! por përpjekja shpirtërore.

  4. Ne kete rast besoj se eshte pikerisht “perpjekje”. Me kete kuptim e ka perdorur Branko Merxhani (qe kishte studiuar per filozofi) ne revisten “Perpjekja shqiptare” ne gjysmen e dyte te viteve ’30. Ajo reviste pershkohej nga fryma e “perpjekjes shpirterore”. Veshtiresia shtohet kur vjen puna te ca terma shume teknike, per shpjegimin e te cileve nuk mjafton as nje fjale e as nje fjali, por duhen paragrafe te tere.

  5. juliusx:

    [E]pitete dhe shprehje të ngjashme mund të gjenden me shumicë në gurrën popullore, bukuria fizike krahasohet me shpendë (bilbil, thëllëzë, gjeraqinë) apo lule dhe pemë (manushaqe, luledele, lis, selvi); ndërsa ndër epitetet denigruese do të gjejmë: racë e keqe, racë e qelbur, gjakprishur, sojsëz e me radhë.

    Këto nuk janë koncepte materialiste shqiptare, këto janë koncepte të të gjithë popujve paraindustrialë dhe ruralë. Që nga Bibla e Homeri, që nga këngët popullore e ato epike gjer tek Shekspiri, do gjesh të tilla krahasime e figura të ngjashme.

    1. Janë shqiptare, qoftë për hir të kontekstit të kufizuar gjeografik. Nëse luledelja është bimë endemike, atëherë shprehja kthehet në detyrimisht shqiptare. Në gjuhën shqipe do gjesh “thëllëza ime” psh, po në anglisht nuk kam dëgjuar ndonjëherë “my dear grouse”. Në greqisht përdoret “pëllumbesha”, përsëri në shqip nuk është e përdorshme. Në anglisht gjen “honey”, po në shqip a greqisht askush nuk u drejtohet të dashurve të vet duke i simbolizuar me mjaltë. Kryesisht këto shprehje janë të natyrës pagane, po natyra gjithnjë ka qënë burim frymëzimi, madje për çdo popull.

      Për ta trajtuar nga ana evolucionare këtë tezë, unë e deklaroj që tani se nuk i kam këto këllqe. Do të ishte tezë e bukur për ndonjë diplomë gjuhësie ma do mendja, por besoj se nuk ka shumë lidhje me evolucionin industrial, sepse gjuha, dhe sidomos kjo lloj gjuhe, evolon jashtë mase pak.

      Kjo që shkruajta më lart, qëndron përsa u përket epiteteve pozitivë. Për ata negativë-pezhorativë, ndryshimi është pikërisht tek identifikimi si material gjenetik. Në greqisht, epitetet pezhorative janë të natyrës ideologjike. Si psh filoturk, filoshqiptar, antigrek etj… ndërsa në gjuhën shqipe shfaqen si mohim i materialit gjenetik.

      1. Jul,

        çdo popull ka menyren e vet te pasqyrimit te realitetit dhe mjetet e veta figurative, qe varen nga niveli i kultures shpirterore por edhe i asaj materiale. Po te lexosh epiken tone popullore gjen “perla” te verteta ku poeti popullor duke pershkruar bukurine femerore thote: “i ke floket si deget e hardhise”, 🙂 (praktikisht nuk krihej kurre) i ke dhembet si guret e zallit” 🙂 i ke qepiket si krahu i zogut 🙂 etj. E kushedi si e pershkruajne bukurine femerore eskimezet qe ngado te hedhin syte vetem bore e akull shohin. Per indianet e Amerikes ka ca perla te tilla ne disa tekste gjuhesore amerikane te fillimshekullit XX, Boas, Sapir, Whorf. E kishin mire keta te fundit qe pyesnin nese e flasim ne gjuhen apo na flet gjuha neve 🙂

        1. Unë për vete, jam pro hardhisë për krahasim! Harlisen bukur flokët e një gruaje tamëm si hardhi, aty pas veshit sidomos, mbi gushë. Ja shife këtë: http://www.panoramio.com/photo/40490224

          Sigurisht pastaj që, sipas kulturës, ambjentit çdo popull ka gjuhën e vet. Ja më kujtove tani një shprehje që përdorim shpesh: “sikur të ka rënë dielli në kokë”. E merr me mend se si është shprehja me kuptim analog në hollandisht?

            1. Siç themi ne “të ka rënë dielli në kokë”, ata thonë: të ka goditur një mulli me erë. 😀 As unë nuk e di hollandishten (shprehjen e kam gjet të përkthyer), po që flisnim aty për veçantinë e secilit popull.

  6. Kjo tema që prek Tanhauser, duke i identifikuar epitetet e përdorura si përkatësi epoke evolimi, është mjaft ngacmuese. Por termat dhe gjuha evolojnë shumë ngadalë në këtë drejtim, kam përshtypjen. Edhe përkatësia si e një epoke zhvillimi të caktuar është e vështirë. Në kohët e vjetra gjuhët evolonin kur binin në kontakt me një grupim njerëzish të një gjuhe tjetër. Ndërsa në kohën e sotme, gjuha evolon vetvetiu, përmes përdorimit të teknologjisë. Kështu, unë do merrja dy shembuj karakteristikë të evolimit të sotëm gjuhësor. Marrim për shembull shprehjen “shtypi i ditës”, kjo shprehje nuk ka kuptim të përdoret në një ambjent dixhital. Gazetat nuk mund të “shtypen” online – thjesht botohen. Po njësoj David Houle, një futurist, flet se shprehja “are we on the same page”, për pak kohë nuk do ketë kuptim, do ngjajë si shprehje e shek. 20. Ai mendon më tej se kjo do të zëvendësohet me “are we on the same screen”.

    Dy shprehje nga ana tjetër, që i kanë rezistuar kohës dhe kanë ngelur njësoj edhe nga kapërcimi epokë feudale – epokë industriale janë, ajo e inxhinerit të ndërtimit; civil engineer – meqë si zanat inxhineri u përdor për herë të parë prej Napoleonit si inxhinier ushtarak – të famshmet xhenjo, u desh të bëhej dallimi midis këtij dhe inxhinierit që merrej me projekte civile. Dhe tjetra që ma kujtoi dikush në një forum, është “cavalleria” – përdoret për artilerinë, e megjithatë i ka ngelur rrënja prej fjalës kalë (cavallo).