STATUSE

Shoh këto ditë intervista shkrimtarësh në media dhe portale, ku i detyrojnë të përmendin autorët dhe librat e tyre të preferuar. Për fat të mirë, asnjë prej tyre nuk ka përmendur deri më tash Danten dhe Shekspirin. Por zgjedhjet e tyre gjithnjë më kujtojnë një përgjigje fodulle, por gjithsesi gjeniale të Naipaul-it, kur i kërkuan të përmendte ndonjë autor bashkëkohor që i pëlqente: I am not a reader, I am a writer. Appunto.

Pak më parë u fol edhe për Çmimin Kadare, që i blaton 10 000 USD një dorëshkrimi të përzgjedhur – dhe më duket edhe se dikush pyeti si nëpër dhëmbë nëse këto vepra, të shpërblyera bujarisht, kanë lënë ndonjë gjurmë në letrat shqipe. Nuk di ç’të them sepse asnjë prej fituesve nuk kam lexuar. Por kam qenë dhe jam kundër një Çmim të titullohet me emrin e një autori që është ende gjallë e shëndoshë: më duket e pahijshme. Dhe meqë nuk më dëgjoi kush për këtë, po jap edhe një sugjerim falas: pse nuk ia kërkojnë Kadaresë vetë, që ta përzgjedhë fituesin? Ashtu edhe çmimi do të vijë me një prestigj të ndryshëm, edhe Kadareja ka një shans më tepër të lexojë ndonjë gjë nga prodhimtaria bashkëkohore shqip dhe të emërojë ritualisht pasardhësin dhe trashëgimtarin e vet shpirtëror, të paktën çdo vit.

U fol dhe vazhdon të flitet shumë për shqiptarët “që nuk lexojnë” – edhe pse shqiptarët këtë periudhë kanë edhe shumë nuk-e të tjera për t’u shqetësuar. Mua shifra nuk m’u duk alarmante – dhe do të prisja, idealisht, që të dhënat statistikore të tregonin edhe se çfarë lexojnë, ata që lexojnë. Sikurse do të prisja të merrja vesh për shqiptarët që nuk shkojnë në kinema, nuk shkojnë në koncerte, nuk dëgjojnë muzikë përveçse në sfond punësh dhe gjepurash të tjera, nuk shkojnë në teatër, e kështu me radhë. Se nëse nuk bëhen këto analiza, atëherë shqetësimi për “shqiptarët që nuk lexojnë” shndërrohet në kënaqësi të fshehtë “për ne që lexojmë.” For everything else, kemi elitën që provon fustanet e reja në opera.

Gjithnjë në temë: për shkak të miqësive dhe të selection bias-it, Facebook-u im tani po ia kalon edhe librarisë Adrion për nga asortimenti – aq sa më duket sikur më kanë kyçur në ndonjë bibliotekë që ndërkaq po përmbytet dhe e kanë hedhur çelësin në Lanën e rrëmbyeshme. Dhe meqë jemi në Facebook, të mos harrojmë se libri mund të aksesorizohet shumë lehtë – pa folur për shijet.

Libri nuk lexohet, por të paktën promovohet: përtej solidaritetit me kolegët që tërheqin vëmendjen, jo pa pikëllim të thellë, ndaj veprave të tyre, më zbavit zelli i atyre që nuk ndajnë dot vanitetin personal nga dëshira legjitime për të prezantuar një botim të ri dhe sidomos nga gjykimi kritik për veprën në fjalë. Asnjë të keqe nuk ka te këto gjakime veç e veç – por kombinimi i tyre në një kutërbon. Reklama tregtare nuk mund ta zëvendësojë kritikën – madje kur kritika mungon, reklama brutale e maskuar si komentar sallonesh të bën të çosh dorën në kobure.

Masa e frikshme e atyre që nuk lexojnë kërcënon masën tjetër, njëlloj të frikshme, të atyre që pretendojnë të pamundshmen: shndërrimin e kitsch-it në art (duke bërë sikur nuk e vënë re rrezikun e të mundshmen: shndërrimin e artit në kitsch).

Po e them me shpresën se nuk e ka thënë njeri tjetër deri më sot, të paktën në shqip: letërsia jo-komerciale po katandiset me të shpejtë në strehën e fundit të snobit. Çfarë do të ishte rikthim tek argumenti i aksesorizimit, por po e lë me kaq.

Afrohen ditët e Panairit, dhe bashkë me to u avitet brigjeve edhe flotilja flamur-shpuar e titujve të letërsisë italiane bashkëkohore, që do të mbulojnë tezgat – do të kenë mbetur ende ca fonde të pashfrytëzuara, nga ato të së majtës renziane, për të financuar operatorët e librit shqip dhe për të paguar hotelet e mysafirëve nga bregu tjetër. Në këto rrethana, mbase ka shans të interpretohet me një fije optimizëm e dhëna – gjithnjë statistikore – që “shqiptarët” tashmë po i largohen dora-dorës italishtes.

Duke pasur këtu parasysh se të flasësh për “shqiptarët” sot, duke pasur parasysh vetëm qytetarët e Republikës së Shqipërisë, është thjesht skandaloze: mbase kodi penal mund të bëjë diçka për këtë.

Çfarë i mungon shpesh librit shqip, edhe origjinal edhe në përkthim, është provokimi intelektual: dhe këtu nuk e kam fjalën për vrimat që hapin veprat si Vrima. Sot me erotizmin dhe aq më keq, me pornografinë, sot mund të provokosh seriozisht vetëm duke i lënë jashtë (A nuk jemi të gjithë tashmë “pa komplekse”? Edhe pse ende nuk ka dalë nga skena brezi që deri dje masturbohej me Freudin?). E kam fjalën për atë lloj provokimi që t’i çojë njerëzit ta kërkojnë titullin në librari, të eksituar nga dhunimi – sado i imagjinuar – i tabusë. E kam pra fjalën edhe për atë lloj lexuesi që akoma arrin t’i perceptojë dhe t’i vuajë këto tabu – dhe me tabu nuk kam parasysh biografinë më të re të Enver Hoxhës.

Përndryshe, libërshitësit kanë të drejtë të ankohen, kur u shkojnë klientët për t’i pyetur: “Çfarë më rekomandoni ndonjë libër të mirë për ta bërë dhuratë për datëlindje?” Dhe për ta rritur dozën: “Çfarë më rekomandoni ndonjë libër të mirë kundër pagjumësisë?” (Por kjo nuk do të ndodhë, sepse pagjumësia është shndërruar vetë tashmë në aksesor: a nuk po i gdhijnë ca netët duke lexuar Danten dhe Elena Ferranten, kur nuk lexojnë dot Fenomenologjinë e Hegelit?)

U nda nga jeta para ca kohe një shkrimtar i mirë, old fashioned, që kish qenë sëmurë prej vitesh, në pritje përdëllimtare që shteti të kujtohej dhe ta dërgonte për të vdekur jashtë Shqipërisë – dhe një i sinqertë mes nesh tha: po unë kujtoja se kish vdekur ky qëkur. Sa të vërteta, brenda një batute të vetme lehtësisht idiote: duke filluar nga ajo që shkrimtari është gjithnjë i vdekur, që nga momenti kur e ka lëshuar veprën të lodrojë në livadh të tjetrit; dhe nga ajo tjetra, që shkrimtari është i vdekur, sa kohë që nuk shkruan gjë rishtas; pa përmendur pastaj atë të tretën, që për klimën e sotme letrare në Shqipëri, vetëm të vdekurit e meritojnë të quhen shkrimtarë – të tjerët janë “letrarë”, “autorë të rinj”, “aplikantë” e così via.

Dhe nuk dua të lë jashtë as këtë konstatimin tjetër: që regjimi kulturor i tanishëm është perfeksionuar në rolin e vet si agjenci funeralesh – në gatishmëri që të vdesë dikush, për ta mbuluar sakaq me zambakë të freskët dhe lavde bajate.  Duhet që dikush të vdesë, që të ngrihen nekrologët profesionistë dhe të ulërijnë njëzëri: njerëz si ty nuk vdesin kurrë dhe menjëherë më pas: njerëz si ti nuk vijnë më! (Kanë vetëm datëlindje, etj.; por tanimë edhe të flasësh me neveri për këtë kitsch kulturor-institucional është kitsch).

Gjithashtu: duhet që dikush të vdesë, që të ngrihen mendimtarët dhe të thonë se kultura e sotme, pavarësisht se mirëfilli e lirë në kapriolat e veta ideologjike dhe estetike, nuk po nxjerr dot një Kadare të dytë.

(Kujt po i duhet një Kadare i dytë? Kadaresë jo e jo, po as atij të dytit. Në fakt, këtu flet thjesht nevoja e keq-orientuar për një lider shpirtëror, një autoritet moral, një nun të djalërisë dhe vajzërisë, një bard të qytetarisë europiane, një Osho edhe të pedikuruar, edhe këmbë-zbathur; dhe Kadareja i zihet emri në gojë vetëm për antonomazi – sepse ende nuk themi dot që pse nuk po nxjerr dot kultura e sotme një Gjergj Fishtë të dytë, etj.; edhe më entuziastët do të ishin stepur nga ky vizion i dyti: kush vallë do ta kish ndërruar fitoren në Lotarinë Amerikane me Lahutën e Lotarisë (Amerikane)?)

Po çfarë po nxjerr kultura e sotme, përveç trash-it të pashembullt të masscult-it dhe narcisizmit të elitave në pushtet, që “të kanë në dorë” edhe kur nuk e bëjnë kulturën vetë? Ose edhe më mirë, çfarë po nxjerr kultura e sotme në Shqipëri, përtej emojive, wrestling-ut te “sonte kemi në studio” dhe plaçkitjes parazitare të tipit “Ah plazhet e Jonit” dhe Bunk’artit dhe spektaklit të pashembullt të prishjes së Teatrit Kombëtar dhe refuzimit parimor, por njëlloj parazitar, të prurjeve të djeshme të shtypshkronjës “Mihal Duri” dhe zëvendësimit të 14 filmave artistikë në vit me reportazhin “Kinezëve u pëlqenin filmat shqiptarë” të përcjellë horazi nga 21 ose 43 portale?

Le të shtoj këtu: librat që dje i çonin në karton me urdhër nga lart, sot i çojnë në karton me urdhër nga poshtë, ose ngaqë nuk shiten. Të paktën kështu na thonë: nuk shiten (ndërsa kartoni mbase shitet, pa folur pastaj për letrën higjenike dhe higjenën e orificit anal). “Libri po ecën shumë keq”. Dhe ndërkohë shtëpitë botuese veç shtohen e shumohen: “Was mich nicht umbringt macht mich stärker”, teksa në Panairin e ardhshëm të librit ndoshta vizitorëve do t’u lejohet të qarkullojnë me biçikleta dhe t’i sjellin me vete qeset plastike për t’i mbushur me blerjet e bollshme (!).

Pyeta më lart: çfarë po nxjerr kultura e sotme… duke e vënë theksin te fjala e bukur shqipe nxjerr dhe duke pasur parasysh kuptimin “nxjerr në pah” – sepse një kulturë nuk mjaftohet të përftojë vlera, por duhet edhe t’i qarkullojë; dhe nëpërmjet qarkullimit të ndajë të mirat nga të pamirat, shapin nga sheqeri… Duhet punë për ta nxjerrë fidanin nga fara, por duhet mund për ta nxjerrë lisin nga fidani: dhe kjo s’ka të bëjë fare me “në mjediset e restorantit Zhigla u promovua libri i fundit i autorit K.Z….”

Plehu më i madh letrar fillon të fermentohet e të lëshojë flluska toksike mu atje ku themi letërsi, por kemi parasysh politikën dhe, aq më keq, larjen e hesapeve. Kur sheh ca poezi që t’i sjellin si kryevepra të flijuara padrejtësisht, vetëm e vetëm ngaqë autorët e tyre kanë qenë të virtytshëm si njerëz – pa çka se vargjet janë primitive dhe temat shkollareske dhe figurat të konsumuara dhe rimat foljore dhe metri i çalë – fillon të duket vetja si gjeni i munguar me gjithë dorëshkrimet që i ke në ndonjë sirtar gjëkundi. Dhe mendon: i shkreti autor, që po ia trazojnë eshtrat; por edhe i shkreti unë.

(Shoh këto ditë intervista shkrimtarësh në media dhe portale, ku i detyrojnë të përmendin autorët dhe librat e tyre të preferuar. Asnjë prej tyre nuk ka përmendur deri më tash veten.)

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet çdo lloj riprodhimi i pa-autorizuar.

1 Koment

Lini një Përgjigje te ERNEST MARKUAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin