PAMJE TË PARA

Me ç’mendësi po duan shqiptarët t’i qasen sot Europës?

Pishaku dhe unë e kemi trajtuar këtë temë disa herë në blog dhe gjetiu, por një vështrim i freskët dhe, për mendimin tim, i saktë, vjen nga Sokol Shameti në një artikull botuar sot në gazetën Shqip, me titullin “Hajde bacë!

Shameti zgjedh si kornizë të argumentit të vet atmosferën e përditshme në aeroportin e Rinasit, ku Shqipëria dhe Europa japin e marrin çdo ditë, në marrëdhënie që cekin të gjitha shtresat e shoqërisë – meqë në një pëllëmbë vend do të gjesh, njëkohësisht, lypësin dhe ministrin, ikësin dhe ardhësin, eurokratin dhe matrapazin, shoferin e taksisë dhe pilotin e Airbus-it.

Megjithatë, ndryshe nga shumë gazetarë të huaj përtacë, që i nisin reportazhet e tyre me aeroportin, meqë atje e marrin kontaktin e parë me Shqipërinë, Shameti i afrohet Rinasit si gastro-enterologu vibrionit të kolerës në epruvetë.

Duke ndjekur nga afër mënyrën si sillet atje një taksist çfarëdo, dhe i neveritur nga turma e shqiptarëve që gjen në mjediset e aeroportit, autori shkruan:

Brenda shkëlqimit të pastër të mermerit dhe ftohtësisë moderne të [aeroportit] ata, tok me fytyra të tjera të nxira nga dielli dhe takimet e rralla me sapunin, flokët e ngjitur nga djersa, dhëmbët e zverdhur, çehret e liga, veshjet e errëta e të zymta, bizhuteritë e rënda, shtatet e kërrusura dhe përherë abnormale (ose tejet obeze ose tejet thatime), si dhe mendimi trishtues për arsyen pse të gjitha këto detaje të vogla janë kaq të kudondodhura, të kujtojnë ty shqiptarit që mendon se je aq i civilizuar sa të mund të bësh vëzhgime të tilla, sesa artificiale dhe e papërshtatshme është kjo martesë midis “shqiptares” dhe “europianes”. Se sa të huaja dhe të largëta janë këto dy botë. Se çfarë ishulli i paadoptueshëm, i padëshirueshëm, i refuzueshëm dhe i injorueshëm është “shqiptarja” brenda kësaj miniature ku Shqipëria dhe Bashkimi Europian janë shkrirë tashmë së bashku në një territor eksperimental-aeroportual që ngjan si një parathënie e sikletshme e asaj sesi do të dukej në realitet një shkrirje e tillë në përmasa më të gjera.

Sipas autorit, kjo armatë zhelanësh post-modernë, kjo masë laramane pehlivanësh dhe hileqarësh, kjo turmë hijenash që duan t’i aviten Europës vetëm për t’ia rrëmuar plehrat e për t’ia copëtuar kërmat, është pamja që sheh Brukseli, kur i kthen objektivat e kamerave dhe të dylbive nga Shqipëria.

A është vërtet kështu?

Nuk e di, sepse nuk e vizitoj shpesh Rinasin; por Shametit i besoj, sikurse i besoj edhe mendimit që e kam pjekur prej kohësh, për mënyrën si po i qaset masa e shqiptarëve Europës – e cila, në thelb, mund të përmblidhet në metaforën e lypësit që ndjek nga pas, në bulevard, një zonjë të rëndë e të parfumuar. Ka në atë ndjekje të lypësit admirim dhe urrejtje, adhurim dhe përbuzje, agresion dhe nënshtrim, dëshirë për të puthur dorën dhe dëshirë për të ngulur kamën; një qëndrim fund e krye ambivalent, i cili reduktohet, në analizë të fundit, në një mendësi prej çakalli, që i vjen rrotull vathës së bagëtive.

Vëren pastaj Shameti:

Të tillë shembuj të mospërshtatshmërisë sonë me mjedisin ku haset “Europa” janë të shumtë dhe i sheh ngado në jetën e përditshme. […] Është një filozofi e tërë jetese të cilën krejt pa pasur as vullnetin më të vogël për ta ndryshuar ne synojmë ta legalizojmë si ndërtimet pa leje në Bathore të Tiranës. Është këmbëngulja psikopatike dhe e rrënjosur në mënyrë sugjestive në popull te sistemi ekonomik që kemi adoptuar tok me varfërinë dhe injorancën që pjell ai, të cilin ne synojmë ta mbartim me vete brenda Europës me shpresën se me të hyrë atje “ata” do ta shërojnë. Është varianti shqiptar i tregut të lirë deri në çakërdisje përballë traditës së konsoliduar europiane të tregut të drejtë. Është mjerimi ynë i vrazhdë i “kompeticionit social” përballë historisë së gjatë europiane të “drejtësisë sociale”. Është korrupsioni dhe të menduarit korruptiv të shndërruar në mënyrë jetese sot ndër shumë shqiptarë ai që vetvetiu ushqen përmes rryshfetit dhe anashkalimit të devocionit dhe obligimit ndaj detyrës një ambient të infektuar dhe që ne synojmë ta transportojmë me vete në Europë, pasi edhe këtë do ta kurojnë “ata”. Është vetë struktura dhe organizimi ynë shtetëror, institucionet jofunksionale, rezultatet e zgjedhjeve që kurrë nuk pranohen nga humbësit, kultivimi i militantizmit si meritokracia e vetme, klientelizmi i imponuar politik i medias, kastrimi i artit dhe frymës kritike (përfshi këtu shoqërinë civile). Është mbjellja dhe ujitja e përditshme e një ndjenje pafuqie dhe dorëzimi përballë këtij realiteti. Është psikoza se ne nuk mund ta ndryshojmë këtë gjendje dhe shpresa e vetme mbeten të huajt të cilëve ndaj edhe u varemi, u servilosemi dhe u nënshtrohemi me shpresën se do binden një ditë se jemi të devotshëm aq sa duhet dhe do na lejojnë edhe ne një copëz vend në sofrën e tyre të begatë. Është ideja se “ata” japin detyra të cilat ne i plotësojmë dhe lutemi pastaj me ankth, shpresë e besim se do të shpërblehemi për këtë përkushtim.

Me fjalë të tjera, artikulli i Sokol Shametit mund të zinte vend për bukuri në serinë tonë, këtu në blog, për krizën etike që ka kapërthyer shqiptarinë, pasojat e saj për qytetarët, dhe rrugët për daljen prej saj.

E vërteta është se sondazhet e kryera me shqiptarët, në qytet dhe në fshat, në jug dhe në veri, në qendër dhe në periferi, gjithnjë gjejnë një nivel jashtëzakonisht të lartë aprovimi për Bashkimin Europian; çka i lë pak gojëhapur analistët në Bruksel dhe gjetiu në kontinent, por që nuk na habit ne të tjerëve, më të familiarizuar me mënyrën si mendohet në Shqipëri. Siç e vë re edhe autori i artikullit më sipër, shqiptarët e duan Europën për dy arsye madhore: (1) për ta plaçkitur – nëpërmjet ndihmave ekonomike, trafiqeve, vjedhjeve, kontrabandës, riciklimit të plehrave, e kështu me radhë; dhe (2) për ta përdorur si prind surrogato, ose adoptiv; ose më mirë akoma, si një version post-modern të Sulltanit proverbial, i cili të arbitrojë cic-micet tona, paaftësinë tonë për t’u marrë vesh, për të vendosur, për t’u tërhequr, për të arsyetuar, për të kuptuar gabimet, për t’u bindur se drejtësia është rrugë më e shkurtër drejt mbrothësisë se hileja; për ta marrë vesh se syrin Perëndia na e ka dhënë për të parë, jo për ta shkelur.

Përfundon Shameti:

Shqipëria ka sot një nevojë urgjente që t‘i rikthehet autoriteti dhe krenaria. Kjo është një nevojë e pavarur nga proceset integruese. Në momente të tilla dekadence të plotë kombëtare, më shumë se për qaravitje dhe ankesa është nevoja për një projekt kombëtar që duhet të çrrënjosë me themel këtë kompleks inferioriteti ndaj Perëndimit dhe burimet nga ushqehet ky kompleks: varfërinë, injorancën, prapambetjen. Një projekt që mund të përfshijë deri një moratorium apo ngrirje të të gjithë procesit të integrimit në BE derisa ne të jemi gati. Një projekt kuraje që do të kushtojë vërtet disa vite, por që do t‘i kthejë shqiptarët kësaj radhe seriozisht drejt punës, progresit dhe drejtësisë. Drejt dijes, kulturës dhe zhvillimit. Dhe që më në fund do ta kthejë integrimin tonë në familjen ku përkasim, nga një kërkesë mëshire në një të drejtë të pamohueshme.

Ideja e moratoriumit po më pëlqen; sepse procesi i integrimit në Europë, i cili tashmë në thelb ka dështuar, po i kushton energji të mëdha politikës shqiptare dhe krejt jetës publike të atjeshme; shumë maskarallëqe po bëhen në emër të tij, shumë njerëz dhe institucione po korruptohen, shumë gojë po çapëlyhen në buzëqeshje permanente.

Por ideja e moratoriumit duhet të shoqërohet edhe me rishikimin e thellë të të gjitha atyre institucioneve që u transplantuan me ngut në Shqipëri pas 1990-ës, për t’u shndërruar në shembullin më flagrant të Kultit të kargove në Europën e kapërcyellit të mijëvjeçarit; ose të gjitha rezultatet në thelb qesharake të utopisë europiane dhe të oportunizmit levantin në Tiranë e gjetiu, të të gjithë atyre që kujtuan se jo vetëm shqiptarët mund të europianizoheshin me urdhër të peshkut, por edhe se mund të pasuroheshin vetë gjatë këtij procesi.

Atyre që ngrenë zërin për gjendjen e mjeruar të shqiptarëve në përgjithësi, zakonisht u sillet si kundërshembull fakti që bashkatdhetarët tanë ecin përpara, shpesh duke u dalluar, në vende të tjera, në Perëndim. Për mua kjo vetëm sa konfirmon që shoqëria shqiptare nuk po i gjen dot mjetet dhe mënyrat për t’i shtyrë e nxitur qytetarët individualë, grupet, komunitetet dhe institucionet në Shqipëri drejt pjekurisë sociale, politike dhe veçanërisht etike. Çfarë po ndodh sot me institucionet, etikën, politikën, ekonominë, kulturën dhe mediat në Shqipëri tregon se kjo ka mbetur një shtet ende të mitur i një shoqërie ende të mitur, e cila gjithnjë zgjidhjen e problemeve ia kërkon prindit, tutorit, padronit e autoritetit të jashtëm – metaforikisht Sulltanit. Nëse ideja që i shtyn sot ithtarët shqiptarë të integrimit në Europë ka të bëjë me adoptimin e Shqipërisë fëmijë prej këtij prindi të pasur dhe zemërmadh, atëherë Brukseli ka të drejtë të trembet, të druhet e të stepet; sepse Europa e Bashkuar kërkon partnerë, jo fëmijë.

19 Komente

  1. Kur thuhet që:
    (1) për ta plaçkitur – nëpërmjet ndihmave ekonomike, trafiqeve, vjedhjeve, kontrabandës, riciklimit të plehrave, e kështu me radhë; dhe
    (2) për ta përdorur si prind surrogato, ose adoptiv; ose më mirë akoma, si një version post-modern të Sulltanit proverbial

    Pak e vështirë e para (se nuk mund t’i viedhë hajduti hajdutit), ndërsa për të dytën, rolin e prindit, Bashkimi europian, e tregoi më së miri me rastin e krizës së fundit financiare që përfshiu Amerikën. As që do të mund të imagjinonim ç’pasoja mund të kishte për shtete të veçuara… pa atë “Sulltan” që ndërmori menjëherë një strategji të përbashkët për përballimin e krizës.

    1. Edrus, besoj se del e qartë nga shkrimi se me “plaçkitje” unë kam parasysh idenë që le të shkojmë e t’i marrim pasuritë të gatshme në Europë, në vend që t’i krijojmë e t’i prodhojmë vetë.
      Jashtë teme, hajduti e vjedh hajdutin pa problem fare.
      Sa për krizën e fundit ekonomike, po të kujtoj se atë e krijoi artificialisht Sulltani, duke mos u vënë fre vampirëve në Wall Street.

  2. Kam perdorur diku, mendimin e Nices, mbi nje moral skllaveror apo moral i plebejve si te kundervene ndaj moralit aristokratik, per te vene ne dukje perqafimin e moralit plebejan prej shqiptareve te diteve te sotme, i cili verehet mjaft mire tek mendesia prej lypesi e langaraqi qe kjo teme po stigmatizon.

    Mirepo, kam verejtur se me shqiptaret duhen perdorur terma me te bute. Thoshte serisht Nicja se anetari me i keq i nje partie eshte ai qe enfatizon parimet e vijen ideologjike, pasi kjo sjellje teorikisht e lavderueshme, ne praktike con ne largim anetaresh.

    Tani tek shkrimi i Sokolit dhe i xha xhait, shoh zell e terma qe ne teori jane te lavderueshem por ne praktike mund te sjellin largim apo refuzim te trajtimit te temes, e cila eshte shume e rendesishme.

    Nderkaq ne nje pershtatje prej filologu amator, do perdorja
    moral vartesi dhe moral eprori, per te mos gervishtur krenarine natyrore ( te cilen e quajne edhe arrogance) te shqiptareve e cila shkakton edhe momentin kontradiktor ne sjelljen me te huajt, pra ndersa behemi puthadore nga brenda ziejme prej inatit e duam ta kafshojme ate qe po puthim.

    Tani, qe te hiqet dore nga morali i vartesit, nuk eshte pune qe zgjidhet sot me neser, dmth ajo ceshtja e ngrirjes se njeanshme te procesit europerfshires ( integrim nuk eshte as i sakte e as i pershtatshem kur flitet per hyrje dinjitoze si shqiptar) per disa vjet me duket pak e nxituar.

    Nga ana tjeter, mospranimi i Shqiperise eshte edhe ceshtje politike qe lidhet me rolin potencial destabilizues te Shqiperise ne rajon, meqe pervec shqiptareve te Shqiperise gjithe Europa mendon se potencialisht Shqiperia ka rol thelbesor negativ per stabilitetin ne Maqedoni e Kosove, meqe Shteti Ame teorikisht nuk mund te rrije indiferent ndaj ceshtjes se shqiptareve ne Maqedoni e Kosove.

    Ngrirja e europerfshirjes mund te merret ne Europe si arrogance dhe pergatitje e Shqiperise per nderhyrje ne Kosove e Maqedoni, pasi Shqiperia ka vec 2 rruge, o me qene energjike ne europerfshirje o me qene energjike ne zgjidhjen e ceshtjes kombetare. Ky eshte argumenti i dyte pse ngrirja eshte e nxituar.

    Argumenti i trete ka te beje me nje realitet te mundshem kunderprodhues , persa i perket shkeputjes se shqiptareve prej moralit te vartesit. Kjo lidhet me aspektin psikologjik.
    Njeriu kur lutet per shume kohe e i var shpresat tek pranimi i lutjes, kur kupton se kjo lutje nuk e con asgjekundi, pra nuk eshte zgjidhja e problemit, fillon e irritohet pa mase, pasi lutja vleresohet si ulje e vetes dhe normalisht duhet te kete kompesim, zakonisht ekonomik.
    Biles edhe lypesit e rruges, pasi kane lypur gjate e kuptojne se sdo nxjerrin gje, fillojne e shajne para e prapa.

    Pra ne rrezikojme qe me mospermbushjen e aspirates europerfshirese, pasi kemi 20 vjet qe lutemi, ne kete periudhe ngrirese, te fuqizojme merine ndaj Europes, pra do sillemi njesoj si plebej merindezes, me pak fjale nuk arrijme shkeputjen prej moralit te vartesit, por e shtojme ate, rrotullohemi ne vend, te morali i merise ( morale del “ressentiment” ).

    Keshtu qe per mua, ka shume mundesi qe problemet te na shtohen sesa te na pakesohen.

    Ky problem eshte i lidhur kerthizisht me ceshtjen e etikes ne shoqerine shqiptare, pra edhe zgjidhja e ketij problemi kalon nepermjet formimit te atij minimumi te domosdoshem etik qe shteti te funksionoje, dmth edhe per kete zgjidhja gjendet ne rrafshin kulturor, ne rrahjen e temave te tilla deri ne merzitje, me shpresen qe njerezia te mos merzitet shpejt e te futet tek perditshmeria duke u perpjekur ta gjeje zgjidhjen fillimisht nga pikepamja praktike e pastaj te ngreje teorine.
    Vertet qe mesohet duke pesuar, por nuk eshte e vetmja menyre. Nuk e di ne eshte e shkruar qe ne perjetesi ne do mesojme vetem duke pesuar, por ama serisht nuk kushton gje te provojme te kunderten.

  3. Ngazëllyes konstatimi se tradita orientalizimit te vetes premton ende dite te bukura.

    Ndryshmi, nderkaq, nuk eshte vetem sasior dhe cilesor.

    Nese tradita e orientalizimit te vetes ne viset tona nisi nga nje grusht bej efendileresh te regjur ne rafinimim e sofistikim, prekes mbebet fakti se auto-racizma e orientalizma po shtyhet perpara nga qytetaria e teritalit sintetik.

    Se kujt i gafurren me keto konstatime orientalisto-raciste, mbetet gjithsesi mister.

    Shqiptaret kane reth 20 vite qe udhetojne tashme neper bote te qyteteruara dhe e kane pare me sy edhe obezitetin e Greqise e te Amerikes, por edhe ate ne formim masiv e siper te Frances e Italise – meqe ky argumenti i obezitetit leshohet keshtu gratis si shenje provincialiteti.

    Shqiptaret e gjore e kane pasur rastin edhe te transportohen me metrone e Parisit nga nje pike A ne B dhe i kane ndjere mire aromat e mungeses se sapunit; pa harruar te lexojne, me frengjishten e tyre shpesh te çale, neper faqe te para revistash se francezet mbeten populli me i palare ne kontinet.

    Shqiptaret e mjere kane po kaq vite qe ndajne se paku oret e pushimit te drekes neper menca universitetesh e kantieresh me sivellezerit e tyre ish subjekte diktaturash proletariati dhe i njohin mire problemet dentare te malazeve, maqedonesave, çekeve e polakeve, pa permendur problemet dentare te grekeve dhe italianeve.

    E vertete, populli francez, italian e gjerman pa dhembe ne goje e koke palare, nuk para i frekuenton aeroportet; zakonisht ky lloj populli syrgjynoset pas fasadave muzeale te Parisit, Milanos e Berlinit dhe nuk para ka takat te levize nga getot qe i rezervohen sepse ka halle mbijetese.

    Po ai shqiptar, qe eshte perzene me shqelma nga atdheu i tij nga skamja ekonomike, politike dhe kulturore, nuk para e eviton dot aeroportin e kesisoj, nuk e privon dot nga pamja e tij mizerabel orientalistin racist qe ndan te njejten kartele dentare, por edhe te njejten gjenealogji fshatare me kete popull fatkeq; tjeter pune se ç’hiqet.

    Greqia ka qe me 1980 qe e rrjep te gjalle Evropen, po ashtu edhe Portugalia qe me 1985 e bashke me te edhe Spanja.

    Rrjepja per keto vende u eshte legjitimuar me shume traktate, po njeri nga me emblematiket eshte edhe traktati i PAC-ut, paktit te famshem te agrikultures, permes te cilit perfiton shume edhe Italia, pa permendur ketu Polonine e gjithe kusurin e shteteve te hyra rishtash ne BE e keshtu deri tek Rumani-Bullgaria.

    Sidoqofte, kjo mungese e tmerrshme gjeresie ne trajtimin e fenomenit shqiptar, sidomos kur vjen nga elemente qe kudermojne ere te ndenjur province, po e kalon sinqerisht limitin e te durueshmes.

    1. Epiriot, jam dakord me ty se është provinciale dhe sipërfaqësore të gjykohen njerëzit nga dhëmbët – aq më tepër që të treguarit e dhëmbëve në publik ka qenë gjithnjë konsideruar gjithnjë gjest vulgar, në mos agresiv, derisa filluan të fuqizohen korporatat e pastave të dhëmbëve…

      Në vitet 1980 mbaj mend që jam indinjuar pa masë kur një francez mistrec, i ftuar i Akademisë së Shkencave, u ankua që njerëzit që kish rrotull në bibliotekë mbanin erë si lypësa (clochards). Që atëherë ka rrjedhur shumë ujë, unë ua kam ndier erën të pastrehëve në NYC – më të rëndë edhe se të ariut në kafaz që kishim në Selitë; sikurse ua kam ndier erën shumë shqiptarëve në Tiranë…

      E di që nuk duhet; e di që edhe Dekarti, Da Vinci dhe Newton-i ashtu duhet të kenë kutërbuar; por hunda ka shumë vota në parlamentin e mendjes.

      Prandaj unë shfryrjen e Shametit, i cili ndryshe nga unë jeton në Shqipëri, e lexoj më tepër si formë të një mendimi i cili të gjithëve na ka shkuar nëpërmend: “kur do të bëhemi një herë njerëz ne shqiptarët?”.

      Europa matanë nuk është as e dëlirë, as e shenjtë; ka kusuret e veta, ka skeletet e veta në dollapët, ka getot dhe burgjet e veta, dhe degradim etik, ekonomik dhe biologjik të atij farë soji që Shqipëria nuk e ka parë ndonjëherë – këtë ta them unë, që kam jetuar shumë vjet në Napoli.

      Megjithatë, këtu nuk është fjala aq për Europën, sa për perceptimin e Europës prej njerëzve të mësuar në Shqipëri; dhe dëshirës së tyre të sinqertë për t’ua sjellë të mirat e atjeshme edhe shqiptarëve: lirinë e individit, mirëqenien, bukurinë e së përditshmes, kulturën, bibliotekat, universitetet, autostradat, trenat, aeroportet, dyqanet e llamburitura…

      Atë dëshirë e kam pasur të madhe gjithë ato vjet që rrija në Napoli dhe përballesha me mizerjen e atjeshme drejtpërdrejt; por kur mendoja për Europën si model dhe magnet, Napolin e lija jashtë.

      Që prej 1996-ës, kam ikur nga ai kontinent; ku jam kthyer më pas vetëm si turist. I kam parë vetëm anët më të bukura, dhe këtu kam parasysh edhe Tiranën, që mbetet qytet shumë i këndshëm, megjithë ndryshimet agresive që i janë bërë. Njerëzit që takoj unë në Tiranë nuk u lënë gjë mangut europianëve në asnjë drejtim – për nga mendja, për nga shijet, për nga mënyra e të veshurit, për nga hobby-t, për nga higjiena personale.

      Por – dhe ky është një por i madh – këta njerëz më thonë se po ndihen gjithnjë e më të izoluar, përballë një batice të errët, madje të zezë, të përbërë nga gjithfarë batakçinj, kontrabandistë, mashtrues, korruptues, vjedhës ordinerë, kodoshë prostitutash, falsifikatorë, trafikantë njerëzish, matrapazë…

      Këta të fundit janë shumica, dhe këta e duan Europën për qëllime të tjera nga ç’e duan miqtë e mi, ose ata që përfaqësojnë Shqipërinë “time”.

      Edhe turisti më sylesh, që e kalon kohën në lokalet e ish-bllokut në Tiranë, e kupton shpejt se për shumicën e shqiptarëve e përditshmja përjetohet si e jashtëligjshme; meqë pasurimi, përparimi ekonomik, ekspansioni i biznesit, kontratat, tenderët, emërimet në poste kyçe, investimet, shpronësimet, miratimet, shpërndarja e fondeve e të tjera si këto bëhen në një hapësirë përtej ligjit.

      Ligji funksionon kështu si një lloj filtri përzgjedhës diabolik, sepse për ta shkelur duhet të kesh disa cilësi të rralla – të jesh i pacipë, i pamëshirshëm, super ambicioz, i pafuqishëm ndaj instinktit… Kjo siguron që, pavarësisht kush del në krye të punëve, kryet e oxhakut i mbetet krimit.

      Europa bën mirë që i kërkon shtetit shqiptar të plotësojë disa standarde, para se ta pranojë në BE; dhe nga këto standarde forcimi i drejtësisë, i shtetit ligjor dhe i pavarësisë së gjyqësorit është kryesori.

      Statusi i raporteve midis ligjit dhe qytetarit në Shqipëri e veçon këtë vend nga të gjitha vendet e tjera europiane, madje edhe nga shumë vende të tjera të botës.

      Vjen një moment, edhe për vizitorin më të rastit në Tiranë, kur kjo shpërfillje e përligjshme e ligjit vjen e bëhet po aq mbizotëruese sa edhe kutërbimi i sqetullave të miletit ose i plehrave të hapura në mes të rrugës… dhe në atë moment përshtypja e dytë, sipërfaqësore në vetvete, vjen e i mbivendoset së parës, për ta përfaqësuar si metaforë.

  4. “Shqipëria ka sot një nevojë urgjente që t‘i rikthehet autoriteti dhe krenaria”- S. Shameti

    Po pse me kaq urgjence more Sokol?!! Artikull i mire gjithsesi. Problemin e vetem qe ekziston me kete artikull po e shtroj ne forme pyetje:

    Si ka mundesi qe keta analistet tane ne vend qe ta nisin karrieren me artikuj te tille kujtohen t’i shkruajne ata vetem pas 15 a me teper viteve pune ne gazetari pasi e kane humbur nje dekade a dy duke shkruar ne me te shumten e kohes per duelet Berisha-Nano/Rama me pasionin e nje komentuesi te ndeshjeve Federer-Nadal? Me pas kur qartesohen kerkojne zgjidhje urgjente. Valle nuk e kishin vene re vertet kete fenomen me pare? Une shpresoj te jete keshtu sepse nese qendron keshtu puna atehere ka shprese (te pakten po ndergjegjsohen intelektualet tane edhe pse me vonese). Pra rrjedhimisht edhe per kete “popull” te palare e plebe ka shprese; vetem se duhet pak kohe Sokol, se kur tu desh ty e shokeve te tu 15 e kusur vite…

    P.S. Ky koment merr thjesht per shkak artikullshkruesin Shameti pa pasur kurrgje me te por duke e pare ate si nje perfaqesues (jo negativ) te gazetareve dhe analisteve sot.

  5. Kam friken se nuk dallohet objektivi strategjik i Shqiperise te cilit nuk mund ti vere kurrekush moratorium nga procesi i integrimit, nje proces burokratik, qe s’ke pse ta bllokosh me moratorium a me ngrirje, kur procesi vete, muajin gusht shkon me pushime.

    Me la te pakenequr si shkrimi ashtu dhe perkrahja qe morri ketu.

  6. Ky shkrim perben nje autopsi te pergjithshme te dinjitetit kompleks shqiptar.
    A qendrojne argumentet ne dy shkrimet ?Besoj se po.A duhen bere te ditura publikut vertikalohorizontal shqiptar ?Besoj se eshte e domosdoshme.
    A na pelqen ky kenveshtrim rrobave te pista te shoqerise sone ?A ndihmon ky artikull ne shkundjen nga gjumi i deformimit te realitetit qe ka zene shoqerine shqiptare. ?A ka zgjidhje problemi madhor i ngritur ne te?.
    Ketu fillojne mec-mecet e gjata te persiriture ne serine e pambarueshme memecike te antikapit tone.
    Njeriu ne thelb eshte i piste.Dikush pa sapun ne koke e dikush i papaster ne ndertimin formimor

  7. Pavaresisht se EU kerkon me te drejte zbatimin e disa standarteve qe dreqin e mori jane edhe per kushtet shqiptare shume te realizueshme (karta, etj) mua refuzimi i kerkeses se Shqiperise me duket se ka te beje shume edhe me paragjykimet e thella qe Europa ka ndaj shqiptareve.

    Cfare problemesh sigurie kufijsh mendojne institucionet e EU-se se do te vijne nga nje Shqiperi e rrethuar nga cdo ane nga shtete ne Shengen apo me regjime te liberalizuar vizash? Poashtu cfare mesazhi eshte ai qe vendeve si Serbia e Maqedonia i behen lehtesime megjithese kane probleme te ngjashme me shtetin ligjor si Shqiperia (pa llogaritur problemet e tyre etnike apo problemet e refuzimit te perpunimit te pergjegjsise shoqerore te tyre ne zhvillimet e dhunshme te 20 viteve te fundit ne Ballkan)? Perse shqiptaret qenkan te mire per mish per top neper lufterat e Afganistanit e Irakut dhe jo per nje shoqeri te hapur qe fundja fundit vetem do ta ndihmonte projektin europian ne Shqiperi? Perse mbeshtetja politike Europiane per Kosoven eshte aq e vaket megjithe rolin kyc politik e demografik qe kane/do te kene shqiptaret dhe te drejtat e tyre ne stabilitetin e rajonit?

    Une refuzimin e EU-se e shoh si shtyse ne dy drejtime. Nga njera ane e shoh ate si deshtim te madh te elites politike aktuale te Tiranes e cila te pakten nominalisht i ka kushtuar shume kohe e propagande kesaj ceshtje. Nga ana tjeter nuk kam se si te mos bindem dalengadale se ekziston nevoja e ngutshme per nje projekt kombetar qe politikisht ti kundervihet se brendshmi palaco-majmunizimit te elites politike aktuale dhe ti meshoje fort se jashtmi bashkimit kombetar. Ky projekt duhet te beje te qarte ne menyre te besueshme se pa nje perspektive te qarte europiane e vetmja rruge tjeter qe mbetet eshte ajo e bashkimit kombetar.

    Nga ana tjeter nje levizje e tille mund te ndihmoje ne ngritjen e nje identiteti te mirefillte dhe te nje ndjenje te re respekti per veten per nje pjese te parive e shtreses se mesme shqiptare. Nje ndjenje respekti qe nuk do te kete me nevoje per majmunizimin e cdo gjeje qe vjen nga Europa dhe qe mund ti kundervihet pseudo-multikulturalizmit europian. Se sa kellqe do te kete nje levizje e tille per kete lloj zhvendosje identiteti eshte per tu pare sidoqofte koha po tregon se ja vlen te provohet.

    Besoj se nje levizje kombetare e djathte e suksesshme do ti ngrinte shume edhe aksionet shqiptare ne Europe. Fundja te njejten strategji ka ndjekur 10 vitet e fundit dhe Serbia me Koshtunicen e Nikolicin dhe sot po e shohim te shperblehet megjithe barren e rende te se shkuares te cilen serbet akoma sot refuzojne ta perballin.

    Pra nuk eshte ashtu si kishte besuar shumekush se nje e majte e reformuar do te sjelle levizje politike ne Shqiperi. Sic e treguan dhe zgjedhjet e fundit e majta humbi sepse ne krahun e djathte nuk kishte asnje parti ta rivalizonte PD-ne ne pikat e saj te dobeta (pronat, shteti ligjor, tregu, komunizmi, politika e jashtme). Problemi aktual eshte pamundesia e te djathtes jashte PD-se per tu bashkuar e per ta galvanizuar ate pjese te elektoratit jo te vogel qe mendohet se mund ti mbeshtese (ish-pronaret, ish-te persekutuarit, pronaret, prodhuesit e tregtaret e vegjel, te zhgenjyerit nga PD). Kur degjova se ne zgjedhjet e fundit Poli i Lirise do te dilte me Meksin ne krye dhe me po ato figura te plakura qe i njohim tashme prej 20 vitesh, pa asnje fytyre te re, mendova se ishte vetem shaka e keqe. Kjo e djathte politike nuk mundi te terheqe te rinj te kthyer nga jashte dhe nuk e ka arritur akoma ate kapercim brezash te nevojshem per mbijetesen politike ne Shqiperi. Megjithate duket se vetem nje levizje e djathte e mirefillte jashte PD-se mund te lejoje kercimin e te djathtes ne nje epoke post-Berisha dhe rrjedhimisht dhe levizjen e krejt politikes shqiptare ne nje stad te ri. Prandaj besoj se nje e djathte e sukseshme mbart zgjidhjen qofte ne nje perqasje me dinjtoze ndaj Europes e qofte ne rimikembjen e vlerave e moralit qe ishte teme para pak kohesh edhe ketu.

  8. Nuk vlen te diskutojme në komplekset e Europes.Ato jane te Europes dhe nuk na duhen,s’na interesojene dhe nuk kemi ne per detyre t’regullojme Europen.Gjetja e pretekseve,theksimi i te tjereve,berja e tyre fajtore nuk na ndihmon aspak.Ne duhet te kthejme shikimin nga vetvetja dhe te nisim te bejme me te miren e asaj qe duhet te bejme aq sa varet nga fakori subjektiv,ne.
    Kur ne fillojme e te marrim seriozisht me zgjidhjen e problemeve te renda t’tona,atehere dhe Europa detyrohet te respektoje perpjekjet tona ne te mire te vetes tone,ne radhe te pare dhe si pasoje dhe ne te mire te qendrueshmerise dhe zhvillimit te rajonit e te Europes ne pergjithesi.

    1. E drejte orakull. Duhen pare gabimet e brendshme dhe duhen provuar zgjidhje qe ne i kemi ne dore. Dhe fajin nuk na e ka Europa qe shteti shqiptar nuk ben detyrat e shtepise por merret (bashke me mediat) me kryesine e PS dhe takimet e kafeve te Nanos etj. Problemi eshte qe detyrat e shtepise nuk i kishin bere dhe te tjeret para se te futeshin ne Europe. Fundja vendimi i fundit i EU per liberalizimin e vizave qe, dhe jo per anetaresim (mos.. as mos e permend ate llaf).

      Si per ironi jane pikerisht njerezit qe perbejne ate simbioze te krimit dhe politikes te referuar shpesh si “krimi i organizuar” ata te cilet EU i druhet me shume dhe njekohesisht ata qe perfitojne me shume me kete sistem te mbyllur.

  9. Xha Xha,

    Gjysmen e jetes sime – diç me shume se 16 vite tashme – e kam jetuar larg territorit shqiptar. Personalisht, nuk me ka rene rasti ta jetoj nga afer Evopen dhe Ameriken e skamjes dhe mizerjes njerezore edhe pse gjithe vitet e gjata te ekzistences sime jashte Shqiperise i kam pritur e vazhdoj t’i pres e percjell brenda ketyre viseve.

    Sakaq, edhe pse ciklin tim te plote para dhe pas universitar e kam percjelle midis njeres prej qendrave universitare me ne ze te East Coast-it Amerikan, te Sorbonne-s se Parist, dhe leksioneve te pedagogeve te Universitetit te Firences ne kete qytet te mrekullueshem te Italise – pa permendur faktin se kam punuar mjaftueshem ne DG1 e dikurshme te Komisionit Evropian ne Bruksel – ndoshta jo shpesh, por mjafueshem, fati ka deshiruar te shoh nga afer nivelin e skamjes dhe mizerjes se ketyre vendeve, te cilat, sikurse u shpreha me lart, fshihen pas fasadave muzeale te qendrave te mrekullueshme urbane te siperpermendura.

    Gjithashtu, lemite ne te cilat jam shkolluar, letersia, arti dhe shkencat sociale, me kane mundesuar ta njoh mire gjenealogjine fizike, shpirterore dhe intelektuale te Evropes dhe te Amerikes, dhe sikurse ju, i njoh kenaqshem problematikat dhe skizofrenite e ketyre shoqerive.

    I perkas nje gjenealogjie qytetare e cila i tejkalon te 7 brezat, te cilet sipas legjendes mundesojne kalimin e suksesshem te ylberit nga perkatesia fshatare tek ajo qytetare. Detyrohem ta ofroj publikisht kete te dhene personale per te qartesuar faktin se personalisht nuk ndjehem i prekur nga stigmatizimet e autorit te artikullit.

    Duke iu rikthyer temes se hapur prej Shametit, me lejoni, para se gjithash te evidentoj dy problematikat rreth trajtimit te te cilave eshte krijuar nje keqkuptim aspak i parendesishem.

    Problemi i pare, kundrejt te cilit une percolla revolten time njerezore dhe qytetare, lidhet me stigmatizmin qe Shameti i ben pjeses esmere, dhembeverdhe, kokepalare, flori-shpalosese, trashaluqe apo imcake, shkurt gjithe fatkeqeve e qyqareve te shoqerise sone, pamja jo-evropiane e te cileve skandalizon Shametin neper aeroporte.

    Ne trajtimin e ketyre semundjeve te renda sociale, sikurse kjo e shoqerise sone, ekziston nje parim etik, i mirekuptuar dhe i respektuar nga shumekush, i cili mbron idene se i semuri nuk shahet, por trajtohet me gjeresi dhe njerezillek si i semure qe eshte. Dhe kurresesi me sadizem dhe cinizem.

    Shameti ndoshta nuk e di – nese e di ende me keq per te – por une dhe ju e dime mire se aeroportet tona u ngjasojne shume stacioneve te trenave dhe te autobuzeve te Evropes dhe Amerikes dhe jo aeroporteve te tyre.

    Shameti gjithashtu nuk e di – ose ben sikur nuk e di – qe keto semundje qe shqiptaret ndajne me gjithe sivellezerit e tyre evropiane rrjedhin kryesisht nga mizerja ekonomike. Obeziteti i Amerikes, por edhe ai ne zhvillim me hapa vigane ne Evrope, eshte para se gjithash semundje e rende ekonomiko-sociale.

    Ndoshta Shameti eshte ende i ri e nuk i kupton mire pergjegjesite e kostot morale dhe etike qe bien mbi shpatullat e njerezve qe i trajtojne publikisht problemet e shqiptareve. Eshte me se njerezore te shfrysh e te pikellohesh qe vendi yt ka mberrtur ne piken ku keqardhja per te i impnohet edhe gurit edhe drurit. Por trajtimi publik i halleve te shoqerise sone kerkon te tjera lartesi, te cilat Shametit i mungojne dukshem.

    Ky vendi yne eshte perdhunuar shume gjate dhe shume eger, arsye kjo e semundjes se tij te rende, e cila shpaloset edhe ne pamjen e tij. Shkeputja cinike qe Shameti i ben vetes ndaj semundjes se shoqerise ne te cilen jeton dhe sadizmi me te cilen e trajton ai kete semundje, mbetet, per mendimin tim, delegjitimuese per diskursin e tij, prej ku dhe e totalisht e pahijshme.

    Ky vend, dhe semundja e rende nga e cila vuan pjesa me e madhe e shoqerise sone – skamja kulturore dhe ekonomike – ka nevoje per gjeresi dhe humanizem ne trajtim. Kjo eshte menyra e vetme qe ofron qasje te sakte ndaj semundjes, e cila qellon qe rradhit gjithashtu edhe shume njerez ne kete kauze.

    Problemi i dyte, eshte amalgama qe behet shpesh se pikerisht kjo shtrese me pamje jo te bukur dhe jo ariane eshte edhe me e korruptuara, me hajdutja, me kodoshja, me trafikantja, me matrapazja, me kontrabandistja, me batakçija apo me falsifikatorja.

    Nuk e perjashtoj fare faktin qe nje pjese e mire e te dhenave fizike te te pareve te perkojne plotesisht me te dhenat kriminele te te dyteve. Por nuk besoj se shumica e shqiptareve vuajne nga te dyja keto semundje ne te njejten kohe.

    Perkundrazi. Besoj se ata qe lahen me shpesh, vishen me bukur sepse bejne shopingje neper butiqe, ata qe gjate elokucioneve te tyre perdorin shpesh leksik anglosakson, ata qe shetisin neper makina me ojna, shkurt ata qe kapardisen neper ish-bllok per te kompensuar prejadhjen e tyre me qytetarine e shtirur qe ofron ky kompleks urban tejet simbolik, e qe perbejne nderkaq pjesen me vizibel te shoqerise, jane pjesa e infektuar me krim ne shoqerine tone.

    Diaboliket e sotem ne Shqiperi nuk jane te zinjte kokepalere e dhembeshkulur. Keta te fundit jane zakonisht fakeqet qe jane flakur pertej se nuk i rrine bukur ambienteve te qytererimit me tenije e xixa te ish-bllokut; u prishin hundet me djersen dhe pamjen e tyre te vetepagezuareve metropolite qe nuk e leshojne territorin dhe parane badiava.

    Diaboliket e sotem, ata qe ju i mirecilesoni si te pacipe, te pamëshirshëm, super ambicioze, te pafuqishëm ndaj instinktit, te njejtet pra, qe perditshmerine te tyre e ju e izoloni te perjetuar jashte çdo ligji, morali dhe etike; ata qe siç ju thoni kane ne dore pasurite, ekonomine, biznesin, kontratat, tenderet, emerimet, investimet, shpronesimet, miratimet, fondet, por edhe diplomat, diskurset, narrativat, qendrimet publike – edhe pse vizibel pertej mase, mbeten te reduktuar ne numer – jane te paster e te mirembajtuar qe nga dhembet e koka e deri tek veshja e kopileshja.

    Si pasoje, dufet ndaj te palareve dhe dhembshkulurve mbeten dufe raciste dhe orientaliste shume te demshme per shoqerine tone. Problemet jane te ndara qarte dhe nuk kane lidhje me njeri-tjetrin.

    Sidoqofte, shuma e gjithe ketyre problemeve nuk i ben shqiptaret me te keqinj se bullgaret e rumunet qe ndajne te njejtat semundje me shoqerine tone. Ndryshe nga shqiptaret, bullgaret e rumunet jane sot ne Evrope; dhe malazezet, serbet e maqedonasit, po aq te ngjashem me ne, jane shume me prane Evropes.

    E perseris, ky eshte nje nga blogjet e vetme qe frekuntoj sistematikisht pikerisht sepse ky eshte nje nder te vetmit mejdane te gjera dhe humaniste. Por dufet raciste te Shametit, dhe amalgama qe i behet krimineleve dhe fatkeqve, i konsideroj pa vend.

  10. Eni, je bere per tu puthur moj… mi ke qendisur ato fjalet per merak, si dantellat e pajes qemotit.

    Pritshmeria per heqjen e vizave vitin tjeter, do jete e atille saqe ndjesia e pakenaqesise (here e shfaqur e me shpesh e fshehur) qe u mboll kete vit, ne rast mohimi, do piqet e do shpertheje hapur; e majta do perpiqet qe kete pakenaqesi ta ktheje ne vota duke akuzuar Berishen, ndersa e djathta do jete te detyruar te fitoje vota ne rrafshin kombetarist ( me pakenaqesine me te madhe do shkoje drejt vetvetes) , perndryshe ekuilibri i sotem do prishet e do kemi mbase edhe zgjedhje te parakohshme.

    Besoj se do kemi gallata vitin tjeter, thagma fare po na bllokoi Maqedonia e Mali i zi, pasi Shqiperise i ngel vetem Kosova.
    Po nese i heqin per ne do i heqin edhe per Kosoven, se do irritohet pa mase Kosova, qe ska as dalje ne det e ngelet si ne burg, po ja hoqen Kosoves do irritohet Serbia, se do njihen pasaportat e Kosoves si plotesisht te barabarta me ato serbe .
    Per Europen eshte ceshtje zgjedhjeje, shqiptaret o serbet dhe Franca nuk ka pike dyshimi, nuk ka pasur ndonjehere me thene te drejten.
    Europa zgjedh serbet, Amerika (Perandoria e radhes) zgjedh shqiptaret; nga pikepamja ime , Ballkani ndodhet ne kontinentin e gabuar.

  11. Bravo i qofte Z. Shameti qe eshte kaq inteligjent sa te merret me analizen siperfaqesore te shqiptareve. Mendoj se asnje nga ne nuk e ka vene re nje gje te tille!
    E gjetem Vasil (zgjidhjen e halleve shqipe)!

    Mireqe ekzistojne ende persona te parfumosur, me veshje te shtrenjta dhe me dhembe te bardhe si bora e qe japin mend nga larte! Lum si ne qe i kemi!

    Eh, pike e zeze!

  12. Doja ta shikoja ceshtjen e etikes se pergjithshme ne shoqerine shqiptare e moralin e vartesit ne lidhje me europianet, nga nje kendveshtrim tjeter, duke perdorur konceptin e ekzistences qe buron nga dyshja kam-jam.

    Perhere me ka pelqyer ideja se forma me qene/me kene (te jesh), tradhton zanafillen e perbashket ideore dhe formale te ketyre foljeve, qe perforcohet nga mundesia qe ‘j’ e jam te jete e krahasueshme me ‘j’ e tjera indoeuropiane , dmth te buroje ose ti jape jete bashketingelloreve te grupit kentum, k,g,h ( e me vone, zh,xh – zhyl, xhulio/hulio).

    ‘Me kene’ do i pershtatej shume mire nje foljeje te rregullt ‘kam’ ashtu sikunder ‘me jene’ nje foljeje te rregullt ‘jam’.

    Sidoqofte, njeriu eshte cfare eshte dhe eshte cfare ka, shpesh keto dy koncepte ngjizen. Ka nje vecori te rendesishme, qe ‘jam’ perdoret per pjesen e brendshme te njeriut, te pashkeputshme, thelbesore per veten, ndersa ‘kam’ pjesen e jashtme, formale, fizike, pronore.
    Keshtu themi zakonisht, jam i mire, jam i zgjuar, jam i shkathet etj, dhe kam 2 dy sy, kam 2 kembe, kam 1 hunde, pra te dyja plotesojne qenien.

    Pjesa jone qe lidhet zakonisht me foljen jam, eshte edhe pjesa fisnike, pjesa e vlerave individuale, morale, shpirterore, intelektuale . Sigurisht qe njeriu nuk eshte vetem ai qe eshte, po eshte edhe cfare ka. Vetem Zoti mund te thote:
    Une jam Ai qe jam!- pasi Zoti nuk ka si te jete ai qe ‘ka’.

    Po ashtu edhe kafsha duke qene brenda natyres, nuk mund te jete cfare ‘ka’, vetem njeriu mund te jete ai qe eshte dhe ai qe ka.

    Gjithe ceshtja eshte tek ekuilibri i asaj cka jemi dhe asaj cka kemi e per kete na sherben inteligjenca e logjika.
    Nese ky ekuiliber prishet ne favor te ‘jam’ shkojme drejt kafshes(natyres) ose shenjtorit (Zotit) , nese prishet ne favor te ‘kam’, shkojme kunder natyres e kunder Zotit, pra jemi te destinuar te zhdukemi.

    Nder shqiptare eshte mjaft e perhapur shprehja:
    – A e di ti kush jam une !

    Kjo eshte tipike per njeriun, qe eshte cfare ka, e qe edhe ne rastet, kur perdoret nga njeriu, qe eshte cfare eshte, ky eshte duke e konceptuar ate qe eshte, sikur eshte cfare ka.
    Rasti i pare:

    a) Une jam i biri/nipi/vellai i filanit (te fuqishem), pra une jam cfare kam; kam babane,xhaxhane, vellane (te fuqishem) prandaj ti tjetri do merresh me ta.

    b) Une jam pronari i x industrie, y tokash, pra une jam cfare kam, kam pasuri, kam prona pra vetvetiu jam i fuqishem , i pushtetshem, sepse prona e sjell vetiu pushtetin, dmth ti filani do merresh me pushtetin qe une kam fale pronave.

    Rasti i dyte:
    a) Une jam profesor, pedagog, shkrimtar, intelektual, keshtu qe te shkel me kembe(metaforikisht) te bej kete apo ate gje, te le papune, te degdis ne filifistun.
    Ketu ate cfare eshte, njeriu eshte duke e trajtuar sikur e ‘ka’ dhe fale asaj zoteron pushtet qe t’ja mbylle tjetrit gojen (halen).

    b) Una jam jurist, ekonomist, fizikan qe kam mbaruar ne nje universitet prestigjoz (te jashtem), keshtu qe ti tjetri mos ma caj koken se je injorant, s’merr vesh, je i pagdhendur.
    Ne kete rast, une jam universiteti prestigjoz qe kam, pra jam cfare kam.

    Pra te jesh cfare ke, tashme zapton hapesiren private e publike shqiptare, ekuilibri midis ‘jam e kam’, eshte prishur krejtesisht ne favor te ‘kam’. Shqiptari e thote pa iu dridhur qerpiku fare: Une jam, ai qe kam. Une jam, cfare kam.

    Mendoj se ekuilibri midis jam e kam, duhet rigjetur e pikerisht miminumi i domosdoshem etik, arrihet kur ne gjejme ate qe po e quaj ‘casti etik’. Pasi arrihet ‘casti etik’, krejt etikat e semura jane ne rrugen e sherimit.

    Nderkaq edhe me Europen po sillemi njesoj. Per ne Europa eshte cfare ka, per Europen qe eshte ne se vrasim mendjen fare. Per ne Europa ka para, ka univieritet, ka rruge e per ne kaq mjafton, per ate Europen qe eshte as na plas fare.
    C’eshte Europa ? eshte nje pyetje qe tek ne nenkupton; Cka Europa?
    Ne duam ate cfare Europa ka, jo ate cka Europa eshte, per ate pjese se kemi vrare mendjen asnjehere.
    Duam formalen, duam te jashtmen, duam fiziken gjithcka te brendshme te Europes ne nuk e duam, nuk e deshirojme, maksimumi e kakarisim si propagande per ti mbushur mendjen vetes.

    Duhet gjetur ekuilibri midis ‘jam’ e ‘kam’, duhet thene:
    Une jam ai qe jam e ai qe kam- duke i dhene pjesen e pare te fjalise konceptit te ‘jam’, duke e favorizuar .

    Kushdo qe thote:
    ‘Une jam ai qe jam’ dhe ‘Une jam ai qe kam’ eshte duke bere mekat; me shprehjen e pare ndaj ”’Zotit”’, me shprehjen e dyte ndaj ”’Njeriut”’.

  13. Hylli, c’na hape nje teme me spec ti tani!

    Une mendoj se ti ke harruar dimensionin e trete te “Kam-it” dhe “Jam-it” qe per mendimin tim eshte “UNE BEJ” dhe vjen rrjedhimisht nga “Une JAM” dhe “Une KAM”.
    Vetem me foljen “Bej” qenia njerezore merr nje forme me “materiale” dhe “aktive”. Pshll. njerezit mund te jene inteligjente dhe te pasur dhe mund te mos bejne asgje ose mund te jene injorante dhe te varfer dhe ndoshta kalojne gjithe kohen e tyre duke u roberuar fushave. 🙂

    Uhh, e percaktova dhe lidhjen midis 3 foljeve!
    Tani, le te hedhim teorira mbi keto 3 dimensione. Une jam e parimit qe nje njeri qe “Eshte pak” + “Ka” pak” = “Ben” pak ne universin social.
    Kush “Eshte shume”+”Ka pak” = “Ben” per universin social po aq sa ai qe “Ka shume” dhe “Eshte pak”.
    Me pak fjale, kush “ESHTE” shume dhe “KA” shume, “BEN” shume.

    Perfundimisht, mendoj se ne Shqiperi mungojne keta te fundit!

  14. Briciolo, te gjitha foljet mund ti futesh, po e thashe qarte qe trajtimi im i perkiste kesaj dysheje, jam-kam, duke qene se lidhen aq fort saqe shpesh ngjizen, qe e tregon shpesh edhe dymenyreshi: Jam familjar = kam familje, jam ne pune – kam nje pune, jam e bukur – kam bukuri, jam i mire- kam miresi e keshtu me radhe.
    Mirepo perdorimi i njeres apo tjetres shpesh mund te tregoje edhe perberes karakterial te njeriut, folja kam eshte pronore, aty shpesh mund te shohim edhe nivelin e egoizmit te tjetrit.
    Psh nese pa teklif, dikush perdor ‘kam familje’ , tregon qe ka perqasje pronore ndaj familjes, ndersa ‘jam familjar’ perqasje shkrirjeje ne familje. Por ketu jemi ne nivelin e subkoshences.

    Jam e bukur thuhet shpesh, kam bukuri, shume rralle, kjo tregon perqasje shkrirese, po ashtu jam i mire perdoret shume me shpesh se kam miresi. Tregon edhe se ne fillim ka ekzistuar koncepti i jam-it per bukurine apo per miresine.

    Nderkaq perdoret shume me shpesh ‘kam familje’ sesa ‘jam familjar’ pasi familja e dime qe ka pasur e ka perqasje pronore. Po te njejten gje, kemi edhe tek, kam nje te dashur, kam nje grua, kam nje burre, kam kalamaj etj, nderkaq themi perhere, jam i/e dashuruar.

    Pra analiza e dyshes, kam-jam, jo vetem sjell ndihme ne njohje te karakterit, niveli individual, por mund te perdoret edhe ne nivele me te larta, tek populli e pse jo edhe tek qyteterimi.

    ””’Tani, le te hedhim teorira mbi keto 3 dimensione. Une jam e parimit qe nje njeri qe “Eshte pak” + “Ka” pak” = “Ben” pak ne universin social.”””

    Ky eshte perfundim te djathtesh 😀 Shko thuaja Marksit qe proletaret skane asnje vlere te vecante.

  15. “””’Tani, le te hedhim teorira mbi keto 3 dimensione. Une jam e parimit qe nje njeri qe “Eshte pak” + “Ka” pak” = “Ben” pak ne universin social.”””

    Ky eshte perfundim te djathtesh 😀 Shko thuaja Marksit qe proletaret skane asnje vlere te vecante. ”

    Domethene ti mendon se Marxi do thoshte qe Injorantet pa lek do arrinin te jepnin maksimumin per shoqerine???

    Neaahhhh

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin