PANAIRI I TË PAPUNËVE

1. Trupi i njeriut përbehet nga 7,000,000,000,000,000,000,000,000,000 (7 octillion) atome (galaktika jonë ka rreth 300 bilion yje). Neuronet e trurit të njeriut kanë strukturën e universit. Nëse do të ishte kompjuter, truri do të procesonte 38 mijë-trilion operacione në sekondë, ndërkohë që një superkompjuter arrin të procesojë vetëm 0.002% të kësaj shifre. Impulset e trurit përcillen më shpejt se një makinë garash. Qeliza e trurit mund të mbajë pesë herë më shumë informacion se Encyclopedia Brittanica. Truri lexon mesatarisht 1000 fjalë për minutë. Flokët e kokës mund të mbajnë deri në 12 tonë peshë. Kockat e forta sa graniti mund të mbajnë deri në 9 tonë. Hunda mund të regjistrojë deri në 50 000 kundërmime të ndryshme. Gjatësia e e enëve të gjakut do ta rrethonte tokën dy herë. Trupi prodhon 25 milionë qeliza të reja në çdo sekondë. Një mashkull ejakulon rreth 7200 herë, ose 36 litra spermë, gjatë moshës 14-65 vjeç. Një spermatozoid përmban 37.5 MB informacion ADN-je të nevojshme për të krijuar një fëmijë. Shkarkimi im i djeshëm duhet të ketë hedhur dëm mbi 1500 TB informacion ADN-je. Nuk e di se kush e ka matur, por sistemi ekologjik i kërthizës sime duhet të jetë po aq i larmishëm sa edhe xhungla në Amazon.

Megjithëse njeriu është qenie shumë komplekse, atij i kërkohet të punojë për më pak se pesë dollarë në ditë. Edhe kompjuteri, me të cilin po shkruaj tani, nuk ka aq informacion sa sperma ime e djeshme.

IMG_20160430_145342

Dhe pse puna të shpëtoka nga veset, nevoja dhe mërzia (Voltaire), synimi afatgjatë i të gjithave qeverive është të arrihet papunësi e plotë që njerëzia të merret me të tjera gjëra (Arthur Clarke, citohet ta ketë thënë).

Sikur të mos i mjaftojë varfëria, vesi, nevoja dhe mërzia, punëtorit shqiptar i duhet të dëgjojë edhe predikimet e ministrit Blendi Klosi, Ministria e Mirëqenies Sociale, dhe kryeministrit Edi Rama, që ndajnë rreth 50% të ADN-së me bananen, e prodhojnë mesatarisht 450 gr ekskrement në ditë, pa llogaritur ato që nxjerrin nga goja nëpër media. Sidomos ky ministër ka prodhuar më shumë masë fekale për hesap të tij, sesa politika për elektoratin. Si çdo njeri, por ndoshta në proporcione më pak të shëndosha, 80% e trurit të ministrit duhet të jetë ujë. Gjatë jetës së tij, Blendi Klosi do të mund të prodhojë pështymë sa të mbushë dy pishina, por që tani ka filluar t’i zbrazë këto mbi kokat e elektoratit. Gjatë një dite, sikur çdo njeri, ministri do të ketë çliruar gaz  së paku 14 herë në ditë. Marrë parasysh që këtë e bën kryesisht në konferenca shtypi dhe panaire, u rekomandohet gazetarëve të mbajnë kundra-gaz me vete.

Shfaqje e arrogancës dhe mizerjes njerëzore ishte edhe panairi i punës së javës së kaluar. Në fjalimin e tij publik kryeministri dhe ministri i tij vijuan me qëndrimin e tyre fyes ndaj 30% të së papunëve në Shqipëri (shifrat janë lesh e li dhe nuk ka referenca të sakta, sipas statistikave janë nga 13% deri në 30%). Në panairin e “punës” ku më së shumti reklamonin mallin apo shërbimet e tyre universitete private (Albanian University), ndonjë call center, apo kompanitë e celularëve si Vodafone e ndonjë shtëpi botuese, kryeministri fyejti edhe njëherë shqiptarët se janë dembelë e nuk duan të punojnë. Sipas tij vetëm në panair ishin reklamuar 8000 vende pune, edhe pse nuk u ofrua asnjë shifër konkrete mbi pjesëmarrësit apo vendet që ofronin.

“Në gjithë sistemet është sponsorizuar dembelizmi masiv, është kultivuar dembelizmi masiv, mungesa e një sërë praktikash, mësimi profesional ka sjellë rënie drastike të krahut të punës, shkëputje mes ofertës dhe kërkesës, asaj ç’ka biznesi ka nevojë dhe tregu ofron. Janë në dispozicion 8 mijë vende të reja pune, kush do punë të vijë ta gjejë.” (Rama E., 2016).

IMG_20160430_145757Si për t’i shtuar edhe më fyerjes, asnjë nga mediat tradicionale nuk mbajti një qëndrim kritik ndaj kësaj deklarate fyese. Edhe pse ky kryeministër ka vite që fyen shqiptarët. E së fundmi në shembullin e tij vijon edhe kryetari i bashkisë së Tiranës që me kompleksin e një adoleshenti komenton djemtë që enden me makina në zonën e bllokut për të zënë ndonjë dashnore.

Në fakt kjo shfaqje e turpshme në panairin e të (pa)punëve ilustronte pikërisht qasjen e qeverisë ndaj problemit. Vodafone që kishte zënë thuajse 40% të katit të parë të panairit nuk ka asnjë vend pune të reklamuar në faqen e internetit, përveç vendeve për praktikë. Dmth. ishte thirrur për të financuar panairin. Ndërsa në panair kishin ardhur, edhe ndërmarrje shtetërore si p.sh. ALUIZNI i Artan Lames, që kishin vendosur ca flete gjasme për të marrë kontakte, të shtypura shkeleshko. Kur po në atë vend kryeministri dënoi e mallkoi elektoratin e tij se kërkojnë vende në administratën shtetërore, ngase janë dembelë.

2. Sidoqoftë, papunësia është një problem që nuk zgjidhet as nga kjo qeveri që premton lugë floriri dhe fyen shqiptarët, as nga ajo që mund të pasojë. Ndërkohë që qeveria e ka të vështirë të ndikojë mbi strukturën e tregut të punës, mund të përdorë dy instrumente kryesore për uljen e papunësisë: nxitjen e investimeve (kapitalin financiar), dhe nxitjen e arsimit profesional (ndërhyrje në kapitalin njerëzor).

Edhe pse qeveria mund të ndërmarrë politika për rritjen e investimeve në sektorë të caktuar, është e pamundur të parashikohen lëvizje drastike në tregun e punës në Shqipëri. Sidomos sa i përket konkurrimit me vendet e tjera. Por për këtë njerëzit duhet të sqarohen, e jo të gënjehen me shfaqje të turpshme, apo ca më keq të ofendohen.

Sipas një analizë të revistës Monitor me dhjetëra investitorë janë larguar nga Shqipëria, qoftë prej problemeve që kanë të bëjnë kryesisht me sigurinë (ligjore e të rendit), por edhe prej konkurrencës me vendet fqinjë. Siç shprehet Monitor, “investimet në Shqipëri, në dukje në vlerë të madhe, nuk kanë sjellë vlerë të shtuar dhe punësim. Më shumë se gjysma e tyre janë përqendruar në industrinë e nxjerrjes së naftës.”

Në analizë vërehen se investitorë kanë paraqitur kryesisht interes në industrinë e ndërtimit, energjisë dhe fasonëve. Investimet e huaja në fushën e energjisë nuk janë thjesht politika të brendshme. Që investitorë kinezë apo me lidhje me Rusinë nuk mbështeten në synimet e tyre në fushën e energjisë në Shqipëri, është afërmendsh, pse janë politika të pandikuara nga qeveria shqiptare, ose çështje të traktateve e strategjive të sigurisë kombëtare. Më tej, mbi të gjitha është Italia e interesuar që firmat kineze të mos vënë këmbë në Shqipëri për t’u shpëtuar kuotave të Bashkimit Evropian, duke njohur njëkohësisht kontrabandën dhe mungesën e sigurisë në kufi me Shqipërinë.

Ndërsa edukimi dhe formimi profesional kanë vite që kanë dështuar. Statistikat gënjejnë mbi numrin e regjistrimeve në shkollat profesionale. Një pjesë e madhe e shifrave të fryra janë faktikisht regjistrime në shkolla artistike apo të gjuhës së huaj dhe figurojnë në statistika si në arsimin profesional. Përveç se papunësia është rreth 7-10% edhe në individë me arsim të mesëm profesional (nëse do t’u besonim statistikave). Reforma në mësuesinë, që përbën bazën e çdo nisme të mëtejshme në arsimin parauniversitar, është përdorur për rokadën e radhës, punësim i individëve të lidhur me LSI dhe PS-në.

Nga ana tjetër sipas shumë autorëve, ndër ta edhe Erik Brynjolfsson (2015) në “Epoka e dytë e makinës…” (The Second Machine Age: Work, Progress, and Prosperity in a Time of Brilliant Technologies), teknologjia po ndryshon gjithnjë e më shumë natyrën e punës dhe po e zhvendos atë drejt automatizimit dhe robotizimit, duke zhdukur kështu më shumë profesione sesa është në gjendje të krijojë. Shqipëria që është në periferi të këtyre zhvillimeve do të vuajë pasojat duke qenë se ofron krahë të lirë të pune e të pakualifikuar me arsim të lartë.

IMG_20160430_150202Sipas Brynjolfsson (2015) janë vendet në zhvillim ato që do të ndikohen më së shumti nga automatizimi. Kostoja e krahut të punës nuk përbën më përparësi për investime në vendet në zhvillim, pasi automatizimi i mundëson firmave prodhimin me kosto të ulët.

E njëjta situatë e pasigurtë dominon sektorin e shërbimeve. Call Center, që reklamohen si punëdhënësit më të mëdhenj në Shqipëri, rrezikohen më së shumti dhe nuk duhet të jenë një investim afatgjatë për të rinjtë. Automatizimi i teknikave të transkriptimit, hedhjes së të dhënave, marketingut nëpërmjet telefonave, shërbimeve të sekretarisë në mjekësi, i proceseve të ndërmjetësimit të shërbimeve të ndryshme në sektorin e sigurimeve dhe atë financiar po tkurr gjithnjë e më shumë gamën e shërbimeve që ofrohen nëpërmjet Call Center (shih p.sh. Osborne M.; Frey C. (2013) ‘The Future of Employment: How susceptible are jobs to automation’.)

3. Shqipëria është vend i vogël dhe nuk i ka as burimet financiare, e as ato njerëzore të realizojë politika të mëdha e të habitshme në tregun e punës. Por kësi shfaqjesh si panairi i punës, kur shoqërohen me arrogancën e qeveritarëve, u duhen kursyer shqiptarëve. Patjetër që kryeministri dhe ministri nuk kanë se ç’të bëjnë në këtë vend të vogël, përveç se të gostiten me kësi festash. Por këto nuk mund të shiten si politika të mëdha, sikur u hapën 8000 vende pune me një panair. Për çdo shqiptar, të punësuar e të papunë, duhet të jetë poshtëruese që të fyhen për dembelizëm në një organizim, i cili nuk përmban asgjë përveç se simbolikës se qeveria po punon.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin