PARANOJË APO RIPARIM?

Mbi leximet paranojake dhe riparuese të artit socialist, ose, pse na vlen një lexim jo-dyshues i artit socialist

Këto ditë në Tiranë u zhvillua një konferencë te Muzeu Kombëtar me temën “Arti i periudhës socialiste midis përbuzjes, fetishizmit dhe tranzicionit,” organizuar nga Tirana Art Lab (një qendër për artin bashkëkohor) në bashkëpunim me projektin Heroes We Love. Më vjen shumë keq që nuk pata mundësi të jem në Tiranë për të ndjekur kumtesat që u prezantuan, por gjithsesi dua të përfitoj nga rasti të shtroj disa mendime mbi probleme metodologjike që i përkasin studimit të artit të periudhës socialiste (të paktën në historinë e artit ashtu siç praktikohet në Amerikë dhe në Evropën Perëndimore).

Tema e kësaj konference na kujton se sa ngulmuese është çështja e artit socialist jo vetëm në historinë e kulturës në vendet ish-socialiste por edhe për një histori globale të artit të periudhës pas-luftës. Sipas përshkrimit të konferencës, “konstruktimi i narrativave bashkëkohore mbi artin e periudhës socialiste përbën një nyjë të veçantë dhe unike, sepse këto narrativa shpesh herë materializohen prej faktorëve dhe aktorëve të huaj, jashtë botës së artit apo edhe jashtë konteksteve të ‘ish-Bllokut’. Është pikërisht për këtë arsye që folësit e përzgjedhur për këtë konferencë kanë patur dhe kanë lidhje direkte dhe intime me kontekstet në fjalë, si dhe eksperiencë të gjatë që mënjanon riskun e leximeve dhe interpretimeve ekzotike dhe jetërsuese.” Mendimet që dua t’i ofroj këtu janë në dialog të heshtur me temën e konferencës, sidomos për sa i përket nevojës për mënyra të reja të leximit dhe interpretimit të artit socialist.[1]

Kristaq Rama, Shaban Hadëri, dhe Muntaz Dhrami; Nëna Shqipëri; 1971-72; Tirana; beton.

Kristaq Rama, Shaban Hadëri, dhe Muntaz Dhrami; Nëna Shqipëri; 1971-72; Tirana; beton.

Disa prej leximeve dhe interpretimeve më “ekzotike dhe jetërsuese” janë ato që unë do t’i quaja ‘paranojake’ (sipas përcaktimit që ofron teoricienia Eve Kosofsky Sedgwick, i cili do të diskutohet më poshtë). Shkurt, këto janë lexime të cilat përpiqen të ‘depërtojnë’ përtej fasadës gjoja mashtruese të kulturës socialiste (e cila në këto interpretime shpeshherë është konsideruar edhe totalitare). Lexime dhe narrativa të tilla mund të zhvillohen jashtë dhe brenda konteksteve të “ish-Bllokut”; në varësi të ideologjisë sunduese në akademinë përkatëse. Pa diskutim që këto lexime janë të domosdoshme: na duhen interpretimet që i dyshojnë dhe hetojnë ideologjitë që nxisin artin dhe kulturën. Megjithatë, këto lexime shpeshherë përsërisin tamam qëndrimet që mbante sistemi socialist ndaj artit, qëndrime thelbësisht dyshuese (dhe në këtë sens edhe jetërsuese). Krahas këtyre lloj leximesh, atëherë, na duhet edhe një lloj tjetër leximi, i cili hap mundësitë për të kuptuar diçka vërtet të re në artin socialist. Leximet e këtij lloji mund të bien ndesh me dyshimin e shëndetshëm që ndjejmë ndaj politikave të sotme (qoftë shqiptare, qoftë globale), por mbase pikërisht për këtë arsye na duhet arti socialist, sepse ai mund të zhvillojë tek ne një mënyrë tjetër interpretimi të fenomeneve social-kulturore.

Shtysa tjetër—përveç konferencës në Tiranë—për mendimet që dua t’i shtroj këtu është një peer review që mora para disa muajsh në lidhje me një artikull që kisha dorëzuar për botim në një revistë akademike që botohet në një vend të ish-Bllokut. Artikulli trajton çështjen e varrezave të dëshmorëve në Shqipëri dhe në veçanti krijimin e monumentit Nëna Shqipëri në varrezat e Tiranës, dhe rreket të kuptojë ideologjinë e sistemit dhe arsyet se pse ky i kushtoi kaq shumë vëmendje krijimit të monumenteve të tilla. Peer reviewer-i anonim—edhe pse në përgjithësi e gjeti artikullin interesant—ngriti një pyetje për metodologjinë e analizës sime. Ai (ose ajo) shkroi se artikulli:

vërteton aftësitë e shkëlqyera të autorit në leximin e ngushtë të veprave të artit, sidomos në rastin e analizës formale të Nënës Shqipëri, ku takohen aspektet estetike, politike, dhe materiale. Por, besoj se ky [lexim i ngushtë (close reading)] është edhe dobësia [theksimi im] më e madhe e artikullit. Ajo që më shqetëson më shumë është se ky lloj leximi poetik i një arti që ishte tepër politik turbullon pozicionin e autorit të analizës. Disa herë është e paqartë nëse autori ofron interpretimet e veta të monumenteve apo nëse ai—në mënyrë prapavajtëse—u jep zë autoriteteve ideologjike të Shqipërisë socialiste […] Kjo mund të jetë arsyeja se pse ky lexim i ngushtë [close reading] (i cili nënkupton mungesën e distancës) nuk kënaq kërkuesin që ka patur një eksperiencë personale me realitetin komunist, [dhe me] retorikën e tij, e cila duhet të kapërcehet [… Ajo që duhet është] një analizë që shkon përtej interpretimeve të sistemit, në vend të afirmuar atë siç duket se bën artikulli disa herë.

Dua të theksoj se e respektoj shumë pikëpamjen e peer reviewer-it; në diskutimin e mëposhtëm nuk dua të tallem me këtë pikëpamje, as të lë të kuptohet se është një pikëpamje naive. Megjithatë, për shumë arsye mua më duket shumë problematike kjo kërkesë për një analizë që—në vend të leximit të ngushtë të veprave të artit socialist—thekson distancën mes kërkuesit dhe artit që analizohet.

Ajo që duhet në rastin e artit socialist, sipas peer reviewer-it, është leximi ‘paranojak.’ Meqë kjo fjalë mund të duket lexuesve tepër përbuzëse, dua të shpjegoj përdorimin e fjalës në këtë kontekst. Në librin e saj Touching Feeling: Affect, Pedagogy, Performativity,[2] teoricienia Eve Kosofsky Sedgwick përcakton dy lloj leximesh: leximet paranojake dhe leximet riparuese [paranoid readings and reparative readings]. Leximet paranojake janë pjesë e asaj që filozofi Paul Ricoeur e ka quajtur ‘hermeneutikën e dyshimit’ [the hermeneutics of suspicion], mënyra e të kuptuarit të cilën Ricoeuri e sheh si endemike në filozofinë e figurave si Nietzsche, Marx, dhe Freud. Këta të tre—dhe pasardhësit e tyre, të cilët janë pak a shumë themeluesit të kritikës estetike, letrare, shoqërore, dhe politike që praktikohet në Amerikë dhe në Evropën Perëndimore—ndërtuan filozofitë e tyre mbi hipotezën përgjithësuese të vetëdijes së rreme [false consciousness] dhe mbi metodologjinë e deshifrimit. Thënë ndryshe, ata menduan se fenomenet në kontekste të ndryshme (art, shoqëri, letërsi, etj.) fshehin diçka pas vetes që duhet zbuluar ose nxjerrë në dritë; për ata, bota është shpeshherë mashtruese, dhe njerëzit thelbësisht mashtrojnë vetën mbi karakterin e realitetit.

Kristaq Rama; Monumenti i Reformës Agrare; 1966; Krutje, Lushnjë; bronx.

Pra, kritika që zhvillohet nga filozofitë e Nietzsches, Marxit, dhe Freudit—e cila është, për të gjitha qëllimet praktike, e barabartë me konceptin e ‘kritikës’—është gjithmonë paranojake. Këtu, sipas Sedgwickut, ka një ironi të madhe, sepse kritika në fillim iu drejtua paranojës për të zbuluar gënjeshtrën e saj, por duke bërë kështu, ajo mori paranojën si metodologji. Që atëherë, kritika vepron kryesisht në mënyrë paranojake, gjithmonë në kërkim të domethënies të fshehur pas fenomeneve mashtruese.

Sedgwick shpjegon se paranoja është një ‘teori e fortë’ (duke marrë këtë koncept nga psikologu Silvan Tomkins, i cili ka shkruar shumë për teoritë e afekteve [affect theories]).[3] Si teoritë e forta, teoritë ose kritikat paranojake janë sa më shpjeguese—tepër shpjeguese në fakt, sepse paranoja hiqet sikur mund të shpjegojë gjithçka. Teoritë e forta argumentojnë se mund të shpjegojnë çdo fenomen, sado heterogjen, kompleks, apo i shpërndarë të jetë fenomeni. Kjo është ‘fortësia’ e këtyre teorive. Për këtë arsye, teoritë paranojake janë edhe paraprake, në kuptim që në asnjë mënyrë nuk e pranojnë të kapen në befasi. Teoritë e forta dhe paranojake (siç janë filozofitë e Nietzsches, Marxit, dhe Freudit, dhe metodologjitë kritike që rrjedhin nga ato) duan të shmangin me çdo kusht të qenit pre e një mashtrimi, prandaj ato ia kushtojnë të gjitha përpjekjet vënies në dukje të çdo gjëje që ‘fshihet’ pas mashtrimit. Thënë ndryshe, teoritë paranojake janë ‘gjithmonë gati’: nuk ka asnjë fenomen që mund t’i shpëtoj syrit shqiponjë të teorisë së fortë.

Ngjashmëritë mes teorive të forta paranojake dhe qëndrimit që mbante sistemi socialist në vendet ish-socialiste si Shqipëria nuk janë për t’u habitur, por mbase është për t’u habitur sesi qëndrimet paranojake të ish-sistemit (për shembull, në lidhje me çështjet kulturore) sot përballohen me një paranojë tjetër, ajo e historisë kritike, e analizës kritike të së shkuarës. Kjo, mendoj, është pikëpamja e peer reviewer-it tim. Ai (ose ajo) kërkon një analizë më ‘të fortë’ të artit socialist të Shqipërisë, një analizë më zbuluese ose demaskuese: “një analizë që shkon përtej interpretimeve të sistemit, në vend që ta afirmojë atë.” Për peer reviewer-in, interpretimet e autoriteteve socialiste mbi artin socialist (në këtë rast, mbi artin e realizmit socialist) janë thelbësisht të rreme dhe mashtruese, dhe duhet të depërtojmë matanë sipërfaqes së kulturës socialiste, për të zbuluar ideologjitë, politikat, dhe dëshirat që fshihen pas kësaj sipërfaqeje.

Jam dakord që ndonjëherë na duhet një lexim paranojak i artit socialist, një lexim demistifikues dhe demaskues, një lexim që shkon matanë pretendimeve të demagogëve të sistemit socialist për të zbuluar motivet e tyre. Por, në fund të fundit, ky është një lexim vetëshërbyes: ai na mbron nga sikleti i të qenit të mashtruar nga propaganda e artit socialist, nga propaganda e sistemit. Në lexime të tilla të artit socialist, nuk befasohemi asnjëherë sepse dyshojmë gjithçka. Jemi të fortë sepse nuk mashtrohemi, dhe kapërcejmë ish-sistemin sepse jemi më të fortë sesa ai, më të përgatitur me teoritë tona zbuluese.

Por, pikërisht për këtë arsye, besoj se edhe mësojmë shumë më pak; thënë ndryshe, mësojmë vetëm atë që ishim përgatitur të mësonim: që arti i sistemit ishte propagandë, që jeta socialiste nuk ishte aq e bukur sesa na duket nëpër pikturat e realizmit socialist, që prodhimi nuk ishte gjithmonë në rritje, etj. Ndërkohë kemi humbur pak nga pak mundësinë e të qenit vërtet të prekur nga arti socialist, dhe bashkë me të edhe mundësinë për të kuptuar sesi do të ishte të besonim në këtë art.

Kjo aftësi për t’u prekur nga arti socialist, për të besuar në këtë art qoftë edhe për një kohë të shkurtër, është e domosdoshme për historianët e këtij arti. Mund të jetë një aftësi më e nevojshme tek historianët që nuk e kanë përjetuar socializmin, sesa tek ata që kanë eksperiencë direkte me atë sistem, por gjithsesi është e nevojshme. Pra, përbri leximeve paranojake, na duhen edhe leximet ‘riparuese’, siç i përcakton ata Sedgwick. Leximet riparuese përkojnë me teori që Silvan Tomkins i ka quajtur ‘teoritë e dobëta’ [weak theories].[4] Këto teori nuk merren me vërtetësinë apo falsitetin e fenomeneve, as me krijimin e vigjilencës tek lexuesi; përndryshe, ato pranojnë cenueshmërinë e lexuesit, pranojnë që mund të mashtrohemi si lexues. Në vend të dyshimit të kudogjendur, teoritë e dobëta ushtrojnë lehtëbesimin tek lexuesi apo tek analizuesi. Nga teoritë e dobëta, mund të zhvillojmë leximet ‘riparuese’: lexime dhe interpretime që na lënë të hapur të befasohemi, të gënjehemi dhe të zhgënjehemi, të plagosemi emocionalisht. Leximet riparuese merren më shumë më sipërfaqen, sesa me thellësinë e fenomeneve, sepse nuk kërkojnë ta vënë në dukje këtë thellësi siç bëjnë leximet paranojake.[5]

Shtysa riparuese, sipas Sedgwickut, është “shtesore dhe kultivuese” [additive and accretive]; ajo “synon të grumbullojë dhe t’ia japë plotësinë një objekti që pastaj do të ketë diçka t’ia ofrojë një subjektiviteti të pazhvilluar ose të sapo-zënë fill.”[6] Thënë ndryshe, leximet riparuese duan të forcojnë objektet e tyre (në rastin tonë, objekti është arti i periudhës socialiste)—në kundërshtim me leximet paranojake që duan me çdo kusht t’i ligështojnë objektet e tyre. Leximet riparuese duan të gjejnë tek objektet e tyre diçka tek e cila mund të kemi besim, diçka që mund të dëshirojmë, diçka që mund të duam [something that we can ]. Më duket se këto lloj leximesh na vlejnë shumë sidomos në rastin e artit socialist (dhe më duket se kjo është pikërisht domethënia e emrit të projektit ‘Heroes We Love’).

Dëshira për të ‘riparuar’ artin socialist, ose të paktën trashëgiminë e këtij arti, mund të jetë një lloj fetishizmi—por mbetet një fetishizëm i nevojshëm, të paktën për historianët e artit, dhe besoj për çdo studiues të kulturës. Pa këtë fetishizëm, do të gjejmë tek arti socialist vetëm atë që dyshojmë se ekziston aty: propagandë, mashtrim, vetëdije të rremë [false consciousness]. Thënë ndryshe, do të përsërisim qëndrimet e sistemit socialist, qëndrimet e sistemit politik të sotëm shqiptar, i cili e sheh të kaluarën socialiste me dyshim. Ja pse na duhen leximet riparuese të artit socialist: të lejohemi t’i bindemi atij arti, por edhe t’i shtojmë diçka atij, të gjejmë atje diçka që nuk e kishim parashikuar.

[1] Patjetër që mendimet e mia nuk duhen marrë si fjalë e fundit; edhe pse kam studiuar shumë artin socialist, nuk pretendoj të jem ‘ekspert’ në këtë fushë. Thjesht kam dashur t’ia shtoj diçka bisedës që u zhvillua në Tiranë. Më tepër, pikëpamja ime është e një amerikani, dhe roli që luan arti socialist në narrativat e historisë së artit në Amerikë është doemos i ndryshëm nga ai që luan në Evropë, dhe në vendet të ish-Bllokut. Pra, studiues të vendeve ‘ish-Lindore’ mund të mos i gjejnë me vend ndërhyrjet e mia metodologjike.

[2] Touching Feeling: Affect, Pedagogy, Performativity (Durham, NC: Duke University Press, 2003), f. 123-151.

[3] Sedgwick, f. 133-136.

[4] Sedgwick, f. 134.

[5] Politika kulturore në Shqipërinë e sotme, për shembull, ushtron trysni mjaft të forta dhe paranojake mbi të shkuarën: kjo shihet te muzeumet dhe hapësirat si Bunk’Art, të cilat e kërkojnë më shumë se çdo gjë tjetër zbulimin e sekreteve të ish-sistemit.

[6] Sedgwick, f. 149.

Rreth Autorit

Raino Isto po mbron një PhD në Universitetin e Maryland-it, College Park, duke punuar kryesisht në monumentalitetin dhe ndërtimin e kujtesës në shtetet e Ballkanit, gjatë viteve të socializmit. Një pjesë e madhe e kërkimeve të tij janë përqendruar në Shqipërinë socialiste dhe në ndriçimin e domethënies globale të realizmit socialist gjatë periudhës së Pasluftës. Disa shkrime të tij tani së voni merren me teoritë ekologjike në artin kinez bashkëkohor. Ai blogon dhe arkivon në afterart.org.

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin