TEATRI I HIJEVE

Nëse, siç jam përpjekur të vë në dukje në dy shkrimet paraardhëse, çmenduria është një shkallë më lartë se idiotësia, dhe dija është një gradë më lartë se çmenduria, atëherë përfundimi logjik, edhe pse kundërintuitiv në dukje, është se idiotësia është një gradë më lartë se dija.

Që të kuptohet më qartë ky qark i shkurtër i cili është në funksion të matjes së realitetit, po përpiqem ta imagjinoj sikur të ishte fusha rrethore e një ore e cila është në funksion të matjes së kohës, ndërkaq, duke besuar se duhet hapur dhe duhet ndaluar për një çast ky qark i shkurtër me anë të një vegle që mund të quhet sipas Kadaresë, “intermexo e fshehtë”. Në mungesë të këtij zbërthimi, apo dekonstruksioni si kanë qejf ta quajnë francezët, do të përsërisnim trajektoren e gabuar të të parëve brez pas brezi, ashtu si akrepat përserisin orë pas ore trajektoren e tyre të mërzitshme.

Patriarku

Patriarku

Ajo që vihet re në këtë “krisje në zemër të Kohës,” siç e quan Jacques Rancière, apo në këtë distancim brehtian mes orëve të ndalura dhe rrjedhjes absolute të kohës, apo mes këtyre tre termave gjuhësorë dhe realitetit, është në thelb dallimi fiktiv mes ndjenjës dhe gjestit. Kështu që edhe pse imperativi kategorik në fjalë është fiktiv dhe si i tillë në mbretërinë e idiotësisë, është i nevojshëm përderisa marrëdhëniet me tjetrin udhëhiqen në rradhë të parë nga shfaqja e jashtme dhe pastaj nga qëllimet.

Ndjenja dhe gjesti, mërzia dhe mëria, janë në thelb të marrëdhënieve reciproke të individit me shtetin, ku pavarësisht faktit që mërzia është aq private, neutrale, apatike dhe e pavendosur sa vetë ekzistenca individuale, mëria është ai gjest dialektik ndaj mërzisë shndërrimi i të cilit në një festë budallenjsh apo vaj të përbashkët publik është themeli i institucionit shtetëror.

Kështu psh, mëria e Aklit ndaj trupit të Hektorit është gjesti privat që shpreh mërzinë e tij ndaj vdekjes së Patroklit në fillim të librit 24 dhe jo 22 si thotë kryeakademiku Kadare, ndërkohë që mëria e Kreonit ndaj trupit të Polinehut është gjesti publik që shpreh mërzinë e diktatorit me anë të shndërrimit të anomisë në ligj. Muret e Tebës të Polinehut lënë pa varr si shembull ndaj dezertorëve, nuk janë gjë tjetër përvecse muret e Trojës “kryengulthi”, ashtu si i sheh Hektori i tërhequr zvarrë në intermexon e fshehtë të Lul Mazrekut.

Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut gjestikulon më qartë se çdo vepër tjetër origjinën moderne të novelës tragjike shqiptare. Gjyqtarët e Hagës të dërguar për të gjetur zanafillën e një krimi të diktaturës, nuk u treguan asnjëherë shpërfillës ndaj dallimit lehtësues mes mërzisë dhe mërisë, përkundrazi, “kishin pritur që të dënuarit ta përdornin teatrin si rrethanë lehtësuese sa herë që binte fjala për idenë fillestare të krimit.”

Loja e Lul Mazrekut, aktor teatri dhe roje kufiri, është parada e trupit të Hektorit, marifet teatral i sugjeruar nga diktatori, i cili në pamundësi për të gjetur rrugën ligjore, i pohon ministrit të brendshëm që ata që arratisen e bëjnë për ta mërzitur. Mërzia personale këtu është rregulli që shpreh gjëndjen e jashtëzakonshme në terma të zisë kombëtare.

Diktatori justifikohet jo në bazë të ligjit të shkruar, por në bazë të një nevojshmërie politike për një unitet të palëkundur në mbrojtje të kufinjve, qoftë edhe prej të arratisurve. “Gjesti i Antigonës, që ligjit të shkruar i vuri përballë agrapta nomina [ligjin e pashkruar]” thotë Giorgio Agamben duke folur për gjendjen e jashtëzakonshme si paradigme të qeverisjes, “është kthyer kryengulthi dhe pranuar në mbrojtje të urdhërit të kushtetuar.” Analogjia e gjendjes së jashtëzakonshme me novelën tragjike Kadareiane ia vlen të citohet fjalë për fjalë.

Ky unitet, pra, që duhet arritur me cdo kusht e për të cilin nuk mjafton ligji i shkruar, gjen forcë tek dekretimi publik shabllon i gjendjeve private të diktatorit, tek klonimi i shumefishuar i tij televiziv, apo tek shpërndarja e buzeqeshjeve dhe mërzisë nga kipçi i tij dhe ai vetë, si dhe tek padiskutueshëria e diktateve të tij regjizoriale.

(Ndërkaq, është mirë që teorinë politike të gjendjes së jashtëzakonshme, të shtruar nga Agamben, ta kuptojmë të artikuluar si rreziku i menjëhershëm i shndërrimit të demokracisë në diktaturë, ku vlen të përmenden tre tema aktuale të nxehta, hyrja në NATO, ruajtja e gjendjes së jashtëzakonshme nëpërmjet ligjit të lustracionit dhe të qëndrimit prej Kreoni ndaj të ashtuquajturve “kolaboracionist” si dhe pezullimi procedurial i Kushtetuës prej Gjykatës së Lartë në çështjen Basha pavarësisht faktit që kjo Kushtetutë qëndron. Këtu nuk ka vlerë qëndrimi i rojeve në kufij të kushtetutës parballë shpërthimit dhe furtunës të shpirtit të shfaqur me anë gjestit të dyanshëm të orëve të mira dhe të liga të Antigonës, pasi “oh, kjo fjalë [roje] i avitet shumë pranë vdekjes.” Duke vënë në dukje karakterin e zisë gërdecare të hyrjes në NATO, si dhe e kundërta nëpërmjet orkestrimit festiv të mrekullisë siguruese të kufijve ndërkohë që duhej reflektuar mbi zinë që kjo mrekulli armësh mbart, apo duke vënë në dukje karakterin e zisë vëllavrasëse gjatë festivitetit të nëntorit dhe karakterin festiv të vrasjes së vëllezërve kolaboracionistë, “ligji dhe anomia,” thotë Agamben, “shfaqin distancën dhe njëkohësisht solidaritetin e tyre sekret.”)

Megjithëqë Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut është e hijeshuar ngado me makthin e ëmbël incestual të Antigonës, megjithëqë hija e përmbysur e Hektorit nuk është vecse Polinehu, megjithëqë rreziku prej terrorit që ngjall Hektori dezertor është preteksti për të nderuar njërin dhe për të çnderuar tjetrin, Kadareja, ky mësues injorant i shqiptarëve, nuk flet përveçse kryengulthi, ku e sotshmja shfaqet si hije e së djeshmes, dhe e djeshmja si hije e së sotshmes.

Kështu, Lul Mazrekun e vret një njeri me maskë gjatë një intermexoje të fshehtë të procesit gjyqësor demokratik. Loja e Lul Mazrekut është hije e vdekjes së tij po aq sa vdekja e tij është hije e lojës së tij. Ndërkaq jeta dhe dija nuk është veçse lojë idiotësh.

Por ç’është ky mësues idiot që shpall thelbin e njëjtë të veprës dhe gjestit? Mos ndoshta legjitimiteti i shtetit nuk mund të jetë i bazuar përvecse në teatër? Mos ndoshta duhet të kemi një mësues idiot, si ia bën të qartë i biri Kreonit, në mënyrë që të kemi një spektator të emancipuar? Mos ndoshta është më mirë që këto pyetje të mos kenë një përgjigje të vetme?

Vetëm duke bërë këtë dallim fiktiv mes veprës dhe gjestit, do mund të jemi në gjëndje të kuptojmë se ç’do të thotë emancpim dhe të mund të lejojmë më shumë se një përgjigje të vetme. Ndjenjat e shfaqura dhe te ngjallura nga një shfaqje, nuk mund të jenë kurrsesi të njëjtat ndjenja që zotëron në privatësinë e tij ai që jep shfaqjen. Teatri, ashtu si poezia, nuk mund të kenë për autor vetëm autorin e tyre, por edhe lexuesin. Gjesti i autorësisë së teatrit, apo edhe i shtetit, nuk mund t’i përkasë vetëm një pjesëmarrësi kolektiv, por çdo individi.

Tragjedia e Lul Mazrekut është tragjedia patriarkale e gjendjes së sotshme shqiptare. Me gjithë hijeshinë familjare të Antigonës, Vjollca Morina, personazhi femëror i kësaj tragjedie, nuk është veçse një si tip Izmene e nënshtruar që vazhdon e feston 8 marsin kur duhet të vajtojë. Kadareja bën kujdes të tregohet përkthyes i plotë i Sofokliut gjithsesi kur kthen kryengulthi Antigonën tek Vjollca.

Pasi Vjollca, spiune e shtetit, mëson se dy motra dhe një vëlla janë arratisur, se motrat kanë shpëtuar e ndërkaq kërkojnë kufomën e vëllait, në antitezë totale me Antigonën vendos se do e spiunonte Lul Mazrekun, të cilin e dashuron e që i kujton të vëllanë. Sikur të dyshonte pra se kishte ndërmend të arratisej, do t’ia rrëmbente mortjes e do t’ia falte burgut, në mënyrë që më pas të gëzonin bashkë lirinë, e cila mund të jetë e mrekullueshme vetëm po qe e siguruar nga vdekja.

Ndërkaq, si dje, dhe sot, Andromakat janë pa zi. Mungojnë Ajkunat dhe Antigonat. Mungojnë nënat dhe motrat, që ashtu si hijet gjatë një intermexoje të fshehtë me vaj të ndalojnë Orët.

Në mungesë të një Antigone që do i shërbente mbretërisë së hijeve, teatri i politikës shqiptare, e madje dhe i politikës globale, është i destinuar të vërë në pjedestal jo regjimin e popullit, por regjimin e burgimit për së gjalli që ushtron patriarku Kreon.

Ashtu si në thelb të diktatorit është pavendosshmëria që i sugjeron Iliadën ministrit e në thelb të çdo shkaku është injoranca e pasojave, ashtu dhe në thelb të çdo gjesti është pavendosshmëria e mërzisë.

Mirëpo, nëse kjo pavendosshmëri është aq e çmendur sa të luajë me gjestet e dijes, atëherë dija duhet të jetë aq e çmendur sa të luajë me gjestet elitare dhe njëkohësisht popullore të idiotësisë. Përndryshe fjala, besa, e lartësuar në gjak, i avitet shumë pranë mortjes. E ky mort duhet respektuar deri në fund, e ndoshta thjesht me një mëri që duke ngritur zërin gjen heshtjen, duke protestuar paqen.

30 Komente

  1. Nëse, siç jam përpjekur të vë në dukje në dy shkrimet paraardhëse, çmenduria është një shkallë më lartë se idiotësia, dhe dija është një gradë më lartë se çmenduria, atëherë përfundimi logjik, edhe pse kundërintuitiv në dukje, është se idiotësia është një gradë më lartë se dija.

    Nuk e di sa e nevojshme eshte t’a them une kete, por thenia e mesiperme nuk eshte as llogjike, dhe as intuitive. Eshte thjeshte e pakuptimte. (mos u perpiq te me provosh te kunderten)

    Por le t’i kthehem dy shkrimeve te para qe mendoj se i kam kuptuar. Fillimisht (ne shkrimin e pare) mendova se kur ishe duke kerkuar te “cmendurin” po kerkoje ate qe na mungonte jo ate qe gjendet me shumice, dhe qe nuk na nevojitet. Kujtova se ishe duke kerkuar te “cmendurin filozofik” te gatshem per te duruar cdo gje ne emer te vyrtytit dhe jo te “cmendurin letrar” – qe per hir te se vertetes, sikurse e paraqet edhe shkrimi i Xha Xhait, eshte shume me i larmishem dhe me i kobshem ne realitet. Pra na duhet i cmenduri qe rend pas dhimbjes ne emer te vyrtytit – jo i cmenduri qe rend pas defrimit. Kesi te cmendurish qe rendin pas defrimit shume pak vete e vene ne dyshim qe i kemi tashme ne krye te hierarkise politike dhe shteterore. Atyre sikurse ne shkrimin tend u levrijne hormonet dhe u ngrihet adrenalina kur kujtojne veprat qe kryejne, veteshpallen jo vetem mbreter te Spanjes, te Natos dhe gjthe globit duke shkruar dhe kritikuar strategji zgjerimi dhe gjeopolitika, por as qe nuk u duket paradoks ta krahasojne veten me Obamen apo me Sarkozin. Kete lloj sic thashe e njohim shume mire.

    Por ku eshte ai i cmenduri, qe megjithese i ka te gjitha mundesite te mos e beje, sakrifikon ne emer te idealit, te vyrtyti, apo te se vertetets nese te pelqen? Thjeshte te tregosh me gisht te keqen nuk mjafton per te imagjinuar te miren, sepse e keqja eshte pikturuar aq larmishem, kurse e mira nuk duket gjekundi. Ke ndonje gje per te thene per idiotin filozofik?

  2. “Ke ndonje gje per te thene per idiotin filozofik?”

    Ujk, po une e thashe e ti nuk e pranove. The se nuk eshte as logjike e as intuitive, por thjeshte, e pakuptimte. Une me shume se aq nuk kam ca them ne lidhje me idiotin filozofik. Mbetet te perseris vetem qe fjala, qe te mos i afrohet vdekjes, duhet te mbese ne mbreterine e fjaleve, nderkohe qe si dhe kam aluduar me lart, akti i vertete nuk mund te mos jete gje tjeter pervecse nje hap me prane vdekjes, sa do funeber e i ngadalte ky hap.

    1. ( ç > i dhe d > ç atehere d > i )* quhet thjeshte pohim fals, kur jep testin per te marre diplomen e pjekurise. Kurse ti fare mire mund te kishe thene se d > i dhe ne do duhej ta pranonim pa vertetim ne shenje besimi. Ne te kunderten ti do duhej te provoje se pohimi yt eshte nje e vertet absolute, sic mund te jete p.sh. e verteta per zotin. Po atehere Xha Xhai do ta klasifikonte kete lloj pohimi tek profkat.

      * ç = i çmendur; i = idiot; d = dija

      1. Shenja e besimit ka shume me teper vlere se sa mund te duket ne sy te pare ne kete rast, packa se mund te jete besim i kerkuar dhe jo i autorizuar. Logjika formale nuk ka vlere ne barazine e paraqitur nga qarku i shkurter, pasi keto tre terma te barazvlefshme nuk jane percaktojne objekte, por subjekte. Faktikisht eshte edhe nje varg i Antigones qe flet rreth kesaj barazie, dhe qe mua me duket se ka vlere ne perkthim te lire po aq sa ne perkthim zyrtar, ne mos me teper, e qe i thote Kreonit:

        “Nderkaq, nese per keto vepra budall me mendon,
        ndoshta nje budall eshte ai qe keshtu e gjykon.”

        E njejta duhet te vleje edhe per dijen dhe cmendurine, pasi duke qene se te treja jane terma subjektive, qe nuk duhen perdorur kurrsesi me arbitraritet, pasi si thua, do ishte profke.

        E sa per te miren, nese nuk eshte kjo barazi e palogjikshme subjektesh, atehere ajo eshte thjesht e paimagjinueshme, apo ne qofte e imagjinueshme jashte kesaj barazie, ky imazh nuk do te ishte vecse iluzion.

        1. “Pra na duhet i cmenduri qe rend pas dhimbjes ne emer te vyrtytit – jo i cmenduri qe rend pas defrimit. Kesi te cmendurish qe rendin pas defrimit shume pak vete e vene ne dyshim qe i kemi tashme ne krye te hierarkise politike dhe shteterore.”

          Ka dhe dicka tjeter ketu qe e keqkuptuar pak e qe shkon direkt e ne “krisjen ne zemer te kohes”. Kete, Ranciere e shpjegon duke kthyer permbys shperndarjen platonike te kohes. Eshte ideja se artin, defrimin, mund t’a bejne vetem njerez qe kane kohe, nderkohe qe pjesa tjeter e shoqerise e kalon te dielen duke u karikuar per te nesermen ne pune, e nuk kane kohe per t’u defryer. Keshtu qe nuk eshte se na duhet i cmenduri qe rend pas dhimbjes, pasi dhimbja eshte e dhene kur pas defrimit rend vetem nje dore e ngushte njerezish, por pikerisht te cmendurit qe rendin pas defrimit. Mbreterit e Spanjes qe permend, qe nga Obama deri tek Berisha, nuk jane te veteshpallur te tille, por leviathanet e zgjedhur per te perfaqesuar dhimbjen e anonimatit. Nese anonimati do te rendte pas defrimit te cmendur ala Gogol, nese anonimati pra do te fillonte t’a shpallte veten Mbret i Spanjes duke rendur keshtu pas defrimit, ndoshta dhe te zgjedhurit per te perfaqesuar defrimin e ketij anonimati do te rendnin pas nje pune reale qe dhe do sillte nje dhimbje te dobishme.

          1. Nuk e shef barazimin me verte? Te thuash psh, ekzekutivi/cmenduria justifikon legjislativin, legjislativi/idiotesia justifikon gjyqesorin dhe gjyqesori/dija justifikon ekzekutivin, nuk te duket se krijon nje qark te shkurter prej tre termash te barabarte? Pervec kesaj i kam dhene edhe spin te kundert dhe kam vene ne dukje shnderrimin e cmendurise ne dije (gjykatesi/superorganizmi), dijes ne idiotesi (diktatet teatrale/tallja vajtuese me to), dhe te idiotesise ne cmenduri (vetvrasja/vetvendosja). Mosbarazine mes ketyre tre termave nuk mund t’a pranoj pervecse si dogmatike. Kjo eshte e gjitha. Ne mos bujrum, sill nje argument kunder barazise se ketyre tre termave?

            1. Me ngjan se paragrafi i pare i “Teatrit” eshte provuar disi me sjelljet e femijeve. Ata qe dine hilet, genjejne, jane me inteligjente e zgjidhin me mire testet. Gjithmone duke menduar se femijet dijne hem dijen hem dicka tjeter plus por atyre nuk u eshte mesuar ende, e vete nuk kane si ta thithin, rendesia e thenies te se vertetes e vetem te vertetes. Ngjeshni nje faqe te fytyres mbas xhamit e kruani veshin e asaj faqeje. Kete, sado budallallek qe duket, do ta beni duke cuar doren nga mbrapa kokes.
              Pohimi i Lulianit linearisht duket i qendrueshem por po i vendose ato pikat ne nje rreth per tu afruar me prane formes e permbajtjes tokesore te gjerave, varet nga e sheh, e c, i, d, do te dalin me lart a me poshte, por gjithmone njera mbas tjetres ne kohe. Keshtu, mjere bicikleta dhe shpikesi i saj qe kur dolen avulloret e mandej. Ky eshte rasti klasik ku vec te tjerash c, i, d, ne gjykimin njerezor ka nderuar rolet.
              “Teatri, ashtu si poezia” – shkruan Lulian; nje sugjerim: Teatri, ky bir i poezise. Eshte normale, dhe shkon me titullin. Njeriu, beri fjalen e me te poezi, me poezine fjale, e i ndergjegjshem per fuqine e pamase qe keto zoteronin, zbriti (cuq hipi) ne skene personazhet, hijet e njerezve, krijoi ate bote ireale apo “ireale” quaje.
              Nje njeri ne nje kohe te dhene mund te jete ne te tri pozicionet (legjislativ, ekzekutiv, gjyqesor) vetem ne vetvete, ne mendime e veprime qe prekin dukshem ate e askend tjeter. Vete Ali e vete Kadi, ndodh por prape do nje dore ndihme. C, i, d, ndodhen si brejtesi ne ate lodren e vet ne kafaz, qe mund te rrotullohet sido e te gjendet gjithnje ne te.
              Duke e mbyllur, mbase, duhet te kerkoni ate qe secili prej jush kerkon, jo tek nje njeri, jo tek nje lemi, bile sic u a kam shkruar ketu me poshte por ore me pare, mbase nuk duhet ta kerkoni fare ne mish e gjak, por ne biseden, dialogun a komunikimin midis frymoresh, gje te cilen ju nderkaq e deshmuat.

            2. Lulian, arti si defrim ti duhet ta dish mire qe eshte dekadenca e artit. Nderkohe rendja pas defrimit si shfaqje e mungeses se vyrtytit, konsiderohet si mungese e ketij te fundit (vyrtytit) si tek njerzit e thjeshte ashtu edhe tek ata qe synojne pushtetin. Ajo qe thua ti se u dashkan te nderrohen rolet, pra njerzit e thjeshte te rendin pas defrimit kurse pushtetatret vetem te sherbejne, eshte sofizem.

      2. Ky është një arsyetim matematik që edhe vetë Goedel do ta kish pasur zili! E vërteta është se ç < i; dhe ç < d. Me këto të dhëna të pakta, nuk kemi mundësi të ndërtojmë një raport të drejtë, përsa i përket i dhe d. Ndoshta i = d, ndoshta jo… këtë nuk kemi si ta vërtetojmë… Kam idenë se ç <<< d, duhet marrë si aksiomë themeltare e sistemit, pa vërtetim dhe nga kjo të nxjerrim konkluzionet përkatëse! Plus që në matematikë, nuk ka të vërteta absolute. Kjo i detyrohet ekzistencës së pohimeve që nuk janë as të vërteta, as të rreme. Këtë e vërtetoi ai tipi që përmenda më lart. Këto shërbejnë si një “buffer zone” mes së vërtetës dhe të rremes… kam përshtypjen. Të sjell një shembull: ” -A- është një pohim. -A- është një pohim i pavërtetueshëm!” Hë, si do t’ia bëjmë kësaj?

  3. Ishin dy udhetare te mencur; e kete e parathemi, me mendjen se mencuria matet ne fjalet dhe jo ne veprat; e keta dy udhetaret fati dhe Shiroku na i kishin ndare nga karvani, duke mos u lene gje tjeter vetem se nje shakull te vjeter, gllenqkat e fundit te ujit prej te cilit, atij qe i piu – i dhane perteritje. Kete perteritje, udhetari i mencur, gjykoi se duhet ta pasonte dhe tek shoku i vet i udhes; dhe ashtu beri. Nisi te fliste me bindje e pasion, per kthjelltesine e ujit te oazit qe do tu dilte perpara, per gjithe ngjyrat e botes qe do te thyenin koken mbi siperfaqen e tij e bimesine e dashur qe do ti peruleshin me nderim rreth e perqark.
    Me Shirokun mbas shpine e keto fjale ne koke, udha u be me e lehte per dy udhetaret tane, por ai qe degjonte – edhe pse nen diell – i kthjelluar, i thote shokut te vet se ne nuk ka cna duhen ujra te tilla, sepse mirazhe ka ngado qe te shohesh, por ne na duhet uji, uji i pijshem, per te mos vdekur etjeje, e per te shuar urine.
    Nuk dihet mbas sa kohesh udhetaret tane e gjeten oazin, prane te cilin paten kujdesin qe jo vetem te pinin, laheshin e freskoheshin, por edhe te mbushnin shakullin e vjeter, nje shakull te ri qe e blene aty prej nje tregtari nga Damasku, i cili plasi deri ne mos ju shiti dhe dy shakullushka te vogla, nga nje per shok, te cilat i mbushen gjithashtu.
    Une i takova dy udhetaret ne brigjet e Mesdheut, duke lagur kembet e duke pritur anijen. Pyetjes suaj se cu be me gamilet, nuk di ti pergjigjem, por te dy udhetaret kishin me vete nga nje kale arab, per te cilet pretendonin se kishin nga nje brinje mangut. Sikur ta thone kete brockull me te zbritur, gjindja o do ti talle, do tu thote: ata me derrase mangut, o do ti meshiroje, do te thote: i ka shapllamosur dielli.

  4. ””’në thelb të çdo shkaku është injoranca e pasojave, ashtu dhe në thelb të çdo gjesti është pavendosshmëria e mërzisë.””’

    Shkak-pasoje eshte zgjidhja qe ne i japim rrethanave ku nuk ka as shkak e as pasoje, por ka vetem nevoje per te gjetur shkakun. Duke qene se pasoja detyrimisht behet shkak ashtu edhe shkaku eshte pasoje.
    Linja eshte e thjeshte, shkak->pasoje=shkak->pasoje=shkak->pasoje……….

    Jane pasojat ato qe kerkojne dhe gjejne shkakun…. Hitleri vrau miliona hebrej = pasoje… Kerkojme e gjejme shkakun; Hitleri ishte i cmendur.

    Ne thelb te cdo shkaku eshte nevoja e pasojave per tu kuptuar. Per te njejten pasoje, jepen shkaqe te ndryshme. Unike/absolute eshte pasoja, i shumellojshem /relativ eshte shkaku. Kjo ne fakt e ben edhe boten te bukur e zhvillon po ashtu edhe dijen,sepse ky paradoks( pasoja eshte absolute si pasoje, por duke qene se kthehet ne shkak-meqe sjell pasoje tjeter- atehere kthehet ne relative) i ben njerezit te vrasin mendjen dhe te mos absolutizojne dijen. Dija absolutizohet kur pasoja unike ka shkakun unik(hipotezat zhduken per ti lene vend teoremes).
    Zoti eshte kulmi, pasoja eshte njehsuar me shkakun, nuk ekziston as njera e as tjetra. Zoti e ben sepse eshte i mire, eshte keqkuptimi me i madh i se vertetes absolute, pasojes i jepet nje shkak(zoti si i mire), Zoti rrezohet nga piedestali per tu lejuar njerezve ta kopjojne e te behen me te mire.

    Reale ne natyre eshte kenaqesia, merzia eshte kunderpesha qe i jep ekzistenca e logjikes. Nje kafshe nuk e njeh fare merzine (marr(e)zine).
    Merzia eshte mema e marrezise, keshtu nuk mund te jete ne thelb te cdo gjesti.
    Ndersa dija vjen nga mosdija, drita nga erresira, racionalja nga irracionalja,dmth ‘e mira’ nga e keqja, tek kenaqesi(mire)- merzi(keq) kemi qe merzia vjen nga kenaqesia,dmth e keqja nga e mira.
    Normalisht filozofet i kane ndjenjur besnike, merzise si e mira, populli jo, megjithese nje njeri qe qesh shpesh quhet budalla,siperfaqesor etj. dmth keq.

    Kenaqesia eshte realja,shtysa , thelbi i cdo gjesti, merzi quhet mungesa e kenaqesise.
    Diktatori i shtyre nga mungesa e kenaqesise, ben gjeste prej te pakenaqurish, te cilat jane zakonisht te dhunshme(perfshire cmendurine tende), sepse i pakenaquri
    fut ne pune logjiken e cila te shtyn ne dhune.

    Ti logjiken dhe inteligjencen i quan cmenduri vetem sepse nuk nenshtrojne dot natyroren, te cilen e quan me plot gojen cmenduri. Por si inteligjenca ashtu edhe shprehja siperore e saj, logjika, jane natyrore (Hegeli,barazonte natyroren/realen me racionalen), prandaj ti ne rrugen tende te arsyetimit do jesh perhere i gabuar.

    Ti refuzon te pranosh, se inteligjenca prodhon diktatorin.
    Kete produkt te inteligjences do qe ta quash diku idiotesi e diku cmenduri.
    Ti refuzon te pranosh, se dija eshte e erret dhe nuk eshte per te gjithe, vetem ata qe duan te njohin erresiren mund te njohin dijen,sepse vetem duke i njohur rrenjet mund ta kuptosh vertet dicka; e rrenjet e dijes ndodhen thelle ne erresire.

    Perfundimisht ti refuzon te pranosh se hierarkia/piramida eshte produkt i inteligjences dhe dijes e do vazhdosh te zbatosh per hierarkine, reductio ad Hitlerum apo reductio ad Kreontum.

    Godite nje shkrim me pare institucionin piramidal/hierakik ‘per antonomasia’ , ushtrine, duke i quajtur vrases, duke harruar se ti vete i pari nese duan te te vrasin, do vrasesh.

    Ndersa ti(apo une,apo tjetri) vrasjen e ushtron per te shpetuar nje mizerje, nje hicgje, thjesht nje jete, jeten tende, gje me te vogel nuk ka, shprehja ekstreme e egoizmit, mbijetesa vetjake, shkon e ke fytyre te ndeshkosh moralisht ata qe vrasin edhe per menderen tende, qe pervec asaj ndjenjes mizerje te mbijeteses personale, rrezikojne jeten e tyre (edhe sepse kane apo u ngulet gjate pergatitjes), edhe per mbijetesen tende, per lirine tende.

    Ti ndeshkon moralisht ata qe vrasin per ty, qe ekzistojne edhe qe ty te shpetohet menderja, te kesh siguri se nje cetnik sllobodanist, nuk te vret femijen para syve.

    Ti ben gjasme sikur urren vullnetin per fuqi, por ti je i udhehequr nga ai, thjesht deshiron nje bote te barabartesh, ku ti te kesh me shume mundesi.
    Nuk te pelqen vendi qe ke tani ne piramide e kjo pakenaqesi te shtyn te idiotizosh e ironizosh ata lart, kjo pakenaqesi te shtyn te adhurosh dhunen, jo si mjet i nje bashkesie kunder nje tjetre, po si mjet per te marre pushtetin brenda nje bashkesie.

    Keto idiotizime e ironizime, i benin qysh plebejte e Romes me perandoret e tyre, biles me pare tyre, demosi i Athines, komedite e Aristofanit.

    Ti tani sdo me te besh komedi, ti kerkon tragjedine. Por tragjedine nuk e ben dot ti, tragjedine e ben Agamemnoni, Akili, Hamleti, ti do ngelesh tek komedia, ose nese do tentosh te besh tragjedine, do prodhosh terror ashtu si Robespieri.
    Prandaj nuk i besoj cmendurise tende.

    1. “Por tragjedine nuk e ben dot ti, tragjedine e ben Agamemnoni, Akili, Hamleti, ti do ngelesh tek komedia, ose nese do tentosh te besh tragjedine, do prodhosh terror ashtu si Robespieri.”

      Po kete a mund t’a quajme reductio ad Robespierum?

      “Ndersa ti(apo une,apo tjetri) vrasjen e ushtron per te shpetuar nje mizerje, nje hicgje, thjesht nje jete, jeten tende, gje me te vogel nuk ka, shprehja ekstreme e egoizmit, mbijetesa vetjake, shkon e ke fytyre te ndeshkosh moralisht ata qe vrasin edhe per menderen tende, qe pervec asaj ndjenjes mizerje te mbijeteses personale, rrezikojne jeten e tyre (edhe sepse kane apo u ngulet gjate pergatitjes), edhe per mbijetesen tende, per lirine tende.”

      Me fal? Doje te thoshe ti ushtron vrasjen per t’i shpetuar merzise, se une me duket se e kam bere te qarte dallimin mes gjesteve qe kane per shkak merzine, e ne vend te gjestit qe shpall dije prej kesaj merzie jo me kot kam thene se eshte me e vlefshme idiotesia, apo pranimi i kesaj merzie per pavendosshmerine qe mbart. Sa per ata qe rrezikojne jeten te sigurojne lirine time, apo mbijetesen time, avash pak, se ata si une, nje jete kane, mbijetesa nuk ekziston, kjo jete eshte e siguruar deri ne vdekje, e nga vdekja nuk me sigurojne dot.

      Asnjehere nuk kam bere gjasme sikur nuk jam dakord me vullnetin per fuqi. Vetem se e pranoj si fakt te pajustifikueshem por jo si norme dhe eshte pikerisht ky vullnet per fuqi si fakt i pajustifikueshem dhe amoral qe me detyron te mos pranoj justifikimet dhe sakrificat morale ne emer te ketij termi. Ky eshte term amoral. Nuk mund te kerkosh mbeshtetje morale per trupat vrastare qe rrezikojne jeten e tyre per lirine time. Nuk iua kerkoi kush te rrezikojne jeten e tyre per mua. Ne baze te vullnetit per fuqi, ne te s’emes shkofshin, e nuk kam asnje mbeshtetje morale per ta. Nuk eshte hera e pare qe keqperdor argumentat e Nietzsches. T’a kam thene disa here te mos besh gjeste te tilla te diturish, se nuk jane vecse cmenduri, por te duket vetja i privilegjuar i dijes pa dhe nuk mbush. Inteligjencat jane te barabarta. Cdo pretendim hierarkik mes tyre eshte dogmatik dhe detyrimisht perfundon ne qark te shkurter.

  5. Magneti, dhe zona e magnetizuar.
    Luliani eshte ne zonen e magnetizuar te hijeve, ku pjesmarresit me postimet e tyre, sipas llojit te mendimeve, te magnetizuar rreth hijeve, nuk vertetojne se magneti eshte Luliani, por tema ku e gjen edhe te jet magnetizuar autori, sepse ne momentin qe une jam magnetizuar rreth ktyre hijeve te temes, Luliani person, mund te jet magnetizuar diku tjeter pa lidhje fare me hijet ne kete teater te kesaj teme. Por, ideja-magneti i ksaj teme eshte dhe aplikohet ne cdo tem, ashtu si ketu, kudo.
    Dikush, me duket se C.D, permendi nje person ne te tria, ose te tria; c.i.d. ne nje individ, nuk mund te gjej veten me te lexuar, sakt, se ne kete kendveshtrim, dhe shqetsimi i Ujkut duket i pafajshem, ngecur diku ne gracken qe i ngre skema e hijeve ne shkrim, por ndihmuar nga komentet, jep e merr, te pasuara, se tema ka shume per tu diskutuar, ashtu si me te drejt ndjen edhe Ujku i zi. Mendo kur edhe Hyllin shqetsohet prej ketyre hijeve sa nuk tingellon jasht profilit te tij over-riacting (menderisht) kur i duket se ka te bej me shembull Robespieri.
    Nje vezhgim i leximit te temes, qe bej, flet edhe per autorin, mire. Do ish e udhes qe cdo subjekt te menduar ne formulen Idiot-Cmendje-Dije te shohim individin, pa seleksionuar njeren nga tjetra edhe ne strukturat e referuara ne shkrim.

  6. Të më falni, po duhet t’i rikthehem edhe njëherë logjikës disi të cekët aksiomatike të fillimit të shkrimit të mësipërm. Që të kuptohen boshllëqet në arsyetimin e mësipërm, më duhet t’ju referoj te “Mbi pohimet formalisht të papërcaktueshme të Principia Mathematica-s dhe sistemet e lidhura me to” nga Kurt Goedel, mund ta gjeni pdf në internet. Po ta përmbledh me pak fjalë, Kurt Goedel vërtetoi se pohimet matematike — pohimi është diçka e tipit: A është B; e verdha është ngjyrë, etj. — i përkasin tre kategorive. Në të parën hyjnë pohimet e tipit: Pohimi P është i vërtetë; në të dytën: P është i rremë; dhe në të tretën: P nuk është as i vërtetë dhe as i rremë, por tjetër (pak a shumë siç ndodh në jetën e përditshme).
    E kuptoj se shkrimi s’ka të bëjë me logjikën matematike, sesa me një libër të Kadaresë…. jeta dhe loja e atij çunit…. diçka e tillë pak-a-shumë. E kuptoj edhe se këtu nuk kemi ardhur të blejmë mend, po t’i shesim ato, që secili të thotë atë që ka në mendje. Megjithatë duhet të kemi parasysh të respektojmë nja dy rregulla të vogla loje, siç janë e mira, e drejta dhe e vërteta, kur shkruajmë. Pasi nësë qëndisim një shkrim të bukur mbi letërsinë dhe raportet që ajo ka me individin, përse duhet ta rrëzojmë poshtë që në fillim me një fjali të dobët?
    Ndoshta këtu te ne kritika negative si zhanër nuk ekziston, pasi Tirana është vend i vogël dhe të gjithë njerëzit njihen me njëri-tjetrin; megjithatë nuk do na bënte keq që ndonjëherë dikush të ngrihej e të thoshte se aksh libër apo filan autor nuk vlen, është i dobët apo mesatar, në vend që t’i rrahim shpatullat njëri-tjetrit duke i zgjatur në të njëjtën kohë fletoret me vjersha, për të dhënë si zakonisht dozën e mendimeve pozitive, të cilat më pas në darkë do kemi kohë t’i shijojmë më me nge.

  7. Ba Bai. Nuk jam i njohur me Goedel. Megjithate, nese njihesh me Locke, po e perseris, si ia vura ne dukje dhe Ujkut, se konkluzioni logjik per te cilin flas duhet marre si nje prove elementare ala Locke, si i tipit a=a, dhe jo si demonstrim. Kjo per arsyen se idiotesia, cmenduria, dija, jane kapacitete subjektive, dhe jo objektive. Se jane terma arbitrare nese perdoren ne forme hierarkike. Pohimi i fjalise qe iu paska vrare kaq shume indinjaten matematike hyn ne kategorine e trete te Goedels, as i vertete dhe as i rreme, kategori qe perfshin njekohesisht, edhe i vertete edhe i rreme. Pak a shume si Antigona, as e vdekur as me te gjallet, apo si Polinehu as i gjalle as me te vdekurit, apo si Lul Mazreku, edhe i vdekuri edhe i gjalli, “edhe besniku i shtetit edhe tradhetari”.

  8. Nese, a=b=c
    dhe a>b
    dhe b>c
    atehere c>a

    Kjo qendron edhe nga ana matematike, edhe nga ana logjike. Pse e bete kaq te madhe? Kthjellohuni se qendron.

  9. Lulian, matematika dhe logjika jane e njejta gje, vec se shprehen ne menyra te ndryshme.

    Kurse ato ekuacionet qe ke shkruar me siper uroj te jene pjese e ndonje lloj humori qe une nuk e kuptoj, sepse nese vertet mendon se ato se bashku kane ndonje kuptim matematik apo logjik, me trishton pa mase. Sido qe te jete, per hir te ketij blogu dhe te atyre qe kane nje ndjeshmeri dhe vleresim pak me te madh per matematiken si shkence, shakara te tilla jane te tepruara… edhe nese shkruhen(apo aq me teper?) nga nje poet.

  10. Nuk eshte shaka. Eshte logjike relative, (si krejt logosi eshte relativ) jo absolute, elementare, qe me trishton pse te trishtoka pa mase.

    Sa per faktin qe arsyetimin se duhen nderruar rolet e mendon sofizem, as qe nuk kam ndermend te te kundershtoj. Eshte e drejta jote te shprehesh gjestet e tua, edhe ne qofshin te paarsyetuara.

    1. Lulian,
      Metematika dhe logjika jane nga te paktat gjera qe na mundesojne mua dhe ty komunikimin. Logjika “everything goes” nuk i sherben ketij komunikimi, sepse une te pyes: kundrejt kujt eshte relativ logosi? C’ka te ben ty te ndryshem nga ai diktaori qe ia nenshtron publikun merzise se vet, duke anashkaluar ligjet?

      1. Ujk. Nuk po te marr vesh. Une jam askushi, qe thjesht po ve ne dukje anomine. Diktatori eshte ai qe pretendon ligjshmerine pavaresisht paligjshmerise. Cfare ka ketu per te mos kuptuar? Ku e shef qe jam duke advokuar “everything goes” ne princip dhe jo ne reagim? Nuk mund t’a perjashtosh reagimin “everything goes” kur kjo eshte ligj. Perndryshe duhet te pranosh se everything goes per disa, e jo per te gjithe. Ose te perjashtohet krejt everything goes, ose atij qe te godet me ligjshmerine e everything goes do i pergjigjesh me te njejten monedhe.

        p.s. ka dy momente gjuhesore qe jane pertej komunikimit. Ndryshimi eshte se njeri e njeh veten per gjest te paster, arti, nderkohe qe tjetri pretendon pushtet legjitim nga ky gjest, politika. Vertete kaq veshtire e ke per t’a kuptuar kete? Ka dhe nje tjeter aktivitet gjuhesor qe eshte gjithashtu pertej komunikimit. Dhe ky aktivitet eshte matematika e paster. Keshtu qe po te ishte vetem per matematiken, komunikimi do ishte po aq i pamundur.

        p.p.s. matematika dhe logjika jane arbitrare nese nuk e njohin legjitimitetin e logjikes rrethore. Dil nga logjika analitike, hyr ne logjik sintetike, dhe me siguri do e gjejme serish nje gjuhe te perbashket. Nuk po i shpik une keto kategori logjike. Jane historikisht te njohura dhe te pranuara.

        1. Lulian, nese arti, politika dhe shkenca jane pertej komunikimit, sic thua ti, atehere kush eshte qellimi i tyre? Pushteti? Dhuna? Absolutizmi?

          Une them se fakti qe njerzit mund t’i perdorin ato per te tilla gjera nuk ua nderron thelbin komunikues ketyre. Per fat te keq arti dhe politika – sidomos edhe me pranine e medias – po reduktohen ne gjeste. Por kjo deshmon me shume per krizen qe perjeton shoqeria dhe jo per natyren e tyre te vertet.

          Kurse per matematiken them se eshte nga te paktat gjera qe na ka mbetur disi e paprekur ne nje bote qe gjerat permbysen perdite. (Meqe ra fjala c’mendim ke per “shkencologjine”?) Nderkohe te lutem mos me kerko mua te lexoj si pohim sintetik dicka qe eshte formuluar nepermjet struktures se nje fjalie klasike e perdorur ne formulime analitike, te pakten qysh kur eshte shpikur teorema, pra mijra vjet me pare.
          matematika dhe logjika jane arbitrare nese nuk e njohin legjitimitetin e logjikes rrethore. thua ti…
          E pur si muove! – tha

          1. Une t’a kerkoj t’a lexosh si pohim sintetik, sepse antiteza logjike e implikuar ndaj hierarkise eshte qe te treja subjektet jane te barabarta. Nuk ka hierarki mes tyre. Nese kerkon te ngresh nje hierarki dhe te thuash se cmenduria eshte siper idiotesise, dija siper cmendurise, e vetmja menyre qe te ruhet barazia mes subjekteve, i vetmi perfundim logjik, eshte qe idiotesia eshte siper dijes. Ki gjithashtu parasysh qe duke qene se po flitet per subjekte, nenkuptohet fushe veprimi. Sistemi i “checks and balances” si dhe t’a thashe me larte, eshte shembull perfekt i aplikimit te a>b>c>a sepse a=b=c.

            Sa per shkencologjine,

            God grant me the serenity (idiotesine)
            to accept the things I cannot change,
            courage (cmendurine) to change the things I can,
            and wisdom (dijen) always to tell the difference.

            Nuk do me vinte cudi sikur kjo te ishte nje nga guret e themelit te shkencologjise. E me qe jemi ne letersi mund t’a quajme sci-fi dhe nuk e njoh aq mire sa te kem nje mendim te qarte. Di te them ama qe kllounerine vajtuese te Antigones, e kam gjetur tek “A Duty Dance wiith Death”, nga eshte nxjerre edhe citimi me larte, titulli i trete i “Slaughterhouse 5” nga Vonegut, ku mantra idiote Trafalmadore qe mbi vdekjen lehteson shpirtin e te gjallit, “so it goes”, mund te perdoret edhe si urdher qe justifikon luften. “So it goes” qe duhet te vrasesh. Eshte serish domosdoshmeria e cmendur qe shpall forca e ligjit edhe pse gjest prej pavendosshmerise idote qe pretendon dijen.

            Arti eshte ambivalent. Cfare komunikon kjo pervec ambivalences ne art? Ligji po ashtu eshte ambivalent. Cfare komunikon diktatori kur thote “lexo Iliaden”? Cfare komunikon qeveria kur flet per mrekulli? Cfare komunikon Supreme Court ne kohen e McCarthy? Cfare komunikon Drejtesia me standartet e dyfishta proceduriale? Cfare komunikojne projektligjet e kaluara nga mazhoranca?

            Nuk thashe asgjekundi qe shkenca nuk komunikon. Thjesht qe matematika i ngjan me shume shahut se sa shkences.

  11. Lulian, fakti që diçka është kundër-intuitive, nuk do të thotë se është ipso facto anti-intuitive.
    P.S. Më duket se gjeta mënyrën për të shkruar komente në italike dhe bold.

  12. Ne rastin tend une do ta perktheja keshtu thenien e Vonnegut:

    God grant you the serenity
    not to accept the things you cannot change,
    courage not to change the things you can,
    and wisdom always to kill the difference.

    1. Si te thuash ti, Ujk. Madje edhe konvertimin e vetes se pare ne vete te dyte, po e lexoj si stilistike vetjake perkthimi prej teje. E per me teper edhe projektimin e kesaj filozofie tenden tek une, po e lexoj si shprehje gjeniale ekskluzive tenden, packa se plot e perplot me nje modesti aq bujare sa qe me atribuon edhe mua merita te paqena. Te falenderoj dhe te pergezoj sidoqofte per nivelin e diskutimit.

      1. Lulian, te kerkoj te falur meqense e paske kuptuar komentin tim si ofendim. Nuk ishte ky qellimi pavaresisht se komenti ishte personalizuar.

        Megjithate une perseri i qendroj mendimit se sa me pak hermetizim ne analiza dhe qendrime aq me i kuptueshem shkrimi dhe aq me i mire debatit.

        Gjithe te mirat.

  13. “Ne rastin tend une do ta perktheja keshtu thenien e Vonnegut:
    …”

    Ujk,
    une, mendoj dhe shume te tjere, po lexoj repliken tende me Lulianin, dhe ve re argumenti te eshte kthyer mbrapsht me tjetersimin (perkthimin) e cituar te Lulianit nga Vonnegu, jo se e ben Luliani me shkrimin me shume, se sa ne vazhdim replika e tij kristalizohet, komandohet, argeton mendimin e aplikuar, duke te kthyer perball me nje inat, kete radhe, jo merzi, i ngulmuar te gjej arsyen/shkaktar te hijeve. Vetem qetesia duhej ne kete replike, ajo nuk i mugon.

    p.s.
    Per Lulianin; Do thoja se jane nja dy momente qe mundohet te komentohet mendimi i abstraguar si fakt ngjarjeje ne shkrim. Nuk e di ne se do te rishikohej shkrimi, mund edhe te behej po aq i qarte sa replika e tij. Duket shkruar per injoroantin e dijes, dhe dijen e injorantit, kur mendon, dhe ti e ben mire kete te fundit, sigurisht po te redaktosh percmimin per mendimin e tjetrit do krijosh pershtypjen se komandohet prej dijes injoranca.

  14. Ujk, pa merak.

    Megjithese me lejo te bej nje dallim tjeter fiktiv mes metodes te gjenealogjise hermeneutike krahasuese qe jam perpjekur te ndjek, dhe hermetizimit. Nuk jane shume larg. Nga Hermesi shakaxhi, qe vret gardianet e padrejte, qe ndermjeteson muhabetin mes Priamit e Akilit per t’i bere adetin te vdekurit, perendi e shkrimit dhe e komunikimit, psikopompe qe jep kurajo ndaj vdekjes, si dhe zoti qe te vdekshmeve iu dhuroi matematiken, e kane origjinen si hermeneutika, si hermetizimi 😉 Pastaj kur nuk ka matematike, art, politike pa komunikim, si mund te kete hermetizim pa komunikim?

    Nderkaq, shif se perendia qe gjuan nga larg e vrau prape Lul Mazrekun andej nga Fieri.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin