KULLAT E TIRANËS (II)

Kur hyn në Tiranë, kur del nga Tirana, kur vjen rrotull, kur ikën, kur rri, kur mbyll sytë – madje edhe kur fle – të del përpara kjo kullë, e njohur me emrin TID Tower (Tirana International Development Tower).

faqen zyrtare të bashkisë së kryeqytetit, një imazh i kësaj ngrehine të frikshme shoqëron tekstin paraqitës të “Tirana Smart City”, ku mes të tjerash përmenden përpjekjet 25-vjeçare të kryeqytetit shqiptar “për t’u bërë një metropol europian.”

Informacioni teknik dhe promocional për kullën TID gjendet lirisht; mua vetë më mungon ekspertiza për ta gjykuar këtë ndërtesë nga pikëpamja ngushtësisht arkitektonike; prandaj këtu dua vetëm të vë në dukje dëmin fatal që i sjell ajo eksperiencës së Tiranës nga qytetari.

Që prej themelimit të saj, kjo Tiranë është identifikuar vizualisht me pak ndërtesa të spikatura në qendër: duke filluar që nga Kulla e Sahatit dhe pastaj ndërtimet e italianëve në vitet 1930-1940, të cilat ia dhanë qytetit fizionominë e vet karakteristike.

Siç mund të shihet edhe nga fotoja që kam sjellë për ilustrim, kulla TID e shpërfill këtë fizionomi, madje e shtyp nën thundrën e saj bovine dhe ia ripërmason gjeometrinë qendrës së Tiranës – duke e shndërruar në lodër fëmijësh kullën tjetër, atë të Sahatit, të cilën e nxjerrim në çdo kartolinë, emblemë dhe logo të kryeqytetit.

20160427_134820

Nuk di nëse kjo ndërtesë e re do ta përligjë ndonjëherë veten nga pikëpamja funksionale, duke u mbushur me qiramarrës të rëndësishëm; lexoj poshtë e lart se kjo që tani duket problematike dhe do të mbetet kështu. Por edhe sikur kulla TID të shndërrohej në hapësirën më të fituar dhe më fitimprurëse të qendrës, roli i saj në kontekstin identifikues të Tiranës nuk mund të jetë veçse shkatërrimtar.

Edhe vetë fotoja e zgjedhur për faqen e Bashkisë, tregon se çfarë efekti shtypës dhe rrafshues ka kjo tsunami e ngrirë, ndaj një krijese të brishtë dhe të vyer, si Kulla e Sahatit.

Nëse Tirana pat krijuar një identitet të vetin, kulla TID ia shkatërron atë, për ta zëvendësuar me një identitet gjenerik dhe spekulativ, si prej kryeqyteti të botës së tretë diku në Azinë qendrore, ku kombinohet industria brutalisht nxjerrëse me pastrimin e parave të pista dhe trafikun e fildishit dhe të bririt të rinocerontit.

Ndoshta dikur aty do të xhirohet një nga filmat e ardhshëm të Mission Impossible, me pjesëmarrje të helikopterëve të zinj e njerëzve-merimangë që varen nga qielli me kavo; dhe me dritare kristali që shpërthejnë in slow motion teksa një motoçikletë Kobayashi kërcen si sorkadhe nga kati i 17-të ose i 27-të i kullës për të zbarkuar mrekullisht në shpinën gërmuqe të Pallatit të Kulturës përbri.

Kur e pata parë para disa vjetësh ngrehinën e kullës TID, më ishte dukur sakaq si kosh plehrash, i njëjtë me atë që hapja e mbyllja përditë në kuzhinën e shtëpisë sime. Krahasimi më vinte i lehtë, madje gratis; sikur të mos kujtohesha më pas se kjo kryemetaforë e plehrave po e sundon tashmë diskursin e modernizimit të ekonomisë shqiptare, dhe jo vetëm.

Pas fjalëve dhe debateve për armët kimike dhe importin e mbetjeve toksike; pas të gjitha muhabeteve për skrapin dhe bunkerët dhe gërmadhat industriale totalitare; pas denoncimit për makinat e përdorura dhe landfill-et dhe amortizimin e hekurudhave, të flotës tregtare dhe të teknologjisë ushtarake, ja ku ia ka behur edhe arkitektura hiper-moderne, si mbeturinë e koncepteve cool të 20-40 viteve më parë; e cila nuk synon t’ia shtojë vlerat qytetit, por t’ia zëvendësojë ato me vlerat e veta.

Jo më kot, në një kritikë të arsyetuar që ia bën kullës TID në blogun e vet, Ledian Bregasi shkruan se “Kjo kullë nuk do të mund të ishte ndërtuar në shumicën e vendeve të BE-së”, duke vënë në pah natyrën ricikluese të projekteve arkitektonike që i serviren Tiranës sot me bujë, në kontekstin e degradimit artificialisht të përshpejtuar të gjithçkaje që ka përfaqësuar, deri më sot, identitetin e qytetit. Këtij zelli modernizues nuk mbetet veçse t’i shtosh parullën “kthim në identitet”, për të kuptuar kaosin konceptual që ka pushtuar planëzimin urban të kryeqytetit.

4 Comments

  1. Tepër vonë besoj. E kush do ta mbajë ‘përgjegjësinë’ tani pas ai çiban qëndron i gatshëm të gllabërojë njerëz ne brendinë e vet? Ndoshta kur ishte duke u ndërtuar mund të flitej për shëmtinë që po na karakterizon në çdo cep. Në mos gabohem, kur është ndërtuar kjo kulla “recycle bin”, kryebashkiak ka qënë ai që sot është kryeministër! Kjo ngre vlerat e kultit të degradimit urbanistik që i është bërë dhe po vazhdon ti bëhet këtij vendi.

  2. Pervec te gjithave, eshte nje kulle bosh. Nje tjeter po ngrihet te ish selia e PD. Nje teter eshte ngritur te gjykata, nje tjeter do ngrihet te stadiumi i ri , nje tjeter ndoshta te liqeni. Dhe do te quhemi – qyteti i kullave te zbrazeta.

  3. Kjo ndërtesë nuk ngrihet dot përtej statusit të objektit, për t’u bërë apo edhe quajtur arkitekturë. Sepse nuk funksionon as me atë ç’ka përreth, as me veten e vet (po të konsiderosh boshllëkun e saj që edhe forma ia sygjeron.)

    Megjithatë, jam sinqerisht i surprizuar që ende nuk të ka ardhë dikush të të kujtojë se portretin asaj ia kanë varur edhe tek MOMA (muzeu i objektifikimit par excellence).

  4. Kane dy te perbashketa keto kulla. Se pari ato zgjerohen ne maje dhe se dyti jane te dyja luspative. Nuk eshte e vertete qe nuk perfaqesojne asgje. Vecoria e pare eshte perfaqesim i babezise jo vetem ne toke por edhe ne ajer. E dyta perfaqesim i lebrozitetit urban. Metafora me te shkelqyera zor qe gjen.

Comments are closed.