ARRATIA E TRURIT

truri-me-pikepyetjeShkrimi stimulues i publicistit Ardian Vehbiu, botuar tek “Shekulli” me titull “Kundër retorikës së kthimit”, hapi sërish debatin për kthimin e trurit (Brain Gain). Vehbiu kritikoi ashpër retorikën dhe spekulimet demagogjike që përshoqërojnë temën e “Brain Gain”. Replikat, siç mund të parashikohej lehtë, nuk munguan, në forume interneti e në faqe gazetash.

Shqipëria ka sot një të tretën e popullsisë në emigracion, ndaj është normale që klasa drejtuese ta pyesë veten për kthimin e qytetarëve të kualifikuar. Mirëpo, ka një dallim thelbësor nga diskutimi për një problem dhe retorika që e mbështjell atë. Shpeshherë, kjo e fundit mbetet qëllimi në vetvete i ligjëratës publike në lëmin e kthimit të trurit. Kjo retorikë është pothuajse globalizuar vitet e fundit, meqë vihet re edhe në vendet pritëse, ku retorika e kthimit të emigrantëve përdoret kryesisht nga forcat politike që e shohin shtrembër dukurinë e imigracionit.

Në bazë të kthimit të trurit, le të jemi të sinqertë, është interesi. Shqipërisë nuk i intereson ikja e trurit, në atë masë që disa vendeve perëndimore u intereson ta përthithë trurin nga jashtë. Parë nga kjo pikëpamje, nuk mund të thuash shumë për emigracionin e kualifikuar. Nuk ke ç’i thua, për shembull, inxhinierit informatik që ikën nga Shqipëria për t’u punësuar, gjithnjë si inxhinier, në Kanada. Jemi në demokraci. Inxhinieri, si çdo qytetar tjetër, është i lirë ta ndërtojë jetën e vet në një vend tjetër, sipas dëshirës. Në bazë të tregut të punës, pra rregullave ekonomike, mund të themi se Shqipëria humbi, kurse vendi pritës i personit të kualifikuar fitoi. Të flasësh për kthim të këtij inxhinieri, madje duke futur në diskutim edhe dashurinë për atdheun, është në thelb humbje kohe, po nuk u morën parasysh arsyet e ikjes së emigrantëve. Të flasësh me retorikë për kthimin e trurit, pa trajtuar më parë kushtet e kthimit, është hipokrizi e plotë.

Kthimi i emigrantëve, sikurse ikja, nuk ndodh vetvetiu. Natyrisht, duhen plotësuar disa kushte të caktuara që dukuria të marrë jetë. P.sh. kthimi i një shkencëtari shqiptar nga jashtë, i cili punon në sektorin e vet dhe është i kënaqur me punën, është më i vështirë se kthimi i shkencëtarit që ende nuk e ka gjetur vetveten jashtë shtetit. Ndryshoret që ndikojnë në vendimin e kthimit në atdhe janë të shumta, por një nga më të rëndësishmet ka të bëjë me profesionin. Një teknik i shkëlqyer do të kthehej në Shqipëri vetëm në rast se jashtë vendit bën punë të rëndomta, që nuk përputhen me pritjet e tij.

Debati publik shqiptar e zhvesh problemin e kthimit të trurit nga përmasa personale, e cila është përparësore në vendimin e kthimit. Kjo e metë, në rastin më të mirë, i duhet faturuar ndoshta ndonjarratia-e-trurit-1ë zyre burokratike, që i stampon projektet me të famshmin copy/paste. Përndryshe, nuk kuptohet përse programohet kthimi i trurit vetëm me terma burokratike, kur ndërkohë personat e kualifikuar kanë hedhur bazat e jetës së re në vendet e tjera. Një studiues shqiptar me vlera, që porsa ka marrë kredi për shtëpinë e re, apo pret një fëmijë, si mund të kthehet në Shqipëri pa i pështjelluar planet e jetës së vet? Ç’të bëjë me investimet e realizuara në punë, me hapësirën e krijuar me mund, ose me rrjetin e kontakteve personale që ka zhvilluar ndërkohë? T’i hedhë në kosh? Në praktikë, kthimi bëhet pothuajse i pamundur, veçanërisht po të shtojmë faktorët e tjerë jashtëprofesionalë. Mirëpo, nga pikëpamja retorike, ligjërata e kthimit të trurit shqiptar, sidomos po u vesh kuq e zi, ka një joshje demagogjike të pamohueshme. Që këtej, ndoshta, edhe prirja për ta sakrifikuar përmasën individuale në altarin e përmasës kolektive. Gjithsesi, nga kjo dialektikë ligjëruese publike, dalin mirë sidomos promovuesit e kthimit, që u japin programeve të veta një lustër largpamëse, kurse truri i ikur, pasi i shtrydhet mirë e i përdoret malli për atdheun, lihet në harresë së bashku me pjesën më problematike të medaljes: arsyet e ikjes së trurit.

9 Komente

  1. Gjerat e oborrit te pasme

    Rumi ka nje poezi/fabul te bukur ku psikollogjis nje peshk ne veprimet e tij teksa per ti shpetuar rrjetes ne lagune iken pa lajmeruar shoket. Zakonisht, arsyet e ikjes jane vellim me vete, e kur flitet per to nuk flitet ne planin personal. Qeliza me e fundit qe la Shqiperine, me sa di nga media, ishte nje antar i Gjykates se Larte. Ta nisim nga arsyet e ikjes para se te gjejme per kthimin, te heqim rrjeten vdekjesigurt, e si ne poezine e Rumit nuk do te kemi nevoje ti themi peshkut te kthehet, ai e di rrugen vete.
    Jam ne nje fare mase dakort me Xha xhai ne dallimin e njerezve te zote ne emigrim, por nuk jam per kthimin e tyre en-bloc apo te stimuluar. Nje shtepi e mire, e nje zot shtepie I kujdesshem, di ti ndaje gjerat e oborrit e fasades nga ato te oborrit te pasme.Truri ne mergim eshte gje e oborrit te pasme. Vetem shtepite shkatarraqe e zoterit vulgare e keqperdorin ate oborr e gjerat e vyera te tij. Por dhe nxjerrja e gjerave te oborrit te pasme perpara do te sherbente si fasade komerciale. Atehere?
    Se pari duhet te bejme dallimin, e emigrantit brenda Bashkimit Europian dhe jashte ketij bashkimi. Me duket e kote, arritja e kthimit te nje specialisti te specieve te rralla detare nga Bari ne Durres. Emigrantet brenda familjes evropiane, jane si indet nervore a kapilaret, lidhes, e pse duhet te jene ne dhomen shqiptare e jo ate greke, italiane, qe ndajne mure e dritaret ju shohin njelloj?
    Shqiperia, perfaqsohet ne bote me ambasada e konsullata. Hapi i drejte do te ishte sikur ketyre (ja ta ve nje kriter: PhD) tu ofrohej atje nepunesia dhe jo ne vendlindje per ku Pishaku ka sjelle boll shembuj qe e bejne te pamundur.
    Ve re dhe nje gabim, si nga politika, nga ata qe kane thithur tru, ashtu dhe nga kontestuesit e gjendjes se vendit. Te dy palet, ndonese nuk e thone me gojen plot duan te thithin a duan te thithen ne politike, ne ate me te larten sigurisht.
    Persa I perket shifrave, Shqiperise nuk I duhet te kthehen te gjithe. Nese kjo thagme do te ndodhte Shqiperia do te shnderohej ne nje nanike, trupvogel e pamuskuj e me koke te madhe, e paafte per te perballuar sfidat, e pazonja per te arritur pa perkrahje ate qe arrijne simotrat.

    Mund te shkruaja dhe per sproven ultimate te nje qelize truri, shndrimin e saj ne nje qelize muskuli, por…

    p.s. Pishak me ngjan se diku duhet … qe nuk perputhen me prirjet e tij.

  2. Mua me duket se diskutimi mbi kthimin e trurit kufizohet shume ne menyren e trajtimit pasi ne cdo replike, kritike apo analize perfshire dhe artikullin e mesiperm apo dhe ate te meparshmin te Ardian Vehbiut flitet gabimisht vetem per nje forme te tij. Ate te kthimit fizik e te perhershem te personave shume te kualifikuar.

    Kthimi fizik i ketyre personave eshte tashme nje beteje e humbur pasi keta lloj personash sidomos nese i kane hedhur themelet e karrieres dhe familjes ne nje vend te huaj nuk kthehen me ne kuptimin klasik te kthimit.

    Grupi me interesant per kthimin klasik jane studentet jashte menjehere pas mbarimit te studimit. Ky grup eshte shume me i lehte te terhiqet. E megjithate edhe per kete grup mungojne politika praktike si ato qe gjen psh. ne programin e Rusise per rikthimin e shtetasve te saj nga jashte. Rezultati eshte qe nje pjese e madhe e studenteve nuk kthehen. Ata qe kthehen e bejne kete per arsye sociale apo sepse nuk kane mundesi te gjejne pune ne vendin ku kane studiuar.

    Per mendimin tim diskursi mbi rifitimin e trurit duhet te filloje te zhvendoset tek krijimi i komuniteteve profesionale shqiptare jashte dhe mbajtja e lidhjeve aktive te ketyre komuniteteve me vendin ame. Komunitetet lokale te profesionisteve shqiptare jashte qe kane lidhje me vendet e tyre kane mbase potencial me te madh ne efektet “spillover” ne shkembimin e teknologjive te reja dhe ne investime teknologjike sesa kthimi fizik i vetmuar i ndonje profesionisti.

    Ketu mund te kemi parasysh rastin e indianëve te shkolluar ne SHBA, te cilet ne vitin 1998 zoteronin rreth 800 firma ne Luginen e Silikonit (Silicon Valley) me shitje vjetore prej rreth 3,6 miliarde dollare e me rreth 16 mije te punesuar. Tashme nje pjese e mire e teknologjise se ketyre firmave gjendet dhe në Indi. Kjo, në saje te rrjetezimit te mire te indianëve te shkolluar ne Amerike dhe ne saje te nxitjes nga shteti indian te bashkepunimit me sektorin privat ne Indi nepermjet lehtesive ligjore etj.

  3. Pellitja e kreut te qeverisjes per kthimin e trurit,permban hipokrizine e radhes.Ketu kemi te bejme me nje mashtrues profesionist politikan.Ky person ka mbush administraten me militante me dipllome 100 deri ne 150 mije lek per nje provim,ose shume tot 7 milion edhe me lart(varet nga dega).Kthimi i trurit te vertet ne kete ambjen pseudointelktual nuk mund te ndodh.Kjo nuk eshte ne deshiren e vertete te dy paleve,te zoteve te vendit si dhe te emigruarve.Truri i emigruar i vjen ndohte te kete kolege keta lloj dhe te ulet ne nje tavoline karshi ose perballe me keta.Nese do te ndodhte ata do te kerkonin rooge shtese reth 5 fish me teper,veshtersi per punen ne grup me kete nivel.kater fishi me teper kerkohet per punen qe duhet te behete per te neutralizuar punen shkateruese te “trurit” fallco vendali.

    1. Personalisht nuk kisha për ta politizuar skajshëm çështjen e ikjes së trurit. Nga rënia e regjimit e këtej, e gjithë klasa drejtuese shqiptare ka rënë pre e retorikës së kthimit të trurit nga emigracioni.

  4. Personalisht mendoj se “kthimi” në kuptimin klasik të fjalës tashmë për shumë prej atyre që jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë është shumë i vështirë, për mos të thënë i pamundur.

    Dhe unë mendoj se kategoria më e përshtatshme drejt së cilës politika e kthimit duhet ti drejtohen është ajo e studentëve që pas gjimnazit të kryer në Shqipëri, vazhdojnë dhe mbarojnë studimet jashtë. Menjëherë pas diplomimit është e vështirë gjetja e një pune në vendin e huaj dhe në këtë pikë me politika të duhura shteti shqiptar mund të jetë konkurrent.

    Për pjesën tjetër, domethënë ata që kanë ndërtuar tashmë një jetë të re në vendin ku kanë shumë vite që jetojnë, mendoj se forma më e mirë është ajo e të qenit pikë kontakti atëhere kur jepet rasti, për Shqipërinë dhe vendin pritës.

    Nëse shikojmë shëmbujt e kthimit në atdhe, vëmë re se shumica e atyre që janë kthyer pas shkollimit, janë sistemuar në administratë (shumë dhe në vende me rëndësi). Natyrisht është para syve të të gjithë neve që hyrja e tyre në administratë është bërë me kritere familiaro/klano/klientelare dhe jo për merita të veçanta. Pra shembulli që një i ri ka është: “nëse nuk njeh ndonjë të rëndësishëm, është e kotë të tentosh të futesh diku”.

  5. Me duket me vlere dhe ky mendim nga Elidor Mëhilli ne nje shkrim te dates 22 Gusht 2008 tek Shekulli. (te cilit i kerkoj ndjese paraprake qe po e ve ketu pa leje)

    Miti i kthimit të trurit

    Kulti i rinisë është i vjetër. Në emër të të rinjve janë konsumuar revolucione, janë projektuar vizione shoqërore, janë mbjellë shpresa mes fatkeqësish e vuajtjesh. Diktatura të të gjitha llojeve janë përpjekur t’i joshin të rinjtë e t’i organizojnë në shoqëri e hierarki me stema e me stimuj. Të rinjtë, me pak fjalë, janë vendosur historikisht në një pozicion kontradiktor: burim shprese por dhe kërcënim në të njëjtën kohë.

    Edhe në Shqipëri ky kult ka pasur një histori shpresash, disfatash, dhe kontradiktash. Pas-komunizmi shqiptar, që filloi hezitueshëm nëpër dhomat e lagështa e të errëta të Qytetit Studenti, është shoqëruar vazhdimisht me predikime në emër të të rinjve, qoftë në kuptimin e moshës, qoftë në kuptimin më të gjerë të ndryshimit. Sa më të vjetra dukeshin të rejat e “tranzicionit”, që në fakt ishte një ripozicionim masiv shoqëror, aq më shumë fryhej një shpresë abstrakte dhe nervoze për “të rinj” në politikëbërje.

    E lidhur, por jo e njëjtë, me këtë shpresë të madhe është jehona në dukje unanime për kthimin e të rinjve që kanë studiuar jashtë vendit. Ndoshta këto thirrje mbeten abstrakte e ngatërrohen me njëra tjetrën sepse vullneti është minimal dhe premisat të pakta. Ndoshta sepse vetë ata që i bëjnë nuk u besojnë fjalëve që thonë. Ndoshta sepse një shpresë e pafikur jashtë bën më të durueshëm ngatërresën dhe ngatërrestarët brenda.

    Ka mundësi që shumë të besojnë me të vërtetë se një injektim rinor nga jashtë do ndryshonte gjithçka, ose të paktën shumëçka, që shkon keq. Nga ana tjetër, në një vend ku sakrifica prindërore për fëmijët është ende mënyrë jetese, thirrjet në emër të rinisë kanë peshë emocionale. Pak rëndësi ka se të rinjtë e politikës shqiptare vjetërsohen tmerrësisht shpejt. Pak rëndësi ka se lëvizjet aktiviste rinore kanë kombinuar mjeshtërisht teknika mediatike të reja me praktika të vjetra vendase, si mungesa e transparencës dhe armiqësia e theksuar ndaj mendimit ndryshe. Pak rëndësi ka se nuk dihet çfarë vlerë ka prodhuar reklamimi i të rinjve, përveç trampolimit marramendës në politikë të figurave ambicioze.

    Por optimizmi i respektueshëm, pesha emocionale, dhe hartimet e zellshme nuk tjetërsojnë dot sfidat konkrete. Ja një shembull. Një arsyetim për kthimin e të rinjve nga jashtë, i përçuar në media pak kohë më parë, vijonte kështu: është më mirë të jesh i pari në fshat (nënkuptohej Shqipëria) sesa i fundit në qytet (domethënë në Perëndim). Një arsyetim i tillë është i gabuar në të paktën tre pika.

    Së pari, ai vazhdon në linjën e vjetër të të ndarit të botës në “këtu/Shqipëri” dhe “atje/qytetërim,” ndërkohë që shumë të rinj sot nuk duan të jetojnë më me një ndarje të tillë. (Duhet thënë se kjo ndarje ka qenë një nga trashëgimitë më kokëforta të izolimit të pashoq komunist.) Shqiptarët jashtë vendit, sidomos të rinjtë, nuk janë më një masë e njëtrajtshme dhe anonime. Janë forcë ekonomike dhe intelektuale. Së dyti, pohimi aludon gabimisht se thjesht kombësia apo vështirësitë e integrimit në Evropën Perëndimore i lënë shqiptarët detyrimisht të “fundit” në vendet ku studiojnë apo punojnë. Së treti, dhe më e rëndësishmja, aludon gabimisht se kthimi i studentëve do t’i bëjë ata “të parët e vendit.” Mbase një pakicë, Mbase përkohësisht.

    Të jemi të qartë: studentët shqiptarë që shkollohen jashtë janë potencial real. Se çfarë potenciali janë saktësisht nuk e dimë, sepse në 18 vjet askush nuk e ka marrë mundimin t’i numërojë, e jo më t’i pyesë çfarë bëjnë e çfarë duan të bëjnë. Kthimi i trurit duhet të trajtohet përfundimisht si një problem teknik, larg frymës së zbrazur patriotike e kultit të rinisë e të artikujve të importit.

    Nuk do të jetë e lehtë. Historikisht, elitat shqiptare i kanë parë të diplomuarit jashtë vendit me dyshim, që në vitet e pasluftës, kur të rinjtë shqiptarë dërgoheshin me bursa në demokracitë popullore e survejoheshin për “qëndrimin e tyre moralo-politik.” Thirrjet që të rinjtë jashtë vendit të dalin vullnetarë për të dhënë kontribut në një vend/treg të egër e të pakontrolluar nuk thonë asgjë konkrete se si do të ndryshojnë praktikat përjashtuese institucionale e shoqërore të rrënjosura prej dekadash. Është e vërtetë se Kenedi, që po merr gjithmonë e më shumë përmasa shqetësuese propagandistike në Shqipëri, thoshte: “Mos pyet çfarë bën atdheu për ty, por ti për të.” Por Kenedi jetonte në Amerikë, jo në Shqipëri.

    Nëse politikanë e aktivistë do të kishin ndër mend të bënin diçka, do linin konferencat e shtypit dhe pozat televizive për t’i kthyer sytë jo më larg se Polonia, ku largimi masiv drejt Britanisë e Irlandës është luftuar me rroga të majme. Por ndoshta duhet të jemi më pak ambiciozë. Një studim i vitit 2006 i Universitetit të Sussex-it në Britani doli në përfundimin se shumica e kushteve që kërkon një pjesë e mirë e “trurit të ikur” shqiptar janë të paplotësueshme në planin afatshkurtër dhe të mesëm. Studimi i rekomandonte qeverisë thjesht një “motivim material me paga konkurruese të personave me master dhe veçanërisht me doktoraturë që kthehen në institucione akademike.” Kaq. Më tej se kaq, futemi në sferën e retorikës dhe jo të vullnetit dhe mundësive reale.

    Si çdo gjë tjetër, kthimi i studentëve shqiptarë është një zgjedhje personale që sipas kontekstit mund të jetë e mençur ose jo. Veshja e kësaj zgjedhjeje me nota historike apo kombëtare është thjesht, siç thonë anglo-amerikanët, good old politics.

  6. shkruan Elidoni:
    Është e vërtetë se Kenedi, që po merr gjithmonë e më shumë përmasa shqetësuese propagandistike në Shqipëri, thoshte: “Mos pyet çfarë bën atdheu për ty, por ti për të.”

    Elidoni sjell perifrazimin e thenies dale nga goja e Kenedit. JFK, ne ate thenie ka perifrazuar thenien e shkruar, ne filozofine e dikujt tjeter. Elidoni nuk i ka ndryshuar fjaleve ndonje gje thelbesore, por ka qene JFK, ai qe e ka bere kete. Ndryshimi eshte aq i madh, sa e kthen me koke poshte “permasen shqetesuese propogandistike”; kuptohet ne nivelin e trurit qe pretendohet e flitet ketu.

  7. Megjithe nivelin e larte dhe mprehtesine e shkrimit te Elidor Mehillit shkrimi ka nje te mete. Perqendrohet me teper ne kritike dhe jo ne alternativa. Nga i gjthe shkrimi alternativa e vetme qe jepej ishte e permbledhur ne tre fjali:

    Një studim i vitit 2006 i Universitetit të Sussex-it në Britani doli në përfundimin se shumica e kushteve që kërkon një pjesë e mirë e “trurit të ikur” shqiptar janë të paplotësueshme në planin afatshkurtër dhe të mesëm. Studimi i rekomandonte qeverisë thjesht një “motivim material me paga konkurruese të personave me master dhe veçanërisht me doktoraturë që kthehen në institucione akademike.” Kaq. Më tej se kaq, futemi në sferën e retorikës dhe jo të vullnetit dhe mundësive reale

    Trajtimi i kthimit te trurit si mit eshte mbase i drejte ne kontekstin propagandistik nen te cilen kjo teme eshte perdorur ne Shqiperi vitet e fundit. Por propaganda boshe mbi kete teme nuk e ben ate vetvetiu te pazgjidhshme dhe nuk i pakeson alternativat e mundshme per afrimin ndaj nje zgjidhjeje te pranueshme. Megjithese kritikat kane vendin e rendesine e vet mendoj se per hir te propagandes dhe zhurmes pa qeder qe eshte bere nder vite mbi kete teme, kritikat, sado te drejta e te llogjikshme te shoqerohen me pak me shume alternativa dhe propozime konkrete.

    Mua personalisht me bie shume ne sy menyra shume statike e diskursit mbi kthimin e trurit. Kur flitet per kete teme pjesa me e madhe e njerezve kane parasysh kthimin fizik e te perhershem. Nuk flitet fare per alternativa si kthim i perkohshem apo transferim njohurish ne baze bashkepunimesh apo investimesh.

  8. “Brain drain and gain” si cdo gje tjeter nuk ka si t’i shpetoj ligjit te perzgjedhjes natyrore. Cka do te thote qe cdo gje varet nga “klima” shqiptare, sa e ashper apo e bute eshte ajo kundrejt te ashtequajturit tru. Por po ashtu varet edhe nga hortikultura shqiptare. Nese rritja e trurit nuk eshte pjese e kesaj hortikulture, dhe vete truri nuk hyn ne listen e bimeve autoktone (sic mund te hyje p.sh. gjaknxehtesia), importimi i kesaj bime ka shume mundesi te jete i pasuksesshem, ndonjehere edhe me rrezikun e mbajtjes se mikrobeve te demshme.

    Megjithate i hodha nje sy programit brain gain te kryeministrise. Ne pamje te pare eshte shume pozitive, por kur mendon se trendafilat e dijes shume shpejt do mbulohen nga ferrat e interesave … (veruani emrin vet) qe dominojne bahcene apo “oborrin e pasem” te shtepise sone te dashur, te behet te pyesesh: kush eshte kopshtari?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin