CIFLAT E LAJMIT

espresso-i-nuovi-jihadistiAnaliza e gjatë, e botuar dje nga revista italiane Espresso (8 shtator 2014), me titull “I nuovi jihadisti vengono dal Kosovo. Le esecuzioni postate su Facebook” (Xhihadistët e rinj vijnë nga Kosova. Ekzekutimet e postuara në Facebook), me autor Paolo Fantauzzi, u tërhoqi vëmendjen edhe mediave shqiptare, edhe pse nuk pati reagime të shumta.

Shkrimin e plotë e botoi në shqip “Shqiptarja“, por edhe gazeta të tjera e përmendën duke e cituar gjerësisht.

Le ta themi që në fillim se nuk kemi të bëjmë me një lajm të thjeshtë, por me një hulumtim të zgjeruar me dokumente fotografike e citime të ndryshme. Shkrimit i duhet dhënë rëndësi edhe për faktin se është botuar në një nga revistat më të rëndësishme në kuadrin e mediave italiane.

Nëntitulli përpiqet t’ia përmbledhë kuptimin shkrimit: “Qindra luftëtarë janë nisur për në Irak e Siri. Dhjetëra fundamentalistë të arrestuar. Gjashtëmbëdhjetë viktima të vërtetuara. Një kamikaz i hedhur në erë në Bagdad. E një lider i Isis që boton në rrjetet sociale prerjen e kokave. Gjashtë vjet pas pavarësisë, ish provinca e Serbisë po shfaqet si farkë terroristësh”. Temat e prekura nga hulumtimi i revistës janë të shumta. Shkrimi jep shembuj terroristësh në aksion, citon të dhëna për praninë e celulave, përmend botimet e terroristëve në shqip e në rrjetet sociale, sjell deklarata të Kfor-it, ofron informacione për penetrimin e terrorizmit në Ballkan e kështu me radhë.

Artikulli i Espresso-s e ka jehonën e vet, edhe sikur mediat shqiptare ta snobonin krejtësisht. Kështu që disa përsiatje janë të nevojshme, qoftë në trajtë komenti, meqë tema është tejet e nxehtë dhe analiza ka nevojë të kontekstualizohet.

Shkrimi i porsa cituar përmban edhe disa përfundime e gjykime që duhen marrë seriozisht, siç është pjesa ku shënohet se armiku i Kosovës tashmë ka ndryshuar dhe se feja islame, tradicionalisht tolerante e që bashkëjetonte me fetë e tjera, tani tregon anën e vet fundamentaliste.

Masakrat dhe bombat e Nato-s duken tashmë si një kujtim i vagët. Në republikën më të re të Europës, që u shpall në mënyrë të njëanshme e pavarur më 2008 (dhe e njohur menjëherë nga SHBA-të e pothuajse të gjitha vendet e BE-së), frontiera e re është radikalizmi islamik. E armiku i ri nuk janë më paraushtarakët serbë si në kohën e Uçk-së, por të pabesët. Kështu, në një rajon ku Islami, i mësuar të bashkëjetojë me fetë e tjera, ka treguar gjithnjë anën e tij më tolerante, pas njëzet vjetësh nga lufta që çoi në shpërbërjen e mozaikut etnik të ndërtuar nga Tito, fundamentalizmi tregon se i ka lëshuar thellë rrënjët e tij.

Autori i shkrimit beson se autoritet e Kosovës e minimizojnë fenomenin e xhihadistëve:

Autoritet e Prishtinës përpiqen të minimizojnë: sipas qeverisë vullnetarët e nisur janë vetëm 43. Vështirë ta besosh statistikisht, duke pasur parasysh se viktimat e vërtetuara janë deri tani 16″. Sipas gazetarit italian, xhihadistët që janë nisur për në Siri e Irak nuk rrezikojnë kur të kthehen në atdhe, sepse Kosova nuk e ka ende ligjin për dënimin e rekrutuesve të terroristëve.

xhamite e financuara-karikatura-EspressoPërfundime shqetësuese jepen edhe për Ballkanin, përfshirë Shqipërinë. Përveç thënies shpuese të Çërçillit, se “Ballkani prodhon histori më shumë se sa mund të konsumojë”, autori i kujton lexuesit se xhihadistë janë identifikuar në Shqipëri, Serbi, Bosnjë. Në artikull flitet edhe pvr penetrimin e heshtur saudit nëpërmjet ojq-ve dhe ndërtimit të xhamive të reja me synimin e predikimit të islamit radikal. Karikatura e botuar flet më shumë se fjalët.

Që dukuria për të cilën flet revista italiane është e vërtetë, pra që ka shqiptarë nga Shqipëria e Kosova, sikundër qytetarë nga vende të tjera ballkanike, që nisen për të luftuar në Siri e Irak, nuk ka shumë dyshime. Edhe shembujt që jepen janë të dokumentuar. Këtë e pranojnë autoritetet përkatëse dhe e tregojnë mediat vendore e ndërkombëtare, të cilat janë marrë prej kohësh me problemin. Megjithatë shkrimi përcjell një frymë absolutizmi e alarmizmi që ka nevojë për t’u ripërmasuar. Vetë titulli është shumë i fortë, sepse të jep përshtypjen sikur të gjithë xhihadistët e rinj vijnë nga Kosova, ndërkohë që më poshtë shpjegohet se vijnë edhe nga vende të tjera. Kundërshtia është e dukshme. Fenomeni i trajtuar është tejet serioz dhe seriozisht duhet të merret nga të gjithë, si nga autoritetet shtetërore ashtu edhe nga opinioni publik, megjithatë përshkrimi i tij sensacional ka nevojë të jepet në kontekst. Pra duhet të shqetësohemi e të marrim masa, pa rënë në alarmizëm.

Nuk duhet harruar se xhihadistët e rinj vijnë edhe nga vendet perëndimore, qytetarë me të drejta të plota e me pasaporta vendase. Zakonisht flitet për imigrantë të brezit të dytë, ndonjëherë me probleme të pazgjidhura identitare, ose me integrim të munguar, që përqafojnë kauzën e xhihadit dhe rrokin armët për luftë. Gjithsesi, nuk është dukuri që prek ekskluzivisht Kosovën e Shqipërinë, edhe pse janë vende me besimtarë myslimanë.

Historikisht, sa herë që ndodhin luftëra të tilla, që kanë edhe jehonë mediatike, ka gjithnjë vullnetarë e mercenarë që nisen për arsye të ndryshme për të luftuar në favor të njërës ose tjetrës kauzë. Përtej ideologjive dhe problemeve personale, lufta është edhe ekonomi e biznes, ndaj nuk mund të shihet jashtë qëllimeve ekonomike e politike. Megjithatë, duhet parë edhe konteksti social dhe indi shoqëror. Si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, nuk mund të mohohet se është kultura laike ajo që predominon, çka do të thotë se përgjithësimet për xhihadistët e rinj që tashmë vijnë nga ato troje tingëllojnë të tepruara.

Ka ekspertë që mendojnë se ekziston edhe rreziku i emulacionit. Ekspozimi i gjatë dhe intensiv me imazhe e video rrezikon t’i çorientojë individët e lëkundur. Rrjetet sociale dhe interneti me fuqinë e tyre i amplifikojnë edhe më shumë mesazhet që vijnë nga luftimet në Siri e Irak. Pra duhet bërë kujdes edhe në dhënien e lajmeve dhe mesazheve që flasin për xhihadistët.

Lajmet për xhihadistët e rinj shqiptarë rrezikojnë ta dëmtojnë imazhin e vendeve si Kosova e Shqipëria. Ndonëse me karakteristika të ndryshme, janë dy vende që i kanë hyrë me vullnet e dëshirë rrugës së integrimit në Europë e në institucionet perëndimore. Edhe pse xhihadistët shqiptarë ekzistojnë, edhe pse ka pasur infiltrime, kjo nuk do të thotë se kemi të bëjmë me fabrika terroristësh në seri. Si institucionet, ashtu edhe kultura mbizotëruese, janë larg mendësisë që krijon kushtet ideale për terroristët. Edhe angazhimi për luftën e ashpër ndaj tyre ka qenë maksimal, ndërkohë që opinioni publik, përfshirë komunitetin mysliman, nuk i ka mbështetur asnjëherë.

Megjithatë si Kosova ashtu edhe Shqipëria janë tashmë vende të hapura ndaj botës. Shkëmbimet janë në rend të ditës e as që mund të mendohet e kundërta. Kjo do të thotë se ka të huaj që vijnë nga jashtë, por ka edhe shqiptarë që shkojnë jashtë shtetit. Situatën aktuale të Kosovës nuk e njoh mirë, por gjatë marsit të këtij viti, kur u arrestua një celulë terroriste në Tiranë, u fol për rrezikun e radikalizmit të importuar nëpërmjet studentëve shqiptarë që shkojnë e indoktrinohen jashtë shtetit, për t’u kthyer në vendlindje të riformatuar mendërisht. Në fakt, jo vetëm myslimanizmi shqiptar tradicionalisht i moderuar, por edhe bashkëjetesa midis feve ka qenë shenja dalluese kombëtare.

Pa dashur të biem në grackën e komplotizmit, duhet të kujtojmë kontekstin aktual. Nuk jemi vetëm në vigjilje të vizitës historike të Papës Françesku në Tiranë, i cili vjen shprehimisht për të vlerësuar bashkëjetesën ndërfetare, por edhe në një pikë të rëndësishme të ndërtimit të shoqërisë pluraliste e të rrugëtimit tonë drejt integrimit në Europë. Nuk mund të harrojmë së fundi polemikat helmuese që synojnë zhdoganimin e dasive fetare dhe krahinore. Ka gjithnjë nga ata që e ndezin dhe ka nga ata që i fryjnë zjarrit. Përsa i përket Kosovës, ajo bëhet pikë e ndjeshme e vëmendjes ndërkombëtare edhe për faktin se tashmë tensionet autonomiste marrin shpeshherë pamje tragjike, siç po ndodh kohët e fundit në Ukrainë. Pa dyshim ekziston gjithashtu rreziku i instrumentalizimit për arsye të tjera.

Pa e minimizuar çështjen, pa e nënvleftësuar, por duke shmangur alarmizmin teprues, institucioneve të Kosovës e të Shqipërisë, por edhe opinioneve publike përkatëse, u kërkohet angazhimi maksimal për t’i luftuar fenomenet negative të radikalizmit fetar, duke filluar nga njohja e tyre, shkaqet e dinamikat, por mbi të gjitha nëpërmjet nxjerrjes në pah dhe kultivimit të kulturës tradicionale pluraliste që bazohet në respektin ndaj Tjetrit në tërë ndryshmërinë e tij. Nga ana tjetër, përfshirë mediat e huaja, kërkohet një pasqyrim objektiv e i nyjëtuar i situatës shqiptare, si i vetmi kontribut real që mund t’i jepet paqes e bashkëjetesës shoqërore.

Nuk ka komente

  1. Me korrigjo nese jam gabim, por mediat italiane ne perendim njihen si teper sensacionaliste. Ketu ne anglosfere ku jetoj, kam pershtypjen se permendin shpesh me tallje si me teper thashethemexhij e qametmedhenj sesa si gazetare hetimore te mire. Rasti me i fundit ishte nje gazete italiane qe citonte nje burim te paidentifikuar se ishte planifikuar nje antetat kunder Papes. Nderkohe Vatikani thoshte qe nuk kishin asnje informacion te tille.

    1. Në rastin tonë nuk do ta shtroja kështu çështjen. Dallime midis gazetarisë anglosaksone dhe asaj italiane ka, por nuk di të vë nota, sepse kanë meritat dhe të metat e veta. Ka gazeta italiane me nivel të mirë, pavarësisht nga politika që ndjekin. Në epokën e globalizimit, informacioni qarkullon më shpejt nga cepi në cep të rruzullit, ndërkohë që sensacionalizmi është tundje e përhershme për gazetarinë.
      Për artikullin në fjalë nuk ke ç’të thuash po t’i referohesh burimeve, citimeve, dokumenteve, etj. Shkrimi përmban fotografi të pakontestueshme, thonjëza të rregullta e informacion përgjithësisht të njohur. Problemi qëndron tek impostimi e tek fryma që përcjell. Duke filluar nga titulli përgjithësues e alarmant. Pastaj, me komentet e mia u përpoqa ta kontekstualizoj pak shkrimin e frymën e tij, duke dhënë ndonjë mendim për pasojat e mundshme. Dukuria për të cilën flasim është pa diskutim serioze.

  2. Nuk e di se kush e nxit me shume urrejtjen dhe percmimin mbi baze fetare dhe racore: ky shkrim i sjelle si ketu ne reference, apo nje deklarate ne vete te pare si ajo e Maks Velos p.sh. Dhe sesa mire e kuptojme ne rrezikun e tregon numri i komenteve ne te dyja rastet.

  3. Mua me duket qe artikulli i Espresso ilustron ato qe ngriti edhe M.Velo ne intervisten e tij. Ne Shqiperi ekziston edhe problemi veri-jug ashtu si ne Itali, diference kulturash. Mysliman ka edhe jugu por aty ku kultura eshte e dobet sundon fanatizmi. Velo edhe me pare i kish shkruar keto ide qe me bejne te mendoj se ai kishte dalluar “virusin” e shperndare ne ato troje e ambientin e favorshem e tani duken shenja “epidemie”. Ne Shqiperi problemet nuk ekzistojne sepse mbyllim syte e kur dikush me guxim thote dicka per nje te keqe qe afron e pushton behet me e lehta, sulmohet.

  4. Italianet jane serbofile te thekur nga ekstremi i majte deri tek i djathti. Mendoj se kjo gje eshte e detyrueshme te merret parasysh. Diku ne artikull, gati si fshehtas, shkruhet se Bosnja ka numrin me te madh te ballkanikeve qe kane shkuar ne Siri, e megjithate ”halli” eshte tek Kosova.

    Deri dje, kur Amerika dhe Italia ishin kunder Asadit, fondamentalistet ishin aleate dhe rrjedhimisht te mire, tani Kosova del fole armiqsh. Mirepo qasja jone s’duhet te kete ndryshime humori te varura nga si ia kap Raiunon Espresso-s, me miza apo pa miza.
    Per Fantozzin eshte çeshtje moti politik, per ne eshte çeshtje qe prek indin e kombit dhe s’mund t’i lejojme vetes te na marre per hundesh Fantozzi i radhes. As mund te luftojme dot per imazhin me sukses kunder propagandes serbe ne Europe, per 101 arsye.

    Ne e dime si eshte realisht puna, xhihadistet shqiptare o jane blere direkt si mercenare ose jane korruptuar nga shoqatat arabe. Ne te dyja rastet, feja eshte mjeti per tek leku, shpesh thjesht mjet mbijetese (se nuk po bejne pallate ato leke). Kjo eshte arsyeja pse as ne Kosove e as ne Shqiperi nuk vihet uji ne zjarr, se shihet si nje menyre alternative per te ngrene buke.

    Persa kohe qe çeshtjet ne Ballkan i ka ne dore Amerika, le te na e prishin imazhin ne Europe sa te duan, biles tani qe BE-ja e ngriu/pezulloi institucionin e zgjerimit (s’ka me Fyle per te pakten 5 vjet), le te bejne gam-gam sa te duan, s’kemi pare ndonjehere hajer prej tyre e as besoj se kemi per te pare sa te jete jeta.

    1. Dy fjalitë e para i ke krejt të gabuara. Më duket përgjithësim tendencioz, pikërisht çka po i kritikojmë shkrimeve për Kosovën e Shqipërinë. Mjafton ndonjë shembull nga historia e vonë, pa sikletosur deklaratat politike, rolin gjeostrategjik dhe historinë e hershme. Zakonisht si serbofile akuzohet e majta italiane, por nuk duhet të harrojmë se luftën në Kosovë e mbështeti qeveria e atëhershme e Massimo D’Alema-s, eksponent i shquar i së majtës, nga Partia Komuniste e dikurshme deri tek Partia Demokratike aktuale. Nuk e mohoj që ka rryma e mbështetës të ndryshëm në politikën italiane, por Italia ishte ndër shtetet kyçe që e njohën Republikën e Kosovës. Nuk duhet t’i thjeshtojmë gjërat më shumë seç duhet…

      1. Italianet jane serbofile, qofte politikanet e qofte intelektualet. Qe mandej Italia duhet t’i bindet Amerikes e te dale kunder Serbise, kjo eshte çeshtje tjeter. Se kunder Serbise u detyrua te dale edhe vete Franca ku serbofilia eshte ulur kembekryq prej 100 e kusur vitesh.
        Italianet nuk vendosin serbofiline para interesit te tyre kombetar apo para aleances me Ameriken.
        Gjithsesi, qellimi im nuk ishte te hidhja poshte artikullin me serbofiline e pergjithshme, por thjesht te merrej parasysh e ne menyre specifike te verehej tek artikulli, ku boshnjaket qe jane shumice kalohen me heshtje dinake ( thenia e diçkaje fshehtas, sa per te lare gojen).

        Ndryshe do te ishte, ose me e ndershme do te ishte, sikur Fantozzi te merrej ne menyre specifike me Kosoven, pa folur per fenomen ballkanik (duke anashkaluar Bosnjen).

  5. Lajmi s’më duket i ekzagjeruar, ndonjë penelatë po. Në përgjithësi artikulli është faktik. Shqipëria (tani edhe Kosova) është bërë një thes ku çfarë s’është futur brenda – në emër të lirisë së shprehjes e besimit – lloj-lloj sektesh e rrymash fetare, myslimane e të krishtera, bëmat e të cilave ua ndiejmë zërin vetëm nga efektet, siç është edhe rasti në fjalë, apo raste të tjera në të kaluarën nga raportimet në media. Dhe në rastin e Kosovës (edhe pse më e theksuar ishte në Bosnjë), të mos harrojmë angazhimin e çetave të xhihadistëve nga Lindja e Mesme që morën pjesë në luftë, një fakt që askujt s’i pëlqen ta përmendë, ngaqë s’e kapërdin dot.
    Fundja, është një shkrim që u adresohet italianëve dhe interesave të tyre e shqiptarët s’kanë pse hidhen përpjetë kur lexojnë për të zezat e tyre në shtypin e huaj. Deri më sot s’kam dëgjuar ndokënd të hidhet përpjetë kur lexon për “të mirat”, shkrime mbushur me rrena pozitiviste për shqiptarët a Shqipërinë. Duket se na shijojnë vetëm të ëmblat.

    1. E kam pikërisht me ato që i quaje “penelata”. Përndryshe, siç e thashë më sipër, shkrimi ka plot dokumente, citime, fotografi. E përsëris, tema ka rëndësi të veçantë e me seriozitet duhet ta trajtojmë. Por përgjithësimet asnjëherë nuk e ndihmojnë kuptimin e një fenomeni kompleks siç është radikalizmi fetar e terrorizmi. Paragjikime gjithfarësh presin aty, prapa derës. Pasojat gjithashtu.
      Sa për gënjeshtrat në kahun pozitiv, jam dakord që të kundërshtohen kur rezultojnë të tilla. Kujdes nga ata që ta krehin bishtin kot…

      1. Është çështje këndvështrimi. Mua më intereson paraqitja faktike e, kur ajo është në rregull, jam gati ta mbyll një sy para mënyrës si paraqitet. Shkrimi është info mbi një realitet të ri në Kosovë; edhe konkluzionet duhen parë në atë prizëm. Të përfshish në artikull ata që nisën nga Afganistani apo edhe Anglia për në luftë, siç kërkoni ju në shkrimin tuaj, do ishte thjesht një qetësues për sedrën lehtë të lëndueshme të shqiptarëve, por artikulli ka tjetër fokus, Kosovën. Dhe tjetër audiencë, italianët. Kur lexon shkrime të tilla, zakonisht njeriu bën mirë t’i zbresë nga llogaria këto elementë e të shohë thelbin. Unë s’do shqetësohesha hiç sa e rëndon dorën autori italian në pasqyrimin e një realiteti shqiptar, sa do shqetësohesha, ta zemë, për mbylljen e një shkolle universitare teologjike që u mundëson shkollimin në Shqipëri atyre që nesër do drejtojnë institucionet religjioze, siç ishte rasti i fundit i universitetit Bedër. Çka do të thotë se shkollimin, ata që duan ta ndjekin atë udhë, do jenë të detyruar ta bëjnë përsëri në ato vende të huaja ku, një pjesë e mirë, shkojnë miell gruri e kthehen bukë misri.

        1. Po i hyjmë temës së madhe të paraqitjes mediatike të realitetit dhe ndikimit të mediave në opinionin publik. Nuk dalim “të gjallë” nga labirinti i këtij debati. Puna është se shkrime të tilla, me tituj të tillë, krijojnë imazhe të gabuara për vende e dukuri. Kush tha se shkrimi ishte vetëm për italianët? U përkthye në shqip dhe ndoshta është përsjellë në gjuhë ballkanike që nuk njoh. Kushedi po qarkullon nga një kancelari në tjetrën… Jo të gjithë janë si puna jote, që arrijnë ta skremojnë lajmin nga efektet e veta sensacionaliste. Shpeshherë lajmi dhe mënyra se si është dhënë merret si realitet, ndërkohë që është vetëm një pjesë e tij. Nuk dua të përsëritem, por lajmet që mund të përdoren për arsye të tjera më shqetësojnë. Autori italian mund ta kishte zgjidhur problemin me pak fjalë e me një titull tjetër.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin