TEK GJUHA QË S’ËSHTË

Disa gazeta e patën bërë një herë zakon që t’u merrnin publicistëve intervista për çështje personale ose kulturore të përgjithshme; më duket se këtu hynte edhe “pyetësori i Proust-it” ose diçka e ngjashme. Më patën bërë edhe mua të tilla, dhe mbaj mend se një nga pyetjet ishte se cilin personazh historik do të kisha dashur të takoj; ose i ç’ngjarjeje historike do të kisha dashur të isha dëshmitar.

Pyetje e vështirë – meqë, po të ishte puna për udhëtime mbrapsht në kohë, unë pa asnjë ngurrim do të kisha dashur të zhvendosesha dikur në shekujt V-VIII, për të dëgjuar me veshët e mi shqipen që flitej aso kohe. Por kjo nuk është se më lidhet me ndonjë personazh të caktuar; mbaj mend që kam përmendur një herë Pal Engjëllin, sekretarin e Gjergj Kastriotit; por edhe me atë për punë të gjuhës do të kisha dashur të bisedoja.

Natyrisht, udhëtimet në kohë janë një nga përftesat narrative standard të fantashkencës; duke filluar që me “Makinën e kohës”, të H.G. Wells-it. Për çudi, nuk më kujtohet se ku kam lexuar për herë të parë për këtë lloj marifeti; meqë libri i Wells-it, në fëmininë time, nuk ka qenë i përkthyer dhe e kam lexuar, në fakt, relativisht vonë.

Kush e merr në sy të udhëtojë në kohë, mund të zgjedhë midis dy drejtimesh –së shkuarës dhe së ardhmes (nuk po ngatërrohem këtu me universet paralele). Kushedi, në vitet 1960 kur isha unë fëmijë, bota ishte më e orientuar drejt së ardhmes; dhe jo vetëm ajo e Lindjes – pse kish një farë optimizmi të përhapur, që lidhej me teknologjinë dhe progresin dhe pushtimin e hapësirës kozmike. Sot, përkundrazi, të ardhmen na e pikturojnë me ngjyra të errëta, ose apokaliptike, ose post-apokaliptike: askush nuk do të donte të shkonte atje, përveçse për të parë numrat e lotarisë.

Nga ana tjetër, nuk është vetëm fantashkenca që merret me udhëtime në kohë: çdo lloj narrative e bën këtë, në letërsi, film dhe tjetërkund. Një roman që flet për Lekë Dukagjinin, mund të jetë fare mirë roman historik; një roman ku ti futesh në një arkivol prej qelqi, dhe përfundon në kullën e Lekë Dukagjinit, është fantashkencë. Por udhëtimi mbetet, në thelb i njëjti: kush e lexoi Katedralen e Hugo-it dhe nuk shkoi për ca kohë në Mesjetë?

Madje as narrativa letrare (ose artistike) nuk është e domosdoshme: çdo lloj udhëtimi do të mjaftonte. Kur kam vizituar qytete që i kam dashur veçanërisht, p.sh. Romën ose Parisin, gjithnjë kam përfytyruar si mund të kish qenë fëminia ime atje; ose si do të më kishte shkuar jeta, sikur të isha rritur në Flaminio ose në Montparnasse. Jam munduar ta shoh peizazhin urban me syrin e kujt ka jetuar atje: por ka qenë eksperiencë e pikëlluar.

Në një univers relativist, çdo udhëtim është edhe vetvetiu në të ardhmen; edhe pse kjo varet, doemos, nga distanca. Avionit i duhen rreth 9 orë, për të më çuar nga NYC në Tiranë – prandaj edhe e matim ndonjëherë distancën me “orë larg”; të tjerë do ta matnin me vite dritë. Le pastaj që, nëse ti nisesh tani drejt Siriusit duke u zhvendosur me një shpejtësi të afërt me dritën, kur të kthehesh do ta gjesh Tokën mjaft më të plakur se veten – dhe ky është një tjetër efekt i udhëtimit; që kushedi vepron, me mënyra të fshehta, edhe me udhëtimet e rëndomta, p.sh. nga Tirana në Stamboll e kthim (duke e vënë theksin te kthimi).

Një miku im i huaj, dikur në Tiranë, më pat pyetur ashtu për muhabet se ç’vend të botës do të dëshiroja më shumë të vizitoja. Ishte viti 1984 dhe shumë prej nesh udhëtimet jashtë Shqipërisë veç mund t’i ëndërronim. Ishte edhe koha kur në kinematë sapo kishin shfaqur filmin “Vizitorë nga kozmosi”, që rrëfente për udhëtime të tjera, pak a shumë imagjinare, të autorëve nëpër planet dhe në fantazinë e tyre, por edhe të jashtëtokësorëve. Prandaj edhe i thashë se vendi që doja të vizitoja më shumë ishte Ishulli i Pashkëve (Rapa Nui), në Paqësor. Më dukeshin shumë misterioze statujat (moai), më tërhiqnin në mënyrë të pashpjegueshme.

Ai miku qeshi dhe më tha se nuk kisha asnjë shans që ta plotësoja ndonjëherë këtë dëshirë; dhe se duhej të zgjidhja një synim më të realizueshëm.

Por ç’kuptim ka të gjakosh për një synim të realizueshëm?

Sot, meqë jemi në temë, mund të shkoj pa e vrarë shumë mendjen në JFK, të pres një biletë për Santiago (Kili) dhe që atje të marr aeroplanin e parë për Rapa Nui: gjë që nuk e kam bërë dhe që nuk besoj se do t’i vijë radha – por për mua vlen veç që mundem, sikur të doja (por nuk është punë shpenzimesh). Tek e fundit, a nuk i shfaqet vallë liria njeriut jo te çfarë bën, por te çfarë e ka të mundshme të bëjë?

Dhe kështu më rikthehen në vështrim synimet e paarritshme – që, për punë udhëtimesh, kanë zakonisht të bëjnë me kohën.

Nuk e kam fjalën, natyrisht, për të vizituar një komunitet baritor në Mongoli; as amishët në Pennsylvania; dhe as për shëtitjen rituale në Chichen Itza; ose në vendet ku e shkuara ka ngecur në qelibar, si mushkonja prehistorike, dhe ashtu ka vazhduar deri në të sotmen. Jo për ato vende, pra, që kanë udhëtuar vetë drejt së tashmes sime dhe më kanë gjetur mua më shumë se ç’i kam gjetur unë.

E kam fjalën për udhëtimin në kohë, në formën e vet të kulluar, si në rrëfimet fantashkencore, për fëmijë dhe të rritur.

Dhe këtu, sërish, mundësia – sado e parealizueshme – për të dëgjuar shqipen e vjetër i mposht të gjitha ngashënjimet e tjera – është një mister intelektual, por edhe thelbi i fshehur i realitetit tim të përditshëm, të cilin e ndërmjetësoj nëpërmjet shqipes.

Çuditërisht, nuk kam ndonjë interes për shqipen e nesërme; ose për mënyrën si do të ndryshojë gjuha për dy a tre shekuj (kam frikë të guxoj më tepër). Dhe kur them nuk kam ndonjë interes, dua të them jam krejt indiferent. Trenit drejt së ardhmes nuk i hipi edhe sikur të jetë falas – do të ishte “kohë e humbur” për mua, në atë kuptim që merr shprehja, kur është fjala për udhëtime në kohë.

Të ketë vallë të bëjë kjo, me atë që e ardhmja ende nuk ka ndodhur? Disa fizikanë dhe filozofë vihen me zell të pashoq të të shpjegojnë të kundërtën – se gjithçka që do të ndodhë ka ndodhur tashmë, dhe se je ti që rrëshqet verbazi nëpër këtë kontinuum katër-dimensional, si larva e bretkosës e kapur nga rryma, nëpër një zorrë llastiku.

Por le të mos hyjmë akoma në zorrën e llastikut; dhe le të pranojmë që e ardhmja nuk ka ndodhur njëlloj siç ka ndodhur e shkuara; sepse kështu e kemi më të lehtë ta mendojmë veten si qenie me vullnet të lirë. Le të pranojmë, më në fund, edhe që udhëtimi ynë drejt së shkuarës hipotetike, takimi ynë me Teodor Shkodranin, ose ekspedita jonë, me kokë në torbë, pranë banorëve të Komanit (që ende nuk e dinin se e përditshmja e tyre do të quhej, më pas, kultura e Komanit) nuk do të jenë të tilla, që të ndryshojnë rrjedhën e historisë; në kuptimin që nuk është se do të shkojmë dhe t’i shtiem në mendje Pal Engjëllit, bie fjala, që të shkruajë diçka më tepër se atë të shkretë formulë të Pagëzimit: për shembull ndonjë kronikë të bëmave të shefit të vet, ose edhe thjesht kujtimet (për këtë, do të më mjaftonte që ta bindja se do t’ia lexonte ato shkrime dikush dikur); dhe as t’ia japim alfabetin të gatshëm Gjon Buzukut. Përndryshe mund të rrezikojmë që të kthehemi që andej dhe ta gjejmë të sotmen të ndryshuar keqazi, si ai personazhi i Ray Bradbury-t, që shkeli pa dashur një flutur të Jurasikut (A Sound of Thunder).

Le t’i pranojmë me marrëveshje të gjitha këto, pra; pse vetëm ashtu do të mund të “realizohej” dëshira ime, për të pasur një provë të së pamundurës – ose të shqipes së dikurshme, ashtu siç nuk e kemi dhe kushedi nuk do ta kemi kurrë. Shqipja e vjetër ia ka zënë tani vendin Ishullit të Pashkëve në imagjinatën time, të paktën në përgjigjet që do t’u jepja pyetjeve të ngeshme: imazhi i saj më përhihet si i një lloj Perëndie, të cilën ashtu do të mund ta shihja ballë për ballë diku tjetër nga transhendenca.

Nuk ka komente

  1. “pse vetëm ashtu do të mund të “realizohej” dëshira ime, për të pasur një provë të së pamundurës – ose të shqipes së dikurshme, ashtu siç nuk e kemi dhe kushedi nuk do ta kemi kurrë”

    E mbaj mend atë pyetësorin, veçanërisht pyetjen në fjalë për arsye se më çudiste fakti që asnjë prej të intervistuarve nuk mendonte një takim më të hershëm se shekulli XV, i Skënderbeut. Antikiteti i Vonë ose Mesjeta e Hershme arbre, kjo e fundit një enigmë e jashtëzakonshme, nuk përmendeshin as prej të intervistuarve që qëllonte të ishin historianë dhe albanologë.
    Për të ardhur tek pasazhi më lart. Popujt mesdhetarë e kanë shkruar të gjithë gjuhën e tyre herët dhe madje çdo popull tjetër që ndërvepronte me mesdhetarët, niste të shkruante ndonjë fjalë. Gjermanikët e parë që hynë në kontakt me qytetërimet italike filluan të shkruajnë në alfabetin runik, sllavëve të Ballkanit po ashtu nuk iu desh shumë kohë.
    Sigurisht duhet fat i jashtëzakonshëm për të gjetur dorëshkrime në shqipen e Antikitetit ose Mesjetës së Hershme, por përndryshe një ose disa fjali të gdhendura mbi pjesë guri, qeramike a bronxi, ma merr mendja se ka jo pak mundësi të gjenden ndonjë ditë. Ose ndonjë tekst relativisht i gjatë, siç ato në pllakat e bronxta të Botorrita-s, me mbishkrime në gjuhën celte.
    Mund të jetë pikërisht mungesa e interesit një nga fajtorët kryesorë pse sot nuk kemi dëshmi të shqipes së lashtë. Duhen më shumë fushata gërmimesh në shtresat e qyteteve ilire që prekeshin të parat nga rrezatimi i qytetërimeve latine dhe greke, siç në Shkodër, Berat, Ballsh apo ndonjë tjetër; ose në vetë rrënojat e qyteteve arbëre, në Shqipërinë e mesme. Natyrisht është e kuptueshme që kanë më shumë interes vende si Butrinti, Apollonia e Durrësi, pasi kanë qenë qytete më të rëndësishme, më të lulëzuara, me ndërtesa dhe momnumente të shumtë, veç përndryshe në këto flitej e shkruhej greqisht.
    Ndonjëherë nuk është edhe faji ynë. Kush studiues shqiptar pati mundësinë të hynte në Arkivat e rëndësishme fqinje të Beogradit e Athinës dhe nuk gjeti ndonjë gjë.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: