Këto shënime i kisha nisur për blogun Shqipologji, por pastaj vendosa t’i nxjerr këtu, në vijën edhe të debateve që patëm në lidhje me vendin dhe vlerën e orientalizmave në shqipen e sotme.
Sepse ka disa fjalë, nga këto orientalizma, që kanë bërë folenë në shqipen bisedore dhe madje sot po shërbejnë për ta karakterizuar atë në mënyrë mbi-dialektore, çka më duket e rëndësishme, në rrethanat kur një pjesë e kulturës tek ne vazhdon të kujdeset për dialektet.
Dhe një fjalë e tillë është hiç, e cila ka krijuar një hapësirë të vetën atje ku leksiku rrethpritet me gramatikën – meqë kjo fjalë, apo fjalëz nëse duam, merr tani pjesë në shprehjen gramatikore të mohimit në gjuhë.
Në kuptimin e vet si emër, hiç do të thotë “asgjë”, siç del edhe në dialogun elementar:
Çfarë gjete? Hiç.
(Gjetët gjë? Një hiç të madh gjetëm.)
Por edhe në shprehjen ti je një hiç. Kam përshtypjen se e kam parë të përdoret edhe në kuptimin filozofik të asgjësë, hiçi (angl. nothingless, fr. néant), por do të ketë qenë ndonjë eksperiment autori.
Megjithatë, përdorimet më interesante të hiç i ndesh në bashkëvajtje me morfema të tjera mohuese. Kështu, dialogun e mësipërm mund ta rishkruanim:
Çfarë gjete? Asgjë, hiç. (Hiç, asgjë)
Dhe këtu nuk themi dot më se hiç ka thjesht kuptim mohor.
Përkundrazi, duket i ngjashëm, për nga kuptimi, me pjesëza përforcuese të mohimit, të tilla si fare dhe aspak.
Për shembull:
Nuk fjeta dot hiç (Nuk fjeta dot fare)
Ti nuk më do hiç, më duket (Ti nuk më do fare, më duket)
Ose edhe:
Unë fol, ai hiç (sërish e alternueshme me fare).
Ndryshe nga fare, e cila përdoret si përforcuese edhe në fjali pohore (e paske qarë fare), ky lloj hiç-i ndeshet veç në ndërtime mohore.
Të gjitha këto përdorime të hiç janë bisedore – në shqipen librore ose formale, hiç nuk gjen dot vend, përveçse si fjalë “e shenjuar”. Dhe kjo është gjë e mirë – sepse dallimi midis një regjistri bisedor dhe një regjistri formal veç mund ta pasurojë shqipen në momentin e tanishëm.
Ka edhe prirje të kësaj fjalëze për t’u përdorur në mënyrën si u drejtohemi fëmijëve:
Nuk je hiç gocë e mirë!
Hiç nuk më pëlqen kjo që ke bërë!
Të shau ajo, vërtet? Hiç mos i fol më me gojë!
E kështu me radhë. Kjo ndodh ngaqë të folurit me fëmijët e kërkon teprinë (redondancën), dhe hiç në ndërtime mohore është zakonisht redondante.
Përndryshe, hiç hyn mes grupit të fjalëve më të përdorura në shqipen bisedore, ngaqë ka zënë vend në formulën standard të përshëndetjes mes miqve:
Ç’kemi? Hiç, ç’të kemi? [ose]
Ç’kemi? Hiç, asgjë me rëndësi. Të zakonshmet.
Të vërehet edhe forma më e thjeshtë:
Ça (po) bën? Hiç.
Në këto ndërtime, hiç specializohet për të zbutur impaktin e pyetjes, në atë lloj komunikimi që e kanë quajtur fatik (Malinowski, Jakobson; ndryshe edhe grooming speech ose small talk), dhe që synon mirëmbajtjen e kanalit dhe ruajtjen e kontaktit.
Këtu hiç është e ndërkëmbyeshme me asgjë (por mund të përdoren edhe të dyja bashkë: hiç, asgjë; ose hiç, jo ndonjë gjë të madhe).
Nga ana tjetër, larmia e përdorimeve si këto më poshtë:
Hiç mos ia jep, le të ta kërkojë.
Hiç fare.
S’më dëgjon hiç.
Hiç nuk ta them.
Hiç, mos m’u lut kot, nuk ta jap.
E bën hiç një pjesëz me sintaksë shumë fluide dhe me kuptim më shumë përforcues të mohimit në bashkëvajtje me morfema të tjera, sesa thjesht mohor.
Kjo e bën të krahasueshme me frëngjishten mohore pas, e cila edhe ajo e pat nisur karrierën si përforcuese e mohimit, pa çka se sot është gramatikalizuar.
Më në fund, është për t’u habitur që kjo hiç e ka gjetur rrugën drejt sistemit fjalëformues të përemrave shqip (fushë mjaft e gramatikalizuar), duke na dhënë hiçgjë, hiçmosgjë, hiçkurrgjë etj.
Në Gjirokastër dëgjohet edhe hiçnjeri.
Pyetja që duhet bërë, në këtë rast, është se si dhe pse është ruajtur kjo fjalë në shqipe, në kushtet kur ka qenë lehtësisht e zëvendësueshme nga fare, përkatësisht aspak dhe, në kontekste të tjera, nga asgjë, asfare, kurrgjë, mosgjë madje edhe zero (khs. pesë me hiç) ose jo.
Kushedi e ka ndihmuar specializimi në ligjërimin bisedor (teksa aspak, bie fjala, është specializuar në ligjërimin libror; ndërsa fare e ka ruajtur përdorshmërinë në të gjithë regjistrat).
Por edhe një farë algjebrizimi i kuptimit, që i ka dhënë universalitet përdorimi – ose aftësia për ta shprehur mohimin [ – ] në mënyrë abstrakte, pa e lidhur ngushtë me ndonjë gjymtyrë të fjalisë.
Dua të them, hiç vërtet ka qenë e zëvendësueshme në të gjitha kontekstet ku del, por ama me fjalë të ndryshme të shqipes: asgjë, fare, jo. E njëjta dukuri, algjebraizimi, ndeshet – besoj – edhe në disa orientalizma të tjerë të rrënjosur në leksik, si qejf dhe zor; kushedi ngaqë, si fjalë edhe popullore edhe abstrakte, janë përdorur para neologjizmave të hyrë në përdorim më vonë (khs. kënaqësi, dëfrim, vështirësi). Këtu ndoshta hyn edhe kot, që nuk është orientalizëm.
U zgjata pak; më intereson të qëmtoj si kanë mbijetuar disa orientalizma dhe turqizma në shqipen e sotme, megjithë vjetrimin e natyrshëm, konkurrencën sinonimike dhe luftën që u është shpallur pa kompromis.
xha-xha doja te pyesja (si analfabet qe jam ne fushen e gjuhesise) a eshte synuar apo bere ndonje perpjekje per te ristrukturuar disa nga formulimet e “fjalive mohore” te shqipes?
Psh., me larte ju thoni: – Nuk je hiç gocë e mirë! qe mund te shqiperohet ndryshe “nuk je aspak goce e mire” dhe qe per mua do te thote se ne fakt “je goce e mire”. 🙂 Si ky shembull ka shume te tjere, por a nuk do te ishte me mire qe me regullore gjuhesore te vendosej qe te formulohej “Je hic goce e mire!”?
Jo, nuk ndërhyhet ashtu në gjuhë 🙂 Askush nuk guxon të disiplinojë gramatikën në emër të logjikës – le pastaj që mohimin e dyfishtë e kanë edhe gjuhë të tjera, si italishtja: Non c’è nessuno a casa ose spanishtja no hay ningún problema. Por gramatikën nuk e prek njeri – e shumta, mund ta sistemosh, gjatë standardizimit, duke zgjedhur midis alternativave (p.sh. midis shtëpi dhe shtëpija (në shumës) u zgjodh e para, besoj për të njësuar format e shumësit të emrave femërorë me temë më -i të theksuar).
Ja dy strofat e fundit të poezisë “The snow man”, nga Wallace Stevens:
…
Which is the sound of the land
Full of the same wind
That is blowing in the same bare place
For the listener, who listens in the snow,
And, nothing himself, beholds
Nothing that is not there and the nothing that is.
E kam dhënë kështu:
…
që është zëri i dheut
citë me po atë erë
që fryn në po atë djerrë
për dëgjimtarin, që dëgjon në dëborë,
dhe, hiç ai vetë, këqyr
një hiç që s’është atje dhe hiçin q’është.
Për t’i dhënë sa më ritëm dhe eufoni vargut, kur i thonë, ia shes shpirtin…shejtanit
Hipoteza që më vjen në mendje është arsyeja ekonomike në gjuhëpërdorje: “hiç” është më e shkurtër se “fare”, apo “aspak” dhe mbetet më e shkurtër edhe në rasa të ndryshme: “hiçi, hiçit, hiçin, etj.” Ndoshta ndaj edhe lidhet mirë me fjalë të tjetra, pra ka aftësi kumulative, më e bukura prej të cilave, më duket “hiçmosgjë”. Sa e zbehtë tingëllon “u zunë për asgjë ose kurrgjë në krahasim me “hiçmosgjë”. “Qejf” po ashtu e plotëson këtë kusht. E lakuar, në njëjës dhe shumës, është më e rrjedhshme dhe fleksibël se kënaqësi. P.sh.: “Ia këputëm muhabetit për shtatë palë qejfe” ose “lloj-lloj qejfesh kjo botë” (paçka se “dynja” është më me kripë).
Sa për “zor”, kjo ka zhvilluar një jetë të dyfishtë, atë të vështirësive po e po, por edhe të turpit: “më vjen zor”. Është tepër cerebrale dhe e pasaktë të thuash në kontekstin e turpit “kam vështirësi”.
E si mund të vdesë një fjalë që përdoret në shprehjen “Je një hiç”? Mund ta ndeshësh kudo: kafene, shkollë, parlament, internet. Si mund ta thoshim ndryshe? Je askush, je kot, je zero? Më efikase “Je një hiç!”. Se ndonjëherë të vjen ta thuash… por jo ta dëgjosh.
Më lindi një pyetje në lidhje me potencialin e “hiç” për të gjeneruar kompozita të reja dhe marrë shkas nga “hiçnjeriu” i Gjirokastrës (fillimisht mendova se do të thoshte “njeri koti”, por pastaj kur iu ktheva paragrafit kapa kontekstin e mohores).
A është e pranueshme të thuash “punëhiç”, për “dembel” apo për dikë që është i kundërti i “punëtorit” a “punëmbaruarit”? Kam parasysh këtu “fénéant” (fr.) ose “Nichtstuer” (gjer.).
Fjalët janë ato që janë – të përpiqesh të shtosh një të re në gjuhë është gjithnjë ndërmarrje me “rrezikshmëri” të madhe – pse askush nuk e di çfarë e bën fjalën e re ta kapërcejë kufirin e tekstit ku është përdorur.
Punëhiç i ka kartat në rregull për të qenë fjalë e shqipes – por në fakt nuk është. A ka nevojë për një fjalë të tillë? Vështirë ta thuash. Aq më tepër që ndonjëherë gjuha bën të vetat fjalë të formuara jo sipas rregullave: p.sh. përdorim (do të duhej përdorje; madje prof. F. Agalliu ngulte këmbë që ta thoshte gjithnjë kështu, në leksionet).
E kuptoj. Flitet shpesh në shtypin popullor për pasurimin e gjuhës, ama rrallë dëgjon për mekanizmat zyrtarë e jo zyrtarë të pasurimit. Sidomos këtë dekadën e fundit, shumica e përpjekjeve konsiston në një lojë e-ka-kush-e-ka me gjuhët e huaja, ku shqipja rend pa frymë te gjejë ekuivalente për perlat e huaja. Më duket kjo një tjetër pasqyrë e fenomenit princ-Wied.