Muhabeti që bënim këto ditë për pluralizmin në standard m’u kujtua, kur po kërkoja përkthimin e miratuar të termit Pictures në MS Windows.
E dimë që Pictures është nga ato terma të anglishtes që nuk përkthehet aq lehtë, sepse përfshin edhe fotot, edhe vizatimet, edhe pikturat – ose çdo lloj skedari që përmban figura.
E kanë përkthyer “imazhe”, çfarë krijon problem menjëherë duke u përplasur me përkthimin shqip të images; ndonjë mund ta ketë dhënë edhe si “figura”, çfarë nuk tingëllon aq mirë, për arsye të tjera.
Gjithsesi, nuk e prisja larminë gati folklorike të termave që më sugjeroi sajti terminologjik i Microsoft-it.
Krahas përkthimit Imazhet dhe variantit imazhe, del edhe termi fotografitë, i cili është në fakt hiponim i pictures; si dhe versioni piktoresk fotografijat, që besoj se është edhe termi që favorizonte në kohën e vet Marubi.
Pesë përkthime dhe tre probleme të ndryshme: së pari, luhatja midis formës së shquar dhe të pashquar, të cilën shqipja detyrohet ta zgjidhë gjithnjë në kontekst, sa kohë që trajta e shquar e emrit është funksion më shumë i tekstit sesa i një thënieje të shkëputur, aq më tepër njëfjalëshe; më tej, pështjellimi midis dy termave të ndryshëm, imazhe dhe fotografi, i cili me siguri e ndan më dysh krejt strukturën terminologjike të MS Windows-it.
Dhe më në fund, la ciliegina, ose forma jostandard fotografijat, që kushedi si e ka gjetur rrugën në këtë listë të kodifikuar me kujdes.
Shoh që termi e ka burimin nga një paketë shërbimi (Word 2003 LIP SP2), e cila do të ketë përfunduar në duart e një përkthyesi plot mallëngjim krahinor dhe dëshirë për të lënë gjurmë në historinë e shkallmimit të standardit shqip.
Kushedi ç’kuriozitete të tjera gjuhësore ka futur ky hero subversiv në paketën e shërbimit, dhe që nxjerrin krye sot e kësaj dite në ekranet e atyre pak përdoruesve që guxojnë ta përdorin MS Windows në shqip; dhe që me siguri shkurajohen sapo iu del kjo fotografijat përpara (e cila, le ta pranojmë, rimon me arkapijat).
Ose, më keq akoma, ka të ngjarë që përkthyesi ynë ekzotik të mos e ketë ditur se po shtie në punë një trajtë jostandard dhe të mos e ketë kuptuar se ka një dallim midis fotografijat dhe fotografitë, i cili duam s’duam duhet respektuar; dhe ta ketë marrë përsipër këtë detyrë shqipërimi thjesht “për të nxjerrë ndonjë lek.”
Atyre që, në këtë moment, po mendojnë se po e teproj, ju kujtoj që janë pikërisht këta përkthyes të improvizuar që e mbysin tregun me tarifat e tyre të ulëta, duke i lënë të tjerët, përkthyesit profesionistë, me gisht në gojë.
Përndryshe, edhe më e rëndë është, nga pikëpamja terminologjike, luhatja sistematike midis imazhit dhe fotografisë; aq më tepër që ky term i fundit përdoret edhe për të përkthyer anglishten photo(graph)s. Në fakt, jo rrallë, përdoruesit i duhet të bëjë dallim midis pictures dhe photos, ngaqë termi i dytë është më specifik; sikurse i duhet të bëjë dallim midis pictures dhe images.
Nëse duam vërtet ta pasurojmë shqipen, madje edhe duke shfrytëzuar gurrën popullore, duhet t’i krijojmë mundësi të shprehë dallime kuptimore të tilla të holla, të cilat janë sot më të rëndësishme se sinonimet për eshkën, ose përpjekjet patetike, për të sajuar neologjizma ose hedhur në përdorim ekzoticizma gjithfarësh.