AS SEEN ON TV

Me kërkesën tonë, një kolege dhe unë ndoqëm një orë mësimi letërsie në një shkollë të mesme në Tiranë.

Flitej për romanin “Bardha e Temalit”, të Pashko Vasës; dhe për dramën “Shtëpia e kukullës” të Ibsen-it, me përqendrim te krahasimi mes dy personazheve, Bardhës dhe Norës.

Nxënësit komunikonin shumë mirë me gojë, shpreheshin lirshëm dhe në mënyrë të artikuluar, të ndihmuar edhe nga një mësuese shumë e aftë, që e mbajti në kontroll diskutimin me një rrjedhshmëri prej dirigjenti orkestre; nga ana tjetër, më la mbresë përqendrimi i mësimit në aspektet thjesht sociologjike të dy veprave, duke lënë mënjanë pothuajse krejt faktin që kishim të bënim me letërsi, ose fiction; ose, më mirë, me formë edhe më parë se me përmbajtje.

Me fjalë të tjera, me siguri të nxitur dhe të kushtëzuar edhe nga teksti i lëndës, nxënësit u prirën t’i trajtojnë edhe Bardhën edhe Norën, këto personazhe të krahasuara, si protagoniste ngjarjesh reale, ose grash për të cilat kishin lexuar në gazetë; madje edhe t’i lidhnin ngjarjet e përshkruara në veprat me ato të kronikës së zezë ose edhe rozë të gazetave, ose me dilemat dhe dramat e përjetuara nga gratë dhe vajzat në jetën e tyre të përditshme, në Shqipëri dhe gjetiu.

I mësuar që unë vetë t’u qasem teksteve letrare me mënyra dhe mjete shumë më formale, pothuajse kisha harruar që tek ne ekziston tek ne një traditë e fortë sociologjizmi në kritikën dhe në historinë e letërsisë, e cila kushedi ndihmon për t’i afruar nxënësit me tekstet; por që megjithatë rrezikon të lërë mënjanë artin.

Edhe nxënësit, edhe mësuesja e tyre, m’u dukën më të zotët në shprehje, më të lirshëm dhe më të shkathët se ç’kemi qenë ne para tridhjetë vjetësh; dhe më erdhi keq që programi, i pasqyruar në atë mësim dhe në konceptin e krahasimit mes dy personazheve, nuk iu përgjigjej nivelit të përgjithshëm të “aktorëve” në klasë.

Pastaj erdhi një moment kur, duke parë lehtësinë me të cilën mësuesja i qepte së bashku ndërhyrjet e njërit dhe të tjetrit, duke kaluar me lehtësi nga një segment i argumentit në segmentin pasues, e kuptova se kjo lehtësi komunikimi kish të bënte, tek e fundit, edhe me ndikimin e modeleve në mediat dhe sidomos të televizionit në të gjithë pjesëmarrësit; dhe veçanërisht të talk shows-ve, ku shqiptarët po mësojnë të flasin dhe të marrin pjesë në diskutime, nën drejtimin e një moderatori që, në këtë rast, ishte mësuesja vetë – që edhe ajo pas gjase i kish përsosur shprehitë e veta duke ndjekur ekranin.

Këtë ma konfirmoi edhe niveli praktikisht i shkëlqyer i shqipes standard, në gojën e nxënësve; e pyeta më pas mësuesen për këtë dhe ma konfirmoi, duke shtuar se këta megjithatë ende i kishin disa vështirësi në të shkruar; edhe një herë, por tanimë për shkak të televizionit, standardi po u vjen fëmijëve më natyrshëm i folur dhe i udhëzon në regjistrin e ligjërimit publik me gojë; ndërsa sfidat mbeten në shkrim, edhe pse jo doemos në drejtshkrim, gjë që mund të dojë të thotë se të rinjtë e sotëm lexojnë relativisht pak.

Krahasimi me një talk show vetvetiu kërkon edhe publikun përkatës; dhe, në të vërtetë, krejt performanca e mësimit, të zhvilluar në mënyrë interaktive dhe me një allegro sostenuto krejt mbresëlënëse, parakuptonte praninë time dhe të koleges sime në klasë, edhe pse të ulur në një nga bankat e fundit; ishte vërtet një shfaqje që jepej për ne, ky riprodhim i roleve të mësuesit dhe të nxënësit, në sytë e këtij publiku pak enigmatik.

Këtë e them jo për të kritikuar gjë; përkundrazi, për të theksuar edhe një herë se programet e sotme shkollore kanë mbetur mbrapa aftësive reale të nxënësve, të mësuesve (ose të paktën të disa mësuesve), por edhe mundësive reale të vetë metodave pedagogjike moderne, të cilat i pamë të zbatuara. Çfarë mungon, është përditësimi i mënyrës si ofrohet lënda e dijes dhe, në rastin konkret, analizat formale të teksteve letrare, përfshi këtu edhe intertekstualitetin dhe zbërthimet diskursive dhe narratologjike të veprave, të cilat mund të bëhen pa i mërzitur nxënësit me shumë teori dhe formula.

Ndërkohë, dhe për t’i mbyllur këto përshtypje, nuk duhet të lë pa përmendur as edhe mundësinë që ne mysafirët, si dy figura të zhveshura me pushtet praktik por megjithatë të trajtuara me kujdes të madh dhe respekt nga autoritetet e shkollës, të jemi konsumuar si një spektakël i llojit të vet gjithashtu; pse askush më tepër se nxënësit në shkollën e mesme nuk do ta shijojë lojën e shndërrimit të vëzhguesit në të vëzhguar, madje edhe në performancë e sipër, gjë që aktorët e mirëfilltë nuk e realizojnë dot.

Nuk ka komente

  1. Pikerisht: Bardha dhe Nora nuk u trajtuan si personazhe veprash por si dy gra te ndryshme (apo kategori grash) ne raport me njera-tjetren dhe me grate e sotme. Nuk kish asgje letrare ne diskutim, dhe ketu nuk dua te flas vec per formen ne letersi, por edhe per rrethanat ne te cilat personazhet dhe autoret jetojne. Te gjitha keto mbeten krejt jashte. Une besoj, sic thote XhaXhai se i gjithe diskutimi ish i vlershem dhe i rrjedhshem, ne gjuhe te paster e stilistikisht te sprovuar, gje qe une nuk e prisja nder gjimnaze. Me beri pershtypje edhe masiviteti ne diskutim. Nuk ishin vec 5-6 qe flisnin. Eshte e vertete qe ora u torr si nje spektakel i mire per klasen e mesme, por pse? Vetem se kish ne fakt nje audience te pazakonte apo sepse kjo eshte forma qe krijon nje efekt te kollajshem, sepse diskutimi rrjedh me pa pengese e mund te bazohet edhe ne intuite, nderkohe qe diskutimi per Letersine, personazhet, historine e krijimit, format artistike dhe jo kategorite shoqerore perfaqesuar nga dy grate, jane me te veshtira per t’u trajtuar? Pastaj pse duhet te perqendrohet me kete intensitet nje mature ne Bardhen e Temalit? Fakti qe ky konsiderohet roman i PARE nuk e ben te rendesishem nje krijim. Kjo me con tek forca detyruese e disa ngurtesimeve ne historine e shkencave tona qe duhet medoemos t’u ushqehen me force nxenesve edhe kur s’ka asnje arsye tjeter vec qe te ndertojne ate strukturen dogmatike dhe te mbishtresuar trashe te nje shkence qe behet shkence se ka data, terma dhe klasifikime ne kategori qe duhen mbajtur mend, por qe jo detyrimisht te pasurojne mendjen, emocionet apo te shpjegojne boten.

    Por sot dicka u permbys ne ato qe une mendoja bazuar ne cfare me kishin thene njerezit neper Tirane. Me kane thene pa pushim se shkollat publike ne Tirane (ndryshe nga ato ne Amerike) jane me te forta se ato privatet: sot, ne shkollen private ku qeme pashe se studentet e matures ishin me te pergatitur se shume studente mature qe une kam takuar nga shkollat publike, ose se paku ishin po aq te mire. Dhe, sic e thote edhe XhaXhai, ishin me te pergatitur sesa ne ne eren e gjimnazeve socialiste. Dhe kjo e fundit me cuditi edhe me shume pas atyre qe degjojme cdo dite.

    1. Nuk e kuptoj se si e perligjin programet mesimore krahasimin e dy veprave si “Bardha e Temalit” dhe “Shtepia e kukulles”. Ku hyn ky krahasim, ne historine e letersise se huaj apo ne historine e letersise shqiptare? Apo eshte ne kuadrin e ndonje pjese te programit mbi letersine e krahasuar?

      Ngado qe ta shohesh nuk ka kuptim. “Bardha e Temalit” nuk eshte ndonje veper e shquar e letersise se huaj, nuk eshte as pjese e letersise shqiptare, sepse nuk u shkrua ne shqip, nuk u shkrua per lexuesin shqiptar, nuk u botua e as u lexua ne Shqiperi. Fakti qe autori ishte shqiptar nuk e ben vepren letersi shqiptare. As si letersi e krahasuar nuk ka asnje kuptim te ballafaqohen keto dy vepra, sepse nuk kane asnje lidhje. Shkurt, ne ate ore mesimi nxenesit jane shkrire ne muhabet, por nuk kane mesuar asgje nga letersia.

      Me vijne ne mendje tani rezultatet e testimit qe i nxori nxenesit shqiptare analfabete funksionale. Po te jene te gjitha shkollat keshtu, ato rezultate i bie te jene te sakta.

      1. Vërtet, por ky është problem i programit (dhe i tekstit), jo i orës së mësimit; pra mësuesja dhe nxënësit nuk kanë faj. Bardha dhe Nora u krahasuan mes tyre si dy gra në peripecitë e tyre – ose jashtë kontekstit letrar. Nga ana tjetër, sikurse e thua edhe ti, është qesharake që të futet Bardha e Temalit në letërsinë shqipe për shkollat e mesme; edhe pse unë nuk e kam lexuar dhe nuk mund të shprehem më tej; gjithnjë duke dyshuar se është fjala për një vepër derivative. Nga ana tjetër, ndoshta duhej të kisha pyetur nëse nxënësit e kishin parë “Shtëpinë e kukullës” në skenë (apo në video), apo ishin mjaftuar me leximin e saj; sepse një dramë, si rregull, duhet ndjekur në teatër, për t’u gjykuar.

        1. Pa diskutim! Ketu pergjegjesia eshte e programeve ministeriale dhe e autoreve te teksteve.

          “Bardha e Temalit” eshte nje roman tipik sentimental nga ata qe botoheshin me thase ne ate kohe. Eshte nje histori dashurie dhe tradhtie bashkeshortore qe perfundon me vdekjen tragjike te heroines. Tani qe po e mendoj, nuk kane pasur faj nxenesit qe e kane trajtuar si kronike te sotme, sepse ne fakt ngjan shume me kronikat shqiptare te diteve tona ku vjehrra vret nusen per inat te djalit, nena vret foshnjen per inat te burrit etj.

          Nje roman i ngjashem u botua ne Tirane aty nga fillimi i viteve ’40. Titullohej “Gremina e dashurise”, shkruar nga Mustafa Greblleshi. Beri buje te madhe dhe u be nje best seller per kohen. Sikur ky roman te ishte pjese e programit te letersise edhe mund ta kuptoja, por “Bardha e Temalit” nuk ka asnje arsye te jete.

  2. Nje diskutim shume i frytshem ky dhe shpresoj qe eksperienca te sherbeje per veshtrime te metejshme dhe qe te pasurohet nga lexuesit qe perballen cdo dite me arsimin ne shqiperi.

    Meqe nuk e kam kryer gjimnazin ne shqiperi nuk jam ne gjendje te vleresoj ne ka patur evolucion ne menyren si mesohet letersia por duke patur pervojen perendimore (SHBA) jam kurioze nese perqendrimi ne aspektin sociologjik ka te bej me menyren si letersia eshte trajtuar historikisht (nje mbetje) ne Shqiperi ose mos kjo ka te beje valle me nje afrim te qellimshem me rrymen qe sundon ne Perendim, ose ate qe Harold Bloom do ta quante “school of resentment”, nje fryme qe e sheh letersine kryesisht ne sherbim te ceshtjeve sociale si feminizmi, varferia, margjinalizimi e te tjera.

    Do te mbetesha e kenaqur nese vertete nxenesit do te perfitonin aftesite kritike (sipas leximit feminist apo marksist) por kam frike se kjo nuk po u ofrohet seriozisht dhe keshtu mbeten dyfish te gjymtuar intelektualisht: me pak perfitime nga ana estetike dhe me trajtime siperfaqesore te aspekteve sociale.

    1. Parrulla, thua se nuk e ke kryer shkollen e mesme ne Shqiperi. I bie te mos kesh kryer as shkollen e larte ne Shqiperi.

      Komplimente per shqipen!

      Kam takuar shume te rinj shqiptare qe jane rritur ne mergim e i kane kryer shkollat jashte Shqiperise, por asnje qe ta shkruaje shqipen si ti. Shumica e tyre nuk dine as ta flasin.

      Komplimente vertet!

      1. Hmmm. Une ndiej qe duhet ta zoteroja akoma me mire e me lirshem. Sforcohem shume meqe formimin baze analitik e kam ne anglisht. Po te kisha mundesi do ndiqja me shume kenaqesi ca ore mesimi te klases 6 per te kuptuar nivelin ku shqipja dhe mendimi ne shqip u shkeput. Blogu ka qene dhe mbetet shkolla ime e vetme.

    2. Do te mbetesha e kenaqur nese vertete nxenesit do te perfitonin aftesite kritike (sipas leximit feminist apo marksist)…

      Jam kurioz se cfare perfitimi do te kishin nxenesit, te rinjte, te zhvillonin nje shqise te tille kritike nen kendveshtrimin feminist per me teper marksist, ndoshta si kombinim: feminizmin marksist.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin