MONOPOLIZIMI I DIJES

Dua ta falënderoj Self Made Radio për shkrimin e saj Vetizolimi, të cilin prej blogut të saj e mori pastaj edhe forumi Peshku pa Ujë, për ta vazhduar më tej debatin. Unë këtu dua të shtoj disa mendime për të përforcuar ç’është thënë më parë, por edhe për t’u thelluar në disa pika.

Është thënë se vetizolimi i intelektualëve ose punonjësve shqiptarë të shkencës, të arsimit e të artit, ka të bëjë edhe me mungesën e një kulture akademike të bashkëpunimit, çka është më serioze sesa vështirësia për të përdorur literaturë të huaj nga disa studiues.

Përdorshmëria pa probleme e revistave dhe librave akademike do të ishte pa vlerë, sikur të mos harmonizohej me kërkimet dhe krijimtarinë që kryhen brenda Shqipërisë, dhe nga studiues shqiptarë anembanë botës. I vetmi qëllim i librave, revistave dhe konferencave është të ofrojnë një platformë për shkëmbim dhe komunikim, nga ku mund të çohet më tej dialogu dhe dija. Kam përshtypjen se një problem serioz sot ka të bëjë me atë që gjithsekush sot duket sikur flet i veçuar, pothuajse në zbrazëti. Sa profesorë ose dijetarë shqiptarë marrin sot mundimin për të përfshirë në programet e veta të leksioneve, ose në shkrimet e veta mendimin bashkëkohor të kolegëve të tyre shqiptarë (brenda dhe jashtë Shqipërisë), sidomos në fusha të tilla si sociologjia, historia dhe shkencat politike, ku arritjet edhe nuk kanë munguar, sado modeste të kenë qenë? Nëse studentët nuk njihen me rryma të mendimit MADE IN ALBANIA, krahas me mendimin e përgjithshëm në fushat përkatëse, ecuria dhe përmirësimi i kërkimit dhe krijimtarisë diturore mbeten të cunguara. Nëse dijetarët tanë vazhdojnë t’i shmangen shoku-shokut, çfarë shpresojmë të arrijmë duke u dhënë atyre mundësi të përdorin lirisht botimet periodike të huaja?

Edhe nëse studentët do të shfaqnin dëshirë dhe vullnet për të mësuar, përsëri janë profesorët ata që nuk duan ose nuk mund të japin mësim ashtu siç lypet. Një pjesë e mirë e pedagogëve në universitete janë vërtet të dobët dhe të rastit; por edhe ata me përvojë të madhe shpesh nuk begenisin as të japin minimumin, duke nëvlerësuar veten më tepër sesa sistemin e shkollimit. Ka përjashtime? Patjetër, por janë shumë të pakëta, për të kompensuar mangësitë.

Nga ana tjetër, nuk jam vetëm unë që vë re një mani për të cituar lloj-lloj teoricienësh të huaj, shpesh të shkollave të kundërta e të papajtueshme ose jashtë konteksti, në një kohë që puna e kolegëve shqiptarë lihet mënjanë ose shpërfillet krejt, thua se kushdo që nis të shkruajë për ndonjë temë është i pari absolut ndër shqiptarë dhe i duhet ngulur medalja në gjoks. Ky është izolimi i vërtetë, jo mungesa e literaturës së huaj. Po ç’mund të pritet atëherë për zhvillimin e kulturës dhe të mendimit shqiptar brenda një ekosistemi që funksionon sipas parimit të shkëmbimit? Kur kolegët të përkrahin ose të kritikojnë, kjo është në të mirë të punës e të përparimit në përgjithësi; përndryshe, për çdo hap përpara hidhen dy hapa prapa. Ka shumë studiues që gjenden jashtë institucioneve e që shpërfillen pa të drejtë, librat e tyre lihen në harresë e nuk lexohen as nga intelektualët e atjeshëm, pa le t’u rekomandohen studentëve. Kur puna e tyre fundoset dhe përmendet shkarazi, ose sa për të larë gojën, dija nuk bën dot përpara. Kur bisedoja dikur me një student të arkitekturës/planifikimit urban në Tiranë, nuk ndenja dot pa e pyetur nëse një libër që, për mendimin tim duhej të përfshihej me doemos në programin e leximeve të detyruara për çdo student të asaj dege, figuronte në program apo jo. Miku im më tha se e kishte lexuar librin me iniciativën e vet dhe, kur ia kish përmendur profesorit në leksion, ky i fundit kish folur me përçmim për autorin e librit në fjalë, vetëm e vetëm pse ky sot gjendet jashtë Shqipërisë.

Ky distancim artificial prej kolegëve, që shkon deri në shpërfillje, s’shpreh dot gjë tjetër veç inferioritetit. Ka edhe emra që janë tabu e që s’i përmend dot në mjediset akademike, për arsye nga më absurdet. Kam ndeshur në studiues të rinj që thonë se e kanë të pamundur t’i publikojnë studimet e tyre, sepse kjo do të perceptohej si sulm i drejtpërdrejtë ndaj punës, karrierës dhe prestigjit të shumë prej studiuesve të kolltuqeve (armchair professors). Përgjigjja në raste të tilla dihet: “U bone ti!”

Ka edhe intelektualë që kanë lidhje të mira me kolegë dhe institucione të huaja, por i shfrytëzojnë këto lidhje për të ruajtur një avantazh ndaj “konkurrencës”, çka gjithashtu çon drejt monopolizimit dhe izolimit të mendimit. Disa të tjerëve ua kam parë emrat në konferenca të bujshme me tituj prezantimesh të rënda e të larmishme, por që rrallë herë marrin mundimin t’i përkthejnë në shqip e t’ua japin studentëve, në mos kolegëve. Një pjesë e dijes që kultivohet në Shqipëri merr formë e shtjellohet në dialog me të huajt (në universitete anembanë botës, por edhe në Shqipëri). Por dialogu i brendshëm në Shqipëri nuk ekziston; sepse çdo formë shkëmbimi gjithnjë i referohet një publiku të caktuar jashtë vendit. Si katundarët në pazar, këta bahçevanë të dijes nuk ia blejnë spinaqin njëri-tjetrit. E njëjta gjë ndodh edhe me artin dhe diskursin mbi artin. Shumica e artistëve shqiptarë punojnë dhe krijojnë për një publik dhe kuratorë të huaj, duke e shpërfillur tërësisht publikun shqiptar, të cilin në thelb e përfaqësojnë. Ka edhe nga ata artistë e profesorë arti që, me t’u rënë në dorë ndonjë revistë ose material me interes, vrapojnë ta fshehin në sëndyqe të harruara e pastaj ngrenë zërin se në Shqipëri mungon aksesi ndaj dijes bashkëkohore. Libraria e Akademisë së Artit herë pas here pasurohet me donacione nga shtëpi botuese e fondacione kulturore bamirëse, por një pjesë e madhe e librave përfundojnë në bibliotekat personale të profesorëve dhe studentët nuk kanë mundësi t’i përdorin. Për një kategori baronësh të dijes, vlera e informacionit rritet po ta mbyllësh me dryn. Nga ana tjetër, pakkush mendon se përkthimet nuk janë luks, as gjest anakronik në këtë shekull të globalizimit, por të domosdoshme për studentët që nuk e dinë këtë apo atë gjuhë të huaj dhe për kulturën vetë, e cila nëpërmjet përkthimeve zhvillohet më tej. Arti, letërsia, shkencat sociale vuajnë më tepër nga kjo dukuri.

Edhe më irrituese është gatishmëria e disa studiuesve të shqiptarë për t’i paraqitur tezat e tyre lart e poshtë, teksa shtrembërohen e ndërrojnë muhabetin, kur kërkon t’ua lexosh, meqë punoni në të njëjtën fushë. I pata këkruar dikur një kolegeje, të cilën edhe e njihja nga afër, një tezë që kish paraqitur në Bullgari; kur nuk m’u përgjigj disa herë, u detyrova t’i prezantohem si studente amerikane që të ma jepte! Ç’është kjo frikë e ballafaqimit, ky ngurrim për të bashkëpunuar, kjo shmangie e kolegëve që punojnë në të njëjtën fushë, por vetëm kanë fatin (e keq?) të jenë shqiptarë? Pse vallë ndodh kjo mes nesh, kur autorë të afirmuar në fushat e tyre s’e kanë problem të botojnë libra të tërë falas?

Edhe pse nuk entuziazmohem me gjithçka që bën Alb-Shkenca, kam respekt të madh për mënyrën sesi atje janë krijuar kushte për të përmbledhur punët e shkencëtarëve shqiptarë anembanë botës, dhe se si gjithashtu kanë arritur të krijojnë një atmosferë të favorshme shkëmbimesh me njëri-tjetrin.

26 Komente

  1. Parrulla, mund te ma heqesh kuriozitetin se kush eshte autori per te cilen/cilin flet ne biseden me studentin e arkitektures/planifikimit urban.

  2. Dhe nese mund te flisnim per permiresime fillimisht do te uroja qe Tirana dhe Prishtina te bashkepunonin. Ka plot institucione qe ndajne koston e abonimit ne sherbime te ndryshme si LexisNexis. Gradualisht kjo do te nxise jo vetem shkembimin e materialeve midis dy vendeve por edhe dijen qe do te perfitohet. Meqe Kosova ka nje favor per perkrahje nga institucione te jashtme le ta perdore per te siguruar fonde per abonimet, Shqiperia le te marre persiper mirembajtjen e nje databaze. Qe te dy shtetet le te punojne per ta pasuruar. Do te ishte nje hap i mire perpara per te permbledhur punen qe behet nga te dy anet.

    Gur gur behet mur- tha.

  3. Ju lutem publikoni emrin e autorit se ka bere nje shkrim shume te mire. Jam kurioz kush eshte

  4. Mungesen e informacionit ne vend apo dhe pertacine e te gjeturit ne menyra tradicionale (librari) vertetohet shume lehte nga te gjithe ne qe kemi blog dhe na shfaqen fjalet kerkuese qe kane sjelle njerzit e ndryshem tek faqja jone. Meqe blogu im eshte i limituar dhe shume specifik nje pjese e mire e fjaleve kerkuese jane per artin. Nuk kalon nje dite qe dikush mos kerkoj per porno dhe video seksi shqiptare, larmishemeria e menyrave te kerkimit per to eshte teme me vete. Duke qene se nje pjese derrmuese internetin e perdor neper kafe dhe nuk kan akses personal ne shtepi apo laboratore te shkolles, nuk dine as te bejne kerkim qe do te kishte rrezultate. Konceptimi dhe perdorimi i dobet i internetit eshte per te te ardhur keq. Shtrohen pyetje dhe fraza thua se pas motorrit te Google jane te punesuar njerez qe u pergjigjen pyetjeve si “C’eshte atomi?” dhe “si te behem njeri?”
    Meqe blogu eshte ne shqip mua me dalin kerkimet ne shqip dhe keshtu nuk mund te flas per ato qe dine aq sa mos lodhen te kerkojne infomacione per Impresionizmin ne shqip pasi nuk ka. Por habitem me fjalet kerkuese ne shqip thua ti se interneti shqipen e ka gjuhe dominuese ose te pakten ka publikime serioze ne mos dhe shkencore ne shqip ne rrjet. Nje pjese e mire e informacionit qe kerkohet mund fare lete te kerkohet dhe te gjindet ne bibilioteke por duke mos qene te mesuar me pune kerkimore dhe duke perqafuar globalizmin e dijes studentet shqiptare shkojne drejte e tek google apo Yahoo si burim dhe pa ditur si funksionon.
    Nje pjese e mire e kerkime jane per emra dhe personalitete te artit. Por me interes per temen jane fjalet kerkuese per informacion nga studentet. Duke qene se e kam pare gjendjen e mesim dhenies dhe shkembimit te informacionit tek Akademia vete – e di shume mire qe ajo pjese e studenteve qe kerkon dije nuk e merr ate nga pedagoget. Interneti apo ndonje liber e reviste qe futet nga jashte jane te vetmet burime. Informacioni dhe dija, jane tamam sic thot PA, te kycura ne sunduqe nga ato qe e kane dhe mbrohet me doemos. S’ka se si ndryshe ne nje vend aq te vogel si Shqiperia ku pedagogu dhe artisti i karrieres konkuron per te njejtin cmim tek Onufri me studentin e tij, apo jo? Po ashtu dhe ne fushat e tjera.

    Fjalet kerkuese me poshte jane vetem te muajit te fundit por jane nje pasqyrim i varferise dhe monopolizimit te dijes.

    emocioni social ne shqip
    urbanizimi pas viteve 90
    skena ne forme te dialogut
    beteja e lumes
    piktura dhe skulptura ne Europe
    shoqeria moderne dhe postmoderne
    roli dhe efektet e medias ne shoqerine
    c’eshte atomi?
    ese shqiptare per artin (gjenden vetem ne gjuhe te huaj se nuk publikon ne shqip askush)
    zhvillimi i artit ne shqiperi
    arti modern ne shqiperi (po ashtu nuk ka publikime dhe studime te artit modern ne vend. duhet pritur publikimi i fundit i Gezim Qendros)
    tekst per nenen
    roli pellazgo ilir
    libri eshte nje thesar (po eshte. Shko e hap nje ta marresh vesh)
    arti evropian ne ditet e sotme (dhe ne anglisht po te besh nje kerkim per artin europian nuk gjen gje te perdorshme sepse eshte shume gjenerale si term kerkuese)
    si e mendoj shkollen bashkekohore
    publikime te studenteve (ne ka mi nisni dhe mua)
    profesoret dhe dhuna
    parimet e estetikes
    filozofia se bukures
    zhvillimi ekonomin vendet ballkanike
    levizjet ne fizike
    kultura e vjeter shqiptare
    menaxhim arti
    gallery te artiteve te njohur boteror
    njerzit e famshem me aftesi te kufizuara
    antropomorfet
    erkitektura eshte
    impresionizmi si stil
    barrierat e te degjuarit
    levizja me nxitim konstant
    procesi krijues i artistit (do metode ti?)
    historia e perkthimit ne shqiperi
    vepra arti nga piktor te njohur
    hapsira ne veprat artistike
    vepra arti te realizuara me kolazh
    atmosfera dhe dinamika e saj
    qytetet urbane
    poezia moderne e shekulit XX
    liberalizmi si sistem
    gjithcka mbi imazhet mendore
    relativizmi dhe kultura
    estetika ne filozofi
    citate nga libra mbi artin (prit gomar te mbij bar)

    meqe ne shohim vetem kte proces kerkimi jam e interesuar te di se ku e qysh veprojne pasi nuk gjejne as gje ne internet ne shqip mbi hapsiren ne veprat artistike apo parimet e estetikes… shkon ndonjeri ne biblioteke dhe hap ndonje liber apo thjesht modifikojne e perkthejne termat ne anglisht apo italisht?

    kjo pra eshte gjendja e studimeve ne shqiperi. Ku jo vetem qe ska libra dhe infomacion bashkohor por dhe ajo dije qe mund te merret nga libra e pedagoge nuk ekziston.

  5. Ujku tha: “Parrulla, mund te ma heqesh kuriozitetin se kush eshte autori per te cilen/cilin flet ne biseden me studentin e arkitektures/planifikimit urban”.

    Parrulla nuk u pergjigj. Ose ndoshta pergjigja eshte kthyer privatisht. Monopolizimi i dijes dhe struktura privat/publik. Nuk e di, Parrulla mund t’a kete bere kete per te ilustruar frymen e monopolizimit te dijes. Por edhe po te jete ky qellimi, ka dicka qe nuk shkon. Mund t’a kem gabim, por ne momentin qe thuhet, eshte nje autor qe duhet studiuar, dhe ne te njejten kohe behet nje argument kunder monopolizimit, apo ne nje fare menyre ne argument implikohet shqyrtimi i ketij autori nga studiuesit shqiptare ne lidhje me degen, “eshte nje autor” nuk me duket me vend. Mungon shprehja eskplicite e nje autoriteti objektiv, sa do i mundur qofte ky. Fatkeqesisht kjo nuk eshte hipokrizi nga ana e Parrulles. Eshte me keq. Eshte thjesht pakujdesi. E keqja eshte se pakujdesia eshte nje e keqe shume e madhe, sidomos ne lidhje me edukimin. Mund te thuhet madje se eshte pikerisht kjo mungese kujdesi qe eshte shkaktari i gjendjes. Pakujdesia lidhet ne kete rast me pakujdesine ndaj hapesires publike dhe rrjedhimisht ndaj trashegimise publike.

  6. Lulian, per nje teme kaq te gjere nuk me duket se problemi qendron tek publikimi i emrit te autorit. Si autori ne fjale, te premtoj ka dhe shume te tjere.

    Une perdersia nuk publikoj emrin tim nuk marr persiper te permend emrin e te tjereve. Kam respekt per punen e tyre, qe nuk ka nevoj per rekomandimet e mia.

  7. Lulian, une e pata fatin ta shuaj kuriozitetin, por me cmimin qe me sa duket kam ndezur tuajin. Pjeserisht dakort me ty, por i takon autorit – qe ne kete rast eshte anonim dhe per qe nuk pretendon ndryshe – te leshoj informacion ne nje shkrim te tijin/sajin qe shkon pertej anonimitetit. Nuk e di ne kuptohemi?

  8. Anonimiteti ne dac ne rastin specifik te autorit te lene anonim nga akademia (apo ne rastin gjeneral te shume autoreve te tille), ne dac te lene te tille nga parrulla, eshte pjesa thelbesore e problemit.

  9. Lulian, akademia eshte institucion i cili e ka per detyre promovimin e dijes dhe njohjen e informacionit si te tille, kurse nje blog per me teper me autore anonim ka tjeter pozicion. Une ne parim jame dakort qe anonimati duhet te perdoret me kujdes qe te mos kthehet qellim ne vetvte, sidomos kur ke pretendime te adresosh probleme specifike dhe te rendesishme qe shkojne dukshem pertej pozicionit te anonimatit.
    Nderkohe ne kete rast nuk kemi te bejme me plegjarizem ose shkelje etike, sepse as nuk po citohet ndonje autor dhe as nuk po fshihet ndonje informacion me rendesi vitale per publikun. Dhe ky shkrim fare mire mund te ishte botuar ne cdo organ serioz pa shfaqur asnje problem.

  10. Sado anekdotale, lista e kerkimeve qe solli Kolektiviza ve ne dukje rrezikun e keqinformimit perbri problemit ekzistues te mosinformimit.

    S’duhet shume pervoje per te kuptuar se Interneti shpesh here te servir informacione te gabuara e gjysmake. Si do jene ne gjendje nxenesit tane ta dallojne ndryshimin nese nuk ka burime te besueshme te informacionit sic jane revistat shkencore.

    Ky shqetesim eshte prekur dhe me pare nga Xha Xhai ne temen per Wikipedian Shqiptare.
    Me gjithe problemet qe paraqet Wikipedia si medium, Xha Xhai hodhi nje gjysme ide qe per mua ka akoma potencial te zgjidhe disi problemin e informimit – edhe pse ndoshta jo ne nivelin akademik sic ka nevoje miku i Selfit. Akademite mund ta perdorin si platforme per te shkrire ne te materiale qe kane te bejne me Shqiperine.

    Ja u zgjidh edhe ky problem. Next!

  11. Monopolizimi i dijes, për të cilin flet Parrulla, lidhet edhe me motivet që i nxitin pedagogët, studiuesit, akademikët dhe shkencëtarët në Shqipëri: çfarë duan të arrijnë pikërisht këta njerëz?
    Në një universitet amerikan ose europian-perëndimor një profesor i fizikës ose i biologjisë mund të fitojë edhe çmimin Nobel, ose bëhet i famshëm me një zbulim ose shpikje të vetën.
    Në institucionet universitare më prestigjioze, studentët dhe pedagogët, veçanërisht në shkallët më të larta të procesit akademik, e ndiejnë veten pjesëmarrës në një aventurë në kërkim të së vërtetës.
    Kjo nuk mund të pretendohet gjithnjë në vende të vogla, pa traditë intelektuale e kërkimore-shkencore, si Shqipëria; ku procesi akademik, deri vonë, ndërtohej sipas rregullsive dhe ritmeve të një shkolle të mesme profesionale.
    Bota akademike në Shqipëri gjithnjë do të kërcënohet nga mediokriteti, sidomos në rrethanat kur kuadrot më të zotë do të kalojnë në sektorin privat ose do të shkojnë në Perëndim, për të kontribuar më shumë.
    Ka një seleksion që vepron natyrshëm mes pedagogëve në Shqipëri; të cilin unë s’e përshkruaj dot mirë, por që e ndiej se ka prirjen të prodhojë mediokritet. Si mund të shmanget kjo, në kushtet e atjeshme e kur të gjithë e kanë tashmë të qartë se Shqipëria nuk është qendra e rruzullimit?
    Zgjidhja përsëri është e natyrës etike: pedagogët, profesorët, shkencëtarët, intelektualët e të gjithë ata të tjerë që merren me edukimin e brezit të ri duhet t’i përkushtohen pikërisht këtij edukimi, jo shkëlqimit individual.
    Sistemet e kualifikimit shkencor, i vjetri dhe i riu, mund t’i kenë shërbyer vërtet ngritjes profesionale të kuadrit mësimdhënës (unë këtë megjithatë nuk e besoj), por kanë të metën e madhe që u kanë krijuar shumë mediokriteteve iluzionin se vërtet vlejnë diçka, meqë kanë mbrojtur një doktoraturë çfarëdo.
    E keqja më e madhe e kualifikimit shkencor është se e zhvendos vëmendjen nga mësimdhënia dhe puna me studentët. Unë them se shtetit, nga i cili varen universitetet kryesore, nuk duhet t’i bëhet shumë vonë nëse profesorët janë doktorë të teknokratizuar shkencash, sklerotikë mjekërbardhë e ashikë me dhëmbë të florinjtë, kryedocentë emergjentë me gjashtë gjuhë të huaja, eksperimentuesh të sprovuar qensh, mega-profesoresha prej qelqi të bruztë, apo ultra-mandarina të rrudhura që s’bien për kijamet nga dega. Shtetit i intereson, besoj unë, që kuadrot në universitete të jenë para së gjithash kompetentë në edukimin shkencor të studentëve.
    Përndryshe kualifikimi shkencor në Shqipëri, njëlloj si sistemi i gradave në ushtri, do t’i mbushë universitetet me gjeneralë uniformash dhe manovrash të mëdha – por pa ushtritë përkatëse e sidomos pa betejat.

  12. Xha Xha, shume e drejte! Po si matet puna e pedagoges/ut sidomos ne kushtet kur nuk ka as konkurence, dhe as pritet te kete sepse Shqiperia eshte shume e vogel, nderkohe qe edhe tradita e perzgjedhjes per fat te keq eshte shume negative?

  13. Si matet puna e pedagogut më pyet Ujku i Zi… natyrisht, përgjigjja që më vjen në majë të gjuhës nuk është përgjigje por klishé: nëpërmjet suksesit të studentëve të tij. Pedagog i mirë është ai që të ngjall dëshirën për të menduar, për të lexuar, për të shtuar diçka. Nga studimet që kam bërë në Shqipëri, më kujtohet Shaban Demiraj; nga studimet në Itali Tullio De Mauro. Të dy këta, por veçanërisht i dyti, i hynin me kënaqësi të madhe ndërveprimit me studentët, nuk kishin kurrfarë kompleksesh inferioriteti, jo rrallë ishin gati të përgjigjeshin “nuk e di”. Edhe Hamid Beqja, në Shqipëri, kishte aftësi të mëdha për t’i folur auditorit, por e pranonte se lënda e tij, pedagogjia, ishte në vetvete “pak e mërzitshme”. Alfred Uçi, shumë i përgatitur, i lexonte leksionet ulur në tryezë; Androkli Kostallari, ndoshta shqiptari me IQ më të lartë që kam njohur, i lexonte në podium – por të dy këta e kishin mendjen tjetërkund. Në Itali kam ndjekur edhe leksione të G.R. Cardona-s, etnolinguist me famë botërore e i përkthyer në shumë gjuhë; por nuk më pati lënë ndonjë mbresë kushedi çfarë, e gjithsesi as mund të krahasohej me De Mauro-n. Nëse ulem tani të vras mendjen për të gjetur se çfarë i bënte Demirajn, De Mauro-n, Hamid Beqen e ndonjë tjetër që të shkëlqenin mbi të tjerët, do të përmendja (1) aftësinë për t’i lidhur mendimet rrjedhshëm; (2) aftësinë për të ndërvepruar me auditorin, e për ta moduluar leksionin sipas interesit; (3) strukturën “e hapur” të leksionit, i cili u mbështetej në një temë, jo në ndonjë material të fiksuar; (4) e më e rëndësishmja, sigurinë totale në superioritetin e tyre intelektual. Ndryshe nga Demiraj (De Miraj?), De Mauro, që jepte leksione të Filozofisë së Gjuhës, kishte avantazhin e një auditori shumë aktiv e të interesuar për temën, çka e transformonte leksionin në një farë spektakli të intelektit. Jam i sigurt që ai vetë përpunonte ide të reja në leksionet, teksa parashtronte ide të tjera, më të njohura; në traditën e njohur të shkollës platonike, ose të dialogëve të Sokratit. Ta përjetoje këtë eksperiencë sokratike live, në një auditor modern, ishte vërtet e papritur, por edhe e paharrueshme. Unë kam dhënë vetë mësim në universitet për shumë vjet; vitin e parë më mundonte mungesa e eksperiencës, vitet e tjera më mundonte mungesa e interesit nga ana e studentëve. Edhe njëra edhe tjetra mjaftonin për të ta shuar entuziazmin. Në atë kohë botoja shpesh në revistat shkencore në Shqipëri, por kjo veprimtari botuese nuk kishte ndonjë lidhje, as ndikim, në performancën time si pedagog, përballë studentëve. Me intuitë, e kuptoja se suksesi i ndërmarrjes sime personale do të varej vetëm nga nëse do të arrija dot apo jo t’u ngjallja studentëve të mi interes për lëndën time – përndryshe, si pedagog “i jashtëm” që isha, nuk ndihesha i penguar nga trysni administrative, ose kërkesa për t’u “kualifikuar” shkencërisht. Për t’u kthyer tani në Shqipërinë e sotme, unë përsëri ngul këmbë në rëndësinë e motivimit të pedagogut: pse gjendet atje, çfarë kërkon nga vetja, çfarë kërkon nga auditori. Komunikimi që vendoset brenda klasës gjithnjë ka diçka të shenjtë dhe magjike, pavarësisht se edhe pedagogu ka familjen për të mbajtur me bukë e këstet e borxhit për të paguar, ndërsa studentët mezi presin sa të vijë darka, për t’u zbavitur ose për t’u zbavitur. Por nuk di ç’të them shumë në rrafshin praktik; edhe pse e di se ç’do të bëja unë vetë, po të kthehesha në auditoret.

  14. Xha Xha, faleminderit qe ndat experiencen tuaj me mua. Ne fakt me perforcove bindjen se permiresimi i pedagogjise ne universitete mbetet shume ceshtje komplekse, porse duhet thene se per momentin edukimi ne Shqiperi ben kontrast me ate qe pret shoqeria, ose me mundesite qe ka e thene ndryshe. C’ka domethene se nese ka vullnet per ta ndryshuar hapesire ka.

  15. Nje nga te metat e sistemit shqiptar i ngritur deri ne absurditet mendoj se eshte “ngjallja e interesit te studenteve”. Studentet tek ne konkurojne vetem njehere – per t’u pranuar ne universitet – dhe me pas nuk ka surpriza. Pa e ditur kush eshte arsyeja, se sic po e diskutojme ketu as ambienti nuk te ofron shume duke nisur qe nga me minimalja qe jane bibliotekat dhe ambientet e studimit, perseri eshte dicka e matshme qe fare mire mund te behet fokusi i reformes ne arsim.
    Te me fali Xha Xhai se pavaresisht se e mora shtysen nga komenti juaj, perseri mendoj se ju e keni prekur at ne menyren e duhur. Ju e prekni ne nje aspekt me te rendesishem qe eshte roli individual i pedagogut ne mesimdhenie.

  16. Se pari, faleminderit per citimin e postimit tim.

    mendimi im eshte se pas monopolizimit te dijes ne Shqiperi eshte pikerisht mospasja e saj. Sic e them ne nje fjali tek veteizolimi: ne Universitetin e Tiranes nuk ka ndryshuar asgje, as mentaliteti, as personeli dhe menyra se si ai perzgjidhet dhe as literatura. Per disa dege, sidomos ato te shkencave te natyres, kjo ehste katastrofale. Mbi te vjen mungesa e puneve laboratorike, qe ben te mundur nje thellim te teorise dhe nje kendveshtrim mbrapa kulisave te saj, mbrapa pohimeve, teorive dhe vertetimeve.

    Nderkohe, literatura e huaj per kete kategori eshte e domosdoshme, sepse literatura nuk eshte vetem platforme shkembimi idesh: sjell njohuri te reja. Ne nje artikull nje student meson njohuri basic: cilat jane metodat e studimit, si funksionojne ato, si kontrollohen rezultate. Ky eshte nje proces qe te zhvillon mprehtesine e analizes, aftesine per te pare rezultatet ne nje drite tjeter, per t’i interpretuar ato pak me ndryshe se vete autori, per te zhbiriluar mesazhin dhe rezultatin e pathene, dhe vleren e tij ne njohurine e re (apo manipulimin e saj).

    Roli i pedagogut eshte shume i rendesishem, sic e ka shpjeguar xhaxhai edhe me lart. Sigurisht, ka individe te talentuar ne mesimedhenie, ashtu sic ka individe qe komunikimin dhe transmetimin e njohurive brezit tjeter e kane ceshtje principiale. Nga keta individe gjen kudo. Por, keta individe jane gati pa perjshtim, njerez qe e zoterojne dijen: jo ne siperfaqe por thelle. Dhe pikerisht se jane thelluar kaq shume ne kete dije e kane edhe mesazhin qe transmetojne apo tejcojne tek auditori, publiku te qarte, te rrjedhshem, llogjik. Keta njerez qe zoterojne dijen dhe menyren se si eshte formuar ajo dine edhe ta zoterojne auditorin dhe ta “rikrijojne” procesin e formimit te dijes ne nje salle auditori duke e lidhur studentin, duke e bere ate pjese te procesit. Nga ana tjeter, ka pedagoge qe edhe pse jane te talentuar e shume e ditur, jane te merzitshem. Ka edhe keshtu. Por, pedagoge qe nuk dine vete nuk mund te japin dije. Dhe ketu dalim prape tek literatura: keta pedagoge nuk dine sepse jane pjese e riciklimit te asaj dije qe jemi duke e kritikuar si te pamjaftueshme per t’ja justifikuar Universitetit emrin: ketu futet edhe pedagogjia. Sepse nuk jane te interesuar te mesojne me shume, te dine me shume: por edhe sikur te donin eshte shume e veshtire sepse nuk dine ku ta kerkojne, sepse edhe kete nuk ua kane mesuar. Per, me teper, nje njeri i dale nga shkolla shqiptare ne fusha te caktuara te shkences eshte absolutisht inkompatibel jo me koleget e tij, por edhe me studentet.

    Ndoshta po perseriten prape argumenta te diskutuara me pare: por une besoj qe individitet e ri si puna e mikut A. nese nuk mbeshteten me prurje te te tjere individeve si puna e tij, ne se nuk u mundesohet kontakti me literaturen bashkekohore ne se nuk do vdesin profesionalisht pas nje fare kohe (sepse nuk do mund ta ndjekin ritmin e larte te teknologjise bashkekohore), prape jane vetem nje lule, dhe ashtu sic e thote bukur nje fjale popullore: me nje lule nuk vjen behari. Nuk vjen edhe atehere kur lulen e keput dhe e ve ne nje vazo me lule dhe ua tregon gjithe njerezve qe vijne per vizite. Kjo lule ngelet nje kuriozitet qe te inicion ndoshta shume ndjenja te bukura, ndoshta te tregon mbi aftesine mbijetuese te lules, por me pranveren nuk ka te beje. Ardhja e pranveres nuk do ndodhe ne se shteti nepermjet institucioneve te tij nuk punon per te, nuk perzgjedh pedagoget qe dine dhe qe dine ta japin ate qe dine, nuk perzgjedh pedagoget qe duan me shume se sa vetem te dine por perzgjedh ata qe duan ta japin dhe dine ta japin. Keto metoda perzgjedhjeje funksionojne ne gjithe perendimin dhe ketu universitetit shqiptar nuk i duhet te improvizoje shume. Por, per sa kohe qe nuk behet asgje do te thote qe nevoja per kete pranvere nuk ndihet akoma, qe nuk e duan akoma, qe veteizolimi nuk eshte nje aksident: por nje zgjedhje.

  17. ne artikullim e meposhtem jam perpjekur te trajtoj disa nga problemet dhe rrugedaljet e sistemit universitar sot ne Shqiperi. Mbase i ndihmon temes se hapur.

    Ndryshimi i curriculumeve…

    … punonjësve të Universitetit – një domosdoshmëri për reformimin e sistemit universitar

    Shumë është folur dhe po flitet për reformimin e sistemit universitar. Po bëhen ndryshime në ligjshmëri, po adaptohet pakti i Bolognes – përpjekje këto që tek e fundit prekin formën por jo domosdoshmërisht cilësine e mësimdhënies në universitet. Me përjashtime, universiteti shqiptar ofron sot një nivel mediokër njohurish, nuk kultivon kreativitetin, të menduarin e pavarur, nuk zhvillon aftësitë praktike të studentëve, nuk i bën ata të aftë të marrin pjesë si të barabartë në tregun ndërkombëtar të punes. E thënë shumë cinikisht, Universiteti Shqiptar është ndoshta i vetmi universitet në botë nëpër korridoret e të cilit, mbas orës 14.00 (dhe gjatë gjithë sezonit të pushimeve), lëvizin vetëm minjtë dhe roja i derës. Një nga arsyet e kësaj gjendjeje është niveli i ulët i curriculumeve të profesorëve dhe asistentëve, shumica e të cilëve janë edukuar dhe përgatitur në kushtet e izolimit të plotë të ish-Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, izolim jo vetëm politik por edhe shkencor. Si rrjedhim, ky brez, jo për faj të tyre, mund të kontribuojë në mënyre fare modeste në këtë etape të re në të cilën ka hyrë zhvillimi i Shqipërisë.
    Është e pakuptueshme sot të vazhdohet me seleksionim pofesorësh dhe asistentësh me sistemin e kritereve të para 10 vjetëve. Është gati një domosdoshmëri që një brez i ri punonjësish të punësohet në Universitet, një brez që do të jetë në gjendje jo vetëm të ndryshojë atmosferën depresive por edhe ta bëjë këtë institucion të denjë për emrin që mban. Ky brez i ri duhet të ketë curriculume të njëhsueshme me atë të kusurit të botës: Të kenë titullin PhD, të kenë kaluar disa vite Post-Doktorature, të kenë një listë të konsiderueshme botimesh, të kenë botime në revistat prestigjioze të fushave ku punojnë, të kenë aftësi mësimëdhënie, të kenë mundësinë dhe aftësinë e vjeljes së fondeve që do të lejojnë ndërtimin dhe funksionimin e laboratorëve shkencore ku do të përgatitet një tjetër gjeneratë studentësh. Ajo çka e bën të mundshëm teknikisht realizimin e një ndryshimi të tillë, dhe që në të njëjtën kohë e bën të pajustifikueshëm mosrealizimin e tij, është fakti që sot janë me qindra shqiptarët që kanë bërë një karrierë të admirueshme akademike dhe që mund të thirren të kontribuojnë edhe për Universitetin Shqiptar.

    Problemet dhe rrugëdaljet

    Një zbatim radikal i kritereve të reja për curriculumet do të sillte armiqësimin midis brezave, një problem ky aspak i lehtë. Nga njëra anë brezi i vjetër, vetëkuptueshëm i identifikuar me atë që kanë arritur gjatë një jete, një karrierë që rrezikohet të shndërrohet në asgjë. Nga ana tjetër brezi i ri, me te ardhme që do t’i duhet të punojë në një atmosferë tepër të hidhur dhe shumë refraktare. Një eksperience të tillë Shqiperia e ka kaluar tashmë. 10 vjet më parë brenda “24 orëve” e gjithë burokracia e vjetër-e kuqe do të hidhej në rrugë e do te zëvendësohej me atë të renë-blunë, në përmbajtje po aq të vjetër sa edhe tjetra. E ndërsa për të rinjtë e për të vjetërit bota vazhdoi te vërtitej, për ata që ishin akoma të rinj dhe energjetikë për të dalë në pension por mjaftueshëm të vjetër për të filluar e për t’u adaptuar në një jetë të, bota u copëtua për të mos u bërë më. Përsëritja e një eksperience të tillë nuk është e nevojshme. Cilat do të ishin zgjidhjet? Zgjidhja ime do të ishte si më poshtë. Brezat e rinj të punësuar në Universitet duhet të inkurajohen të pasurojnë curriculimet e tyre e t’i bëjnë ato kompatibile me ato të kolegeve të tyre jashtë shtetit. Për ta nuk është vonë t’u hyjnë programeve të PhD. Profesorët e vjetër mund të nxirren më herët në pension dhe/ose (sipas meritave) të kalohen në statusin e Profesorit të Nderit, duke ju mundësuar kushte qe i lejojnë të studiojnë në ambjentet e univesitetit. Brezi as i ri dhe as i vjetër, por edhe më të vjetrit, fare mirë mund të inkuadrohen në mësimdhënie së bashku me atë të riun, duke ndihmuar njeri-tjetrin.

    Një problem jo më i vogël se i mësipërmi është kthimi i akademikëve shqiptarë dhe integrimi i tyre. Ky brez, përpos profesionalisht në avantazh, është i edukuar me një mentalitet shumë të ndryshem, një liri akademike (akoma) të paimagjinueshme për punonjësit e universitetit dhe është mësuar me një liri financiare që i lejon të zhvillojë punën shkencore, kushte këto që Shqipëria nuk ja dhuron dot. Nuk po përmend fare pagesën qesharake me të cilën një profesor paguhet në Universitet. Në kushte të tilla duhet që të zhvillohen politika dinamike të tilla që nuk i mbajnë të burgosur këta akademikë në Shqipëri, politika që do ju mundësonin atyre vazhdimin e karrierës në vendet ku janë dhe, në të njëjtën kohë, integrojne dijen e tyre teorike-praktike në Shqiperi. Organizmi i leksioneve dhe punëve eksperimentale në blloqe disa javore do të ishte një zgjidhje dhe kompromis për të dy palët.

    Ku çon një reformë e tillë?

    Me një reformë të tillë do të mundësohet së pari, që studentët shqiptarë të mos largohen nga vendi dhe të marrin një diplomë të nivelit “Bachelor” cilësisht të krahasueshme me atë perëndimore. Së dyti, do t’u mundësonte studentëve që kane një titull “Bachelor” të jenë jo vetëm kandidatë të aftë për të konkurruar në programin “Master” të paraparë në “Bologna” por edhe kandidatë të aftë për industrinë. Së treti, një diplomë dinjitoze “Bachelor” do të jetë ndoshta edhe një atraksion dhe ftesë për investime në shumë degë të industrisë. Së katërti, do të kultivoje një edukatë të re pune dhe një model të ri individi për shoqërinë shqiptare krahas asaj të mafiozit, politikanit dhe kukullës televizive. Së pesti, do ta bëjë vetë universitetin shtetëror të fuqishëm përballë atyre private. Dhe së fundi, do të mundësonte një revolucion cilësor me minimumin e investimeve financiare.

    http://selfmaderadio.blogspot.com/2007/09/ndryshimi-i-curriculumeve.html

  18. Xhaxhai shkroi se:
    “…shtetit, nga i cili varen universitetet kryesore, nuk duhet t’i bëhet shumë vonë nëse profesorët janë doktorë të teknokratizuar shkencash, sklerotikë mjekërbardhë e ashikë me dhëmbë të florinjtë, kryedocentë emergjentë me gjashtë gjuhë të huaja, eksperimentuesh të sprovuar qensh, mega-profesoresha prej qelqi të bruztë, apo ultra-mandarina të rrudhura që s’bien për kijamet nga dega.
    Shtetit i intereson, besoj unë, që kuadrot në universitete të jenë para së gjithash kompetentë në edukimin shkencor të studentëve.”

    Nen entuziazmin e provokuar nga xhaxhai, po u bashkohem edhe une shkurtazi komenteve mbi temen e mesiperme.

    Personalisht jam pedagog (i jashtem) ne nje universitet jo-publik, por nuk e gjej aspak irelevante shprehjen e kuotuar prej meje me lart, pasi interesi i shtetit duhet te jete po aq i larte ne lidhje me percuesit e dijes edhe sa u perket institucioneve mesimdhenese private po aq sa edhe ne ato publike, packa se vetem tek te dytat shteti perfshihet financiarisht.
    Duke qene se diplomat jane formalisht (ligjerisht) te barasvlefshme, nga momenti qe produkti i ketyre universiteteve del ne tregun e pa standartizuar shqiptar, shteti nuk mund te justifikoje veten lidhur me skarcitetin e atij jo-publik, me alibine e statusit te posacem qe ai ka.
    Ndersa perjetojme nje nivel jashtezakonisht shume te dobet te te nxenurit tek te dy llojet e universiteteve (publik dhe privat), tek ai ku ligjin e vertete nuk e ben “akademizma” por biznesmeni qe ka investuar per marrjen e licenses dhe ndertimin/marrjen me qera te godines, situata eshte akoma me e rende, pasi ketu nuk e ke me as shansin per te mos i kaluar “borgjezet e rinj” qe duan te gdhihen “fisnike” overnight (per te bere nje paralelizem me vepren e njohur te Molierit).
    Akoma me tej, ne universitetet private statusi i pedagogut eshte shume i dobet; ata nderrohet pothuajse cdo vit, per arsye qe kane te bejne pak apo aspak me procesin akademik ne thelb. Universitetet private, per shkak te pagesave relativisht te mira qe japin (ne forme honoraresh) jane shnderruar ne vende ku personazhe te njohur te jetes televizive te vendit preferojne te angazhohen, si per te “rrumbullakosur” pagen e institucionit publik ku zhvillojne karrieren e tyre te mirefillte profesionale, por dhe vecanerisht, per te pasuruar CV-te e tyre, perndryshe te varfera.
    Personalisht njoh individe te sferave te larta te politikes qe zoterojne nje diplome te marre me korrespondence nga pozita publike te rendesishme, qe vetem dy apo tre vjet pas ketij “konsakrimi”:), e gjejne veten te afte ta ndajne edukimin e akumuluar (leksioneve te munguara) me studentet auditoreve te universiteteve private.
    Nderrimi i shpeshte i stafit nuk ka si te mos pasohet edhe me veshtiresine (pse jo pamundesine) per te krijuar traditen e ideve dhe te termave. Ndoshta e teproj ne aspiratat e mia, por shprehje te tilla si psh. “shkolla e Frankfurtit” ku nje grup mendimtaresh u bashkuan rreth Max Hokenheimerit ne Universitetin e Frankfurtit, nese mund te beje dike te vere buzen ne gaz (ndersa ngre paralele pa te keq psh. me “shkolla e UFO-ve”:)), mua me intrigojne seriozisht.

    Nuk po e vijoj me tek kete nderhyrje, se do te te duhej te isha pak si shume i detajuar dhe rrjedhimisht edhe teper subjektiv ne vleresimet e mia te metejshme…

  19. Parulla shprehet:

    …Si do jenë në gjendje nxënësit tanë ta dallojnë ndryshimin nëse nuk ka burime të besueshme të informacionit siç janë revistat shkencore…

    Revistat shkencore kanë autoritetin e mirëpranuar si mbartëse të së vërtetës. Por duke qenë thjesht përçuese të informacionit, ky fakt nuk i bën burime të së vërtetës. Pra jo domosdoshmërisht duhen pranuar automatikisht si të vetmet të besueshme. E them për të nënvizuar edhe një herë mundësitë e Internetit, (qoftë edhe me Wikipedia-n si shembull), për t’u përdorur si mjet i besueshëm, aq i besueshëm sa ç’është informacioni që përcillet me të.

  20. Nuk e di a e nënkupton Xha Xhai, nëpër 4 përgjigjet ndaj pyetjes së vet, (ulem tani të vras mendjen për të gjetur se çfarë i bënte Demirajn, De Mauro-n, Hamid Beqen e ndonjë tjetër që të shkëlqenin mbi të tjerët), atë parësoren: pasionin e këtyre njerëzve për atë që bënin, kënaqësinë e pastër të të bërit të saj. Zaten për hir të këtij pasioni mund të përligjen mundimet pedagogjike të tyre: dashja me shpirt dhe pa hile të çon natyrshëm te “riprodhimi”, në këtë rast i dijes apo i premisave për riprodhimin e saj – ajo që pritet prej atyre që mbushin dëgjimoret e leksioneve.

  21. Bujk, pasioni natyrisht vjen i pari në radhë. Po kur numëroja ato katër pikat, e kisha më tepër në lidhje me çfarë i dallon mes tyre ata pedagogë që pasionin tashmë e kanë.

  22. Pesha e auditorit, d.m.th. e studentëve, nuk duhet anashkaluar, edhe pse “enzima” e postuar nga Parrulla fliste kryesisht për podiumin e tij. Xha Xhai me të drejtë e përmendi rëndësinë e interesit të studentëve, çka e bën leksionin tërheqës, sepse njëkohësisht stimulon mësimdhënësin.

    Nga përvoja personale di që hapjet e gojës, kërcitjet e gishtërinjve, konsultimi i orës, duart poshtë fundeve, shikimi i përhumbur, etj. mund të dëftojnë paaftësinë e profesorit, por edhe apatinë e studentëve. Në qoftë se universiteti konceptohet thjesht si tipografi diplomash, nga të dyja palët, atëherë katërvjeçari universitar do të kujtohet vetëm për qejfin nëpër bare e disko, ose për ndonjë flirt pedagogjikisht incestuoz.

    Më është thënë diku, se diplomat universitare të tanishme janë versioni intelektual i firmave piramidale. Po superprodhojmë diploma, por pa vlerën njerëzore përkatëse. Së shpejti do të kemi një inflacion rrënues. Dyfytyrësia qëndron në faktin se ndërkohë po i kërkojmë Evropës të na njohë titujt e universiteteve…

  23. Gjendja e arsimit dhe niveli i mesimdhenesve ne Shqiperi, nga fillorja deri ne universitet, eshte i lidhur edhe me faktin qe shumica derrmuese arsimtareve te te gjitha niveleve bejne pjese ne brezat qe nuk e kane zgjedhur profesionin e tyre me vullnet te lire.Jane detyruar te ndjekin fakultete qe prodhonin kuadro per arsim dhe kane perfunduar neper shkolla. U ka munguar pasioni, talenti, deshira per te dhene mesim, ka qene thjesht nje pune e perditshme, rutine, pa asnje kenaqesi, as ate te rroges se mire ne fund te 15 diteshit. Ka patjeter perjashtime, te gjithe kujtojme mesues te apasionuar, ne oret e te cileve ndihej ndryshimi. Keta me se shumti i perkasin brezit me te moshuar. Edhe sot, puna ne arsim shihet thjesht si nje mundesi ku punohet pak, fitohet jo shume, por kane dale menyra te tjera kompensimi te te ardhurave. E kam shume te veshtire te perfytyroj nje student apo te sapo diplomuar qe enderron te jape mesim thjesht per kenaqesine e dhenies se mesimit.

    Ne sistemin universitar eshte bere vazhdimisht lufte per tu perfshire si pedagoge, por per motive gjithmone shume larg pasionit te mesimdhenies. Edhe shembujt qe permend Xhaxhai i perkasin nje brezi tjeter, me te hershem. Per cdo Shaban Demiraj apo Androkli Kostallari kishte 10 pedagoge te tjere qe nuk kishin as pasion, as talent, as dije. (E rendis dijen te fundit sepse dija fitohet po te kesh deshiren.) Kualifikimi i tyre ishte fare formal, i pamjaftueshem, i manget ne me shume se nje aspekt. Fatkeqesisht keta pedagoge ne perzgjedhjen e kuadrove te rinj tentonin nga mediokret, nga ata qe nuk do ishin kurre konkurrente. Dhe ky cikel ka vazhduar e vazhdon edhe sot. Prandaj edhe reforma e sistemit te larte te arsimit ka deshtuar, dhe vete arsimi ka hyre ne nje qorrsokak te papare ndonjehere, me shitje notash, me shitje diplomash, me keq se ne pazarin proverbial te kuajve.

    Ne vendet e zhvilluara, nga perpiqemi ne te marrim shembull, puna ne arsim eshte ne shumicen e rasteve e nxitur nga deshira dhe pasioni individual, nuk konsiderohet askund si nje rruge karriere apo perfitimi e lakmueshme, eshte gjithnje nje rruge e veshtire por e nderuar per ata qe e zgjedhin.

    Te tjerat, kriteret e punesimit, currikulat, akademiket, problemet aksesit, literatura, etj. etj. jane probleme teknike qe do zgjidheshin shume me lehte ne kushtet kur trupat mesimore do i bashkonte qellimi i mesimdhenies dhe edukimit. Perzjerja kot e shtetit dhe politikes ne kushtet e pavarsise se universiteteve sa ngaterron ujerat. Nuk ka ne dore shteti te beje as currikulat as perzgjedhjen e pedagogeve, as te mbikqyre kualifikimet e tyre.

    Ndofta me zevendesimin gradual te brezit te vjeter e te mesem te pedagogeve, brezi me i ri do ti hyje rruges se permiresimeve, me shprese qe pas 2-3 brezave arsimi te kete hyre ne rruge te mbare. Nuk kam besim tek reformat administrative, me kujtojne ato kerkesat e kualifikimeve pasuniversitare dikur.

  24. LG, reformat administrative mbase duken te thata dhe ashtu jane, nese nuk reflektojne nje kulture te ndryshme pune nga ajo qe kemi deri tani. Cfare dua te them me kete? Po t’i referohemi shkrimit te Selfmaderadio, duket qarte se kultura e punes se pedagogut A.B. eshte krejt e ndryshme nga kultura e punes qe ushqen sot fakulteti. Me minimalja qe mund te behet eshte qe dikush duhet t’i pershtatet kesaj metode pune, pra te filloje te krijoje kushte per nje shkembim informacioni dhe biblioteke qe do ishte me minimalja. Por kjo kerkon nderhyrje administrative. Sepse na eshte krijuar ideja qe reformat jane zgjedhjet dhe nderrim njerezish dhe udheheqesish. Me beso, po tu jepet hapesire dhe perkrahje njerezve qe duan te ndryshojne dicka dhe te krijohet hapesire per konkurence (qe ne ambietin shqiptar nuk njihet si koncept asgjekundi) gjerat ndryshojne edhe me gjere. Ka ndryshuar gjithandej, do ndryshoje edhe ne shqiperi, thjeshte duhet te dime se cilet njerez duhen perkrahur, dhe mbase duhet te fillojme te behemi perdite e me pak indiferente ndaj se keqes.

  25. LG ka shumë të drejtë kur e lidh monopolizimin e dijes me mungesën e pasionit të pedagogëve për pedagogji, ose për të kultivuar mendjet e studentëve.
    Debati mbi pasionet vetvetiu na shpie tek etika. Jam kurioz të di se çfarë pasionesh të tjera ndesh në sferën publike në Shqipëri, të paktën në Tiranë, përveç shtysave pak a shumë primitive për para, pushtet dhe seks.
    Kjo jo për t’i devijuar temës; por kryesisht për të larguar dyshimin se mos mungesa e pasionit pedagogjik vetvetiu do të përthyhet në pasione të tjera, të pahijshme, brenda sallave të leksioneve (dhe jashtë tyre).

  26. Nje pjese e kerkimeve dy ditet e fundit :

    ese per borgesin
    citat shkencor
    teza doktorature
    modele te nje eseje historike
    aristoteli mbi edukaten
    sa eshte numri i fshatareve ne shqiperi
    shtresat sociale te shoqerise
    klasat sociale ne shqiperi
    Sociologji urbane
    sociologji e organizates
    perhapja e fashizmi ne ballkan
    si behet ndertimi i shkollave ?
    etika e medias
    ndertimi i fjales
    termi – mesues-

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: