PAKICA, PROFESIONE, SEKTE

Një vërejtje që dëgjon shpesh t’ua bëjnë kosovarët bashkatdhetarëve të tyre nga Shqipëria është: “ju të Shqipërisë nuk jeni patriotë.”

Siç është sqaruar mirë, ky dallim në qëndrimin ndaj kombit, shqiptarisë, flamurit, gjuhës shqipe e të tjerave shenja kombëtare lidhet me statusin tonë të ndryshëm – në Shqipëri pas 1912-ës të qenët shqiptar nuk është rrezikuar kurrë si në Kosovë.

Kombëtarizmi i kosovarit, me fjalë të tjera, është edhe kombëtarizmi i një pakice që është ndier, për breza me radhë, e rrezikuar ose e nëpërkëmbur nga shumica sllave, si pjesë e Jugosllavisë ose e Serbisë.

Këto shënime nuk i kam aq për dallimet identitare Shqipëri-Kosovë, temë që e kemi rrahur gjetiu, por për disa karakteristika të pakicave të çdo lloji. Kështu, kam përshtypjen se grekët minoritarë në Shqipëri ndihen më grekë jo vetëm se ç’ndihen grekë, bie fjala, athinjotët; por edhe se ç’ndihen shqiptarë tiranasit.

Po ashtu, identiteti katolik i katolikëve shqiptarë më duket më i fortë se identiteti mysliman i myslimanëve shqiptarë – në vështrim të përgjithshëm.

Përkatësia në një pakicë mund të rrezikojë kështu të kthehet në profesion. Paradoksalisht, diçka e tillë ndodhi në Shqipëri kur, pas 1990-ës, shumë vendas nisën ta përfytyrojnë veten si pakica gjithfarësh: romë, vllehë, hebrenj, kriptokristianë, bullgarë…

Tani, pakicat zakonisht vijnë në vështrim kur ndihen të kërcënuara, ose kur u nëpërkëmben të drejtat; dhe vetëdija ose identiteti i individëve që bëjnë pjesë në to e ka një përbërëse të spikatur, madje të hipertrofizuar, të vetëdijes ose identitetit të grupit.

Një nga përparësitë e të qenit në shumicë ka të bëjë me shkallën e lirisë së individit – brenda kufijve të shoqërisë në Shqipëri, bie fjala, një shqiptar etnik, si individ, do të ishte më i lirë sesa një grek etnik.

Po ashtu, rrallë qëllon të ndeshësh në intelektualë katolikë shqiptarë (kur them katolik, kam parasysh prejardhjen jo formimin intelektual), që të pozicionohen kundër Vatikanit, kishës katolike dhe fesë në përgjithësi.

Nga njëra anë, pakicat etnike, fetare ose kulturore e pasurojnë jetën sociale të një vendi, sa kohë që këtyre pakicave u garantohet identiteti me ligj. Nga ana tjetër, identiteti i grupit mund të bëjë që liritë individuale, brenda pakicës, të rrezikohen nga uniformiteti.

A janë pakicat totalitare brenda për brenda?

Në Greqi, ku grekët etnikë përbëjnë shumicën dërmuese, nuk kanë munguar zëra deri edhe akademikë, që e kanë njohur kalvarin çam; por të tillë vështirë se mund të dëgjosh, së paku publikisht, ndër minoritarët e Shqipërisë.

Vallë mund të shihet identiteti i grupit si një lloj kafazi për lirinë individuale?

Ndër shqiptarët e krishterë, rrallë gjen njeri që të flasë me simpati për turqit, të djeshmit dhe të sotmit, osmanët pushtues dhe pasardhësit e Ataturkut. Ndoshta e kam gabim që mbështetem vetëm në përvojën time, por megjithatë më duket se frika, përbuzja në mos urrejtja për gjithçka turke, historike dhe bashkëkohore, rrezikon të shndërrohet në tipar të identitetit të shqiptarit të krishterë.

Përkundrazi, kam njohur grekë që më kanë folur me simpati të madhe për Ataturkun; çka nuk më ka habitur, por më ka bërë të mendoj, përsëri, për efektin kafaz të përkatësisë në pakicë.

Identiteti i grupit, brenda pakicës, është edhe vetë-përjetësues; një shqiptar katolik ose do të adhurojë Gjergj Fishtën, Nënë Terezën dhe Zef Pëllumbin, ose nuk do të konsiderohet si pjesë e bashkësisë katolike. Ky mekanizëm e anulon vetvetiu diversitetin.

Dukuria mund të ilustrohet edhe me çfarë ndodhi para disa vjetësh, kur disa shqiptarë nga ish-Jugosllavia u akuzuan për një komplot terrorist kundër bazës ushtarake amerikane në Fort Dix (NJ); atëherë pati shumë njerëz që thanë: “këta nuk janë shqiptarë, këta nuk mund të jenë shqiptarë.” Për shumë bashkatdhetarë tanët nga ish-Jugosllavia, të qenët shqiptar po perceptohej si një lloj virtyti.

Në një tjetër përmasë sociale, pjesëtarët e pakicës seksuale gay e përjetojnë seksualitetin e tyre shumë më thellë se hetero-t; përsëri deri në atë shkallë, sa ta shndërrojnë identitetin e tyre seksual në profesion.

Nëse është kështu, atëherë pakicave u duhet të ruhen jo vetëm nga shumica, por edhe nga rreziku i shndërrimit në sekte; sepse kjo do t’i bënte pakicat irrelevante.

Këtu mund të pyetet edhe nëse përkatësia në një grup, sado minoritar, merr përparësi ndaj lirisë individuale; për mua kjo do të ishte e papranueshme, por e kuptoj që për shumë të tjerë imponohet si e vetmja alternativë.

Nuk ka komente

  1. Veshtire se mund te flitet per shumica apo sjellje shumicash te mirefillta nacionale ne Ballkan. Vete fakti qe nacionalizmi ne kete rajon manifestohet permes aktualizimit te ankthit etnik deshmon nje veteperkufizim identitar prej Pakice. Te bazosh filozofine e afirmimit nacional mbi kriterin veterinar per fqinjin, deshmon per origjinen politike prej te shtypuri qe si kulture te vetme per shtetformim ka sendergjimin identitar ne kushtet e krizes se ekzistences, qe edhe kur nuk jane te pranishme mbahen gjalle. Nga ana tjeter varet se cfare kuptohet me kushte ekzistence. Per me shume qe ne Ballkan marrja e historise si zanafille per te ushqyer nacionalizimin bart nje kontradikte. Si te thuash ai i shpiku Pakicat etnike si te tilla. Nje histori evropiane por ne miniature nga cdo pikepamje.
    “Ndoshta e kam gabim që mbështetem vetëm në përvojën time, por megjithatë më duket se frika, përbuzja në mos urrejtja për gjithçka turke, historike dhe bashkëkohore, rrezikon të shndërrohet në tipar të identitetit të shqiptarit të krishterë”.
    Nese eshte keshtu, atehere do te duhet qe kjo perbuzje te manifestohej perciptazi edhe ndaj shqiptarit mysliman qe eshte riprodhim sado i zbehte i turkut. Rasti i martesave rigoroze brenda katolikeve ne Mirdite eshte i izoluar dhe lidhet me vetedijen politike te krijuar si pasoje e pavaresise relative te kesaj zone. Por njesi identitare te tilla ka kudo neper Ballkan; Himara, Korfuzi, Kreta, Qipro etj.
    Kur flasim per idenitete te brendshme duke i mveshur katolikut dhe ortodoksit mundesine per te konservuar cilesite e veta fetare permes referimit te Vatikani dhe aferisa me Greqine apo Patriarkanen, si te thuash lind e drejta per te menduar se Shqiptaria lidhet me se shumti me shqiptaret myslimane qe pas 1912 mbeten pa mburojen e vet. Them se ketu dicka calon, te pakten ne parashtrim.
    Eshte e vertete qe nje shqiptar katolik do e adhuroje Gjergj Fishten, por une shtoj se asnje katolik shqiptar nuk do e adhuroje Fishten jashte te qenit shqiptar, pra vetem si katolik. Perkundrazi – venerimi i figurave te tilla perdoret me se shumti ne formen e nje modeli qe shtron rrugen drejt nje perspektive qe ende nuk kapet nga bashkekombasit e tjere.
    Dhe se fundi une mendoj se te pakten sekti haset me se shumti mes shumicave ne Ballkan, si organizime te brendshme qe synojne te objektivizojne ambicie nacionale qe prej tyre shihen te shperdoruara nga elitat. Aq me shume qe ne rajonin tone, si kudo ne Ev(u)rope, pakicat nuk kane pse te redutkohen ne sekte, per shkak se ne syte e pales tjeter shihen si dore e zgjatur i interesave te shtetit ame. Pra jane te “dekonspiruara” nga vete statusi i tyre dhe referimi nacional. (Hiq Narten:))) vllehet dhe romet}

    1. Theollogos:

      Eshte e vertete qe nje shqiptar katolik do e adhuroje Gjergj Fishten, por une shtoj se asnje katolik shqiptar nuk do e adhuroje Fishten jashte te qenit shqiptar, pra vetem si katolik. Perkundrazi – venerimi i figurave te tilla perdoret me se shumti ne formen e nje modeli qe shtron rrugen drejt nje perspektive qe ende nuk kapet nga bashkekombasit e tjere.

      Mund të jetë kështu; unë besoj se është kështu; por kujdes: ai katoliku shqiptar që e adhuron Fishtën më parë si shqiptar pastaj si katolik, njëkohësisht kujton, pas gjase (e theksoj, pas gjase; sepse po flasim të gjithë qesim, duke filluar nga unë), edhe se vetëm katolikët janë shqiptarët e mirëfilltë; dhe për mua pikërisht ky është problemi.

      1. Nese do te ekzistonte nje ndjeshmeri e ketille atehere reagimi i katolikut shqiptar ndaj komunizmit nuk do te frenohej te manifestimi i hapur dhe i thekshem i antikomunizmit, por do te rremonte pertej per ta projektuar riafirmimin politik ne pluralizem edhe ne drejtim te nje rishkrimi specifik te historise. Do te kishim nje ndjenje revanshi qe gjithesesi do ta izolonte kete pakice. Nga ana tjeter pjesa katolike e Shqiperise, sidomos ajo me identitet intelektual te spikatur si Shkodra shprehet me vote ne menyre masive per nje mysliman si Sali Berisha, personi i te cilit qarkohet nga dyshime edhe per problemin fetar. Une vete nuk jam i krishtere, por e gjej me vend dhe e pohoj edhe ne prani te te krishtereve qe keta kane arsye pse te krenohen ne Shqiperi, se jo per gje, po murit me koke nuk i bihet. Heshtja ne keto raste u duhet vetem politikaneve.
        Kultivimi i identitetit nuk ka pse te na kompromentoje arsyetimin, aq me shume qe ne nje qytet si Shkodra p.sh ky identitet kristian mbahet kryesisht me ane te letersise.
        Nese do te pranonim kete qe thashe dhe le te themi perciptesine e identitetit fetar nder shqiptare, atehere ajo qe ju thoni me siper nuk mund t’i faturohet me veteperceptimit prej pakice, por provincializmit.

  2. Një dëshmi flagrante e mendësisë bunker prej pakice të përndjekur deri në paranojë, në letrën që akademiku Mark Krasniqi ia dërgoi Edi Ramës para disa ditësh, ku i shkruan mes së tjerash:

    Bile, po ta them edhe një të vërtetë: me këto sjelljet tua antikombëtare, shumica dërmuese e shqiptarëve të Kosovës nuk të do aspak. Ne e duam vetëm atë qeveri në Shqipëri e cila ndjek rrugën kombëtare, demokratike, djathtiste, e jo asnjë tjetër.

    Letrën unë e gjeta këtu, por duhet të jetë botuar edhe gjetiu.

    1. Gjeta dje tek rubrika “Ide & Debat” e “Shekulli” nje pergjigje per letren e akademikut (ky titulli mbeshtillet si pancir, i pazhvoshkshem) Mark Krasniqi, nga Viktor Malaj, titullaturen a pozicionin e te cilit nuk e prezanton redaksia e gazetes, por keto do te na behen me te qarta gjate leximit.

      Shkepus nga replika e z. Malaj:

      “Meqenese jam nje shqiptar (…) qe nuk kam kurrfare ambiciesh per politiken dhe pushtetin (pasi e kam rregulluar te ardhmen time jashte Shqiperise) dhe,me ne fund,meqenese i perkas te njetit besim fetar si edhe ju,me lejoni t’ju them disa te verteta rreth asaj qe ju shkruani”.
      http://www.shekulli.com.al/2010/05/27/leter-e-hapur-akademik-mark-krasniqit.html

      Pse duhet te ishte e rendesishme permendja e besimit fetar, per te mbeshtetur qofte edhe pjesshem nje argument politik apo qytetar? A mund te imagjinohet po kaq lirshem nje adresim publik nen te njejtat terma, Sali Berishes a Edi Rames? Megjithate i mesipermi eshte vetem nje rast shume i zbehte i kthimit ne argument politik te perkatesise fetare (kjo behet rendom, lirshem e vrazhde, ne sajte si ai nga ku citohet M.Krasniqi), por shenja edhe me te forta ofrohen periodikisht ne platformat me mainstream te komunikimit publik.

      Kujtoj ketu, pertej shembujve me te vjeter e me te shperndare, vetem deklarimet e kryetarit te demokristianeve shqiptare, pas divorcit te tij me shefin e te djathtes formale ne vend.

      Keshtu ai do te denonconte, fill pasi nuk ishte me minister, “strategjinë primitive të PD dhe Berishës për të dëmtuar një parti politike historike me alternativë kristiane. Madje, shkojnë deri aty, sa bënë atë që edhe vetë sh. Enver nuk ka bërë për 50 vjet. Sot, kemi një qeveri unikale në Evropë, përveç Turqisë, që nuk ka asnjë ministër të besimit katolik (…) Qarqe islamike brenda mazhorancës siç duket tashmë kanë kontrollin për momentin, do Zoti që kjo nuk kthehet në një vullnet të kryeministrit tonë.”
      http://www.gazetatema.net/index.php?category=2&id=3003

      Si vijim, pas nje letre te kryedemokristianit drejtuar Vatikanit, per te denoncuar me tej lenien jashte perfaqesimit qeverises te katolikeve shqiptare, nderhyn me nje distancim Konferenca Ipeshkvnore ne vend, i vetmi autoritet qe perfaqeson teorikisht permasen fetare te qytetareve me besim katolik; distancim i nevojshem ky, per te treguar se cili ka te drejte te flase ne emer te besimtareve ne nje shtet sekular. Megjithate, kryedemokristiani Nard Ndoka, me nje procedim per t’u marre shembull, e denoncoi “letren pastorale” te ipeshkeve shqiptare… si perzierje te fese ne punet e politikes. Mesazhi eshte ai i vjetri, jo vetem shqiptari, se sekularizmi funksionon kryesisht si rruge me nje kalim: vetem politika ka te drejte te perzihet me fene, po jo e kunderta (!?). Institucionet e fese nuk duhet qofte edhe te rikuperojne imazhin dhe funksionin vet, qofte edhe per te perkujtuar limitin sekular ne punet publike.

      Reagimi i kryetarit te PDK, nderkohe shpjegon edhe vizionin e tij mbi projektin politik qe perfaqeson, konceptet mbi rolin e identitetit kulturor, lidhjeve te trashegimise dhe institucioneve te kultit. Citoj:

      “Partia Demokristiane, si parti që udhëhiqet nga filozofia kristiane mbron vlerat kristiane dhe ka si bazë kryesore elektorale komunitetin kristian dhe më gjerë dhe është e angazhuar maksimalisht për përfaqësimin e këtij komuniteti, por edhe të gjithë qytetarëve që besojnë në vlerat dhe filozofinë kristiane.(…)”

      “PDK-ja nga një parti periferike u kthye në qendër të politikës, pikërisht kur rreth saj u mblodhën disa deputetë të besimit katolik dhe jo vetëm, por dhe shumë intelektuale që e mbështeten alternativën kristiane në parlament dhe në publik. (…) ”

      “Ne nuk do të ishim habitur nëse Konferenca Ipeshkvnore do të reagonte, për të mbrojtur të drejtën e përfaqësimit politik në të gjithë nivelet e përfaqësuesve të komunitetit katolik në institucionet e shtetit shqiptar, por kur zëdhënësi i kësaj konferencë bëri të kundërtën duke u shprehur se Partia Demokristiane bën gabim që mbron përfaqësimin e komunitetit katolik, mendoj se u nxitua në qëndrimin e vet. Ne nuk pretendojmë që përfaqësojmë të vetëm komunitetin katolik në Shqipëri, por vetëm ne kemi ngritur zërin për të drejtat e këtij komuniteti.(…)”

      ” Katolikët, pra të parët tanë, e kanë ditur me kohë se ku duhej të shkonin. Edhe në rrugën tonë e kemi të qartë dhe asgjë nuk do të na pengojë. ”
      http://www.panorama.com.al/index.php?id=36152

      Nuk e di si perthyhet kjo retorike ne programin e pranuar te partise apo ne ligjin per partite ne vend, te cilin nuk e di sesi ka evoluuar me kohe, por mendesite qe ekspozon lideri Noka, konturojne nje skene tjeter politike, te ngurte, proporcionaliste e konfesionaliste, te ngjashme me ate te Libanit. Ky version do t’i kontestohej me unanimitet cdo pjesetari te trupes politike parlamentare/qeveritare, ku ka bere e do te beje pjese serish Noka, nese do te artikulohej mbi identitete te tjera fetaro-kulturore ne vend. Sic duket nenvizimi gati haptas qe i behet Europes e Perendimit me kulturen katolike prej zedhenesve me autoritet te establishmentit ne Shqiperi, plotesuar me variantet popullore per identitetin e vertete fetar te rezistences kombetare ne shekuj (Skenderbeu i rigjetur “i arberesheve”), si dhe me vecimin ne homazhe te “genocidit” komunist mbi klerin katolik, perbashkohen ne nje droje apo hezitim gati prej fajtori te opinionit publik per te reaguar per teprime qe cenojne frymen e sekularizmit e marreveshjet e tjera te shqiptarise civile.

      Me anen tjeter, konkurrenca per te shfrytezuar simboliken e volitshme katolike-edhe tej vullnetit institucional te Kishes, sic u shpreh ky me ne fund ne letren ipeshkvnore- ka hedhur ne skene edhe te tjere aktore, me origjina familjare jokatolike, te cilet here ne emer te integrimit europian apo nacionalizmit, here ne ate te regjionalizmit apo vleresimit te gegerishtes, nuk humbin rastin te marrin publikisht poza “fetare”. Eshte edhe ky konfirmim supremacie simbolike “nga jashte” komunitetit katolik qe forcon elelmentet izolacioniste te rehatohen me tej ne qendrime sektare e elitare. Narrativat e kompiluara te krenarise historike e identitare, qe ofrohen piramidale qe nga fjalimet presidenciale e poshte, vetem zyrtarizojne nje lloj kujtese dhe kredoje “moniste”, e cila peshon me fort se kudo ne individet e komunitetit katolik. Se kendejmi, mund te kuptoj me mire pse Xhaxhai supozon ne sproven e tij se “një shqiptar katolik ose do të adhurojë Gjergj Fishtën, Nënë Terezën dhe Zef Pëllumbin, ose nuk do të konsiderohet si pjesë e bashkësisë katolike”.

      Kompilimi i nje kujtese per nje histori, te ciles i gjehet nje qellim final, i kanalizohen prirjet dhe personazhet, paraqet nje portret te cunguar te universit te katolikeve shqiptare. Figura dhe ngjarje qe i japin kuptim diversitetit perbashkues shqiptar, qofte edhe permes kontroversise, qe nga Pashko Vasa, Preng Bibe Pasha, Lleshi i Zi, Hile Mosi, Marash Ivanaj, debati franceskano-jezuit, e deri tek heronj te heshtur si dekani moral i te majtes shqiptare, Zef Mala, lihen ne hije, perftohen si devijance apo kurohen ne rastin me te mire, per t’i sherbyer nje varianti te disiplinuar unikaliteti.

      Te gjitha komunitetet e trashegimise fetare ne vend, megjithe specifikat strukturore e dallimet nderveti, kane prodhuar natyrshem figura dhe ndodhi qe dalin pertej pritshmerive statike a skematike te koheve tona apo koherave te meparshme: me t’iu nenshtruar ndonje rrethane nderkombetare apo aksioni serioz politik, te gjitha mund te ripaketohen si minoritete elitare, e ta gjenin veten para variantesh virtuale, heroike e higjenike te vetes, opresive ne rradhe te pare per perberesit individuale te tyre.

      1. Unë nuk dua aspak të merrem me fenë e politikanëve shqiptarë, por disa të kapin për gjuhe. Sipas Nard Ndokës, vetëm Shqipëria dhe Turqia nga shtetet europiane, nuk paskan në qeveritë e tyre ministra katolik. Po Greqia ku i gjeti ministrat katolik? Po Maqedonia? Po Bullgaria? Po i ceki fqinjët e Shqipërisë për të mos shkuar në Skandinavi, Danimarkë e Islandë.
        Politikanët që i mëshojnë fesë janë të dëmshëm gjithkund, veçanërisht në Shqipëri!

        P.S. Unë jam për ate që, në kushte të barabarta, tju jepet përparësi pakicave të çdo lloji: rracore, etnike, fetare, etj.

    2. Më shumë se niveli i kësaj letre, mua më brengosë efekti i saj. Efekti që ka kjo letër në krijimin e paragjykimeve të reja dhe betonimin e të vjetrave. I ushqen stereotipet e të gjitha palëve. Kjo është hera e dytë që Mark Krasniqi reagon kështu. Viti i kthesës i qëndrimeve të tija është 97-ta. Akademik Mark Krasniqi kur u kthye në Prishtinë nga një vizitë që i kishte bërë Tiranës para vitit 1997, një gazetar e pyeti se si e kishte ndier vetën në mesin e socialistëve; duke aluduar në vizitën që i kishte bërë opozitës shqiptare. Ai u përgjegj se e kishte ndier vetën si në mes të vëllezërve.
      Ai kishte daklaruar se Shqipërinë e kishte dashur edhe në kohën e Zogut, edhe në kohën e Enverit, edhe në kohën e Ramizit, edhe tash në kohën e Sali Berishës.
      Nga studentët mbahet mend si profesor që nuk të kalonte në provim po se dite ndonjë pyetje në lidhje me Shqipërinë.
      Jepte lënden e Gjeografisë politike në Fakultetin ekonomik.

  3. Do te isha shume kurioz te dija perkufizimin e sakte te “djathtizmit” ashtu siç e kupton akademik Krasniqi. Perndryshe, per ate nese mund te merret letra e Krasniqit si “dëshmi flagrante e mendësisë bunker” mendoj se ka vetem dy variante (nese e nenkuptojme ate qe Krasniqi eshte perfaqesues i njemendshem i akademise kosovare):

    Varianti A:
    Premisa – Akademik Krasniqi ka qene i dehur xurxull
    Perfundimi – Letra s’ka kurrfare rendesie, akademia eshte shendoshe e mire

    Varianti B:
    Premisa – Akademik Krasniqi nuk ka qene i dehur xurxull
    Perfundimi – Mjere akademia kosovare!

  4. Varianti B me duket me i bindshem. Nuk me duket se alkooli mund te krijoje kaq kg paternalizem. Arrogance po, ekzibizionizem po, shperthim te komplekseve inferioriteti qe kaq kohe nen serbet po akumuloheshin ne shpirtin esoterik te akademikut po, por paternalizem eshte veshtire ta thuash.

    A ka tundur dhe gishtin akademiku kur po shkruante kete leter? E dini, e kam fjalen per ate gjest qe shoqerohet sidomos me fraza te tipit “-Degjo ketu or ti i keshillit…” ose “-Ta dije mire beu i fshatit se…”. Besoj se po, se eshte tipike per keta fosile te totalitarizmit, keta kriptoanalfabete te shprehen ne kete menyre.

    E pate qe letra ishte ne njejes?

  5. ”’Do te isha shume kurioz te dija perkufizimin e sakte te “djathtizmit” ashtu siç e kupton akademik Krasniqi.””

    Me c’lexova, akademik Krasniqi e koncepton te djathten shqiptare vetem si e djathte nacionaliste. Llojet e tjera te se djathtes, skane rrenje, jane kalimtare e pa identitet.

    Sot eshte normale qe figura e akademikut te jete ajo e filantropit, internacionalistit, pacifistit , por akademik Krasniqi eshte ndoshta i fundit prej atyre intelektualeve te djathte qe ne Shqiperi i derrmoi Enver Hoxha qysh ne 1945 dhe qe perfaqesonin kulturen shqiptare.

    Cfare kulture shqiptare perfaqeson ta zeme artisti Edi Rama ?
    Po ashtu politikisht kush ka degjuar ndonjehere Ramen te flase per mbare shqiptaret ?
    Me te hajrit ne kete pike jane komunistet e Saktivistes.

    ””’ne Ballkan marrja e historise si zanafille per te ushqyer nacionalizimin bart nje kontradikte. Si te thuash ai i shpiku Pakicat etnike si te tilla.””

    Pakicat etnike nuk i ka shpikur nacionalizmi, ato i gjeti aty.

    Perdorimi i historise ka qellim zberthimin e se vertetes mbi cfare jemi. Ka perdorim dhe keqperdorim te historise.

    Meqe edhe kjo teme nuk i shpetoi gjuetise se shtrigave, peshtjellimit dhe rremujes, ndiej detyrim (ri)qartesimin e disa koncepteve.

    Nacionalizmi eshte koncept me zanafille politike ashtu si dhe kombi. Etnia eshte paresisht koncept historiko-antropologjik.

    Etnia eshte nje realitet me i vjeter se qyteterimi ne planet.
    Etnia e ka ne thelbin e vet konceptin e gjakut, sepse me perkufizim etnia supozon lidhje gjenealogjike (te aferta apo te largeta).

    Kombet ndahen ne etnike dhe multietnike.

    Per ato qe jane me baze etnike perdoret koncepti i gjakut te perbashket sepse koncepti i etnise e perfshin ate te gjakut.

    Per kombet multietnike, logjikisht eshte e pamundur cdo permendje qofte edhe metaforike e gjakut te perbashket.

    Nje komb me zanafille multietnike po qe sillet si komb etnik eshte ai grek, qe si komb eshte krijuar nga 3 etni, ajo greke, etnia shqiptare (arvanite) dhe etnia vllahe, te treja te njohura si kombetarisht greke (me vone asimilimi i mjaft bullgareve e kthen ne komb me 4 etni).

    Greqia perfaqeson nje anomali te thekshme ne Ballkan, ku shqiptaret, bullgaret e serbet jane kombe te bazuara mbi etnite perkatese.

    Zviceranet perfaqesojne nje komb multietnik, ashtu sikunder belget ose amerikanet.
    Nje anomali e thekshme ne Europen Perendimore eshte ‘nation’-i i Britanise se Madhe, ku s’merret vesh gje.
    C’eshte anglezi, irlandezi, skocesi apo galezi ? Si quhet kombi ? Britanik ?

    Meqe kombi eshte koncept social-politik, mund te mbijetoje vetem brenda nje konceptimi te caktuar social-politik, perndryshe ska asnje kuptim.
    Ndersa etnia nuk pyet per shtetin e politiken.

    Mbivendosja etni-komb eshte e natyrshme ne kombet etnike,ku ndergjegje/perkatesi etnike= ndergjegje/perkatesi kombetare, nderkaq e sforcuar dhe peshtjelluese ne kombet multietnike.

    Ne kohet e sotme rremuja e madhe qe behet mbi te verteta kaq te thjeshta, ka per qellim fshehjen e se vertetes apo relativizimin e saj.

    Po kjo rremuje e peshtjellim nuk ka si shkaktar vetem internacionalistet filantrope, por edhe nacionalistet e kombeve multietnike te cilet per te gjetur rehatine e tyre, sulmojne kombet etnike dhe konceptimet logjike qe burojne nga fakti qe kombi bazohet mbi nje etni.

    Fillon relativizimi i gjithckaje sipas metodes sofiste, cka do 5 mije vjet te ndryshoje behet e barazvlefshme me ate dukuri qe do 5 vjet, ne emer te ndryshimit, si dhe nje sere metodash te vjetra te shtremberimit te logjikes.

  6. Fragmentoj, si dhe individi mund te fragmentohet nga grupi perkates, ne citimin e meposhtem te Xha Xhai:

    “Këtu mund të pyetet edhe nëse përkatësia në një grup, sado minoritar, merr përparësi ndaj lirisë individuale;..”

    Po ilustroj vizualisht individ-in; Individual, individi ka shume ide, jo nji, dhe prap ka individualitet (autor/nje), prandaj Ai eshte e natyrshme te trajtoj ide te ndryshme si “pronar”- autor i tyre. Ky individ, me shume ide, dhe me nji karakter gjen/aplikon me tolerance veten e me individ te tjere duke krijuar premisen e krijimit te grupit. Grupi jo ndryshe nga individi; me ide te ndryshme, dhe karakter, eshte individ qe udheton ne tregun e shkembimeve si monedhe qe pershtat vleren e pronarit te saj, Jete.

    Ka aq lende te mbllacitesh ketu sa ndjej te nevojshme te ndaloj ne emer te ruajtjes nga dhimbja edhe pse e perftyruar e nofullave.

    Edhe ne se zgjedh lirine e idividit si reference per percaktimin e synimit per arritje, shoh qe edhe grupi, apo pakica, jane e njejta gje, por te ndryshem ne dimension. Kam shume parasyshe qe me dimension perfitohet nje tjeter realitet, pasi vizualisht, idete e ndryshme, ne njeriun me karakter, cfaqen si persona, ne grup, aty ku futet progresioni gjeometrik e ben kerdin sa me tej te shkohet. prandaj gjejme jo rendom aplikimin e nacionalizmit si mjalt qe ngjitn shume lloje gjallesash, por jo vete bletet qe e prodhojne.

    Mendimi i zgjedhur eshte minoritet ne vet mendimtarin, dhe si rrezultat, metoda per harmoni, koherence, bashkeekzistence e mendimeve jep frytet e para ne vet individin qe dikush ngreh shpres per funksionim grupi.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: