O SA MIR ME QEN’ FRANCEZ, OHEJ!

nga Idlir Azizaj

… nuk është supersticion, jo, ka vërtet qenie që janë të mallkuara.

Andorra”, Max Frisch

Musica ficta

Nuk është në interesin e asnjë shovinizmi të shfaqë gafa të rangut teknik që nxjerrin lakuriq organizimin e mangët të vetë vendit që e gjeneron. Qoftë dhe me gafa, siç ndodhi me ngatërresën trefishe në ndeshjen e fundit Francë-Shqipëri: fillimisht u transmetua himni i Andorrës; mandej spikeri u kërkoi falje tifozëve armenë (?); e klikoi në fund himnin shqiptar.

Prandaj dhe kritikat ndaj makinës aparatçike franceze për çka ndodhi në Stade de France ikën doemos në drejtim më të paditur. Fillimisht u kufizuan brenda shablloneve të difektozes natyrë njerëzore. Sikundër e përforcoi dhe deklarata e Ambasadës shqiptare në Paris. Duke përsëritur të famshmin postulat: errare humanum est, dhe se gabime të tilla mund të ndodhin gjithkund. Konstatimi se të tilla gafa s’kishin ndodhur as në stadiumin tonë kombëtar, në një vend ende të paftilluar, u rrudh brenda opinionit lidhur me kompleksin tonë ndaj vendeve të mëdha. Gjithsesi faturimi i gafës faktorit të pashmangshëm njerëzor siguroi disi median frënge. Kësisoj e nxori në pah në korsive France Info, që nëse do fliste shqip, do kish trajtën e ZP të vitit 1991 apo RD të vitit 1996.

Edhe kësaj here Shqipëria solli zhgënjim për shkruesit frankofonë. Më kot kritizerët pritën që sportistët shqiptarë të çirreshin e të ngrinin grushtet përpjetë. Apo, si protestë, të shqitnin zorrët e me to të vizatonin ndonjë shqiponjë në kraharor. Dinjitozë, ata qëndruan gati për himnin e vendit, krahaqafë. Kështu, komentet për barbari ballkanike e pinjollë mafie, fatkeqësisht u lanë mënjanë. Po natyrisht për përdorim të ardhshëm. Në arkanën e arsyes karteziane, siç vetëm frankofonia mund ta arrijë të përjetojë, që aty ku janë shqiptarë do jetë e mundur të ndodhë diçka alla shqiptare, herët a vonë. Që mund t’u ndodhë andorrasve, apo dhe armenëve, pak rëndësi ka. Pastaj, këto vende (ces pays là) ashtu e kanë; se pak a shumë njëlloj janë; tek e fundit s’prish punë në janë! (L’Albanie, on s’en fout, ishte një koment lakonik). Pak rëndësi ka dhe muzika përkatëse e himneve përkatëse të atyre vendeve.

Vështirësia për garantimin e mbarëvajtjes protokollare në Stade de France kish baza të “qenësishme’: te fakti që vende të tjera, sidomos “si këto”, kanë dhe ato himne kombëtare, sikundër Franca!  Siguria që tekniku i kompjuterit i Stade de France di shkrim e këndim as vihet në dyshim. Boll CV e tij mjafton. Dhe sado i ngarkuar me himne vendesh, “ordinateur-i” i stadiumit të një vendi aq të zhvilluar i ka aq megabyte edhe për himnin e një vendi ‘një dorë’ sa Shqipëria. E kjo e vështirëson dhe më ndodhinë e asaj gafe të shquar, prej një subjekti nëpunës pjesëtar i një makine gjigande të vajisur nga kultura e shkrimit dhe e burokracisë dokumentore.

Nëse faji i vjen sërish në surrat Albanisë, kjo ka një gozhdë ku të kapet. Te thelbi i ekzistencës së saj si kulturë orale, paçka yryshit të demokratizimit nëpërmjet “paperasses” euro-atlantike. Atëherë tekniku francez, per vias rectas ka rënë në oralitetin e kulturës mbizotëruese … por të vendit të vet: kujt i plasi për Albanie! Sa për mazhoritaret Allemagne apo Angleterre, ato kanë himne që Njeriu i di përmendësh. Europa über alles! Mandej: Andorra, Armenia, Afganistan …. bof!

Kulturë e ndërtuar gradualisht në esprit-në e teknikut, si dhe boll të tjerëve. Klishe pas klisheje, klishe mbi klishe, për të cilat dhe ne vetë kemi dhënë goxha kontribut hera here. Disa komentues, dalluan te gafa e teknikut mishërimin e atij procesi aq gradual, por të sigurtë (si eshka e xha Jahos); atë lloj ecurie që analizon dhe Max Frisch-i në dramën e cituar: ndërtimin e ndjesisë antisemite nëpër Europë asokohe: këtu me një shaka të vockël, aty një imazh klishe, ndonjë karikaturë … e deri në inaugurimin e Aushvicit. Për të cilin Franca kontribuoi jo pak; e Shqipëria e vockël as dhe pak.

Ndoshta ngaqë ishte dhe mbetet e vogël! Dhe për honor ndoshta të këtij nderi minuskul që Shqipëria i la historisë së turpshme europiane të kampeve, Franca (sidomos) lëvrin nga vendi me fantazmën e Shqipërisë së Madhe. Sidomos në ndeshje futbolli. Ndoshta se një Shqipëri e madhe mund të ishte, hamendësisht, antisemite. Diçka si Franca e viteve 30-40të. Por sajë ambiguitetit, mallit të vetëm që Franca s’e shet kurrë në botë, ajo na bën të ditur se gabimet e të mëdhenjve s’bën t’i përsërisin të vegjlit. Me idenë e qartë, si i ka hije maxhorive, se këta vende s’kanë ç’të mësojnë prej kësi lloj gabimesh, që iu takojnë vetëm mendjeve të gjera … koloniale.

Pulat dhe gjeli

Dhe si pula të palagura ndenjën sportistët shqiptarë nën tingujt e gabuar (ja një subjekt i ri për Kadarenë) të himnit të një vendi tjetër. Sportistët tanë u anatemuan për rezultatin e keq. Furia e basteve anashkaloi shastisjen e tyre totale në Paris: sesi demokracia të bëjë kaq hapa pas në Republikën që marshon para! Le më pastaj ndjesinë e papritur e të qenit andorras!

Por edhe sportistët janë nga pak eurocentristë, si ne të gjithë; ata i besojnë doemos fuqive kaq të mëdha. Si ne, mendojnë se në këtë rast Franca ka arsyet e veta që zemra e arsyeja jonë dot s’i rrok.

Dhe një arsye detyrimisht gjendet: Andorra është në grupin H paraeliminator (les poules, i thonë frëngjisht). Dhe si gjel (coq) Franca është e do mbetet në krye të grupit, në majë të pulave të tjera, deri në Europian. Ndryshe s’mund të mendohet një Europë pa Francën.  As Macron (bashkë-princ i Andorrës), as Merkel, as Schuman, as Jean Monnet, as Cohn-Bendit, as Edi Rama, madje as H. Çili s’guxojnë ta mendojnë Euron pa Francën. Gjë që mbetet gjithsesi superflue, përsa Francës i mjafton ta mendojnë veç francezët. Për këtë ka fakte pupagjele madje. Për të cilat na konfirmon vetë e famshmja New York Times.

 

Maurice kavaljer

Nuk ishte ndonjë recensë mbi personazhin, asokohe interesant, të romanit të E.M.Forster (romani i tij “Maurice”). Personazh homoseksual i një shkrimtari të rafinuar, që sot mund t’i shërbejë si brumë për gjetje fondesh regjisores L.Zeqiraj, për një sequel të filmit “Martesa”.

Jo, gazeta e stërmadhe amerikane kish gjetur çuditërisht vend në kolonat e saj për një tjetër Maurice: një gjel, kokosh (gay apo jo, kjo do shihet më pas). Gjeli që doli në gjyq pikërisht ditën e ndeshjes Francë-Shqipëri.

Historia ishte më pak modeste sesa ngatërresa e himnit tonë në stadium: një çift parisian me pushime në ish-vendlindje në Ile de Ré (rajoni Charente Maritime) kishte hedhur në gjyq kokoshin Maurice, që iu shprishte gjumin në sabah. Me të drejtën e pushimit nga rrëmuja e kryeqytetit, çifti majtist, por dhe kavjar (kështu në frëngjishte popullore etiketohen socialistët e kamur, progresistë, bibliofilë, vegana, çiklistë, feministë e me do doza hipokrizi), e çoi gjelin në gjyq. Duke u ndier i persekutuar gjer në liritë bazë të biologjisë, çifti, që kosovarët dhe serbët i mënjanon nga evokimi i persekutimeve përkatëse, arriti të hapte proces kundër kokoshit Maurice, për mosrespektim të së drejtave të njeriut. Çka përkoi dhe me përvjetorin e këtij Dokumenti të madh human, ku u fut dhe termi “grua”, si vazhdim antinomik i mashkullit (Les droits de l’homme et de la femme). Shembulli i gjuhëve të vokëta, si shqipja, që kanë për fat term të përbashkët për subjektin “njeri”, veç u mor si evidencë e moszhvillimit të kulturës diskursive ndër ne, e mungesës së të mosashtuquajturës Albanian Theory.

Gjyqi, i zhvilluar pikërisht në ditën e ndeshjes, mori përmasa të pamenduara. Debati për therjen apo ekspatrimin e gjelit nuk rezultuan aq të parashikueshme sa i kish menduar çifti borgjez koket e delikat. Sepse opsioni i ndërkalljes së të drejtave të kafshëve në Kartën e të drejtave të njeriut ngriti krye më shumë se kurrë. Mandej vigjilenca e Brigitte Bardot ndaj fatit të kafshëve nuk e ul fanarin. Ta kundërshtosh atë, rezulton në një shuplakë indirekte ndaj Jelekëve të Verdhë, që kur aktorja është renditur krah kësaj lëvizjeje protestuese të pashtershme. Për më tej, seksione ekstremiste të LGBT, që militojnë për të denoncuar strukturën koercive kulturore të seksualitetit të kafshëve, nuk shmangnin padrejtësinë që mund t’i bëhej, sajë injorancës, ndonjë gjeli femër, apo transvestit, apo dhe pa gjini. Kjo tezë çuditërisht ishte parashtruar (koincidencë fatlume!) një muaj më parë nga grupi Radical Sense 28 nëntori në Tiranë.

Dhe së fundi, një parcelëz sidoqoftë ekzistuese e kulturës popullore franceze mënjanohej kështu dhe më keq nga ç’është në të vërtetë: gjeli si lajmëtar i agut (alba), personazh i kulturës europiane trubadure, që iu tregonte dashnorëve të zjarrtë se ishte ora për t’u ndarë. E gjitha kjo cenonte disi dhe politikat lokale, ngjyresën nacionale në Francë. Sidomos qysh pas fitores së Frontit Nacional ose Ballit kombëtar francez në zgjedhjet e fundit europiane. Edhe zjarri i Notre-Dame nuk ishte ftohur ende. Sentimenti denbabaden francez ka filluar gjithsesi të mahiset edhe ai. Edhe pse çifti nga Parisi kish kontribuar në arritjen e veçantë për zhdukjen e termit “mademoiselle” nga Kodi civil francez, u gjet mesatarja: që gjeli të jetojë, edhe të këndojë, sa herë të dojë, edhe po bubulliu, edhe po vetëtiu, edhe po ra shi mbi dheun e Golëve …

Ky vendim u konsiderua fitore e ruralitetit, sipas gazetave. Mirëpo dhjetëra procese ndaj lopëve, gjinkallave, rosave e kafshëve të tjera të potershme priten të zhvillohen në vijim në Francë. Demokracia, që punon si kafshë, e bëri detyrën e vet garantuese të paanshmërisë. Në Paris, në fakultetin e njohur Sciences Po (shkencat politike) pritet hapja e katedrës së gjuhës … së Solomonit. Ende nuk dihet se me çfarë gramatike do mësohet, pasi nuk gjen zgjidhje finale debati nëse profeti fliste vërtet me kafshët, apo thjesht kuptonte se çfarë donin?!

Pak rëndësi ka: gjeli, logoja e posturës çukitëse e libertine e rafinimit francez, e sidomos simbol sublim i futbollit frëng, doli pa kokë të prerë. Ndoshta me çikëz lafshë të hequr, sa për të sheqerosur ca fasadën semite në Francë. Fotografia e pronares së Maurice, e këndellur në habinë e një kauze të zmadhuar pahiri, më kujtonte jo pak fqinjin fisnik Burim Kokoshi, italofil me “njollë në biografi”, tek këndonte nëpër dhëmbë me siklet melodinë e Paolo Contes, meqë i ngjante aq shumë:

 

La comedie d’un jour

Dhe këtu kish pasë qenë, duket, thelbi dramatik i incidentit me himnin tonë kombëtar: tekniku i himneve, me origjinë nga viset ku ndodhi gjyqi i Maurice, kish hovur në aprovim të vendimit. Dhe si rrjedhim futi gabimisht Andorrën (pourquoi pas?) në vend të Shqipërisë. Shkëmbim fare normal për logjikën mazhoritare franceze, që internautët e gjykuan si tjetër inkompetencë të shtetit aktual francez. Për kompensim u hodh dhe ideja se tekniku i gjorë i dha pa dashje Shqipërisë statusin e një enklave, në përkujtim funebër të Kosovës si ish krahinë e Jugosllavisë. Thjesht i mbështetur në opinionin e shefave të état-major francez që e sheh Kosovën, në mënyrën e hollë legjionare, si Palestinë të Ballkanit.

Fakti që tekniku u kërkoi ndjesë tifozëve “armenë” në stadium, s’kish si të mos justifikohej me konstatimin e ligshtë se: sado imazhit misterioz e distant që i ka lënë lexuesit frëng “Prilli i thyer”, armeni Charles Aznavour ua ka vrarë veshët më shumë. Në mënyrë paradoksale, tekniku kish porositur shqiptarët për dy objektiva: bashkë me interesin për gjenocidin ndaj Armenisë, të gjenin mundësinë dhe për t’i dhënë gjenocidit të nëpërkëmbjes e nonshalancës kronike franceze ndaj Shqipërisë; dhe sidomos, të përforconin distancën e bezdinë ndaj Turqisë, për (mos)futjen e së cilës në Europë Franca pat hapur të vetmin referendum në historinë e saj postmoderne.

 

Faqe e zezë në racë të bardhë

Dhe ishte çuditërisht pjesa reaksionare e konservatore e popullsisë franceze që reagoi ashpër ndaj qeverisë së vet lidhur me këtë nëpërkëmbje Shqipërisë. Komentet e rrjeteve i mëshonin “inkompetencës së Francës” sot në të gjitha domenet. Ironia e stisur e ambasadorit shqiptar D.Tola në France Info se: “kjo tregonte nevojën e mësimit të gjeografisë”, u brohorit nga komentuesit. Disa prej tyre, më të interesuar për Shqipërinë, dalluan me këtë rast ngjashmëri fatale mes dy vendeve: sesi mbizotërimi i çështjes semite dhe historia aktuale e Francës kishin anashkaluar nocionet bazë të gjeografisë, sikundër dhe në Shqipëri, por ama sajë ekskursioneve bajate e izoluese në historinë e autoktonisë e të gjuhës qelibar.

Nuk ishte çudi që të njëjtit internautë francezë patën brohoritur, në distancë, “grushtin e rëndë” që u dha qeveria shqiptare pronarit “shkelës të kodeve të mikpritjes shqiptare” të Porto Palermos (incidenti me turistët spanjollë). Duke duartrokitur faktin sesi shteti shqiptar dinte të vinte rregull (paçka se tri vjet me vonesë) në vend. Ndryshe nga Franca, e katandisur “në kaos” me fytyrë … të huajsh të pafytyrë (lexo: arabë, zezakë etj).

Mes këtyre figuronte dhe komenti tjetër : evokimi i shqiptarit të bardhë (il est blanc, l’albanais, nënvizonte komentuesi me nickname A.L). Ky kompensim me gëlqere i gafës franceze mundohej t’u jepte një freski pareteve raciste ndër ne. Më qëllimin fisnik e retushues e të induksionit kolonizant : që bezdia shqiptare e racizmi ynë ndaj « atyre » të tjerëve me ngjyrë, të kalonte stadin efemer e rrethanor aktual, e të ngrihej në dallim e supremaci afektive, si i takon një të bardhi autentik. Komenti gjithsesi i njihte Shqipërisë një mundësi për njohje të gjerë : Parulla e vjetër « Shqipëria e shqiptarëve » u veçua si kontributi i vetëm madhor që ne mund t’i ofronim Francës aktuale. Kësisoj, dhe tifozët e thekur nacionalistë frëngj u rrekën ta përvetësonin hosananë e tifozëve gjakovarë dikur : O sa mirë me qen’ shqiptar ! Për t’i rënë shkurt ata shprehen se s’kish shqiptari pse të mos çirrej si i tillë, përsa francezi do jetë aq francez sa është.

Bardhësia shqiptare, e trumbetuar nga politikat e intelektualët tanë të së gjitha ngjyrave, u konsiderua si arritje kryesore europiane e Shqipërisë, fatkeqësisht e padekoruar nga kastat e BE-së.

Këto opsione synonin ta keqpërdornin bukur kompleksimin ku Europa e madhe i ka ndryrë disa vende të saj satelite. U përmend sërish rasti i Greqisë, e cila « sajë presionit gjerman njohu dhe ndjeu egër më në fund peshën e fajit e të kompleksit të së qenit borxhli » (sipas ekonomistes E. Papajoanu në emisionin Arté). E ta vinte kësisoj shqiptaria veten në kompleksitetin e të qenit gjithsesi i bardhë borë, paçka sfondit të vet të errët otoman e ballkanik, për t’u bërë kollaj pjesë e Europës së europianëve. Komentuesi, tërthorazi dashamir kauzës shqiptare, duke evokuar nostalgjinë për Clemenceau-në, çimentonte në këtë mënyrë edhe thashethemin për afrinë e mundshme të De Gaulle me regjimin e E. Hoxhës.

E kështu sheshohej dhe historia e llurbët edhe përgjegjësitë e pakapërdishme të kolonializmit : edhe Shqipëria vetëvendoset ; format e veta (auto)koloniale t’i ketë me forcat e veta, të pavarura nga hartëbërësit e Brukselit e Uashingtonit.

Atëherë tekniku francez do mund ta lëshonte në mënyrë asnjanëse himnin shqiptar, pa drojën se mos, sajë ndonjë mekanizmi mafiozo-magjik, shqiponja e himnit kuturis pas gjelit Maurice nëpër sfondin trikolor francez, e bëhet papritur dron …

 

Efekte anësore

Politesa karakteristike kurorëzoi sërish administratën franceze, duke i kërkuar falje federatës sonë lidhur me këtë gafë para ndeshjes. Ndoshta me justifikimin e atij mësuesit pak hutaq ndonjëherë, që gjithsesi e mban nxënësin peng deri në provim. Tekniku i stadiumit nuk ka si të hiqet nga puna, për të mos hapur punë me sindikatat. Këto të fundit s’e kanë shumë çështje të ditës himnin tonë, përsa në Shqipëri mungesa e sindikalizmit është virtyt mbi virtyte. Po diskutohet mundësia që gjatë ndeshjes së ardhshme Francë-Andorrë, tekniku të bëjë shaka dinjitoze kësaj here, e të lëshojë himnin shqiptar. Çka i bëri internautët francezë të hedhin opsionin që ne të transmetojmë God save the queen kur të vijë Franca në « Qemal Stafa » (nëse do i mbetet emri deri atëherë).

Mirëpo, njëkohësisht letërsia vizionare futet rrëshqanthi në jetën sociale. Ashtu si personazhi hebre i Max Frisch-it, kur hamendte në dyzim : « mos vallë kanë të drejtë njerëzia, që i përkas një race të ligë ? » shqiptari emigrant në Francë s’bën të mos turbullohet lidhur me të gjendurit atje. Duke menduar kotësinë e emigrimit aty ku Shqipëria difektoze, e painstitucionalizuar e demokraci-improvizuese po përsëritet ; qoftë edhe sajë një gafe si kjo e ndeshjes. E duke ngrirë para fëmijëve të tyre të lindur në Francë, që tashmë mbeten shqiptarë nga Andorra ! E vetë këta fëmijë nën thumbat e shokëve të shkollës, pjesë e 50 mijë turistëve francezë këtë vit në Shqipëri (statistika zyrtare), ku gratë frënge kanë nisur grindjen me bashkëshortët, se i paskan gënjyer e paskan kaluar pushimet në Andorrë e jo në Shqipëri! Gjë që s’e justifikonte udhëtimin, paçka përbashkësisë së vockël mes dy vendeve : motos së Skënderbeut : Bashkimi bën fuqinë ! dhe logos zyrtare të Andorrës : Virtus unita fortior !

Çka rezultoi gjithsesi vetësiguruese për popullsinë e mondializuar rëndshëm : edhe vendet e orientit (ku Franca ka nderin ekzotik të fusë Albaninë) po shkojnë përherë e më shumë drejt unifikimit e njëllojshmërisë. Të mëkuara, sajë procedimeve demokratike (në rolin e mëndeshës), me lëngun e kishës katolike, nënës së madhe, së cilës në orientalët europianë ish komunistë i jemi gjysma jetimë. Mësim i vyer francez ky, marrë prej Shën Reine-s, e fiksuar në kalendarin zyrtar pikërisht në datën e ndeshjes zyrtare më 7 shtator, kur Shqipëria u zvogëlua me 27 538 kilometra katrorë, për gjithë 12 sekonda Histori.

 

© 2019, autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

10 Komente

  1. Sa herë më ka qëlluar që Albaninë time të ma kenë ngatërruar me diçka të ngjashme: Libanin ose Armeninë, por jo vetëm. Dhe jam acaruar jo nga padija e këtyre, por nga zëvendësimi, nga përafrimi, nga teknika e “next best”, nga kriteri “rëndësi ka që të mos e lëmë bosh.” Nuk më duket e pamundshme që, për një kategori francezi milennial, Albania dhe Andorra të jenë e njëjta gjë, falë emëruesit të përbashkët të vendit të vogël. Vendet e vogla gjithnjë ngasin imagjinatën e atyre që u qasen realiteteve gjeopolitike me një pasion, si të thuash, prej filatelisti; pa përmendur listat që dilnin ndonjëherë në revistat tona kulturore: “shtatë vendet më të vogla në Europë” – tek e fundit, për çfarë tjetër është dëgjuar Liechtenstein-i ose San Marino, përveçse për çfarë nuk është? Të jesh i vogël është të përkufizohesh sipas një mungese, një negacioni. Që këtej edhe Andorra, si “next best” për Shqipërinë; dhe pastaj Armenia, si rezerva e dytë. Rëndësi ka që të shmanget zeroja, ose pranimi “nuk e di”. Edhe kompjuteri im, tekstin e esesë më lart, e njohu menjëherë si “baskisht” – baskët, ja një popull tjetër me të cilin afrohemi, pa qenë të afërt.

  2. Vërtetë që francezët nuk ia qullosin fare në gjeografi, gjeopolitikë apo gjuhë të huaja. Shumë prej atyre me të cilët kam biseduar as nuk e kishin idenë se çfarë është dhe ku ndodhet Shqipëria. Është e kotë t’ju shpjegosh se kufizohet prej Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë dhe Greqisë. As këto shtete nuk i dine ku janë. Sa për të tjerët, një pjesë e mirë kanë veç ndonjë ide të vagullt dhe e ngatërojnë me vende që i kanë emrat të afërt fonetikisht.
    Në anën tjetër kjo nuk i pengon të kenë një nga vendet me cilësinë më të mire të jetesës. Kështu që megjithëse ne shqiptarët jemi shumë më para në njohuritë gjeografike e ndonjë njohuri tjetër, dhe për më tepër ia kemi kaluar në rritje ekonomike edhe Gjermanisë, ose jemi në vend tê dytë pas saj, gjithsesi ndoshta nuk ka ardhur ende momenti t’ju tregojmë francezëve se çfarë leksionesh duhet të japin nëpër shkolla e universitete dhe sesi duhet të përmirësojnë sistemin e drejtësisë.

  3. -Da dove vieni?
    -Dal Albania

    -Ah. Meno male che sei biancho…

    Rome 1991

  4. Fatkeqësisht, autori ka të drejtë në ato që thotë aq mirë. Një marrëzi e tillë në stadium nuk ishte aq e rendit teknik, edhe pse u habita për një nivel të tillë mosnjohjeje sepse nuk ka ditë që rubrika e zezë e gazetave të mos sjellë kronika të proceseve gjyqësore që bëhen ndaj, kryesisht banda shqiptarësh, që trafikojnë, vrasin, vjedhin, prostituojnë në të katër nahitë e Francës. Por personalisht nuk janë incidente të tilla që më ndihmojnë për të gjykuar një vend. Për mua Francën e përfaqësojnë disa kronika të tjera, edhe ato të përditshme dhe që vijnë nga të katër anët e vendit, ku flitet për klasa të tëra shkollore e komitetet prindërish që bojkotojnë sistematikisht mësimin dhe protestojnë për mos përzënë e nxjerrë jashtë kufijve nxënësit shqiptarë dhe familjet e tyre, në rastet kur nuk kanë mundur të bindin autoritetet për të fituar statusin e duhur per të rifilluar jeten aty.

  5. Shkrimi ka pak të bëj me incidentin në fjalë dhe prek në një analizë kulturore dhe psikologjike, që një shqiptar i thjesht, përfshi këtu edhe veten time, e ka të vështirë ta rrokë.

    Gjithësesi, në çfatë universi paralel do mundej Shqipëria e vogël të përballej si e barabartë me Francën e madhe veçse në një ndeshje futbolli?

    Në asnjë, për mendimin tim.

    Ndaj, duke lënë mënjanë shkrimin e mësipërm, le ta marrim me pak ‘sportivitet’ këte ngatërresë. Në fund të fundit sporti duhet të shërbej për t’i shkarkuar ngarkesat psikologjike, jo për t’i ngarkuar. Sigurisht pa ngatërruar sportivitetin me inferioritetin.

  6. E ç’rendesi ka ngjarja, ajo mund te jete dhe nje aksident i rendomte, gjithsesi nje sebep per autorin te bej nje shkrim brilant, personalisht mu duk si epilogu i “Terxhumanit”

  7. Duket thjesht nje gabim teknik nuk ka nevoje per sterhollime kaq te medha .e dime ne ndryshimin midis Tajikistan,Uzbekistan,Turkmenistan,Kazakhstan,Burma, Belize Saint Martin ishujve Fiji etj .

  8. Shqiperia me Francen pati paraqitje mese dinjitoze ne Europianin e 2016 , me humbje ne minutat e fundit fare e me rast per fitore. Veshtire se komentuesve e gazetareve sportive u shpetojne ngjarje te tilla sportive, kur u ka shkuar shtate per kombetaren e tyre deri ne minute te fundit, ne fazen finale te Europianit. Gjesti eshte bere enkas dhe ne qasje sa sportive aq edhe politike. Nuk eshte ndonje sekret qe shqiptaret si filoamerikane e filogjermane nuk i honepsin francezet dhe anasjelltas. Luante edhe Kosova ate dite me Cekine. O do te besohet se ai tipi eshte aq i paafte sa turperoi kombin e vet, se neve na rruan mjekren, ose qe gjesti eshte paramenduar si provokim, te cilin tanet nuk e hengren duke i ngecut derrin mac Makronit qe u detyrua te kerkoje boterisht falje. Une anoj nga e dyta, vecse ne rast se autori ka qene tape topi.

  9. dhe meqe rra fjala ne kete sllogan te famshem te tifove, le te kujtojme se nuk eshte gje tjeter vecse nje kalk nga turqishtja, ne fakt nga nje shprehje e famshme e ataturkut, “Ne mutlu Türküm diyene”

    1. Me fal qe po te pyes, ku e bazon kete ti? E ka thene ndonjeri nga ata te TKZ -se?
      Krejtesisht e mundur me duket por jam kurioz ku e bazon?
      Flm

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin