Herë pas here rigjallërohet debati për ripërkthimin, debat që zakonisht merr formën: a duhet ripërkthyer Shekspiri i Nolit? Pengesa që përvijon kjo pyetje lidhet me statusin kryevepër, që u është njohur përkthimeve të Nolit – por modeli zbatohet edhe ndaj përkthimeve veprash të tjera nga përkthyes të tjerë, që mbahen si të shkëlqyera. Që këtej edhe përgjigjja: ato përkthime nuk mund të tejkalohen. Kjo përgjigje mbështetet mbi një supozim të rremë: dhe pikërisht se çdo përkthim i ri synon tejkalimin e paraprijësit, ose – në çdo rast – përmirësimin e tij. Por kush e ka përcaktuar vallë kështu, arsyen dhe motivimin për përkthime të reja? Aq më tepër që përkthimi letrar nuk është transformim gjuhësor në bazë të ndonjë formule heuristike, por më shumë rikrijim i një teksti, në një gjuhë tjetër, në bazë kriteresh pak a shumë subjektive. Në rastin e përkthimeve të Nolit, shumë vjet kanë kaluar e shumë ujë ka rrjedhur, që nga dita kur dolën në dritë; dhe ndërkohë shqipja vetë ka pësuar ndryshime dramatike. Një përkthim i ri do të mund të përligjej edhe vetëm me nevojën për të përditësuar ligjërimin shqip të Shekspirit – dhe për t’i bërë pjesët e tij teatrale më të lehta për brezin e ri. Por, dhe këtu duhet treguar vëmendje maksimale, na duhet të heqim dorë totalisht nga ajo mendësi, sipas të cilës në kulturë e reja zëvendëson të vjetrën dhe se, të themi, një përkthim i ri i Eugjen Onjeginit të Pushkinit do ta rrëzonte përkthimin ekzistues të Lasgush Poradecit. Çfarë do të thotë edhe se na duhet të mësohemi, edhe në fushën e përkthimeve, me kriterin e pluralizmit, i cili sjell me vete edhe mundësinë e zgjedhjes dhe të riprodhimit të lirisë së lexuesit. Për t’u kthyer te Noli – Shekspiri i tij është jo vetëm monument i subjektivitetit letrar nolian, por edhe dëshmi e shqipes së asaj periudhe, të filtruar nga sensibiliteti gjuhësor i përkthyesit. Përveç Shekspirit, ato tekste përcjellin edhe një politikë të ligjërimit letrar, e cila ka doemos natyrë historike. Dhe, në këtë kontekst, le të përmendim edhe Iliadën e përkthyer gegnisht nga Gjon Shllaku – një monument i gegnishtes letrare për mua edhe më i pasur se Lahuta e Fishtës; por që nuk e përjashton mundësinë e një përkthimi të ri të Iliadës, ose më mirë, të disa përkthimeve, ndonjëri edhe në prozë, siç është praktikë e njohur gjetiu në botë. Vetëm përkthime “reader-friendly”, ose të tilla që i drejtohen lexuesit të sotëm mesatar, mund të përligjin ekzistencën e përkthimeve “precioze”, të cilat ruajnë metrin dhe formën dhe ndonjëherë edhe manierizmat e origjinalit. Në këtë vështrim, edhe Komedia Hyjnore e Dantes ka nevojë për një përkthim që të mos jetë aq i vyer sa i Gjeçit, por të jetë më i lehtë për t’u lexuar; dhe që të qëndrojë ndaj këtij të fundit ashtu siç qëndron Eskili i përkthyer prej Kadaresë ndaj përkthimeve përkatëse të Sotir Papahristos. Vetëm se, që të mundësohet kjo, në kuptimin që të bëhet e pranueshme nga “kujdestarët” e kulturës, më parë duhet të heqim dorë nga ideja e “garës” mes përkthyesve dhe bindja se “përkthimi i ri e rrëzon të vjetrin”, të cilat ide mbështeten në një mendësi në thelb primitive. Edhe në përkthim, si lojë me shumë pozitive, pluralizmi veç do ta plehërojë truallin letrar.
© 2019, Peizazhe të fjalës.™
Permendet perkthimin nga Gjon Shllaku te Iliades, perkthim ne gegerisht. Ka qene nje librat e preferuar te mi por shpesh i veshtire per tu asimiluar. Mbase do te qe interesante per te bere nje test te ketij perkthimi te Shllakur me perkthimin e bere vjet ne gjuhen letrare te kesaj vepre nga Llambro Ruci, nje sprove e autorit pas perkthimit te Odisese.
Është pyetja që është ngritur gabim: a duhet ripërkthyer Shekspiri? Përgjigja është natyrisht që po!
Nëse dikush do mendonte se niveli i lexuesve të Shekspirit sot është i llojit që ka “njohuri të mira, ose shumë të mira të gjuhës angleze”, ndaj dhe Shekspiri nuk do duhej ripërkthyer, do dyshoja se ka njeri në Tiranë që e njeh me themel anglishten e vështirë të epokës elizabetiane; veç kësaj, nuk duhet të përkthenim asnjë vepër nga anglishtja, meqë kemi lexues “të këtij lloji”.
“Vetëm se, që të mundësohet kjo, në kuptimin që të bëhet e pranueshme nga “kujdestarët” e kulturës, më parë duhet të heqim dorë nga ideja e “garës” mes përkthyesve dhe bindja se “përkthimi i ri e rrëzon të vjetrin”, të cilat ide mbështeten në një mendësi në thelb primitive.”
Tamam! Dhe duhet te mesohemi te mos shohim ne menyre absolute ose si te perkryera prodhime te ndryshme kulturore. As perkthime dhe as perkthyes. Perkthyesit si edhe artistet ne i shihim me tifozllik. Dhe vleresimi qe mund t’i behet nje perkthimi eshte aq kompleks, sa eshte qesharake te mendosh se dicka eshte e paprekshme. Ndoshta kjo eshte semundje e situatave ku gelojne perkthime te dobeta dhe mungese profesionalizmi e shtepish botuese qe te kalojne ne vrime gjilpere perkthimet.
Mendësia jonë, ende fshatarake në mos feudale, na bën që të kërkojmë privilegje edhe në kulturë – pa lënë jashtë përkthimin. Ashtu, gjykojmë se një përkthim nuk do të ishte “i shkëlqyer”, nëse ky nuk i ka siguruar ndonjë privilegj përkthyesit.
Unë i kam kushtuar gjithashtu vëmendje nevojës së ri-përkthimit të krijimeve letrare dhe kam arritur në konkluzionin, që krijimet letrare, të cilat për shkak të kalimit të kohës fitojnë një komponent gjuhësor historik, mund të ripërkthehen gjithnjë e përsëri, për t’ju prurë kështu lexuesit në një formë më të rrjedhshme në të lexuar.
Për mendimin tim pas kalimit të 80 – 100 vjetëve është madje e nevojshme, që krijimet artistike të përkthyera në një periudhë të kapërcyer, të ripërkthehen, nga që lind një nevojë për një përshtatje gjuhësore të përkthimeve të reja në gjuhën e cila përdoret aktualisht, për t’ju sjellë kështu këtyre teksteve një freski tjetër.
Krijimi dhe përkthimi janë procese të ngjashme, por ndryshojnë nga njëri – tjetri në një aspekt thelbësor. Krijimi është unik; është vepra vetë. Përkthimi, në dukje edhe ky një krijim, është rishkrimi i veprës, pra i një krijimi tjetër. Vepra në vetvete është e njëhershme dhe nuk mund të rishkruhet, pa e ndryshuar atë, pra pa krijuar një të re të tillë. Ripërkthimi është një proces përsosjeje; pra nga natyra e tij diçka tjetër nga krijimi. Ndoshta edhe krijimi mund të përshtatet dikur për një kategori lexuesish, por pas kalimit të cikleve gjuhësore epokale. Kjo përshtatje e krijimit brenda të njëjtës gjuhë ndërhyn drejtpërdrejt tek vepra dhe e ndryshon atë, gjë që nuk mund të thuhet me përkthimin.
Këtë verë në hapësirën letrare gjermanishtfolëse u fol me shumë entuziazëm për një përkthim të ri të Robinson Kruzosë, i cili e solli këtë vepër të literaturës klasike si rregull të keqkuptuar si një roman aventurash në një dritë krejtësisht të re. Unë njihja dy përkthime të romanit, atë në shqip dhe një tjetër në gjermanisht të fundshekullit të 19-të. Këto përkthime ngjanin më njëra tjetrën dhe deri sa kisha lexuar vetëm ato, unë besoja se bëhej fjalë për një roman për djelmosha të rinj me ambicie në literature.
Përkthimi i ri, i cili ishte edhe i pari i plotë i veprës në gjermanisht pas 300 vjetësh të publikimit, më solli krejtësisht një vepër të re. Monologu i Kruzosë kur i referohet Zotit, moralit, pasurisë, fatit, babait, punimit të tokës, kafshëve, vetes së tij si burrë i bardhë në vijim të pushtimit të botës së re dhe të pashkelur ishte krejtësisht i padëgjueshëm në përkthimet që njihja. Morali protestant i punës dhe shpërblimi hyjnor i djersës së derdhur me ushqim dhe mirëqenie ishin në ato përkthime krejtësisht të papërfillshme, ndërkohë që vija logjike e mendimeve të tija në përkthimin e ri ishte e një kompleksiteti të tillë, që një fjali e vetme kërkonte jo rrallë edhe dy faqe të tëra e ngrihej mbi duzina nën-fjalish të radhitura logjikisht e hermetikisht njëra pas tjetrës. Dhe e gjitha kjo në një gjuhë të lëvruar të krijimtarisë letrare bashkëkohore.
Lexoja i zhytur në libër dhe mendoja se farë luksi që qenka përkthimi! Në një farë mënyrë kisha në dorë një dorë një libër të ri të mrekullueshëm.
Për të interesuarit këtu gjendet më shumë informacion:
https://www.mare.de/buecher/robinson-crusoe-8291
https://www.deutschlandfunkkultur.de/300-jahre-robinson-crusoe-die-sehnsucht-der-welt-zu.1270.de.html?dram:article_id=447098
NOLI me tangere?
Po Shekspirin ne anglisht e kane rishkruar?
Po, madje librat e serisë “No Fear Shakespeare” ua rekomandojnë nxënësve të shkollave, që t’i përdorin krahas origjinalit.
Me kujtohet nje film i fillimviteve ‘90, me regji te Al Pacino-s, Looking For Richard (Ne Kerkim Te Rikardit). Filmi ne vetvete ishte nje perpjekje, pse jo didaktike, e Pacino-s qe, nepermjet drames Rikardi i Trete, t’u shpjegonte amerikaneve bukurine e Shekspirit (ose ndoshta kete shpjegim i kam dhene atehere, i jap dhe sot meqenese, prej atehere, nuk e kam pare me ate film.) Duke lexuar debatin ketu do te isha shume kurioz te di se çfare mendon Pacino ne lidhje me kete. “No Fear Shakespeare”, a eshte nje ftese per te lexuar Shekspirin ne origjinal, apo ata qe e lexojne, mund ta shikojne versionin e “pafrikshem” te anlgishtes moderne si nje lexim perfundimtar.
Me kujtohet gjithashtu, dikur, ne fund te viteve ‘80 fillimi i viteve ‘90, Rai Uno, ne oret e vona, transmetonte Vittorio Gassman duke recituar kenge te Komedise Hyjnore te Dante Aligierit. Nje bukuri e jashtezakonshme. Vite me vone, diku nga 2007-2008 ne mos gaboj, po Rai Uno, ne prime time, apo prima serata, transmeton ne dy mbremje te njepasnjeshme Lezioni Di Dante te Roberto Benignit. Aktualizimi nepermjet humorit qe Benigni i bente Dantes ishte i jashtezakonshem, por serioziteti dhe besnikeria ne fraze, muzikalitet dhe ritem me te cilin ai e interpretonte Danten, ishin sublime. Dua te them: mos valle rishkrimi nuk eshte mjeti me efikas per t’ia nxjerre brezit te ri “friken’ qe ka prej klasikeve, te cilet shkolla per hir te se vertetes rrezikon dhe ne shume raste ia del me sukses t’ua beje te merzitshem?