JANIS RICOS SHQIP

nga Romeo Çollaku

Janis Ricosi ishte bir i një çifligari që, si pasojë e disa reformave të njëpasnjëshme agrare, mbeti pothuajse trokë dhe përfundoi në dyert e çmendinës. Poeti i nesërm jetonte ndërkaq vitet e miturisë, moshën kur ngjarjet e zhvillimet gjejnë një mijë e një mënyra dhe stampohen fort në kujtesë. Pra, mund të pritej fare mirë që të hidhte rrënjë tek ai e, me kalimin e kohës, të harlisej një armiqësi e betuar kundrejt çdo bindjeje të majtë. Nuk ndodhi asgjë e tillë, dhe asgjë e përafërt, ndodhi saktësisht e kundërta. Pse e qysh, ne nuk kemi kurrfarë dijenie të mjaftueshme dhe nuk e gëzojmë papjekurinë fatlume për të ushtruar, te njerëz të njëmendtë, sportin aq argëtues të psikanalistit amator. Dimë që, në të njëjtën, afërsisht, periudhë kur, edhe në vendin tonë, disa njerëz, mendjeçelët ndoshta apo kureshtarë apo të zemëruar apo egoistë e aventurierë, zunë të ndriçoheshin, mund të ngulmojë ndokush, a të mashtroheshin, mund të qesëndisë ndokush tjetër, prej ëndrrës së një ardhmërie nën emblemën e drejtësisë dhe barazisë, Ricosi, i larguar tashmë nga portokallishtat e pafundme të vendlindjes dhe i vendosur në kryeqytetin grek, mes një mjedisi intelektualësh e artistësh, ia beson ndërgjegjen filozofisë marksiste dhe e sheh të udhës të japë, nëpërmjet fjalës, ndihmesën e vet për një përmirësim sa më të ngutshëm dhe sa më të ndjeshëm të kësaj bote.

Bashkë me ujin e shumtë që rrodhi qysh prej atyre moteve, rrodhi edhe gjak me tepri, sidomos gjak i pafajshëm, pamë të rridhnin e të venin dëm edhe shumë jetë, të burgosura e të internuara, të shantazhuara e të narkotizuara, dhe dalëngadalë sikur po u mbushet mendja edhe më fanatikëve se ëndrrat nuk u sendërtuakan me zor, se asnjë përmirësim i ndjeshëm nuk u arritka në çast, pasi, aq sa e ligjshme dëshira e njeriut për atë ditën vërtet të bardhë, po aq edhe e kufizuar në vetëm pak dekada përvoja e tij, ndaj dhe krejt i paaftë për t’i ndërhyrë në hesape e grafik përdoruesit të një tjetër etaloni.

Ndonëse Ricosi u qëndroi pikëpamjeve të veta politike besnik deri në fund, domethënë deri edhe dy ditë pas përvjetorit të parë të rënies së Murit të Berlinit, mund të themi se ndryshimet e vazhdueshëm që i pësuan, dalëngadalë, tematika dhe gjithë përmbajtja e krijimtarisë, por edhe atmosfera, por edhe manierat, por edhe intensiteti i zërit, na e kumtojnë tërthorazi njëfarë skepticizmi në rritje, mbase edhe njëfarë zhgënjimi. Diku në vitet ’80, Dritëro Agolli botoi një përmbledhje poetike me titull «Udhëtoj i menduar». Titull që më duket goxha domethënës. Pavarësisht se jo fort të ngjashëm në shprehje, ndodh ndonjëherë që udhëtimi i Ricosit të më kujtojë udhëtimin e Dritëroit, ose anasjelltazi. Por, natyrisht, nuk janë të vetmit që rrugës, ciladoqoftë kjo, iu futën me entuziazëm dhe e mbyllën me mendim. Ricosi, shpresëtari i dikurshëm i një bote të re, i një shoqërie të drejtë e të lumtur njerëzore, zë e u këndon pastaj dëshirave të trupit, apo u kushton vëmendje zakoneve dhe imtësive të përditshmërisë, zymtësohet ca më vonë për kotësinë e gjallimit, rrëmbehet herë pas here nga mermeret e nga hiret e antikitetit a nga doket e nga premtimet e dogmës së krishterë dhe, në fund fare, në muzgun e jetës, na tregon një bimë luledielli që, ndërsa deri atëherë vështronte pa pushim diskun e zjarrtë në qiell, tashmë ka ulur kokën dhe sheh veç baltën e zezë.

Fqinjësi edhe më të afërt se me Agollin, Ricosi ka me disa poetë të tjerë europianë, kryesisht francezë, midis të cilëve u është bërë shprehi kritikëve ta rreshtojnë. Poetë surrealistë dhe komunistë a socialistë, si Paul Eluard, Louis Aragon apo edhe gjermani Bertold Brecht. Në ndryshim nga këta, Ricosi, në një Greqi diktaturash e qeverisjesh skajshmërisht të djathta, vuajti të zitë e ullirit për shkak të veprimtarisë së tij politike, u dënua, njohu internimin në disa ishuj, sot piktoreskë e turistikë, që ta ka ënda t’i bredhësh, por aso here të shkretë e të thatë. Edhe ai nuk e paditi kurrë, ç’është e vërteta, zbatimin në praktikë të ideologjisë së tij, mirëpo as pati, si Sartre-i me shokë, pandjeshmërinë të thoshte se duhej bërë një vesh shurdh e një sy qorr kundrejt gulagëve e kampeve të tjerë të përqendrimit për të mos i prerë hovin punëtorisë ndërkombëtare. Me gjasë, Ricosi nuk do të ketë mësuar gjë rreth atyre mizorive. Jo më larg se para nja dy vjetësh, u debatua në shtypin grek rreth një interviste të poetit dhënë më 1977, pas një kthimi të tij prej Moskës, epiqendrës së totalitarizmit, ku e patën vlerësuar me Nobelin e fukarenjve, me çmimin Lenin që jepej në Bllok atyre moteve. Ne e kemi të lehtë ta mirëkuptojmë ngazëllimin e Ricosit të asaj interviste, sepse e dimë që edhe në vendin tonë, edhe në mbarë Europën Lindore, autoritetet kujdeseshin t’u dëftonin mysafirëve të huaj vetëm ballinën vezulluese të njëmendësisë.

Ricosi vizitoi një pjesë të mirë të shteteve që pretendonin se merreshin me ndërtimin e socializmit, disa prej të cilëve sot nuk gjenden më në hartë. Pa Rumaninë, R.D.Gj.-në, Çekosllovakinë, Hungarinë, Bullgarinë. Kurse në republikën e mbështetur tërësisht te forcat e veta, edhe pse nuk e ndanin kushedi se sa kilometra me të, nuk erdhi asnjëherë. Mbase dhe nga parandjenja e një dëshpërimi të rrufeshëm e çarmatosës. Por vepra i ka mbërritur mjaft herët në vendin e në gjuhën tonë, qysh në vitet ‘60. Më së pari, në mos gabofsha, falë ndërmjetësimit të Spiro Çomorës, që përktheu poemën «Mëhallat e botës», jehona e së cilës vazhdonte, mbaj mend, të ndjehej e mprehtë edhe rreth dy dekada më vonë, kur filloja unë të njihesha me letërsinë, dhe, siç mund ta keni vënë re, ende nuk është platitur. Po të pyesim më të vjetrit, do të na thonë që, megjithëse bëhej fjalë për një vepër të angazhuar, me frymë revolucionare, kishte shumë poezi brenda në të, kishte një figuracion të zgjedhur, të tjetërsojtë për rrethanat e këtushme, të papajtueshëm me retorikën gati-gati fejtoniste të disa poemave që, gjatë asaj periudhe, lëvroheshin shqip në shërbim të propagandës.

Një tjetër libër po aq gjurmëlënës ka qenë edhe një antologji e poezisë së re greke, me kapak të bardhë e me faqet prej letre të një cilësie të keqe, që u hodh në qarkullim nga shtëpia botuese «Naim Frashëri» në vitin 1986. E përmenda vetëm e vetëm sa për të nënvizuar një të dhënë që ka të ngjarë të na tregojë diçka. Te përzgjedhja në fjalë, tre nga katër poetët më të mëdhenj të Greqisë moderne – Kavafis, Seferis dhe Elitis – janë përkthyer prej poetit dhe prozatorit që kishte filluar të mbisundonte dukshëm në skenën letrare shqiptare. Kurse përkthimet e poezive të Ricosit, këtij emri pothuajse po aq të rëndësishëm sa tre të parët, porse «të stigmatizuar» ama me etiketën e të angazhuarit, janë nënshkruar nga Agolli e disa të tjerë dhe jo nga një Kadare tanimë i velur prej realizmit socialist. Vazhdojmë.

Ca më vonë, në vitin 1990 ose 1991, nuk më kujtohet mirë, u botua numri i parë, dhe i parafundit, i një reviste që titullohej Bota Letrare, ku, krahas disa poetëve e prozatorëve të pahasur kurrkund më parë nga shumica e lexuesve shqiptarë – si Camus, Sorescu e Mahfuz –, paraqitet, në përkthimin e Besnik Mustafajt, një cikël i gjerë poezish të Ricosit. Po aq befasues edhe ky sa të panjohurit e sipërpërmendur; një tjetër Ricos, të cilin veç një tejzë e mezidallueshme e lidh me poetin e «Mëhallave», një Ricos i errët, abstrakt, një poezi e kulluar, e shkëputur nga tematikat e mëdha dhe e përqendruar te një mijë e një çikërrimat e lumtura a të mundimshme që përbëjnë jetën tonë kalimtare.

Qysh atëherë e deri në këto ditë, një sërë përzgjedhjesh nga vepra e Ricosit kanë parë dritën e botimit në Tiranë apo në Prishtinë. Thuajse çdo përkthyes i letërsisë greke në gjuhën tonë nuk rri pa përkthyer edhe gjë a gjë nga Ricosi, një vjershë, një cikël, një libër të tërë apo më shumë. Nuk jam thelluar, por seç kam një përshtypje se, nga gjithë poetët e huaj që kemi njohur në Shqipëri, por nga të gjithë ama, Ricosi mund të jetë edhe më i lexuari a më i pëlqyeri. Dhe pa dyshim që, sidomos gjatë 30-40 vjetëve pararendës, ka ushtruar një ndikim të qartë te disa prej poetëve tanë. Çka do të ishte e pashmangshme pas gjithë këtyre përkthimeve e leximeve të një vepre me kaq peshë.

Ma ha mendja se, dhe viteve që vijnë, emri i poetit Janis Ricos ka për t’u shfaqur aty-këtu mbi kopertinat e librave të rinj që do të botohen në shqip. Edhe për një arsye të dytë, përveç kësaj që shënova në paragrafin e mësipërm: njohja e veprës jashtëzakonisht të vëllimshme të Ricosit nuk është plotësuar, nuk është shteruar as në vendin e në gjuhën e tij.

Për kritikët, studiuesit dhe historianët e letërsisë greke, Ricosi përfshihet në të spikaturin brez i viteve ’30. Kur kam shkruar, në të kaluarën, për Seferisin dhe Elitisin, jam ndalur ca, detyrimisht, te rëndësia e prurjes në fjalë. Ricosi ishte, mund të themi, vërsnik me këta dy poetë të lindur në krye të shekullit të kaluar. Pak më i vogël se Seferisi e pak më i madh se Elitisi në moshë, të tre e bënë debutimin në letra diçka pas vitit 1930. Rrethoheshin edhe prej bashkëmoshatarësh të tjerë, mjaft të dhuntishëm, por që nuk qenkësh thënë të gëzonin jashtë Greqisë pritjen e ngrohtë që do t’u rezervohej këtyre. Po flasim për një kohë kur letërsia greke mbretërohej prej sovranit të rrudhët Kostis Palamas, fjala e të cilit ishte ligj dhe, që nga lartësia e fronit, i akordonte titullin e poetit ndonjë zëri që e gjykonte vërtet premtues. Më pas u pa se, ngaqë zemërgjerësia ia dëmtuakësh kur e kur nuhatjen, edhe kishte gabuar, por vetëm më të rrallë dhe aspak në rastin e Ricosit, për të cilin, më 1936, u shpreh: «Po mënjanohemi, Poet, që të kalosh».

«Legjendat», «Përmasa e katërt», «Aksion Esti» iu drejtuan, në radhë të parë, të njëjtit popull dhe u përqafuan, atje-atje, nga të njëjtët njerëz. U shoqëruan, pastaj, me muzikë, nga të njëjtët kompozitorë, më i shquari, nuk e di nëse edhe më virtuozi, ndër të cilët, Mikis Theodhoraqis. Është e njohur, përtej kantatave, edhe një fotografi e këtij me Elitisin dhe Ricosin, një pamje ku gurgullon përzemërsia. E megjithatë, pas sinkronisë së nisjes, pikat e takimit mes Seferisit e Elitisit, nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, Ricosit, do të jenë vetëm thelbësore, vetëm në vepra, vetëm në poezitë e tyre, dhe pothuajse askund gjetkë. Jetuan, përgjatë disa harqeve kohorë, të tre në të njëjtin qytet, në Athinë, e, prapëseprapë, dy të parët, shokë të ngushtë, nuk iu qasën për asnjë çast Ricosit dhe as ky nuk e theu ndonjëherë vendosmërisht akullin për t’u përzier në miqësinë e tyre. Qenë bashkëkohës e bashkëqytetarë, porse – dhe pikërisht këtu doja të dilja – në një epokë të mbrapshtë, në një vend të përçarë nga ideologjitë, të përgjakur nga luftrat botërore e civile e të shtypur nga junta. Gjithsesi, në fund, midis viteve 1970-1990, i dhanë poezisë vendin që i takon dhe gjetën mënyrën, qoftë edhe të përkorë, për t’ua pohuar vlerat punëve të shoshoqit.

Dhe punëve të Ricosit, po e përsëris, u janë njohur, pohuar e regjistruar veç një pjesë e vlerave. Edhe ngaqë, kurdoherë, hijeshitë dhe grishjet e poezisë së mirë zbulohen me një ngadalësi tekanjoze, por edhe ngaqë kemi të bëjmë me një rast tejet të rrallë në letërsinë e anembanë kohëve dhe gjuhëve. Domethënë, pasi hyjmë në katin nëndhes apo përdhes të një librarie të Athinës, pasi gjejmë nja dhjetë rafte plot e përplot me libra të Ricosit, tërheqim një e aq prej atyre njëqind e kusur përmbledhjeve poetike që botoi, dhe, duke e shfletuar, shohim me habi, poshtë shumë, dhjetë a njëzet a edhe më shumë vjershave, të njëjtën datë. Dhe, ndërkaq, të tjerë dengje letrash, të zverdhura nga tymi i duhanit e i kohës, vazhdojnë të dalin prej sirtarësh e baulesh, vandakë fletoresh me bukurshkrim, për t’iu shtuar opusit të një gjeneratori të pareshtur të rrymës poetike.

(c) 2021, Romeo Çollaku. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin