SIKUR TË ISHA PAKO

M’u desh të dërgoja një palë çelësa nga Tirana në New York me anë të postës së shpejtë DHL Express.

Edhe pse dërgesa më kushtoi rreth $100, nuk e prisja që çelësat të mbërrinin në New York brenda 24 orëve – mirëpo mbërritën.

Pas Internetit, që ABCom-i ma lidhi brenda 4 orëve që nga momenti kur bëra porosinë në arkë, kjo ishte hera e dytë që shërbimet në Tiranë më lanë mbresë si më të mira se ato të New York-ut.

Por nuk po shkruaj tani për këtë. Uebsajti i DHL-së të jep mundësinë ta gjurmosh dërgesën tënde hap pas hapi, dhe unë këtë bëra, duke i shoqëruar çelësat rreth botës, nga një qytet në tjetrin dhe një pikë shpërndarëse në tjetrën.

pakoPaketa ime udhëtoi më parë nga Tirana në Selanik, pastaj nga Selaniku në Athinë, ku pas gjase mori një avion për në Linz të Austrisë. Pas një pushimi të shkurtër atje, e vazhdoi udhëtimin për në Leipzig, dhe më në fund i hipi avionit që do ta çonte në destinacion.

Meqë kur dëshiron të shkosh në NYC nga Tirana nuk të vete mendja që t’i biesh nga Selaniku, Athina, Linz-i dhe Leipzig-u, besoj se këtë itinerar të çuditshëm do ta ketë përcaktuar një kompjuter.

Një gjë është rruga e drejtë në hartë, apo siç fluturon shigjeta; dhe një gjë tjetër rruga e drejtë, siç e skicon softueri, që merr parasysh një kombinim të eficiencës financiare dhe të shpejtësisë së shërbimit.

Diçka të ngjashme bën softueri i sajteve që shesin bileta avioni, si Expedia, kur të ofron itinerare krejt të çmendura, por me çmime të arsyeshme – pa çka se këto ndonjëherë kërkojnë që, për të shkuar nga New York-u në Tiranë, të ndërrosh 2-3 avionë në orare të mërzitshme.

Kjo po më kujton tani edhe disa lëvizje që bëjnë motorët e shahut dhe që janë kaq të pakuptueshme, sa në zhargon i quajnë “computer moves” – pse kundërintuitive dhe të pamundshme për t’u gjetur, në lojë e sipër, nga një lojtar njerëzor; edhe pse mund të jenë të vetmet që të sigurojnë fitoren ose të të shpëtojnë nga humbja e sigurt.

Një ditë DHL-ja do t’i dërgojë paketat nga Tirana në NYC duke i kaluar përmes Zelandës së Re, Kilit ose Filipineve; gjithnjë në kohën e duhur dhe gjithnjë në kundërshtim me vizoren tonë të mendjes.

Prandaj, për ta thënë me stjuardesat, sit back and enjoy the flight; edhe pse, meqë flasim për fluturimet me avion, paketat DHL udhëtojnë me siguri shumë më rehat sesa ne njerëzit, të paktën në economy class.

Nuk ka komente

  1. Kam të njohur, që për udhëtime të largëta, janë të detyruar t’u besojnë kompjuterit për arsye shpenzimi. Qëllon ndonjëherë që bileta, ta zëmë për në Pekin ose Tokio, kushton më pak sikur t’i biesh nga Turqia, madje t’i largohesh destinacionit duke shkuar fillimisht në Perëndim, ta zëmë në Gjermani, Itali, Austri, ku tranzit merren fluturime drejt vendit ku dëshiron të shkosh. Misteret e pakos… postare!

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: