RRËNJËT E NJË EMRI

Një shkrim i Gjergj Metës në ResPublica, ku flitej për librin e fundit Pax Albanica të Mustafa Nanos, më tërhoqi vëmendjen për trajtimin që i bëhej atje emrit të përveçëm, në raport me identitetin, fenë dhe kulturën.

Me sa duket, edhe Nano vetë ka folur për këtë çështje në libër, ku mbështetet pastaj edhe Meta për të shkruar se “Mustafai ka një emër me origjinë arabe”; dhe për të vazhduar pak më poshtë:

A e di unë se nga vjen emri im? Gjergj do të thotë bujk, por Gjergj e kishte emrin gjyshi im. Por unë nuk jam as bujk e as gjyshi im.

Këtu ka një inkonsistencë, të cilën e ka vënë re edhe një lexues tek komenti që ka shtuar; dhe që Metës mund edhe t’i ketë shpëtuar; por që, në vetvete, tradhton – për mendimin tim – një paragjykim të thellë që qarkullon mes nesh, në lidhje me “të huajën” dhe “vendësen” në fetë e shqiptarëve.

Emri Mustafa, në zanafillën e vet, vjen vërtet nga arabishtja dhe ka kuptimin “i zgjedhuri.” Kjo e dhënë mund t’u hyjë në punë antropologëve dhe gjuhëtarëve, por nuk lidhet shumë me praktikën e përdorimit të këtij emri ndër shqiptarë.

Nanos do t’ia kenë vënë emrin sipas ndonjë të afërmi a të pari; ose edhe ndonjë tradite thjesht fetare a kulturore, që nuk ka shumë lidhje me arabishten dhe kulturën arabe. Në fakt, Mustafa është një nga atributet e profetit, çka edhe e bën nga emrat më popullorë mes myslimanëve anembanë botës.

Në praktikën onomastike të shqipes sot, Mustafa është po aq emër arab, sa c’është Gjergj emër grek.

Pra, fakti që emri vetë ka etimologji arabe nuk ngre peshë; përkundrazi, zgjedhjen e tij e ka vendosur një kontekst antropologjik dhe kulturor i dominuar nga feja dhe onomastika islame, ku vënia e emrave të tillë ka qenë rutinë. Duke lënë mënjanë mundësinë që emri të jetë rimarrë nga një gjysh a i parë, ai vetëm sa shënon përkatësinë e fëmijës në një traditë të caktuar – pra klasifikon.

Sikurse bën edhe, natyrisht, emri Gjergj. Meta thotë për këtë emër se do të thotë “bujk”, por – siç e qorton edhe lexuesi në komentet – zgjedh të mos e përmendë, këtë herë, gjuhën ku emri ka këtë kuptim: greqishten (Γεώργιος). Lexoj se ndër të krishterët emri është përhapur veçanërisht për shkak të nderimit që i bëhej shën Gjergjit.

Edhe Metës, sikurse e sqaron ai vetë, prindët ia kanë zgjedhur emrin jo ngaqë ai emër ka kuptimin “bujk” (“punues i dheut”) në gjuhën e origjinës (greqishte), por për ta përfshirë edhe atë në komunitetin e tyre shqiptar katolik. Emri Gjergj i përfshin të dyja këto cilësi, përveç ndonjë virtyti tjetër estetik ose karakteristike tjetër që e veçon, për ata që e zgjedhin, nga emra të tjerë të ngjashëm, si Ndre, Gjon, Prengë, Frrok, Lazër, Pashk.

Mundet që prindët e ndonjë Gjergji tjetër ta kenë zgjedhur emrin në shenjë nderimi ndaj Gjergj Kastriotit – siç ndodh rëndom në ato raste kur fëmijën e kanë quajtur Gjergj pa qenë ky i fesë katolike (për të njëjtën arsye, edhe emrin Mustafa një prind mund ta ketë zgjedhur në shenjë nderimi të Mustafa Qemalit – Ataturkut, figurë mjaft popullore dikur në Shqipëri; ose edhe ndonjë Mustafai tjetër të virtytshëm).

Fakti është që emra si Gjergj dhe Kastriot përdoren shpesh mes shqiptarëve, për arsye historike-kulturore; pa pasur kjo të bëjë me fenë (njëlloj unë kam ndeshur Skënder mes besimtarëve ortodoksë).

Përndryshe, veç Gjergj, shqiptarët përdorin edhe Jorgo dhe Jorgji, madje edhe Xhoxhi, në ndonjë rast – forma të ndryshme të së njëjtës rrënjë. Pa folur pastaj Gjorgj Golemin, bujar i kohës së Skënderbeut dhe personazh i një kënge popullore, të cilën e ka studiuar Shuteriqi.

Dua të them se fakti që Metës i kanë vënë pikërisht emrin Gjergj dhe jo Jorgo ose Jorgji lidhet me traditat fetare dhe kulturore të komunitetit ku ka lindur, dhe jo me faktin tjetër, enciklopedik, që emri Gjergj vjen nga greqishtja e hershme dhe do të thotë origjinalisht “bujk.”

Në përgjithësi, një emër përmban shumë më tepër të dhëna për kontekstin social dhe kulturor ku është përdorur, se ç’mund të nxirren nga analiza e tij etimologjike dhe historike. Emri im, Ardian, është vërtet emër i një fisi ilir, por në rastin tim, dhe të gjithë Ardianëve të tjerë, vetëm sa tregon përkatësinë tonë në një brez familjesh që i besuan kombëtarizmit si “fe të shqiptarit”, me gjithë narrativat shoqëruese të së shkuarës.

Me fjalë të tjera, një emër si Mustafa ose si Gjergj nuk flet aq për traditën reale të komunitetit përkatës, sesa për si e përfytyron ky komunitet vetveten, ose si e dëshiron ky komunitet që ta ketë traditën: sepse emri që i vëmë fëmijës është, para së gjithash, dëshirë; pavarësisht nëse e formuluar si individuale ose si kolektive.

E kundërta ndodh me fëmijën vetë: me përjashtim të atyre herëve kur dikush vendos ta ndërrojë emrin, të gjithë jemi të detyruar t’i tregojmë botës dëshirën e prindërve tanë (ose të atyre që na vunë emrin), ose vizionin e tyre për komunitetin, kulturën dhe përkatësinë fetare; madje edhe kur nuk ua realizojmë dot prindërve dëshirat e tyre të tjera.

Sot zgjedhja e emrit të fëmijës përcaktohet nga faktorë të tillë si moda, dëshira për të kërkuar përkatësi të reja, ose për të zbuluar rrënjë deri dje të humbura; prandaj jo gjithnjë e kuptojmë funksionet e shtangëta klasifikuese të emrave, në komunitetet tradicionale. Megjithatë, kushedi antropologëve të një shekulli më pas edhe zgjedhjet tona të tanishme do t’u duken po aq rigjide dhe klasifikuese, sa edhe ç’na duken ne ato të gjyshërve tanë.

Nuk ka komente

  1. Xha Xha,

    Meta nuk kishte ndermend te diskutonte mbi praktiken e vendosjes se emrave nder shqiptare, as mbi shtysat e aq me pak mbi etimologjine e tyre. Gjetke e kishte fjalen.

    Paragrafi qe citon ti ishte ne funksion te pohimit se ‘Nano e sheh çeshtjen e fese si femije’, se ‘Feja per te fillon me Mustafain dhe mbaron me Muçin’ etj.

    Me ate artikull Meta ia hedh poshte librin Muçit, por e ben kete me shume delikatese 🙂

    1. Nuk desha të flas për “qëllimet” e Metës – qëllimet nuk merren vesh ndonjëherë; por për efektet e këtij shkrimi, aq më tepër në kontekstin e harmonisë fetare mes shqiptarëve.

  2. S’e kuptoj formatin dhe qëllimin e artikullit të Gjergj Metës: e pamundur t’a quash recensë, sepse thelbi i librit që përmend nuk është në qendër të vëmendjes, por edhe si opinion nuk ka as kokë as këmbë, sa mbetet e vështirë të kuptosh përse pikërisht emër-vënia dhe emër-bartja e autorit ia vlejnë të veçohen nga materiali i një libri me titullin “Pax Albanica”. Si informacion ka vlerë të diskutueshme: programi i librit mbetet i errët, por artikulli mund të zgjojë interes për kë priste të mësonte programin ditor të Gjergj Metës, i ftuar nga Nano dhe i thithur totalisht nga vizita e Papës. Ajo që del më qartë është nga vjen dhe ku shkon Meta, ndërsa libri, i lënë në hije në shkrimin e tij, as s’vjen as shkon.

  3. ne vitet e largeta ’80, ne rinine e hershme kisha nje shok qe e quanin lenin. kur luanim me top para pallateve dilte ndonjehere e ema e tij e i bertiste, o lenin, o gomar, hajde te vishesh se do ftohesh. nje dite e degjoi nje xhaxhai im, oficer e komunist i bindun dhe e qortoi, ose do ja ndryshosh emrin femijes, ose nuk do i therasesh me keshtu! pas emigrimit ne itali lenini me duket se quhet renato tani.

  4. Nuk eshte per tu habitur me tendencen per ta vene ne dukje origjinen e emrit Mustafa edhe nga Agron Gjekmarkaj. Sic duket ky zberthim behet per t’i sinjalizuar dicka lexuesit ideal se ndonje vlere tjeter permendja e ketij fakti nuk ka.

    Duke e mbyllur gjykimin tim, një vërejtje e kam, e cila si çdo gjë e kësaj bote, është e diskutueshme. Më shtihet se ndonjëherë Mustafa Nano i jep përparësi autoreferencialitetit pa gajle sesa referencës historike, guxim prej publicisti ky! Përdorimi dialektor i foljeve kishte e ishte në kish e ish, ndonëse impakt dialektor për të, për redaktorët është faj. Nuk e di, ndoshta kjo i vjen nga vetëdija kulturore që i bën lakonikë kufijtë e modestisë apo për faktin se Mustafa nga arabishtja do të thotë i përzgjedhur nga Zoti?

    http://www.panorama.com.al/2014/09/24/pax-albanica-e-mustafa-nanos-dhe-vizita-e-papes/

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: