DY SKENARË PËR ZGJEDHJET

Nga Read Me

Pavarësisht se jemi para një pikëpyetjeje të madhe për rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit, këto diskutimet e fundit, me cytën kureshtjen për të parë mundësinë e nxjerrjes të një rezultati mbi një model hipotetik zgjedhjesh të ngjashëm me atë shqiptar. Sistemi bazohet mbi një listë partiake të paracaktuar deputetësh(listë e mbyllur), ku llogaritja e mandateve bëhet në bazë të rezultateve të një proporcionali rajonal. Kalkulimet janë bazuar në metodën e mesatares më të lartë sipas formulës të modifikuar d’Hond (në nder të matematikanit belg Victor D’Hond). Duhet vënë në dukje se kjo metodë favorizon subjektet elektorale kryesore.

Numrat që kam përdorur janë si më poshtë:

Numri i zgjedhësve (si mostër): 100,000  votues
Numri i mandateve: 10  deputetë
Pragu elektoral për subjekte të veçanta: 3%
Numri i subjekteve elektorale: 5

 

Numri i votuesve i marrë si mostër është bazuar në një pritshmëri të tillë, ku prej këtij numri pritet të votojnë të gjithë, sipas pjesëmarrjes në zgjedhjet e 2009. Për të qenë brenda, formula llogarit atë që quhet “abstentation” (abstenim), që parashikon disa skenarë të mundshëm, si thjesht abstenim, votuesi nuk shkon të votojë, ose megjithëse mund të jetë prezent në qendrën e votimit, nuk e hedh fare votën në kutinë e votimit. Kjo është e ndryshme nga vota e bardhë, e dëmtuar apo e pavlefshme (siç është rasti i vënies kryq).

Numri i mandateve është bazuar në një mesatare prej 10,000 votash për një mandat, që reflekton afërsisht edhe realitetin shqiptar. Përsëri bazuar në një skenar hipotetik, kam konsideruar që 10-20% e elektoratit, sivjet mund të votojë ndryshe. Ky përqindësh mund të shkojë në votime dhe të votojë në dy skenarë hipotetikë të ndryshëm të zgjedhur nga unë: a. votë e bardhë ose kryq mbi fletën e votimit; b. të votojë për dy alternativat e tjera, ndryshe nga tre subjektet elektorale kryesore.

Skenari i parë a është kur kemi një pritshmëri se 10-20% e elektoratit do të përdorë në votim votën e bardhë ose kryqin mbi fletën e votimit.

1. Subjekti A merr 32,500 vota (4 mandate); subjekti B merr 32,500 (4 mandate); subjekti C merr 15,000 vota (2 mandate); subjektet D dhe E me 3,000 vota secili, nuk marrin asnjë mandat. “Abstentation” e llogaritur nga formula në këtë rast është 0%. Vota e bardhë (7,000 vota), e dëmtuar apo e pavlefshme duke i vënë kryqin (7,000 vota) i japin subjektit C edhe një mandat, duke e vendosur në pozicionin më të favorshëm për t’u bërë “kingmaker”.

2. Nëse A-ja do të merrte 35,000 vota dhe B-ja do të merrte 30,000, atëherë A-ja do të jetë subjekti elektoral më i favorizuar për të marrë mandatin tjetër dhe jo C-ja, por siç shihet, përsëri mbetet subjekti elektoral C, që rregullon ose prish balancën midis A-së dhe B-së.

Skenari i dytë b, kur 10-20% e elektoratit do të votonte për dy alternativat e tjera D dhe E të supozuar nga unë si rast ideal në të njëjtën përqindje.

1. Subjekti A merr 35,000 vota (4 mandate); subjekti B merr 30,000 (3 mandate); subjekti C merr 15000 vota (1 mandat); subjekti D merr 10,000 vota (1 mandat); subjekti E merr 10,000 vota (1 mandat). “Abstentation” e llogaritur nga formula në këtë rast është 0%.

2. Do të merrnin përafërsisht të njëjtin rezultat edhe kur midis subjekteve A dhe B do të ngushtohej diferenca, por e favorizuara për të marrë mandatin e radhës, në këtë rast, do të ishte B-ja.

Nëse do të përftohej ky skenar hipotetik, duke u përsëritur në qendrat e mëdha me blloqe votuesish mbi 100,000 votues, qytete si Tirana, Durrësi, Vlora, Elbasani, Shkodra, Korça, etj, do të merrnim mbi dhjetë deputetë, që do t’i përkisnin jo më tre subjekteve kryesore. Në këtë mënyrë do të shihnim vendosjen e ekuilibrave të rinj politikë.

Këtë ndryshim mund ta sjellë veçse një 10-20% e elektoratit, përqindje që mund të nxirret bindshëm nga pjesa më e emancipuar qytetare e këtyre qendrave kryesore. Kurse vota e bardhë apo vënia e kryqit, prej po kësaj përqindje të emancipuar qytetare, nuk do të ndryshonte asgjë, bile do të rriste artificialisht peshën e subjektit të tretë, C-së.

Cila do të ishte alternativa më e mirë për vendin: një votë proteste nëpërmjet votës së bardhë (dhe vënies të kryqit mbi fletë), apo një votë proteste duke votuar për alternativa të tjera?

Shënim: Për llogaritjet më lart kam përdorur një simulim kompjuterik të thjeshtëzuar të formulës së modifikuar të D’Hond sipas linkut http://icon.cat/util/elections

 

Nuk ka komente

  1. Ka nje element qe duhet mbajtur parasysh per voten e bardhe dhe potencialin e aplikimit te saj ne mase. Ne keto zgjedhje, ne baze te kerkeses se PS-se, fletet e votimit nuk do te jene me kunderflete, ne te cilat shenohej numri serial, ne menyre te dukshme, e te cilat sherbenin si garanci per numrin e fleteve te perdorura dhe ishin prove materiale ne rast te hetimit administrativ. Vete fleta e votimit ne zgjedhjet e shkuara nuk permbante asnje element teknik te dallueshem qe te cenonte fshehtesine e votimit. Kesaj radhe hiqet kunderfleta dhe vendoset Bar Kod ne fleten vete, i padukshem, por per numrin serial te te cilit cdo KZAZ do jete ne dijeni. Lexues Bar Kodi eshte edhe drita e nje cakmaku dhe kete e dime me siguri edhe nga rasti i leximit te kartave rimbushese te Vodafone qe me vone u zevendesuan. Cfare mund te ndodhe? Ne cdo QV, njoftohen komisioneret per numrin me te cilin nis blloku i fleteve dhe mbahet shenim numri i fletes(e para, e dyta, e treta e keshtu me radhe) me personin qe e merr ate. Ta zeme, fleta e pare, Saliu, fleta e dyte Edi, e treta Enveri e keshtu me radhe. Leximi ne rast te hetimit administrativ te Bar Kodit zbardh edhe votimin e gjithesecilit duke krijuar keshtu qe ne pikenisje nje premise antikushtetuese, por edhe me gjase duke perftuar nje mjet presioni. Ndaj vota e bardhe aktualisht dyfish nen kontroll, duke nxitur keshtu nje tjeter element polarizimi te detyruar ne voten e qytetarit.

    1. Vendosja e barkodit mendoj se është bërë për të mos lejuar dublikimet (votimin dy here) apo për efekte numërimi, inventarizimi dhe verifikimi të votës, por jo se si është votuar. Pra për ta bërë votën e gjurmueshme dhe duke mos lejuar abuzime.

      Kjo është përftuar besoj nga eksperienca ndërkombëtare. Algoritmet për te gjurmuar se si kanë votuat njerëzit nëpërmjet barkodit, janë kokëçarje te panevojshme mendoj unë, përderisa aplikimi i teknologjisë vjen nga vendet me pervojë në zgjedhje.

      Megjithatë nuk shoh që të jetë shqetesuar njeri për ketë. Të gjitha gjasat janë, që gjërat të mos lëvizin as në drejtim të votës të bardhë, as asaj me kryq, apo për alternativa të tjera.

      Parashikimi im(jo thjesht intuite) është se do të ruhet statu quo-ja. Pas një tollovije, zhurme “për vjedhje votash, manipulime, friksimesh, KQZ-ja e mangët, vegël, komisionerë te manipuluar, etj”, fatin e zgjedhjeve ndoshta do ta vendosë gjykata.

      Berishën, Shqipëria ka shume mundesi te mund ta këtë kryeministër edhe për kater vite të tjera. Qofsha i gabuar…

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin