Kjo mbrëmje e fundit e tetorit e gjen Shqipërinë mes një vjeshte të futur rishtazi në zverdhje e në fllad, me bredharakët anekënd dheut tonë, tanët a të huaj, më të mbathur e diç më të ngopur, për të mos thënë të ushqyer, e shi kështu edhe çuditërisht më të zbrazur. Rrugët kanë më shumë drita, jo të gjitha të vizuara, kujtesë çështjesh penale ne media të dëshiruara, me vitrinat e bojatisura banerash të plastifikuara, produktesh gjithnjë e më europiane, telefonash me më shumë imazhe dhe njerëzish me shumë më shumë arsye për të bartur syze.
Megjithatë, diçka në këtë pamje idilike, që e kremton vjeshtën këtyre anëve të Mesdheut, nuk përputhet me atë që shohim, njëfarë mungese përtej statistikave dhe në paralel me kronikat, një mungesë që duket sikur e pararend bollëkun. Ndoshta një prej paradokseve më rishtare të kohës ku jetojmë është fakti se një shoqëri mund të përparojë shumë më shpejt sesa arrin ta përthithë, kuptojë dhe mbi të gjitha, pranojë përparimin e vet.
Halloween, që dikur na dukej si një huazim i çuditshëm i një bote të largët, tashmë na gjen në një vend ku të vdekurit nuk kanë nevojë të dalin nga varret, sepse një pjesë e të gjallëve duket se kanë kohë që e kane braktisur vigjiljen në pragun mes dy botëve.
E meqë po përsiatim për një vend ku njerëzit kanë filluar të ngatërrojnë gjithnjë e më shpesh frikën me guximin, zemërimin me shpresën dhe zhurmën me zërin, mendova se ndoshta kjo vigjilje e përvitshme nuk është më aq e huaj për ne. E na është afruar shumë më tepër nga çdo sugjeronte një dekadë. Madje, mundet që ne të kemi filluar të festojmë pa e ditur, pa kostume, pa kunguj e pa qirinj, në një ceremoni të zgjatur, ku secili kërkon të trembë tjetrin, për të mos u përballur me atë që e tremb më shumë brenda vetes.
E meqë në traditën e mirë anglikane, Halloween shoqërohet me historiza treguar rreth zjarrit, me gështenja e butake sheqeri që piqen në prush, unë do tentoj t’ju tremb duke rrëfyer për një grup njerëzish që kishin vdekur, por nuk e kishin marrë vesh ende. Ose, më saktë, e kishin marrë vesh, por mendonin se nëpërmjet arratisjes në mes të rrugës mund të trembnin frikën e tyre për të jetuar. Kështu, ata dolën për t’u fshehur, jo medoemos për të kërkuar diçka, por për të dëshmuar se ende ishin aty. Të përndezur nga një zemërim që nuk dinin ku ta vendosnin, me një të kaluar që nuk e kujtonin dhe një të ardhme që nuk arrinin ta imagjinonin, u mblodhën për të kremtuar mungesën e njëri-tjetrit, duke e quajtur këtë prani popullore.
Që në krye të herës, keltët i ndiznin zjarret për të trembur errësirën, për të mbajtur larg të vdekurit dhe për të përballuar ankthin e një stine që sillte pakësimin e dritës dhe tkurrjen e të korrave. Ata kishin frikë nga ajo që nuk njihnin, nga një natyrë që nuk u përgjigjej pyetjeve të tyre dhe nga një e ardhme që nuk mund ta negocionin. Ne, përkundrazi, kemi arritur të krijojmë një lloj frike që nuk ka më nevojë për errësirën. E mbajmë në xhep, e karikojmë natën dhe e nxjerrim në dritë sa herë që na duhet të bindim veten se ekzistojmë.
Nuk kam menduar kurrë se protesta në Tiranë është thjesht një fenomen lokal, as një produkt i vetëm i ndonjë ideologjie të importuar, i ndonjë ANTIFA-je të largët apo i ndikimeve të mbrapshta që mbërrijnë nga vende të largëta çallmash e mynxyrash, ku edhe frika, si shumë gjëra të tjera, prodhohet në seri e nën ritual. Nuk është as vetëm një shfaqje e pakënaqësisë politike, ndonëse pakënaqësia mund të jetë pjesërisht e motivuar, as vetëm një përpjekje për të rrëzuar një status quo që i përngjet më shumë sofrës së tabanit tonë shekullor, se kredencës franceze, që mos t’i duhet të kuptojnë pse nuk dinë çfarë të ndërtojnë pasi ta kenë gremisur, siç besojnë se duan.
Është diçka më e gjerë, më e zymtë dhe, për këtë arsye, më e frikshme. Është fenomeni i tëhuajzimit të njeriut të zakonshëm, përtej kufijve, përtej kulturave dhe përtej mundësisë së një realiteti që, në njëfarë mënyre, na është imponuar si një multivers i pafundmë zgjedhjesh, por që na ka lënë gjithnjë e më pak mundësi për të zgjedhur. E me zi akoma, për t’u zgjedhur nga shoqi shoq.
Një lloj neoliberalizmi i përthithur në formën e tij më të cekët na ka mësuar se gjithkush është i denjë për gjithçka, kurdoherë, pa kushte e pa vonesa. Një farë dinjiteti i menjëhershëm, i gatshëm, i shpërndarë si dhuratë për këdo, pavarësisht përpjekjes, dijes, përvojës apo përgjegjësisë. Dhe kur realiteti nuk arrin të përmbushë këtë premtim, kur bota nuk i përgjigjet menjëherë dëshirës, lind një pamundësi e madhe, një kalamendje thuajse metafizike, një zemërim i justifikuar në ndjesi, ndonëse jo gjithnjë në objekt, për të kundërshtuar përjetimin e kufizimit, të skajimit dhe të atyre cilësive që na bëjnë vdekatarë. Ne nuk duam më të jemi të kufizuar, por as nuk dimë të jetojmë pa kufijtë që na përcaktojnë.
E ndërkohë, kujtesa, kjo pronë e fundit e të gjallëve, po bëhet gjithnjë e më e shkurtër. Harrojmë jo vetëm atë që kemi qenë, por edhe arsyet pse kemi dashur të bëhemi diçka tjetër. Shpresa, nga ana e saj, nuk është zhdukur, por ka ndryshuar adresë. E kemi dërguar diku në një të ardhme të largët, në një imazh të kuruar, në një avatar që na ngjan më shumë sesa vetja, por që nuk ka pasur kurrë nevojë të jetojë jetën tonë.
Dhe këtu nis një tjetër lloj Halloween-i, ai i doppelgänger-it tonë teknologjik. Njeriu ka filluar të jetë i huaj për veten në përpjesëtim me një imazh të krijuar nga inteligjenca artificiale, që e paraprin, në mos njëkohësisht, edhe ca më përpara, prezantimin e tij në platformat e lira të inteligjencës në telefonat celularë. Ky imazh, i përsosur në mungesat e veta, i bukur në atë që nuk ka përjetuar dhe i sigurt në atë që nuk ka arsye të dyshojë, po na bëhet gjithnjë e më i frikshëm, pikërisht sepse po na bëhet gjithnjë e më i largët. Njeriu nuk ka frikë nga imazhi i asaj që e tremb, por nga e panjohura që mund t’i fantazojë horizonte shumë më të kobshme sesa çdo gjë që ka parë ndonjëherë. Tek e fundit, këtu kemi të bëjmë me një puzzle monster, që e formësojmë të gjithë e ngadalë-ngadalë, me pjesëza të llahtarave tona të përveçme.
Në krahasim me këtë dyshim mbi vetin, këta njerëz janë zvetënuar, tkurrur e shpërfytyruar, maska të asaj që mund të ishin. Luftojnë me veten dhe, në këtë luftë, qeveria u duket përfaqësuese, diktatura e imagjinuar një sofizëm i gjetur, fryma popullore një ikonë e harruar, por lehtësisht e ri-interpretuar. Opozita, frenuese e njëkohësisht nxitëse, pasqyra në duart e tyre, telefoni celular, inkuruajuesi i mllefit, rrjeti, mundësuesi i një zemërimi po aq artificial sa edhe parak, primordial dhe thelbësor, por vetëm në syprinë, ndër meme e karikatura të asaj që do të duhej të ishin, nëse nuk do të besonin se mund të ishin.
Nuk është e lehtë të kuptosh se si një njeri mund të jetojë në dy kohë njëherësh, në kohën e trupit të vetë dhe në kohën e imazhit që i është krijuar. Fizika na mëson se shpejtësia e dritës, edhe pse grimcat pa masë mund ta arrijnë, nuk e kapërcen dot pragun e kauzalitetit, pra të shkakësisë. Universi nuk toleron që efektet të nguten e të ngjasin përpara shkaqeve të tyre. Ka një rend, një pritje dhe një disiplinë të pamëshirshme të ngjarjeve, të cilën asnjë dëshirë nuk mund ta anashkalojë. Njeriu, ama, ka filluar ta jetojë efektin përpara shkakut, ta kërkojë njohjen përpara përvojës, të drejtën përpara përgjegjësisë dhe të ardhmen përpara të tashmes. Kjo shpejtësi nuk i shkakton traumë organeve të tij fizike, por psikikës kolektive. Një segment i madh i njerëzimit po del nga primitivizmi, jo nëpërmjet një evolucioni të ngadaltë, por me ashensorin e teknologjisë, dhe ky udhëtim, ndonëse i shpejtë, nuk është pa pasoja. Trupi mbërrin i paprekur, ndërsa mendja mbetet diku ndërmjet kateve, në andrallat e aradheve të përkufizimeve që na i thonë të tjerët se i kemi tonat. E në si paçim, do duhet t’i bëjmë, medoemos.
Kjo e shpjegon edhe një pjesë të refuzimit të dialogut, shmangien e çdo përpjekjeje për të ruajtur hapësirën e përbashkët dhe gatishmërinë për ta shndërruar qytetin në një skenë ku secili kërkon të lërë shenjën e vet, edhe kur kjo shenjë është shkatërrimi i asaj që u përket të gjithëve. Një qytet nuk është vetëm hapësirë fizike, as një grumbull trotuaresh, stolash, vitrinash e syprinash, sheshesh e ndërtesash. Është një marrëveshje e heshtur mes njerëzve që nuk kanë pse të duan të njëjtat gjëra, por që duhet të pranojnë të jetojnë pranë njëri-tjetrit. Kur kjo marrëveshje humbet, qyteti bëhet i huaj, njësoj si kjo festë keltësh që dikur na dukej e huaj, por që tani po e njohim më mirë se veten. Dhe ndoshta këtu qëndron edhe një prej keqkuptimeve më të mëdha të kohës sonë: të ngatërrosh pamundësinë për ta përfytyruar ndryshimin me mungesën e tij, apo të mos shquash realitetin, vetëm sepse nuk përputhen me atë që ke bindur vetën të kërkosh.
Mund të ketë mes tyre të rinj që ndihen të harruar, të papërfshirë, të papërgatitur për një botë që u ka premtuar gjithçka dhe nuk u ka shpjeguar asgjë. Injoranca dhe padituria e një segmenti të konsiderueshëm të tyre nuk janë vetëm mungesë informacioni, por edhe mungesë e aftësisë për ta vendosur informacionin në një kontekst, për të dalluar një shkak nga një pasojë, një padrejtësi nga një pakënaqësi dhe një të drejtë nga një dëshirë. Të tjerë, më të privilegjuar, më të shkolluar e më të ekspozuar ndaj mundësive, janë zënë në kurthin e të qenit njëherësh “doktor Jekyll” pa myshterinj dhe “Mister Hyde” dydimensional, në një ri-inskenim banal e ballkanik të një drame që e kanë lexuar shtrembër, por që e interpretojnë me zell të admirueshëm.
E gjithë kjo ndodh ndërsa teknologjia na ofron mundësinë të shohim më larg se kurrë, por jo medoemos të kuptojmë më shumë. Rrjeti na jep një publik të pafundmë dhe një shoqëri gjithnjë e më të vogël. Na lejon të komunikojmë me këdo, por na kursen mundimin për të dëgjuar dikë. Na jep mundësinë të kemi një opinion për gjithçka, pa pasur nevojë të dimë pothuajse asgjë. E kështu, në vend që të kërkojmë një shoqëri ku të jetojmë, kërkojmë një audiencë ku të shfaqemi. Në vend të bashkëjetesës, kemi bashkëshfaqjen; në vend të kujtesës, arkivin e pafundmë të gjërave që nuk i arritëm.
E këtu duhet të kujtojmë se përpjekja jonë e përbashkët, si qytetarë por edhe si muratorë të ngrehinës së Shqipërisë së fëmijëve tanë, mbetet një detyrë e pazëvendësueshme që nuk mund të tjetërsohet nga asnjë avatar zemërimi eunuk, e që do ngadhënjejë njëjtë siç drita e agut në dekikën e fundit të natës.
Mendoj se ndoshta keltët e kishin kuptuar diçka që ne e kemi harruar. Ata e dinin se nata do të vinte, se dimri nuk mund të ndalohej dhe se zjarri nuk do ta ndryshonte rendin e stinëve. Por ata e ndiznin zjarrin gjithsesi. Nuk pretendonin se mund ta mposhtnin vdekjen, por përpiqeshin të jetonin me të, qoftë edhe për një natë. Ne, në përkundrejt, kemi filluar të besojmë se mund ta ndryshojmë realitetin duke e shpërfytyruar, se mund ta mposhtim të tashmen duke e refuzuar dhe se mund të ndërtojmë një të ardhme pa kaluar nëpër të tashmen që na takon.
Andaj dhe sot, në këtë vigjilje të një feste të reminishencës, jetojmë vdekjen e një Shqipërie që nuk do të dinim si do ta kishim imagjinuar për të jetuar, një Shqipëri të cilën e kemi kërkuar nëpër imazhe, nëpër kujtime të paqena, nëpër të ardhme që nuk kanë mbërritur dhe që, me gjasë, nuk do të mbërrijnë kurrë në trajtën që ua kemi dhënë në mendje. E ndërsa kjo Shqipëri e imagjinuar po vdes, ne do të vazhdojmë të jetojmë Shqipërinë e nesërme, shpresimisht ngadhënjimtarë si keltët që na trashëguan ndër të tjera me veten edhe këtë festë, përballë mekanizmit të pashpirt, shumë më të frikshëm se maskat e ngulfatjeve, të ndryshueshmërisë së algoritmit që e ka konsumuar, tretur, gogësitur e gëlltitur pseudo-dramën tonë, për ta zbrazur më pas gurmazin e vet e për të mbetur po aq i uritur, duke iu lëshuar si i babëzitur temave të tjera, njëlloj efemere, njëlloj të gatshme për t’u kremtuar e harruar. Dhe ata, që për një çast besuam se ishin protagonistët e kësaj drame, do të mbeten sërish aty, të frikësuar nga një realitet që nuk e kenw zgjedhur, të hutuar nga një e ardhme që nuk e kenë ndërtuar dhe të bindur se dikush tjetër duhet të ia ketë borxh atë që nuk kanë ditur t’ia kërkojnë as vetes.
(c) 2026 Bjorn Kamberi. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.