LË PËR TË DËSHIRUAR

muzeu logoSot lexova për Muzeun e Memories, një projekt të Institutit Shqiptar të Studimeve Politike dhe të mbështetur nga Ministria e Kulturës, për ndërtimin e një muzeu virtual të krimeve dhe të viktimave të komunizmit.

Projekti drejtohet nga Afrim Krasniqi, me kurator të muzeut Migen Qiraxhi, ekspert për të dhënat historike Lazer Stanin, koordinator Rigels Xhemollarin dhe përshtatëse në gjuhën angleze Borana Elezin.

Me “muze virtual”, autorët kanë parasysh krijimin, freskimin dhe mirëmbajtjen e një sajti ueb, i cili që tani mund të vizitohet në http://muzeuimemories.info/.

Projekti duhet të jetë ende në përpunim e sipër, por nga një vizitë që ia bëra sajtit, më la mbresë të mirë cilësia e lartë e grafikës dhe, në përgjithësi, niveli profesional i paraqitjes vizuale të informacionit.

Nuk jam në gjendje të them gjë për përzgjedhjen e informacionit të sjellë; as për cilësinë e burimeve të listuara në faqen “rreth nesh”.

Vetë ideja e këtij muzeu të dhunës totalitare meriton mbështetje të gjithanshme, dhe jo vetëm morale; edhe pse për emrin “muzeu i memories” mund të diskutohet – sa kohë që nuk është e qartë se për cilën memorie bëhet fjalë: për kujtimin e viktimave që duhet të mbahet i gjallë, për kujtesën historike të shqiptarëve, për çfarë duhet të mbajmë mend nga e kaluara të gjithë ne që e kemi përjetuar, apo për çfarë duhet të mbajnë mend brezat e rinj nga e kaluara e paraardhësve të tyre.

Mbetet për t’u përcaktuar edhe vetë nocioni i viktimës së regjimit: sepse i tillë mund të konsiderohet një kundërshtar i betuar i regjimit, një i arratisur, familjarët e një të dënuari, një i pushkatuar me listë, një klerik i burgosur, një hierark fashist, një hierark komunist i rënë nga vakti e që kushedi deri atëherë i kish edhe ai duart të lyera me gjak, gruaja e tij, një i internuar, një i arrestuar për një fjalë goje; por edhe dikush që iu refuzua e drejta e studimit, ose e drejta për të ushtruar fenë, ose edhe një sportist i talentuar që nuk u lejua të garonte jashtë Shqipërisë, ose edhe një motër që nuk u lejua të takonte, për dekada, vëllanë e emigruar në Perëndim.

Megjithatë diku duhet filluar.

Muzeu virtual ndahet në seksione, të titulluara Shqipëria burg, Një ditë në komunizëm, Qëndresa antikomuniste, Gjyqet speciale dhe ushtarake, Stalinizmi në Shqipëri, Torturat, Gra të dënuara dhe të internuara, Artistë të dënuar dhe të internuar, Religjioni, Vetizolimi, Punë të detyruara dhe veprat, Diktatori dhe bijtë e tij, Revoltat, 20 shkurt 1991.

Kështu në vështrim të parë, ndonjë seksion, si ai kushtuar Stalinizmit në Shqipëri, duhet ribërë i tëri; sepse praktikisht e ndal hovin atje ku duhej ta kish nisur – ose me vdekjen e Stalinit. Vizitorit i jepen të dhëna të kota, si ajo që Stalini “nuk ka vizituar asnjëherë Shqipërinë gjatë jetës së tij” (çfarë do të thotë kjo? cilin shtet ka vizituar vallë Stalini që e paska lënë Shqipërinë pa vizituar? pse “gjatë jetës së tij” – a ka vallë dyshime se mos e ka vizituar Shqipërinë pas vdekjes?); ose që “statuja [e Stalinit] u derdh në fonderitë sovjetike në maj 1951”; ose të dhëna të tjera të paraqitura në nivelin e një teksti të klasës së katërt fillore: “Njerëzit qanë në vitin 1953 kur vdiq Stalini duke përmendur se vdiq komandanti i gjithë njerëzimit dhe duke menduar se tashmë i kishte ardhur fundi botës.”

bicikletaNë seksionin “një ditë në komunizëm” jepen gjithashtu informacione të gabuara – për shembull, kur cilësohet biçikleta si “e vetmja pronë private” (mjaft të them që në mëhallën time në Tiranë pothuajse të gjitha shtëpitë ishin pronë private e atyre që jetonin në to; dhe kush ka shkruar ashtu për biçikletën dhe për pronën private, duket se nuk i njeh kategoritë e pronës në socializëm). Më tej, për këtë temë thuhet: “nuk ka pronë private në komunizëm, gjithçka i përkiste pushtetit popullor”; një shprehje që nuk besoj të jetë formuluar nga një historian (aq më tepër që edhe prona shtetërore i përket shtetit, jo pushtetit). Te ky seksion jepen edhe të dhëna, mes të tjerash, për “flamurin e Shqipërisë në vitet 1945-1992”, që nuk e kanë vendin këtu. Më tej, aty lexon edhe se “Shqipëria ishte vendi i vetëm në botë ku njerëzit visheshin të gjithë njësoj” dhe se “lodrat e fëmijëve ishin modeste dhe bliheshin vetëm për Vitin e Ri” dhe se “Deri në vitin 1984, mustaqet, syzet e diellit dhe çanta e vogël në sup ishin të ndaluara si shfaqje të huaja.” Natyrisht, këto janë budallallëqe. Mund të argumentohet se Shqipëria kishte variacionin më të madh në veshje, pse shumë njerëz i qepnin rrobat te rrobaqepësi; pa thënë pastaj asgjë për syzet e diellit dhe lodrat e fëmijëve dhe aq më pak për mustaqet (e shokut Haxhi Lleshi).

Nuk është synimi i këtyre shënimeve të japë një vlerësim të mirëfilltë të sajtit; por vetëm të tregojë se, nga një shqyrtim i sipërfaqshëm, trajtimi i materialeve lë shumë për të dëshiruar, ngaqë është bërë në mënyrë joprofesionale; çka duket edhe ngaqë autorët e tekstit nuk kujdesen të ruajnë një distancim nga temat për të cilat flitet, por i shfaqin hapur dhe amatorisht reagimet dhe emocionet e tyre ndaj ngjarjeve, a thua se duan t’i provojnë lexuesit se cilën anë mbajnë, në këtë konflikt imagjinar.

Autorët kanë vënë një listë bibliografike te faqja e informacionit; por disa pohime të tyre kanë nevojë për referenca të rregullta – për shembull, që “Në fund të viteve 1980 Shqipëria renditej në 15 vendet më të varfra në botë”; dhe që “600 000 familje shqiptare gatuanin në banjë (1980-1990)”. Nuk dua t’i vë në dyshim këto të dhëna; por edhe nuk i pranoj dot, pa marrë vesh burimin.

artiTe faqja ku flitej për marrëdhëniet e diktaturës me artin, thuhet: “diktatura dënoi artin si kundërshtar politik” – një pohim i pasaktë, sa kohë që diktatura e vuri artin në shërbim të vet, duke rekrutuar për këtë qëllim një pjesë të madhe të shkrimtarëve dhe të artistëve që kishin krijuar para ardhjes në pushtet të komunistëve. Po ashtu, jepet një citat nga Enver Hoxha: “Ai që sot nuk këndon me ne, është kundër nesh!” për të cilin do të doja të kisha një referencë.

Dhe, më në fund, shqipja e teksteve të sajtit lë shumë për të dëshiruar – jo vetëm nga cilësia e pakënaqshme, por edhe ngaqë është e krimbur në gabime drejtshkrimore dhe pakujdesi të tjera; aq sa duhet rishkruar krejt: po sjell këtu veç një shembull, por lexuesin e ftoj të shfletojë faqet vetë.


Tortura

Nuk ka komente

  1. Përveç gabimeve të sipërpërmendura, ka edhe të tjera gabime të natyrave të ndryshme, siç është mungesa e “ë”-së fundore aty ku duhet, apo vënia e kësaj zanoreje aty ku s’duhet, si te fjala “tradhëtar”. Po ashtu, ka një përdorim vend e pa vend të presjes, e plot gabime të tjera që ia zbehin shumë seriozitetin faqes.

  2. Xha Xha, unë i hodha një sy rubrikës së artikujve dhe mbeta e zhgënjyer kur pashë vetëm burime të huaja, ndërsa prisja me kërshëri (dhe rrëqethje) të shihja materiale të nxjerra nga arkivat tanë, materiale që veshin me fakte dhe jetë përtej vdekjes, gjyqet, të dënuarit, gratë, burrat, të cilët mbushin gropat e errëta të mosdijes dhe harresës. Kjo do ishte risia për mua dhe shumë të brezit tim. Fotografitë sidomos në kohë Selfie, FB dhe Cicërrimash nuk mund të flasin për vetveten.

    1. Elidor Mëhilli, që për mua është historiani më i mirë shqiptar i periudhës totalitare (dhe që duhej të ishte paguar me flori, për të qenë pjesë e projektit), më shkruan tani në FB për të më vënë në dukje ç’ka gjetur në versionin anglisht të faqes, dhe pikërisht:

      Albania prison began with an urgent letter in 1944 on the day of the liberation of Tirana where the dictator Enver Hoxha ordered with an urgent message: “Organize the prisons and concentration areas. And imprisoned all those elements charged with major faults, with high treason and collaboration with the occupator and also with the firsthand criminals. All the slaves gather up in a concentration camp[.]

      E kam të vështirë të pranoj që këto gjëra mbështeten nga Ministria e Kulturës.

      1. Jo vetem qe mbeshteten financiarisht nga ministria por po fitojne legjitimitet per iniciativen duke vene ministren si zedhenese.

        Kjo perpjekje eshte gjysmake jo vetem per arsyet qe ilustrohen me siper. Demi me i madh eshte se do te sherbeje si shembulli i perpjekjes tone per te kuptuar te kaluaren pikerisht per te mos u marre seriozisht me te.

        1. Për t’i mëshuar asaj që thashë më sipër në lidhje me burimet e shterpta (flm Parulla): artikulli i E. Mëhillit “Defying De-Stalinization: Albania’s 1956”, in: Journal of Cold War Studies 13/4 (Fall 2011): 4-56, duhet të ishte patjetër në list të paktën për të mbështetur panelin “Stalinism in Albania”.

          Tjetra, kaq në hall është departamenti i anglishtes sa e lë prezantimin ndërkombëtar të faqes në dorën e një Borana Elezi dhe fjalive të tipit:
          “In “socialist” Albania for demagogy was said, that the exercise of torture in investigator and in prison was prohibited by law.” (dhe ne qanim artikujt e MCSER!)

          Dje shikoja një dokumentar të shkurtër të një grupi gjuhëtarësh gjatë një ekspedite në Theth dhe Vermosh (“Bocca, Ochi, Orecchie”), dhe pa qënë albanolog, siç nuk jam historian, ndjeva një kontrast në cilësi midis një projekti modest si ai i linguistëve dhe këtij të muzeut të historianëve tanë. Mendoj se mban përgjegjësi drejtuesi me titull Prof. As. para, përveç se Ministria e Arsimit. Iniciativa është shumë e nevojshme por faqja ende jo e maturuar për të dalë online. S’mund të paraqiten instanca të tilla me materiale që besojnë qorrazi dhe gabimisht se “there is no such thing as bad publicity.”

      2. Po c’thua? Keta s’po gjejne dot nje fjalor drejtshkrimi shqip, do gjejne specialistet e zot te shperndare ne diaspore. Duket kut i tyre. Po si faqja si projektuesit te marrin ne qafe si kallepe, vec mos be gabim te lexosh a degjosh.

      3. 2xha: Elidor Mëhilli, që për mua është historiani më i mirë shqiptar i periudhës totalitare…”

        Do te me interesonte te lexoja ndonje kontribut nga Elidor Mehilli. Te lutem, kur te jepet mundesia, a mund te ndash ndonje info me specifike rreth studimeve e tij si autor?

          1. Parrulla faleminderit “for googling for me”. 🙂

            Mendoj se nje introduksion, info rreth Elidor Mehillit, do t’i vinte ne ndihme vete idese te 2xha, se ai, i ka kredencialet e nevojshme per te qene pjese e projektit ne fjale.

            Me nje shikim te shpejte, vura re se Mehilli eshte assistant professor ne Hunter College, NYC. CV-ja e Mehillit eshte e pasur me tituj, cmime, aktivitetete, publikime te mirefillta akademike(PHD-ne e fituar nga universitete elite, etj), per t’i siguruar nje karriere stelare ne akademia, te cilen nuk ka shume qe e ka nisur.

            Ne shqipot sidomos, jemi mesuar te shohim te perdoret lehtesisht dhe pa dogane termi historian.

            Megjithese eshte nje opinion personal i 2xha, personalisht me beri pershtypje dhe me surprizoi menyra e te shprehurit “për mua(2xha) është historiani më i mirë shqiptar i periudhës totalitare”. (Prandaj kerkova me shume info, pertej asaj qe mund te me jepte nje gugllim i shpejte.)

            Potencialisht kjo mund t’i qaset te vertetes, ose qe te jemi me te kujdeshem(cautious), mund te jete nje predikament i vertete.

            Mu duk me interes per lexuesin e PTF qe “perton te guglloje” te sjelle CV-ne e Mehillit si link ne formatin PDF, qe do te bente krenar cdo njerin nga ne. Ne nje fare menyre, ideja e 2xha behet me e prekeshme

            file:///C:/Users/Ide/Downloads/Mehilli9.14-libre.pdf

            Me interes mu duk edhe linku i meposhtem ku rreket t’i jepet pergjigje pyetjes: Cfare eshte (dhe kush mund te jete) nje “historian”? Shkrimi ne thelb e ben edhe me te prekshem predikamentin e te qenurit historian per nje person me CV-ne akademike te Elidon Mehillit.

            http://www.somegreymatter.com/historian.htm

            Se fundi, kjo i shton edhe nje flagrance te re diskutimit te meparshem rreth inflacionit te titujve akademike nder doktoraturat qe prodhon Shqiperia dhe fallacy-se te punimeve shkencore, akademike qe i shoqerojne ato.

  3. Nëse ndonjë prej autorëve të muzeut në fjalë do t’i bashkëngjitet diskutimit të këtushëm, qoftë edhe anonimisht, do të doja ta pyesja së paku se si e përkufizon termin “ekspert”, që të kuptoj edhe se në ç’kuptim quhet Lazër Stani “ekspert për të dhënat historike”. Ekspertëria, të paktën po e përkufizuam si zotërim mbimesatar dijesh të profilizuara, nuk lë vend për të qenë ekspert gjithçkaje. Me aq pak sa e njoh unë jetën publike dhe botimet shqiptare, zotëria sikur është letrar, e herë pas here edhe kontribuues publicistik, sidomos në hedhjen e tezave të versionit shqiptar të judeo-bolshevizmit: sllavo-komunizmit. Se të shash mbarë e prapë një fenomen (sistem) nuk të bën ekspert në njohjen e tij, përndryshe të gjithë ultrasit e Beogradit do t’i quanim ekspertë mbi Shqipërinë.

  4. “Mbetet për t’u përcaktuar edhe vetë nocioni i viktimës së regjimit”

    Xha Xha, nje pyetje kam:

    pashe nder viktimat edhe fotografine e Selman Rizes. Une di qe Rizes i bene nje here nje fleterrufe per “shfaqje te huaja dhe mbeturina mikroborgjeze”, si edhe e derguan “me qarkullim” per nje 2 vjet te punonte ne nje muze te Beratit. Une nuk di te kete pasur telashe te tjera.
    Pse ishte viktime Selman Riza?

    1. Ne lidhje me nocionin e viktimes: me duket se Sales i atribohet ajo thenia: bashkevuajtes – bashkefajtore. Te gjithe ne nje thes.

      Muzeut virtual do t’i duhet ta zgjeroje shume nocionin e viktimes. Thesi i viktimizimit do te duhet te mbaje shume, ndoshta gjithe Shqiperine, ndoshta duhet perfshire edhe vete EH. 🙂

  5. Eshte edhe kjo iniciativa ketu: http://iskk.gov.al, por qe eshte e qeverise se shkuar. Nuk besoj te jete lapsus, por me sa di, ato kane qene kampe internimi dhe jo kampe perqendrimi, sic thuhet ne te dyja faqet. Tani nga sa mund te lexohet ne faqen e ISKK-se, autoret qe jane publikuar, jane te njohur per publikun dhe te identifikuar edhe politikisht. Edhe ne rastin e muzeut qe permendet ne shkrim, nismetare, jane dy njerez te se djathtes shqiptare. Nese dikush flet se ka patur nje sistem totalitar dhe nje dhune apo represion te paprecedente, atehere viktimat, nuk ka sesi te jene vetem ata qe ishin ne burgje. Pra nuk ka sesi te jete pjese e kurimit te ndergjegjes nje muze apo institut qe seleksionon viktimat, permes luftes se klasave post mortum. Qe nga mesi i viteve ’50, shumica e te denuarve politike, jane ish-pjesetare te PKSH-se, ose vijne nga e majta. Ndaj duhet nje konsensus per te rivleresuar dhunen qe ne natyren thjeshtuese te propagandes se regjimit, kishte ndoshta shprehjen e vet me afatgjate. Per kete arsye, edhe libra si “Monolog” i Artan Fuges, apo edhe “Shqipja Totalitare” do te duhej te perfshiheshin ne koleksion. Sa per kujtimet e ish-te burgosurve, ironi, ose jo, por edhe Todi Lubonja ka publikuar libra qe vlejne.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin