SPAGHETTI NË INFORMALITET

Nëpër restorante e lokale shqiptare, të hash e pish mbretërisht s’është veçse një ndër të papriturat për të pamësuarit. Në raport me vendet përreth, kuzhina nëpër restorantet tona të nderon, dhe them me bindje se Shqipëria është vendi mesdhetar ku kuzhina italiane herë-herë i konkurron pa droje asaj të origjinës. Sido që çmimet janë tepër të larta për klientin e mesëm shqiptar, ato janë përgjithësisht më të ulëta se në vende të tjera mesdhetare, madje edhe ballkanase.

Shembulli më i qartë vjen nga fqinji ynë jugor anëtar i vjetër i BE-së: në restorantet shqiptare hahet shumë më mirë e shumë më lirë se në ato greke.

Por kudo të shkosh, do dalë ndonjë gjë që do bëhet sebep të të thyhet e përthyhet qejfi… si thonë amerikanët “S’ka drekë që e ha dhe e lë pa paguar.” Ndoshta është edhe thjesht për të prishur syrin e keq. Para dy vjetësh në mbasditet e zhegut veror shkonim tek Vila Logoreci, sepse birrën e hapur e kishin të mrekullueshme. Por ndërsa ti, e humbur, shijoje rrjedhjen e ngadaltë e sensuale të pikës së kondensuar nëpër faqen e ftohtë të gotës së birrës, pastruesja që kish mbaruar së lari dyshemetë pas përfundimit të furisë së klientëve drekues, e derdhte në ajër ujin e qelbur të kovës në mënyrë spektakolare, mu mbi urën dekorative në hyrje të lokalit, ndërsa peshqit u turreshin piklave të saturuara në gri që binin në sipërfaqen e pellgut të vogël. Po të ishe me fat, kurba e ujit të pastrueses hedhur akrobatikisht në ajër, mund të krjonte edhe ylber thjesht për argëtim ekstra.

Tek restoranti Millenium mbi kinema, dy herë rresht unë dhe im shoq u shkrimë me burrata që të treteshin në gojë më mirë se gjalpi, pasta të gatuara në perfeksion, e peshk të freskët. Kamerieri që na shërbente të dy herët na ish shfajësuar se, në fakt ishte një ndër familjarët e pronarëve dhe po shërbente për nevojë se që të dy herët kamerierit të vërtetë na i paskësh ndodhur diçka, një aksident automobilistik a një gjë e ngjashme. Dukej jo më shumë se 30 vjeç, por ishte i fisëm, kuptonte mirë pjatat dhe verën, kish një edukatë të admirueshme, dhe sidomos buzëqeshte… se unë nuk i duroj dot nursëzët, qofshin këta edhe kamerierë; dhe sidomos kamerierët! Për dreq, herën e tretë qëlloi të shkonim kur ish aty KAMERIERI dora vetë. Restoranti ish i hapur dhe kish fare pak njerëz. “Nuk pranojmë njerëz për drekë sot!” – tha ai me një ton që sikur e kishim bezdisur që ngjitëm shkallët veshur me gjelbërim të hijshëm, dhe e bëmë të hapte gojën e të prodhonte tingujt lodhës të sapodala nga kordat e tij rezistente. Ne u larguam, se kush donte të shërbehej prej tij pas një zënke, ndërsa unë pyeta tim shoq: mos kam harruar gjë të rruaj mjekrën?

Po unë s’para jepem. Erdhëm prapë të nesërmen. Ja që na qëllon po ai kamerier: ca si i sjellshëm, ca si kapadai; ca si me buzëqeshje, ca si me ngërdheshje; sa si i kënaqur që erdhën klientë, ca si këmbëzvarrë. Por ishte e qartë që s’e kish me të keq. Thjesht, e konsideronte këtë sjellje si kameriereske… ndoshta mashkullore e dinjitoze. Kur shpjegonte gjësend për menunë ose verërat fryhej pak dhe mezi i nxirrte fjalët, gati si me bezdi që duhet të jepte shpjegime; një lloj kapardisjeje prej mafiozi të vogël që mund edhe të mos ishte hiç ashtu. Por nuk kisha as më të voglin dyshim që ai vetë mendonte se ish më profesionali ndër kamerierët e rruzullit. Dukej edhe nga si komunikonte me të tjerët më të rinj se ai… si shef dashamirës. Ku dreqin s’i kish ndodhur gjësend edhe sot e të kishim prapë në shërbim atë jo-kamerierin që sillej si njeri.

Ndërsa restoranti Rapsodi në Shëngjin më la gjithashtu pa mend sa për pjatat, (për të cilat një shok i imi thotë kur i mbaron “Unë vdes të ha lule!”), verërat e kuqe italiane vërtet të mira, ashtu edhe për informalitetin pozitiv. Ishim dy shoqe, që të dyja të çmendura pas kënaqësive të qiellzës dhe hundës. U shkrimë mes djathrave lënë të vjetëroheshin veshur me barëra të egër nën tokë e në shpellë, me tym e pa tym, servirur me reçel sherebele apo me lule delesh të marinuara në ujë petalesh trëndafili, secili shërbyer me verën e vet. Kur u bë vonë dhe mikesha ime u kujtua se duhet të ish atë natë në Prishtinë, dhe unë se duhet t’u bëja një foto Heronjve të Vigut që atë verë rrinin madhështorë mes fushës së plehrave të Shkodrës, s’kish më autobus. Thashë të pres njeri që vjen për një kafe në restorant dhe e ka rrugën për Shkodër, por s’doli kush. Do dilja në rrugë për një autobus. Kamerieri që na kish shërbyer, dhe që ish edhe vëllai i kuzhinierit dhe pronarit të Rapsodisë, më tha: “Të çoj unë deri në Shkodër. Ja ku është Shkodra.” Ok… U kry! Djaloshi i ri, të cilit i vëllai, pronari i Rapsodisë, i dha këshilla të detajuara si të ecte e ku të shkonte, erdhi deri në Shkodër, gjetëm bashkë Heronjtë, i nxorrëm në resme, shkoi tek konviktet e Universitetit, thirri të dashurën që ta njihte me mua, ia mbushi mendjen të shkonin në Tiranë në një festë që kështu të më çonin edhe mua, erdhën në Tiranë ku arritëm nga mesnata, dëgjuan leksione të gjata nga unë për gruan, dashurinë, lirinë dhe nevojën për të studiuar e punuar… Me siguri që, vetëm dashuri s’bënë dot pas mësimeve të mia. Madje dyshoj se janë zënë e janë ndarë duke diskutuar format e fshehura të shfrytëzimit klasor e gjinor mes tyre, të lëna kaq gjatë në heshtje.

Ndërsa problemet themelore i kam pasur me cigaren dhe tymin që të mbyt kudo qofsh. Por këtë vit ky problem gati-gati është zgjidhur. Kur shkova tek Kafene Rinia ku vërtet ka një sasi pa fund vendesh jashtë në natyrë në të cilat mund ta thithësh e ta endësh (madje edhe ta rritësh) duhanin si të do qejfi, pyeta para se të hyja nëse pihej duhan aty, me shpresën që së paku, një ftese ballafaquese si kjo, kamerieri do i përgjigjej me një lloj përuljeje ndaj ligjit formal. “Sigurisht që pihet duhan këtu!” më tha kamerieri me një fytyrë që ndriste rrezatim akomodues e etikë pro-klientit. Kur e mori vesh se unë në fakt po shpresoja të kundërtën, kamerieri më tregoi një copë të vockël në fund të lokalit ku mbaheshin të ëmblat (që bëjnë vetëm keq) dhe ku lejoheshin të pushonin humbamenot si unë që nuk pinë duhan (por nuk u thonë jo sheqerpareve). Në një çajtore të lezeçme me motive korçare fshehur mes Pallateve të Aviacionit, vetë çajxhiu pas banaku dhe kamerierët e dredhin kur s’ka dhe aq shumë klientë. Zbatohet ligji për mospirjen e duhanit vetëm në Friend’s Book House, ku lejohet jashtë, por jo brenda lokalit, sido që aty futet nga dritaret pizevengu.

Në fakt, tamam në Friend’s Book House më ka ndodhur çudia më e madhe. Hyj në shtëpinë me libra për një mik, dhe nuk ulem në sallën poshtë ku studiohet masivisht, se s’doja të bezdisja njerëzit duke folur me shoqen që po prisja. Por shkova në katin e dytë, pa cigare, pa bezdira, me muzikë të brezit tim… hohoho. Mikesha ime s’kish ardhur, ndaj nxora një libër nga çanta dhe thashë të lexoj pak e të pres. Porosita edhe një çaj mali që këtu e bëjnë me atë që zbret vërtet nga mali dhe jo me paketa, dhe po i gëzohesha vetmisë.  Vjen kamerieri dhe më thotë pak si në faj: “Këtu s’lejohet leximi” Çfarë?! Si s’u lejoka leximi në kafene, sidomos në një “shtëpi libri” që mua më sheh si “mike” të vetën. Jo, ngulte këmbë kamerieri, s’lejohet. “Po deshe të lexosh, duhet të shkosh në sallën e leximit, poshtë.” I thashë: “po pse kështu… i bie që në sallën poshtë, miqtë e shtëpisë së librit, të mos lejohen të pijnë kafe duke lexojnë…” Po frymë a lejohet të marr kur pi çaj në kafene apo pirja e çajit është veprimtari ekskluzive dhe e pakontaminueshme? Po qepallat a mund t’i hap e t’i mbyll?… Largqoftë, po më erdhi një teshtimë, si t’ia bëj?” Do lexoj i thashë kamerierit sa të më dojë qejfi mua, dhe kjo që sapo më the është skandaloze, e paimagjinueshme, dhe nuk dua të të dëgjoj ta thuash më kurrë sepse është fyese…” Në fakt, sa më shumë e mendoja atë që më tha, aq më shumë më vinte për të qeshur. Dhe më vinte për të qeshur edhe më kur mendoja se nëpër panaire librash shqiptarët shiten si lexues të thekur, “sipas statistikave”.

Sot në drekë dola të haja me një mikeshë të vjetër që ndodh që tani është ministre (për fat, tani kemi plot gra ministre, dhe s’merret vesh kollaj për kë e kam llafin), dhe meqenëse ajo kish mbledhje, thamë ta zinim fytin me diçka aty afër Ministrisë së saj. Hyjmë pa njoftuar, siç duhet në fakt të funksiononte normalisht, dhe në restorantin e parë gjejmë errësirë. “S’kemi drita” – thotë një kamerier i ri. Ecim drejt krahut tjetër, në një restorant me dritare të mëdha. Ministrja donte spaghetti me domate, dhe i sollën një porcion për katër persona; unë desha një sallatë, por më thanë që s’mund ta kisha, se s’kishte drita(?!) Por mund të kisha spaghetti (?) U pa puna, mora edhe unë spaghetti, kuptohet, të të njëjtave dimensione… dhe pastaj harruam që nuk kishte drita.

Përpara, në kuzhinë e restorante, bën mu që kemi ecur; por informaliteti është një cen i ngulitur i yni edhe këtu, e sidomos këtu; dhe për kulturën e shërbimit dhe edukatën e librit, për këtë flasim një herë tjetër, se përzierja e tyre tani për tani është e ndaluar.

Nuk ka komente

  1. aty tek friendsbook house te merrnin 100 leke/ora per kafene tek bodrumi (vendi i leximit).. nuk eshte mjedis i keq por jo si kafenete ketej nga perendimi ku mund te rrish me ore te tera me nje liber dhe gote uje..

    sidomos larg tiranes, ne vende ku mund te hahet me duar e mbulesat e tavolines jane prej letre (te kthyera nga ana e plasmasit per te mos u ndotur per klientin e rradhes) hahet mire e lire

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin