AB OVO AD MALA

afresk-mur-pompeiShprehja latine “ab ovo usque ad mala”, që shfaqet shpeshherë në mënyrë të shkurtuar, do të thotë “nga veza deri tek mollët”, një shprehje e romakëve të lashtë, të cilët e kishin për zakon ta fillonin vaktin me vezë e ta mbaronin me fruta. Sot shprehja latine përdoret për të thënë “nga fillimi deri në fund”, pra kur diçka fillon e mbaron pa ndërprerje.

Këtë shprehje ma sollën ndër mend shkrimet në mediat e Tiranës, sipas të cilave Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, paska rrëfyer sekretin e dietës së vet. Ja edhe fjalët e tij të cituara (po ia marrim literalisht deklaratën, duke i anashkaluar referimet kontekstuale të vizitës):

“Dua t’u them edhe një nga sekretet e dietës sime, është se e filloj mëngjesin me një vezë të zierë dhe e përfundoj me pak mish pule në darkë të bardhë dhe është një kontribut i rëndësishëm për një dietë të suksesshme, aq më tepër kur janë produkte të sigurta bio…” (Dita, 21.03.2015) (Tema, 21.03.2015) (Respublica, 23.03.2015)

Këtu zakoni i lashtë i romakëve nuk respektohet, sepse flitet për dietën ditore e jo për vaktin, e gjithsesi banketi nuk përfundon me mollë. Nuk e di sa i interesuar është publiku shqiptar për të mësuar sekretet e dietës së politikanit të njohur, por me sa duket gazetat e marrin të mirëqenë.

Si me shaka, historia e Shqipërisë postotalitare mund të ndërtohet edhe nëpërmjet fotografive në kohë të protagonistëve të skenës publike. Në fotografitë në kapërcyell të dy sistemeve, përveç karakteristikës bardhezi, do të vërejmë protagonistë të dobët, thatimë, madje me fytyrë të hequra.

Shqiptarët e totalitarizmit ishin përgjithësisht të ushqyer keq, veçanërisht gjatë periudhës së tollonave, e pavarësisht se një pjesë e përzgjedhur kishte mundësi të ushqehej mirë, nuk duhet harruar se të tjerë ishin në kufijtë e urisë. Pa folur për kequshqyerjen, ngaqë produktet ushqimore ishin nga një anë të pamjaftueshme, nga nga tjetra mungonte shpeshherë ekuilibri i duhur mes përbërësve, si proteinat e karbohidratet.

Natyrisht, ka pasur rol edhe aktiviteti fizik, që ka qenë praktikisht i detyruar edhe për ata që nuk bënin punë të rënda, sepse automjetet private nuk lejoheshin. Madje, shumë nga nxënësit e studentët e asaj kohe, duhet të bënin disa kilometra rrugë në këmbë për të shkuar e për t’u kthyer nga shkolla. Në mungesë të biçikletës, Tiranës i bije kryq e tërthor në këmbë, çka shkaktonte edhe harxhimin e shumë kalorive, përveçse të këpucëve. Por edhe vetë biçikleta, për ata që kishin fatin ta zotëronin, ishte aktivitet fizik i mirëfilltë, aq sa sot në botë është sinonim i jetës së shëndetshme.

Në vitet 1990 e ndoshta edhe 2000 të gjithë vunë re se si fytyrat e protagonistëve erdhën duke u trashur e duke u fryrë dalëngadalë, çka mund të pranohet edhe metaforikisht, por këtu e kemi fjalën nga pikëpamja e rritjes në peshë dhe e zgjerimit fizik. Në fotografitë e këtyre viteve, gjithnjë me gjysmë loje, pa asnjë pretendim shkencor, mund të vihet re jo vetëm shfaqja e ngjyrave, por edhe mbushja e tipareve dhe e trupit.

Arsyet mund të qëndrojnë pikërisht tek përmbushja e disa kushteve që më parë mungonin. Ushqimet u bënë të disponueshme në treg, mirëqenia u rrit, mundësitë për konsum gjithashtu. Nga ana tjetër, automjetet filluan ta asfiksojnë vendin me trafik e ndotje mjedisi, sidomos në Tiranë, duke e detyruar biçikletën të kërkojë azil politik në vendet nordike, ose të deklarohet “objekt në zhdukje e sipër”, pra për t’u marrë në mbrojtje nga organizmat ndërkombëtare. Si rrjedhojë, aktiviteti fizik erdhi duke u reduktuar, çka solli automatikisht edhe shëndoshjen e trupit nga mungesa e lëvizjes.

Kjo nuk do të thotë se bollëku i tregut të lirë i ka ushqyer më mirë shqiptarët. Përshtypja është se mbufatja e viteve të pluralizmit ishte reagim i kufizimeve të mëparshme. Ushqyerja e mirë nuk varet nga bollëku, por nga masa. Në kuptimin që kalimi nga një kile mish në javë, në një kile për ditë, nuk do të thotë se ushqehesh më shëndetshëm. Në Shqipëri, së bashku me valën e konsumizmit, erdhi dhe i ashtuquajturi junk food. Në fakt, u rritën këto vite edhe rastet e obezitetit.

E kujt nuk i bëjnë përshtypje restorantet e panumërta nga Blloku deri në periferitë e humbura, apo emisionet televizive që flasin për gatime gjithnjë e më të sofistikuara? Vitet e fundit në Shqipëri obsesioni i ushqimit ka kapur majat e veta, si në jetën reale ashtu edhe në atë mediatike.

Studiuesit e fushës prej kohësh kanë vënë re një lloj perversiteti në raportin midis ushqimit, medias dhe shëndetit. Pikë së pari kemi pornografinë ushqimore (foodporn), që është shkaktuar edhe nga mediatizimi i skajshëm i ushqimit, përzierë me voyerizmin gastronomik kolektiv që i mbërthen njerëzit përballë ekranit; së dyti kemi obsesionin ndaj dietave, përhapjen virale të dietologëve magjistarë, dietat fantazioze me gjithfarë frutash e artikujsh çudibërës, palestrat muskujskulpuritëse dhe vëmendjen ekstreme ndaj shëndetit.

Si për ta ndërlikuar situatën, për një pjesë të shoqërisë, që i ka mundësitë financiare, shëndeti po kthehet në shëndetizëm. Kujdesja ndaj shëndetit e mënyrës së jetesës i kalon kufijtë e normales. Që këtej edhe frekuentimi i tepruar i palestrave dhe ndjekja maniakale e dietave moderne. Siç thotë pak me shaka psikiatri M. Lütz, shëndetizmi është kthyer në një lloj feje, meqë sot shkohet tek mjeku specialist si në procesionin fetar, kurse vuajtjet e sakrificat që bëhen në ushqyerje e ushtrime fizike, ua kalojnë ku e ku rregullave të urdhrave fetare. Armiku i kësaj feje të re është vdekja, por që është e pashmangshme sidoqoftë; vjen edhe kur je duke vrapuar për t’u mbajtur në formë.

Ka nga ata që e shohin raportin me ushqimin, pra emisionet, botimet, dietat, si mënyrë për ta kontrolluar realitetin, si kundërpeshë ndaj ankthit. Po ta vazhdonim këtë arsyetim del se, pas vrullit e kaosit të viteve 1990 dhe lëkundjeve të shumta të rivendosjes të viteve 2000, sot shqiptarët po përpiqen ta kontrollojnë situatën. Mundet. Por nuk mund të përjashtohet edhe efekti imitim, për sa kohë shumë emisione televizive dhe libra të përkthyer vijnë si rezultat i bulimisë televizive dhe aftësisë kopjuese të shqiptarëve ndaj modave perëndimore. Vetë lidhja midis dietave dhe star system-it (ku bëjnë pjesë edhe politikanët) tregon shabllonizmin me të cilën i qasemi kulturës postmoderne.

Për t’u kthyer sërish tek veza e romakëve, pra në fillim, duhet të pranojmë se Shqipëria e sotme ka një sërë kontradiktash, duke filluar nga pabarazitë ekonomike, sepse dieta mbetet çështje zgjedhjeje, është si të thuash për zengjinin, jo për varfanjakun. Ai që nuk ka për të ngrënë nuk ka realisht ç’të hajë, ose ha keq e shëndoshet nga mungesa e ekuilibrit ushqimor. Por dieta është edhe çështje kulture, madje ushqimi është edhe edukatë.

Por kontradikta më e madhe është pa dyshim mungesa e refleksionit për lidhjet e shumta midis ushqimit, kulturës e identitetit. Të gjithë e dimë se ushqimi nuk është vetëm karburant për trupin, por kulturë që nga përgatitja deri tek ngrënia. A nuk është interesante hyrja masive e kuzhinës italiane në restorantet shqiptare? Por sa është përhapur kjo kuzhinë në furnelat e nënave tona? Çfarë hanë sot shqiptarët në tryezat e tyre? Si kanë ndryshuar shijet e tyre në kohë? Sa ndikon tradita lokale në gatimin e sotëm?

E meqë jemi tek tryeza, nuk duhet të harrojmë se ushqimi zakonisht hahet së bashku. A nuk na duket pak e trishtueshme figura e dikujt që ha vetëm? Na e vrasin syrin njëlloj banketet edoniste dhe egoiste të konsumizmit ushqimor. Megjithatë, thelbi i ushqimit qëndron tek përmasa sociale e tij, pavarësisht se biologjikisht konsumohet për kërkesa individuale. Tek e fundit, një darkë mund të na japë emocione e ndjesi të paharrueshme, të na pasurojë shpirtërisht e të përmbyllet me një përqafim a një puthje. Ose me një mollë… Ky është sekreti i vërtetë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin