DEBATI PËR GRUAN

DEBATI PËR GRUAN, MODERNITETIN, PATRIARKALIZMIN DHE KONSERVATORIZMIN NË SHQIPËRI DHE GJETIU
Ka ditë që “Peizazhe të fjalës” i është vënë në dispozicion një debati për gruan, feminizmin dhe modernizimin në shoqërinë shqiptare.
Dua t’u kujtoj lexuesve se ky debat nisi me një pasazh nxjerrë nga libri i fundit me biseda të shkrimtarit Ismail Kadare, ku ky shprehej për “femrat” në letërsinë e tij, çfarë i interesonte dhe pse.
Nga shumë e shumë pasazhe të librit, u zgjodh t’i jepej publikut të gjerë PIKËRISHT AI PASAZH, me gjasë nga autorja e librit Alda Bardhyli ose me miratimin e saj.
Për shumë dekada, Kadareja ka qenë flamurmbajtës i modernitetit në kulturën shqiptare; edhe kur roli i tij si shkelës e thyes tabush filloi të zbehej për t’u zëvendësuar nga ai i shkrimtarit kombëtar, ai mbeti udhërrëfyes (qoftë edhe i vetëshpallur) i europianizimit, Perëndimit dhe zhvendosjes së mendimit shqip drejt pozicionesh “bashkëkohore”.
Në atë pjesë të krijimtarisë së tij që angazhohet me realitetin social – ose po të lëmë mënjanë universin fantahistorik “osman” – Kadareja është shprehur gjithnjë, me gjuhën e letërsisë por edhe drejtpërdrejt, KUNDËR patriarkalizmit dhe hierarkive sociale tradicionale.
Edhe mendimet e shprehura në pasazhin “e inkriminuar” vijnë në vazhdë të këtij pozicionimi; sa kohë që personazhet vajza dhe gra të Kadaresë, në një kategori veprash – nga poezia e viteve 1960, te romani “Lëkura e daulles”, te romanet epike të viteve 1970 (“Dimri” dhe “Koncerti”) dhe një numri tregimesh e novelash (veçoj “Nata me hënë”) – vetvetiu sfidojnë edhe patriarkalizmin dhe promovojnë një lloj feminiliteti specifik, të pazakonshëm deri edhe për mjediset urbane të Shqipërisë të asaj kohe.
Por kjo qasje e Kadaresë edhe shkrimtar edhe njeri publik është kritikuar nga pozicionet – le t’i quajmë kështu – feministe, nëpërmjet disa eseve dhe ndërhyrjeve që kemi botuar edhe ne te “Peizazhet”, ku është argumentuar se mënyra si e modernizon gruan shkrimtari në veprën e vet dhe veçanërisht vështrimi i tij (GAZE) ndaj gruas mbetet në mos patriarkal të paktën seksist, ose i dikujt që ende nuk është gati ta nxjerrë gruan nga skema e marrëdhënies së kësaj me burrin.
Kritika feministe e Kadaresë ashtu e analizoi edhe citatin në fjalë – duke lënë të kuptohej se kjo lloj qasjeje ndaj gruas personazh në letërsi nuk është (më) moderne, por pjesë e të njëjtit arsenal tashmë arkaik që përdor patriarkalizmi, për të ruajtur sundimin e burrit ndaj gruas.
Duke pyetur mos jo vetëm patriarkalizmi tradicional, por edhe kritika e tij nga autorë të viteve 1960-1970 e më pas, si Kadareja – që atë kohë mbështetën fort “emancipimin” e gruas dhe çlirimin e saj nga diktati i familjes dhe i fisit – i shërbejnë një modeli social dhe ideologjik të cilin feminizmi shqiptar sot e kundërshton, ose të paktën duhet ta kundërshtojë.
Idetë feministe kanë ardhur në Shqipëri nga Perëndimi, shpesh si pjesë e një përpjekjeje sociale globale për modernizim dhe emancipim. Megjithatë, këto ide i janë përshtatur realitetit specifik – meqë gruaja shqiptare ka të tjera halle dhe sfida nga, të themi, gruaja suedeze ose ajo ruse. Edhe në momentin e tanishëm, ai lloj feminizmi që kërkon të debatojë Kadarenë “kritik” të veprës së vet dhe qëndrimet e tij ndaj personazheve të asaj vepre e bën këtë në kontekstin lokal, ku shtypjes tradicionale e gruas nga patriarkalizmi i është bashkëngjitur kontrapunkti i objektifikimit të vajzës dhe të gruas nga mass mediat dhe tregu. Edhe ekonomia e tregut i kundërvihet patriarkalizmit, kur dëshiron t’i japë gruas të drejtat e plota të konsumatores; por jo çdo anti-patriarkalizëm është vetvetiu edhe feminizëm.
Shoqëria shqiptare po e vuan tashmë këtë lloj “moderniteti” – shtimi masiv i vetëvrasjeve të vajzave dhe të grave, por edhe i feminicidit, janë disa pak shenja flagrante, të një sikleti total, të një paaftësie të dhimbshme për t’iu përshtatur skemave brutale të ekonomisë së tregut, të kapitalizmit të xhunglës dhe të një shoqërie që u ka mbetur në duar “të fortëve”. Kritika feministe e veprës së Kadaresë dhe e atij lloj modernizimi, të cilin e ka bërë të vetin ky autor, duhet kuptuar si një përpjekje për të kuptuar çfarë po ndodh me shoqërinë shqiptare, në këtë nyjë të historisë.
Kjo është arsyeja pse ne, si “Peizazhe të fjalës”, i dhamë hapësirë debatit të tanishëm; dhe kjo është korniza ku duam ta mbajmë debatin edhe në të ardhmen – pa iu imponuar, megjithatë kolegëve që duan të kontribuojnë ndryshe (nuk duam të censurojmë, por vetëm të sugjerojmë). Nga pikëpamja jonë si revistë, debate gjetiu të nxehta – si ato për identitetin gjinor dhe seksizmin gjuhësor – nuk ka arsye pse të vendosen në qendër të vëmendjes sonë në këtë moment dhe brenda kornizës sonë; sepse ato turbullojnë ujërat, më shumë se i kthjellojnë.
Një artikull i Loer Kumes, botuar në Gazetën Liberale (“Përmes pasqyrave të Kadaresë”) e shpreh qartë, gjithnjë për mendimin tonë, atë skaj të debatit të cilit duan t’i kundërvihen qasjet e sotme feministe: marrëdhëniet mes patriarkalizmit, moralit seksual dhe libertinizmit, dhe rolit që luan sot “gaze” mashkullore në kulturë. Do të na interesonte, si revistë, të përqendroheshim këtu, në vend që të sillnim, me fjalët tona, jehonat e debateve që zhvillohen gjetiu, gjithë duke importuar “përgjigje” për pyetje që shoqëria shqiptare ende nuk i ka ngritur.
Ju kujtojmë edhe se, në këtë debat dhe në këtë moment, përparësinë do t’ua japim kontributeve nga gra dhe vajza – jemi të interesuar për zërat dhe pikëpamjet dhe përjetimet e tyre. Le të jetë kjo preferencë editoriale jona pjesë integrale e kontributit tonë si redaksi, në debat.
(c) 2021, Peizazhe të fjalës. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin