SHANSI I PAFOLSHËM

“It is the mark of an educated mind to be able to entertain a thought without accepting it.”
– Aristotle, Greek philosopher

nga Klaudia Koxha

E lexova me kërshëri artikullin e Gilma Boci dhe Mirja Lakso sepse rasti në fjalë më intrigoi tepër, konkretisht një rrëfim i banores së reality show Big Brother, Rudina Demneri, mbi dhunën që ajo kishte përjetuar në familje. Aq shumë e hasa këtë rast në rrjete sociale sa hyra të shikoja rrëfimin dhe më pas përballjen me dhunuesin i cili është në fakt bashkëshorti… bummer… janë ende bashkë. Produksioni, pra, e fton bashkëshortin në program për të diskutuar pikërisht mbi këtë rrëfim të banores. Një trofe me mbishkrimin “Aktorja më e mirë” që ai i dorëzon bashkëshortes dhe një fjali “Boll se lamë nam”, janë detajet që shkaktuan indinjatë kundrejt normalizimit të dhunës dhe televizionit si kontribuues i këtij fenomeni. Në vijim, artikulli e ilustron këtë përmes precedentëve të tjerë televizivë zhvilluar në kornizat e një mendësie patriarkale, për ta përmbyllur me statistika tronditëse mbi episode të dhunës ndaj gruas në Shqipëri.

Fatkeqësisht, megjithë trajtimin legjitim që i bëhet dhunës ndaj grave dhe kritikës ndaj rolit që luan televizioni në normalizimin e kësaj dhune, nuk e gjeta të ngritur atë çështje që më ngacmoi më shumë në rastin në fjalë. Më bëri përshtypje sesi banorja e Big Brother nuk e hodhi në asnjë moment poshtë bashkëshortin e saj, e quajti bashkëshortin e jetës dhe një baba të mrekullueshëm si dhe iu referua ngjarjes si një moment të vështirë të jetës së tyre (bashkëshorti kishte krijuar varësi ndaj alkoolit atëkohë) që mesa kuptova, ishte hedhur pas. Dhe pikërisht këtu ishte çasti kur nisa të mendoj pak jashtë kornizave.

Mund ta dënojmë dhunën, të rreshtojmë arsyet pse një grua ndihet e mposhtur dhe e pambrojtur, për rrjedhojë e pamundur për ta nxjerrë veten jashtë kësaj situate (mungesa e mbrojtjes institucionale, vështirësitë ekonomike, mendësia patriarkale), por si i bëhet nëse gjendesh para faktit të kryer, një familje që, po guxoj të hamendësoj, e ka tejkaluar këtë tragjedi? Po guxoj të hamendësoj sërish, një dhunues që ka luftuar me varësinë ndaj alkoolit për të mos e lënë këtë të fundit të përcaktojë qenien e tij si njeri. Tanimë rastin e kam shkëputur nga konkretja dhe po e mendoj më tepër si rast hipotetik. Fillova të kërkoj dhe jam ende në kërkim të studimeve apo artikujve të thelluar për të tilla raste sepse të detyrojnë me forcë të dalësh jashtë kornizave të diskursit politikisht korrekt feminist dhe të bëjnë të mendosh… again, bummer… për dhunuesin.

Duke njohur realitetin shqiptar dhe problemet e thella që kemi kryesisht në parandalimin e dhunës dhe romantizimin e saj, e kam thuajse të pamundur ta shkëpus anën time emotive dhe personale në të kuptuarit e këtyre rasteve por do doja të ndaja një episod që më shokoi pa masë në një nga workshop-et e fundit ku mora pjesë. Një studente e sociologjisë në ShBA punonte prej vitesh në një projekt me të burgosur të përjetshëm, kryesisht për krime fatale që i kishin kryer në të njëzetat e tridhjetat e tyre. Ajo ndalej në shkaqet, kryesisht sistemike, pse disa kategori njerëzish ishin më të prirur të kryenin krime me pasoja fatale. Procesi kishte të bënte me reflektimin ndaj krimit, faljen, dhe kthimin e këtyre personave (eventualisht, pas 20 e kusur vjetësh) në komunitet, si edhe kontributin që mund të japin te të rinjtë që janë të predispozuar ndaj këtyre akteve. “Një njeri që kryen një krim, njihet vetëm si kriminel. Është një akt që e përkufizon atë për gjithë pjesën e mbetur të jetës”, – na thoshte. “Ne përpiqemi t’u tregojmë se nuk ka pse të jetë kështu.”

M’u kujtua njëkohësisht një cikël leksionesh që zhvillohej në kuadër të diversitetit dhe çështjeve gjinore në universitetin ku studioj dhe punoj, që tentonte të ndërlidhte artin skenik me trajtimin e këtyre çështjeve. Me artisten e ftuar gjatë sesionit në fjalë, Nora Amin, koreografe, kërcimtare dhe aktiviste kundër dhunës ndaj grave, folëm sesi përmes letërsisë, teatrit, kërcimit dhe feminizmit mund të vendosim hapësirën artistike dhe gjithë mundësitë që arti ofron në kuadër të ndryshimit. Pasi ndoqëm një performancë rrëqethëse që trajtonte pikërisht dhunën ndaj gruas, diskutimi ceku dhe narrativën e dhunuesit, u shtrua pyetja sa i vlen ndryshimit fokusi ndaj narrativës së dhunuesit, sa e mundur është të arrihet kjo përmes artit, a është e mundur të konceptohet pa zhvlerësuar narrativën e viktimës?

Ne nuk jemi në stadin ku mund të sillet haptazi narrativa e dhunuesit. Dhunuesi te ne nuk ka ndërgjegje, nuk ka mëshirë, do ta kryente krimin sërish po t’i jepej mundësia. Dhunuesi te ne nuk dënohet, shpesh, mjerisht, as moralisht. Ndaj që të kuptohem drejt, kjo nuk është kritikë ndaj askujt, aq më pak ndaj autoreve të artikullit të cituar në krye të shkrimit. Me vetëdijen e plotë se qasjet e mësipërme janë ende të paperceptueshme, sepse realiteti ynë mbetet ende, në masë të madhe, i pa-artikulueshëm në ligjërim, do doja vetëm të jemi të ndërgjegjshëm që kur të marrim prej shembujve atë pjesë që bashkëtingëllon me besimet dhe mendimet tona, të mbllaçitim kompleksitetin e fenomenit, nëse ekziston, qoftë edhe prej vetë bezdisë dhe irritimit që na shkakton kjo gjë, që, guxoj të them, është çka tund dhe teston themelet e asaj që besojmë e mendojmë si absolute.

(c) 2021, Klaudia Koxha. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin