NJË LETËRSI PA KRITIKË…

Kemi autorë, të botuar e të pabotuar; kemi librari dhe biblioteka, madje edhe sajte online të specializuara për tregtinë e librit; kemi shtëpi botuese dhe panaire të librit; kemi konferenca, takime dhe evente të tjera; kemi katedra të letërsisë shqipe në universitetet; kemi revista letrare të financuara nga shteti dhe nga palë të treta; kemi më në fund lexues, të cilët ende janë gati t’i përballojnë çmimet e larta të librave.

Çfarë mungon në këtë tablo, dhe është mungesë serioze, është kritika letrare, si diskursi që lidh mes tyre lexuesit, autorët, politikat letrare të shtëpive botuese dhe të enteve publike; indi konektiv, pa të cilin komunikimi letrar nuk funksionon dot. Në SHBA, ku jetoj, janë të panumërta sajtet dhe revistat ku flitet për letërsinë, disa të një autoriteti të padiskutueshëm, si NYRB dhe Kirkus. Njëlloj edhe në Britaninë e Madhe dhe në Itali; nuk kam dyshim që ashtu ndodh edhe në Francë e në Spanjë (realitete që i ndjek më pak). Një sajt me reputacion të mirë dhe autoritet kulturor e ndihmon para së gjithash lexuesin të bëjë zgjedhje të qëlluara, por shërbimi që ofron e tejkalon atë të informacionit për lexuesin; në fakt, diskursi kritik është lubrifikanti që e mban makinën letrare në lëvizje.

Gjithnjë habitem, kur lexoj si autorë të mirë e kolegë seriozë, nga Shqipëria, ende vazhdojnë të shprehen me një farë përçmimi për kritikën, duke u konformuar kështu me qëndrime romantike, tashmë të tejkaluara krejt; e duke treguar, në mos gjë tjetër, të pakën analfabetizmin e tyre kulturor dhe padijen në lidhje me çfarë ndodh gjetiu dhe pozicionin qendror të kritikës brenda një sistemi kulturor. Sikurse zhgënjehem kur ndesh, rregullisht, një paaftësi për të kuptuar rolin e esesë, si formë diskursive, brenda diskursit kritik; një formë që ndërmjetëson midis tekstit mirëfilli letrar dhe studimit akademik; dhe që është e vetmja ku mund të artikulohet, në nivel intelektual të kënaqshëm, qasja e lexuesit ndaj librit (tekstit). Ka njerëz që do të mund t’i artikulonin mendimet e tyre shkëlqyeshëm nëpërmjet eseve, sikur të ishin familjarizuar me këtë formë. Tek e fundit, edhe një status në FB është ese në trajtë embrionale, që shpesh ngjall reagime njëlloj embrionale. Por embrionet nuk mjaftojnë…

Pa e përjashtuar efektin frenues që ka, te kritikët, opinioni përçmues i disa krijuesve, kam frikë se shkaku kryesor, që kritiku letrar te ne nuk arrin të afirmohet, si zë autoritar në dialogun letrar, ka të bëjë me cilësinë e hapësirave, ku duhej të artikulohej ky zë; dhe pikërisht, të revistave letrare dhe sajteve të specializuara për diskursin letrar refleksiv. E kam shkruar edhe më parë, se ato pak revista letrare që dalin, në shtyp dhe online, nuk i lënë vendin e mjaftueshëm diskursit mirëfilli kritik, duke u orientuar sa nga riprodhimi ritual i kultit të traditës, përgjithësisht shterpë, aq edhe nga botime nga autorë të mirë dhe më pak të mirë, edhe ato në thelb rituale. Nuk ua mbyllin dyert kritikëve, por mbajnë në këmbë dhe ushqejnë një model që nuk e favorizon dialogun, dhe aq më pak debatin; dhe për veprat bashkëkohore, edhe kur flitet, flitet me metodën tipike të historisë sociologjike të letërsisë, gati-gati, duke supozuar në heshtje se është fjala për vepra që po gatiten të hyjnë në histori, ose që e meritojnë të hyjnë. Ato recensione që dalin u ngjajnë analizave që bëhen në orën e mësimit të letërsisë, nga persona të cilët nuk janë në gjendje ta vendosin një vepër brenda krijimtarisë së autorit dhe as në sistemin letrar sinkronik; dhe aq më pak të shquajnë, në tekstin që kanë përpara, intertekstin. Pritet prej tyre që ta lavdërojnë librin, paçka se lavdërimi, njëlloj si edhe vlerësimi negativ, do të mbeten me impakt të kufizuar ndaj fateve të veprës dhe lexuesit vetë, në qoftë se nuk ballafaqohen me opinione të tjera kritike.

Një tjetër mungesë për mua e pafalshme, ka të bëjë me metodën, ose mënyrën si vendos dikush të flasë për një vepër; sidoqë nuk ka një metodë që të ketë epërsi automatike ndaj të tjerave, kritiku do të fitonte respekt dhe autoritet edhe duke u identifikuar me një metodë specifike të leximit profesional të veprës. Dhe këtu nuk është fjala që kritiku të shkëlqejë, duke iu imponuar jo vetëm lexuesit por edhe autorit vetë, por që diskursi kritik ta edukojë lexuesin njëlloj siç e edukon dhe e përfton edhe letërsia vetë.

Pa këtë ndihmë, lexuesi nuk mbijeton dot si individualitet, por mbetet në mëshirën e interesave komerciale të botuesve; ka ndodhur shpesh në Shqipëri, dhe do të vazhdojë të ndodhë, që këta botues t’u japin përparësi, ndonjëherë skandaloze, autorëve të huaj ndaj atyre vendës; dhe nga eksperienca ime, si autor, mund ta konfirmoj se shumë nga autorët e huaj që janë promovuar me të madhe në Panairet e Librit këto 10 vjetët e fundit nuk e kanë përligjur vëmendjen që u është kushtuar. Por nuk ka arsye të presësh, prej shtëpive botuese, që të ndihmojnë lexuesin për të gjetur librin që do; për këto institucione tregtare, lexuesi ideal është ai që blen çdo vit librat e promovuar në Panair dhe pastaj i harron të gjitha çka lexuar menjëherë, për t’u paraqitur, i virgjër dhe i freskët, por me xhepin plot, në Panairin e ardhshëm.

Edhe sistemi kulturor që varet në thelb nga letërsia ose lidhet me të – filmi, televizioni, teatri – nuk arrin të orientohet dhe ose mbyllet në vetvete, ose shkon të qëmtojë gjetiu. Një regjisor kinemaje sot në Shqipëri e ka praktikisht të pamundur që të gjejë romanin e përshtatshëm për ta shndërruar në film; përveçse po ta lërë punën që ka, dhe t’i marrë romanet me radhë. Një producent televiziv e ka praktikisht të pamundur, edhe ai, të gjejë romanin e përshtatshëm për ta shndërruar në serial. Njëlloj ndodh edhe me çmimet letrare, të cilat shpesh u shkojnë veprave të padenja dhe autorëve në thelb anonimë, të cilët përfundojnë pastaj të palexuar dhe të harruar; aq sa edhe lexuesit janë mësuar të mos i begenisin.

Meqë mekanizmat e ndryshëm që kujtojmë se mund të ndihmojnë lexuesin për të shkuar te libri nuk funksionojnë, atëherë komunikimi letrar nuk arrin dot të përftojë një tërësi organike, por mbetet i atomizuar; dhe rolin e veprave e zënë shkrimtarët, të cilët ftohen të performojnë në skenë, si të ftuar në atë talk show permanent, që janë “aktivitetet e librit”. Modeli i këtyre performancave është televizioni. Ka autorë që ndihen mirë në këtë rol, ka të tjerë që nuk e luajnë dot; ka edhe që e refuzojnë. Nuk është punë e shkrimtarit të flasë me lexuesin; shkrimtari i flet lexuesit me veprën e vet, dhe vetëm nëse arrin ta bëjë këtë, atëherë ka kuptim edhe muhabeti.

Ngado që të kthehesh, ndesh në përpjekje rituale, në përpëlitje si të një roboti që i është infektuar softueri. Dhe kjo ndodh ngaqë mungon diskursi kritik. Ato institucione publike që kujdesen për librin, autorin dhe lexuesin, duke administruar edhe fondet e vëna në dispozicion për këtë synim, do të bënin mirë që t’i jepnin përparësi mbështetjes së kritikës letrare, si diskurs refleksiv për veprat letrare, në sajte të caktuara, të cilat e fitojnë autoritetin në rrjedhë të kohës. Dhe kritikët letrarë duhen paguar; një shkrimtar edhe mund ta gdhijë, nga pasioni, duke shkruar një roman, por një kritik nuk e gdhin dot duke analizuar një roman: puna kritike me librin idealisht duhet të ishte njëlloj e pagueshme sa edhe shtypshkronja.

© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin