FAJIN (NUK) MA KA… MOSHA

M’u kujtua motoja e këtij tetori të librit, Fajin ma ka gjuha, teksa mendoja për “të rinjtë” e sotëm në letërsi, të cilët po gëzojnë vëmendje institucionale të pazakonshme; m’u kujtua pikërisht ngaqë shqipja, për dreq, e përdor mbiemrin i ri edhe me kuptimin “i ri në moshë” (young, giovane), edhe me kuptimin “që është shfaqur tani së fundi” (new, nuovo); madje, sikur të mos mjaftonte kaq, edhe i ngatërron këto dy kuptime. Mirëpo letërsisë i intereson “mosha” jote letrare, ose vitet që ke dalë në skenë si shkrimtar; jo mosha biologjike – prandaj mund të ndodhë që një shkrimtar letrarisht i ri, të mos jetë dhe aq i ri në moshë (më rrallë edhe e kundërta). Etj.

Për arsye të vetëkuptueshme, pyetjes pse i intereson letërsisë “mosha” letrare e dikujt, nuk do t’i përgjigjem dot me avazin e vjetër “sepse Partia… gjithnjë i ka kushtuar kujdes dhe vëmendje brezave të rinj, që janë e ardhmja e letërsisë, etj.” Përkundrazi, fokusi duhet mbajtur te çfarë sjellin “të rinjtë” në letërsi – dhe këtu shqipja na ndihmon, sepse na lejon të përdorim në thelb të njëjtin mbiemër dhe të themi: çfarë sjellin të re këta “të rinj”, meqë letërsisë i duhet e reja, jo sepse e reja është detyrimisht për t’u preferuar ndaj më pak të resë, por sepse një letërsi “e re” që nuk sjell gjë të re, nuk është më letërsi, por është mjekra dhe thonjtë që vazhdojnë t’i rriten një të shkreti edhe pas vdekjes.

Prandaj edhe vëmendja e tanishme institucionale ndaj “të rinjve” letrarë vepron si thikë me dy presa: u jep këtyre ekspozimin aq të nevojshëm ndaj publikut, por edhe i vë njëfarësoj në provë, sepse shumëkush do të pyesë se çfarë sjellin “të re” këta autorë, në panoramën letrare. Kësaj pyetjeje nuk i jep dot kush përgjigje – sa kohë që nuk ka një kritikë letrare funksionale, që të ndërmjetësojë në marrëdhëniet e veprave me lexuesit. Unë vetë, si i interesuar për letërsinë shqipe bashkëkohore, nuk di ç’përgjigje të jap – meqë nuk i njoh mjaftueshëm veprat e “të rinjve”.

Por ndonjë gjë edhe unë e kam vënë re – për shembull, që “të rinjtë” zakonisht nuk bëjnë zhurmë (e theksoj, zakonisht, sepse ka edhe ndonjë që gumëzhin si xhezveja e kafesë turke në zjarr), kushedi ngase janë të ndrojtur apo konformistë apo thjesht ngase nuk u shkon mendja të bëjnë zhurmë, nuk e kanë kuptuar që për të riun zhurma nuk mund të shmanget, është pjesë e përkufizimit dhe e “misionit”. Ironikisht, më fort përplaseshin brezat letrarë në vitet e totalitarizmit, se ç’përplasen sot. Ata që e njohin historinë e letërsisë së realizmit socialist (dhe nuk e çnjohin dot), do të kenë dëgjuar për konfliktin në fillimvitet 1960 mes poetëve të sapokthyer nga Bashkimi Sovjetik, si Kadareja dhe Agolli, dhe poetëve më tradicionalë; ishte konflikt gjakatar, me implikime edhe politike (shih: heqje e të drejtës për botim; shih edhe: riedukim në gjirin e klasës punëtore). Fituan të parët, sepse patën – çuditërisht – përkrahjen e Hoxhës (deus ex machina)!

Si rregull, një autor “i ri” do të ndeshet, herët a vonë, me inercinë dhe viskozitetin e traditës dhe do të ndihet ngushtë në xhaketat e pararendësve, madje edhe po t’i ketë kthyer mbrapsht; që këtej edhe nevoja, gati formale, për rebelim. Në rrethana të tjera, ky rebelim mund të merrte edhe trajtat e skandalit; por sot për sot, në klimën e çlirët të komunikimit kulturor, do të pritej të paktën debati. Debat që do të lindte sapo letërsia e re t’u kundërvihej kanoneve tradicionale, që nuk e lënë të zhvillohet lirshëm. Do të pritej që palët të organizoheshin në qarqe letrare dhe revista; do të pritej që të kishte, të paktën, një pol konservator dhe një pol liberal, ky i fundit në kundërvënie haptazi me traditën.

Mua më duket se këto gjëra nuk kanë ndodhur dhe se në pishinën e letërsisë bashkëkohore shqip ka vite që llapashiten paqësisht të vjetër e të rinj, tejet të kujdesshëm për distancimin minimal nga njëri-tjetri; dhe se panorama letrare tek ne po kristalizohet si jashtëzakonisht konservatore, qoftë për raportet që vendos me traditën, qoftë me sfidat e munguara, prej të rinjve, ndaj statu quo-së. Ato pak revista letrare që mbijetojnë, i përkushtohen gati ekskluzivisht kultivimit të traditës, duke u bërë koncesione të herëpashershme “të rinjve” si prani, por jo risive; nuk lexoj kënd, që të vërë në pikëpyetje format letrare që lëvrohen sot dhe të parashtrojë ndonjë platformë teorike, për t’u shkëputur nga inercitë gjithfarësh dhe diktati i gurëve të varrit. Por mbase nuk kam lexuar aq sa duhet.

Pse nuk ka rebelim në letrat shqipe? Ç’vlerë do të kish promovimi institucional i të rinjve, nëse këta të rinj nuk shqetësojnë kënd e nuk ia nxjerrin kujt gjumin; madje, edhe kur begenisin t’i artikulojnë parimet e tyre krijuese në publik, shpesh tingëllojnë më të vjetruar edhe se të vjetrit? Si mund t’i hapin këta të rinj vend vetes krijuese, në rrethanat kur nuk guxojnë kurrë të përballen me establishmentin e vlerave letrare? Si mund të bashkëjetojnë kaq paqësisht këta të rinj me një klimë letrare që sa vjen dhe e redukton komunikimin letrar në një varg liturgjish dhe ritualesh, për vlera që tashmë janë transferuar nga letërsia në ikonostaset e kombëtarizmit? Si nuk dëgjova një prej “të rinjve” që të ngrihet e të thotë haptazi dhe publikisht: boll me nekrofilinë kulturore të përvjetorëve të De Radës, të Naimit e të Fishtës, se po na zë frymën?

Por “të rinjtë” nuk i dëgjoj as të identifikojnë para-ardhësit e tyre, burimet, origjinat nga vijnë, modelet letrare, ose të shtyhen më tutje se thjesht deklarimet e vakëta identitare, mbi bazë krahinore a fetare. Mbase edhe këtu është faji im që nuk dëgjoj mirë (efekti cerumen), mbase kjo vjen nga mungesa e forumeve të përshtatshme, ku autorët – të rinj e të vjetër – të përballen mes tyre dhe të flasin shtruar për teknika, metoda dhe atësime; dhe këtë e them duke e ditur mirë rëndësinë që ka teknika dhe metoda, në krijimin letrar. Këto forume, sikur të ishin, do të mundësonin edhe debate dhe ballafaqime pa dorashka, por jo thjesht të tipit “unë të lashë ty të flasësh, tani e kam radhën unë”, dhe as të modeluara sipas debatit politik; por të llojit profesional, që do të shërbenin edhe si shkolla të mendimit kritik. Ashtu mbase edhe “të rinjtë”, por edhe më pak të rinjtë, do të bindeshin se origjinaliteti krijues nuk mund të kuptohet pa intertekstualitetin dhe se ai autor, të cilit nuk i kuptohen influencat, është thjesht i mangët, në kuptimin që lë për të dëshiruar.

Flitet shumë për traditën; për mua, flitet edhe tepër, edhe shëmtuar. Dhe kjo, paçka se kultura shqipe në përgjithësi dhe letërsia në veçanti nuk e ka një traditë aq të lavdishme, që ta meritojë vëmendjen e ekzagjeruar që i jepet. Të mendosh se letërsia shqip – me pak përjashtime të njohura dhe irrelevante – e përjetoi romanin e vet të parë nën realizmin socialist; që vetëm dikur në vitet 1920-1930 arriti të shkëputej nga tetërrokëshi dhe nga folklori; që për arsye të njohura jashtëletrare ka qenë e detyruar të shtjellohet e të zhvillohet si vegël didaktike, për shkollën shqipe, dhe fill më pas, si instrument për edukimin “komunist” të masave punonjëse; që veprat e veta artistikisht më të arrira – me gjasë ato të letërsisë arbëreshe, me De Radën në krye – i ka të palexueshme nga ne të sotmit, për shkaqe gjuhësore; dhe që deri vonë, madje nga disa sot e kësaj dite, vazhdon të promovohet seriozisht, edhe në shkolla, si pjesë e ligjërimit “kombëtarist”. Por unë nuk shoh, në krijimtarinë e sotme letrare – nga të rinj e nga më pak të rinj – ndikime dhe birësi të mirëfillta nga Naimi dhe Fishta, por as edhe nga Lasgushi dhe Noli. Të dalë e të më thotë një poet, more një i vetëm, që ka zgjedhur të rrjedhë nga Asdreni. Një dramaturg që ka ngërthyer në vepër Et’hem Haxhiademin. Një tregimtar që frymëzohet në stil nga Mihal Gramenoja… Nga autorët e paraluftës, mund të gjesh të mbijetuar dhe të trashëguar me siguri Migjenin dhe tani edhe Koliqin (Fishtën dhe sidomos Konicën në publicistikë); ndërsa De Rada vërtet ka lënë gjurmë të madhe në poezinë shqipe të viteve të pasluftës e ndoshta deri më sot, por vetëm në versionin “e përkthyer” në shqipen standard.

Pse detyrohem t’i vë këto gjëra në dukje? Sepse “të rinjtë” rrezikojnë tani të vendosin një lidhje perverse me traditën, duke u identifikuar me autorë prej të cilëve, përndryshe, tekstualisht nuk kanë trashëguar asgjë; ose edhe më keq, duke e përjetuar traditën si një lloj skripture, ose koleksioni tekstesh të shenjta, të cilat duhen adhuruar dhe përmendur periodikisht, por jo edhe shfrytëzuar si xehe të intertekstualitetit. Prandaj, ndoshta – ndoshta – qartësimi dhe shkoqitja e raporteve me traditën mund t’u shërbejë, të rinjve dhe të tjerëve, edhe si një mënyrë për ta normalizuar përmasën kohore në aktualitet, për t’i nxjerrë autorët e vjetër nga kalendari dhe për t’i integruar në tekstin letrar. Ashtu edhe veprat e reja – nga të rinjtë dhe më pak të rinjtë – do të fitonin një thellësi intertekstuale, ose një polifoni letrare, që unë sot shpesh nuk e gjej (por edhe nuk është se e kam kërkuar sistematikisht).

Gjithsesi, kur flasim për “të rinj”, e kemi vendosur muhabetin në temporalitet, ose po e soditim procesin letrar në “bërje” e sipër, a në rrjedhë të kohës. Dhe për fat të keq, ky temporalitet u kujton shumëve historinë e letërsisë, duke i ngashënjyer me idenë se suksesi letrar – në ide, në risi, në publik – do të matet me përfshirjen në histori, çfarë është edhe ekuivalenti i efektit të atyre këngëve që u ngrinin kaçakëve dhe pashallarëve dikujt. Sot për historinë e letërsisë shqipe flitet edhe në nivel institucional (akademik dhe universitar) edhe pse – siç më duket mua – nuk po sqarohet baza teorike e kësaj historie letërsie, kriteret e saj dhe premisat, të cilat duhen zgjedhur nga një mori alternativash; meqë edhe vetëm bindja se ka vetëm një histori letërsie i ka rrënjët në periudhën sociologjike të mendimit letrar, praktikisht në estetikën sovjetike staliniste. Dhe kjo temë, e historisë letrare, as kjo nuk është pa lidhje me problematikën e “të rinjve” dhe të “risisë”, sepse reflekset historike-kritike, që i kanë mbijetuar përmbysjes së monizmit, vazhdojnë ta shohin suksesin letrar si të pandarë në mos nga shteti, të paktën nga institucionet publike. Duke pasur pastaj parasysh se alternativa, që e bazon autoritetin letrar të dikujt mbi përkthimet e veprave përkatëse në gjuhë të mëdha, është edhe më e mjerë, atëherë do ta kuptojmë edhe më mirë, se sa të vështirë e kanë “të rinjtë”, për t’u orientuar në det sipas yjeve.

Zgjidhja? Unë nuk kam zgjidhje. Mbase do të ishte e nevojshme që “të rinjtë” ta kapitalizonin vetëdijen e tyre, prej brezi, jo ngaqë konsiderohen si të tillë prej të tjerëve, dhe jo thjesht ngaqë kanë arritur të botojnë diçka në tregun e deformuar të librit shqip; por ngaqë ajo vetëdije, si vetëdije letrare, do t’i ndihmojë që të realizohen artistikisht dhe ta thonë fjalën e tyre në mënyrë të tillë që t’u dëgjohet nga lexuesi, por edhe nga establishmenti. Dhe nuk shoh rrugë tjetër si mund të arrihet kjo, përveçse në mënyrë dialogjike, ose në ballafaqim me Tjetrin. Në mënyrë që të flitet më shumë dhe më mirë për letërsinë e re, mbase edhe duke e reduktuar hapësirën që ende i rezervohet traditës në mediat kulturore. Sikurse duhet guxim. Guxim.

© 2021 Peizazhe të fjalësᵀᴹ. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin