Politika lakuriq

Botimi i fotove të Edi Ramës lakuriq në plazh e gjetiu, nga disa gazeta në Tiranë pikërisht në prag të zgjedhjeve lokale atje, është nga ato ngjarje që nuk mund të të lërë indiferent. Për fat të keq, ky incident duket se ia ka dëmtuar më shumë reputacionin shoqërisë civile në Shqipërinë post-totalitare, sesa Edi Ramës vetë.

Fotot pas gjase janë botuar nga një palë që kërkon ta pengojë jo thjesht e jo aq rizgjedhjen e Ramës si kryetar bashkie, sesa karrierën e tij politike të mëtejshme. Meqë ky gjest është i skajshëm në vetvete dhe fton për reperkusione njëlloj të skajshme, atëherë duhet menduar se kundërshtarët e tij, cilëtdo qofshin, kujtojnë se, edhe sikur ta fitojnë betejën e tanishme, luftën afatgjatë me Ramën e kanë humbur qysh tani.

Pavarësisht se ç’është thënë poshtë e lart, unë nuk dua të besoj që Berisha dhe Olldashi të jenë implikuar drejtpërdrejt në këtë silurim, edhe pse do të kisha dashur edhe që këta ta denonconin tani me forcë të madhe botimin e fotove (gjë që nuk e bënë). Edi Rama në sferën politike shqiptare tashmë përfaqëson një faktor të cilin shumëkush përpiqet ta neutralizojë, thjesht ngaqë ai gëzon përkrahje të shumëkujt tjetër – brenda dhe jashtë vendit.

Çështja këtu nuk është thjesht te kryebashkillëku i Tiranës, por se kush do të marrë timonin e së majtës, dhe ndoshta të qeverisë shqiptare në vitet e ardhshme. Nga kjo pikëpamje, fotografitë pa dyshim do t’ia dëmtojnë shumë Ramës perspektivën si lider i PS-së, deri në atë pikë sa vetë partia e tij mund të jetë e detyruar ta zëvendësojë e ta largojë nga drejtimi, për shkak të ekspozimit ndaj kritikave.

Pavarësisht se ç’thuhet nga analistët liberalë në mediat, që më tingëllojnë ende të shokuar, e pavarësisht nga gatishmëria e supozuar e shumë të rinjve tiranas për ta likuiduar këtë incident si sulm të shëmtuar ndaj një figure politike, masa e votuesve dhe e publikut në Shqipëri nuk e pranon lehtë një stil të jetuari që shoqërohet me lakuriqësi publike.

Në të vërtetë, fotot që pashë të botuara në “Sot” nuk janë foto të nxjerra me teleobjektiv nga ndonjë paparazzo; por foto të marra me dijeninë dhe pëlqimin e të zotit, nga ndonjë i njohur a dashamirës. Krahasimi që bëhet me fotot e ndryshme të celebrities që botojnë fletushkat e skandaleve në Perëndim nuk qëndron; sepse ato të Ramës janë foto thellësisht private, të destinuara për përdorim privat.

Në rastin e fotove të paparazzi, i dënueshëm është para së gjithash akti i dhunimit të privatësisë të personit, nëpërmjet teleobjektivit; dhe vetëm më pas botimi i fotos nga një gazetë e verdhë përkundrejt pagesës. Në rastin e fotove të Ramës, dhunimin privatësisë së kryetarit të bashkisë së Tiranës ia ka bërë gazeta “Sot”, jo objektivi i kameras.

Publikut në Shqipëri e gjetiu nuk i shpëton që Rama ka pozuar në këto foto. Qëllimi i siluruesve të “Sot” ka qenë jo t’u tregojnë lexuesve hallatet e politikanit të majtë, as parapëlqimin e tij për të plazhuar nudo, por pikërisht dëshirën e gatishmërinë e tij për t’u fotografuar lakuriq, meqë kjo do ta prezantokësh, njëfarësoj, si “të degjeneruar” e të papërshtatshëm për të udhëhequr Shqipërinë.

Çështja nuk është, pra, as te frekuentimi i plazheve nudiste nga Rama, as te heqja e brekëve në një plazh publik e as te përdorimi i kompjuterit lakuriq – por pikërisht te gatishmëria e Ramës, nëse mund të shprehem kështu, për t’i pasur këto momente të përjetësuara në foto. Te kjo gatishmëri shumë njerëz do të shohin, sikurse edhe kanë parë, dëshirën për transgresion banal, ose një ekzibicionizëm seksual që nuk mund të mos ia dëmtojë Ramës ambicjet politike të mëtejshme.

Vetë, nuk arrij ta kuptoj si Rama është treguar aq i shkujdesur, sa t’i ketë lënë këto foto t’i qarkullojnë. S’është çudi që ndonjë mendje psikanalizuese të shihte këtu, pas gjase, dëshirën e pavetëdijshme për t’u ekspozuar… Kjo nuk di pse më kujton personazhin e marrë Joe Devola nga seriali komik “Seinfeld”, i cili e linte hapur derën e apartamentit të vet, meqë “he liked to encourage intruders.”

Nuk është e qartë si kanë përfunduar këto foto private në duar të gazetarëve të “Sot” e të asaj gazetës tjetër në Sarajevë që i paska botuar e para. Në Internet kanë qarkulluar versione të tyre të paretushuara dhe eksplicite, të cilat pa kurrfarë dyshimi nuk janë kopjuar nga kopertina e “Sot”.

Asnjë gazetë serioze, kudo në botë, nuk do të pranonte të botonte materiale të tilla private nga jeta e një politikani sado të spikatur. Ka disa kufij që mbrohen me ligje të pashkruara, e që nuk duhen shkelur. Është për të ardhur keq që deri edhe gazetarë me emër, si Mero Baze, e kanë përdorur këtë skandal për të sulmuar Edi Ramën më tutje.

Nga ana tjetër, mbrojtës e dashamirës të Ramës kanë shpjeguar se të dalët lakuriq plazheve publike të Perëndimit qenka normale dhe krejt e tolerueshme. Këta duket sikur nuk duan ta kuptojnë se (1) në Shqipëri e në përgjithësi në Ballkan e në Evropën katolike lakuriqësia publike ende nuk pranohet dhe (2) problemi nuk është aq te lakuriqësia vetë, sesa te dëshira e Ramës për t’u fotografuar i zhveshur.

Që kur filloi kjo fushatë, megafonët e PD-së kanë ngulur këmbë në hollësi të jetës private të Ramës, preferencave të tij seksuale, të dashurave, grave, gjyqeve. Kjo më është dukur gjithnjë e neveritshme, sepse askush nuk ka jetë private të kulluar, me përjashtim të atyre që nuk kanë jetë private fare. Është meritë e padiskutueshme e Ramës që nuk e ka përlyer gojën, ai vetë, në akuza të kësaj natyre për kundërshtarët politikë.

Por Rama, nga ana tjetër, ka dashur gjithnjë ta paraqitë veten si figurë kontroversiale madje transgresive, jo vetëm në sjelljen e tij personale në publik, por edhe në stilin e drejtimit të bashkisë së Tiranës. Në këtë kuptim, të dalët në fotografi lakuriq dhe bojatisjen e fasadave në Tiranë i bashkon një fill konsistence stilistike. Çështja është nëse Shqipëria do ta pranojë dot një udhëheqës të tillë, më lart se Bashkia e Tiranës.

Vetëm pak ditë më parë u fol e u diskutua gjatë për një poster që i ftonte të rinjtë të votonin (“Shkunde Votën”), nëpërmjet fotos së këmbëve lakuriqe të një femre. Lakuriqësia në sfond erotik ishte përdorur për të zgjuar nga letargjia masën e votuesve të rinj në Tiranë. Fotot porn të kryetarit të bashkisë së Tiranës janë, në këtë rast, ana tjetër e së njëjtës medalje, dhe më bindin edhe më se politika duhet t’i qëndrojë larg mishit.

Nëse shtyhemi edhe më në kohë, do të na kujtohet një videoklip i çuditshëm i Nikoll Lesit duke iu shmangur një femre në një nevojtore restoranti, e më tej biseda e përgjuar e Nanos me Abdiun; nëse përkundrazi, duam të kthehemi përsëri në fushatën e sotme, nuk mund të na shpëtojë lajmi i pak ditëve më parë se PS-ja ka investuar rreth 150.000 euro për të blerë e instaluar telekamera që do të “kontrollojnë” procesin e votimit në qendrat.

Të gjitha këto orvatje për të mbrehur teknologjinë në shërbim të fiksimit të “realitetit” tradhtojnë një krizë të thellë të legjitimitetit të klasës politike në Shqipërinë e sotme. Ndryshe nga, bie fjala, Berlusconi e Prodi në Itali, në Shqipëri krerët e forcave politike kundërshtare nuk ia njohin shoku-shokut as edhe thjesht atributet prej lideri.

Më në fund, Rama nuk ishte i vetëm në ato foto. Në dy prej tyre pashë dhe njoha një vajzë – të dashurën e tij – e cila është fyer njëlloj si partneri i saj, në mos shumë më rëndë, nga provokimi i “Sot”. Ajo vajzë nuk është figurë publike, as ka kërkuar të dalë në krye të Shqipërisë, as është përfshirë në luftën e ashpër politike atje. Sikurse e njoha unë, do ta kenë njohur edhe qindra të tjerë…

[2007]

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin