SI-LOGJIZMA

nga Alket Çani

 

MAGISTER DIXIT

Mjekra s’të bën filozof.

Mustaqet, po.

 

CAPITIS DIMINUTIO

Më mirë një mik se një çiflik

Më mirë një fik sesa një mik

 

Më mirë një tik sesa një fik

Më mirë një . sesa një tik

 

Më mirë një ik sesa një .

Më mirë një k sesa një ik

 

UBI BENE IBI PATRIA

Se në qytet më mirë në pyll

Sesa në pyll më mirë në mill

 

Më keq në mill se bëhesh syll

Sesa në mill më mirë në yll

 

TË KESH APO TË JESH

Më mirë të jesh sesa të kesh

Më mirë të flesh sesa të jesh

Më mirë të cash sesa të flesh

 

NE QUID NIMIS

Më mirë syri sesa nami

Më mirë nami se nishani

 

HOMO HOMINI LUPUS

Burri për burrin është ujk

Gruaja për gruan është ujkonjë

 

HUBRIS

Punën s’e bën një gisht, por e bën grushti

Punën s’e bën një grusht, por e bën krahu

 

QUIA NOMINOR LEO

Më mirë një luan në krye të gomarëve

Sesa një gomar në krye të luanëve

 

ABYSSUS ABYSSUM INVOCAT

Gojën mbylle, sytë mbaji hapur

Sytë mbylli, veshët mbaji hapur

Veshët mbylli, hundët mbaji hapur

Hundët mbylli, goja rri e hapur

 

VOX CLAMANTIS IN DESERTO

Mendo 100 herë dhe fol 1 herë

Mendo 1 herë dhe fol 100 herë

 

VOX POPULI, VOX DEI

Shtëpia pa fëmijë si nata pa yj

Nata pa yj si Olimpi pa hyj

Olimpi pa hyj si shtëpia pa fëmijë

 

URBI ET ORBI

Nga një vërë e vogël rrjedh e gjithë fuçia

Nga një vërë e vogël del krejt gjithësia

 

CAVE CANEM (I)

Qeni që leh, nuk kafshon

Qeni që nuk leh, kafshon

 

CAVE CANEM (II)

Qentë le të lehin, karvani të shkojë përpara

Qentë le të mos lehin, karvani të shkojë mbrapa

 

CAVE CANEM (III)

Përmend qenin, bëj gati shkopin

Përmend shkopin, bëj gati qenin

 

SI VIS PACEM, PARA BELLUM

Nuk mund të bësh omëletë, pa thyer vezët

Nuk mund t’i thyesh vezët, pa i goditur

 

FIT FABER FABIENDO

Mos mëso ustanë, po merri zananë

Mos e vra ustanë, pa i marrë zananë

 

QUALIS ARTIFEX PEREO

Kush mba vesh botën, prish kokën

Kush mba vesh kokën, prish botën

 

NON OMNIA POSSUMUS OMNES

Kam inat, po s’kam takat

Kam takat, po s’kam surrat

 

CARPE DIEM (I)

Mos i bjer të mirës me shkelm

Bjeri me dorë

 

CARPE DIEM (II)

Më mirë një bole sot se dy bole nesër

Më mirë dy bole sot se tri bole mot

 

SUTOR, NE SUPRA CREPIDAM

Mos i hyr valles kur nuk di ta hedhësh

Mos ia dridh gruas kur nuk di ta dredhësh

 

REDDE CAESARI QUAE SUNT CAESARIS

Mos kërko qiqra të pjekura në hell

Kërkoji qiqrat të pjekura në diell

 

IN VINO VERITAS

Ç’bluan mendja, zbulon pija

Dëfton fëmija ç’ka shtëpia

Fëmija është dehur nga pija

 

TU QUOQUE, MI FILI

Rrit këlyshë të të hanë kokën

Vrit këlyshët të shpëtosh kokën

 

DURA LEX, SED LEX

Kur flet shkopi, të vret

Kur hesht shkopi, vritesh

 

NJERIU ËSHTË MASA E ÇDO GJËJE

Kush ka matur veten, ka matur gjithë botën

Kush ka matur botën, ka harruar kokën

 

ULTIMA VERBA

Gazi i madh kthehet në helm

Helmi i madh kthehet në gaz

 

(c) 2021 Alket Çani. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Imazhi në kopertinë: Jacek Yerka, Low-Cost Airlines

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin