TË JESH KONSERVATOR NUK DO TË THOTË TË JESH ANTIGRUA

nga Mustafa Nano

1. Konservatorët dhe gruaja në shoqërinë shqiptare

Më tërhoqi vëmendjen një shkrim i Eda Derhemit (Femrat e pamoralshme të Kadaresë), e cila ishte ngacmuar, asëll-asëll bezdisur, nga një pasazh “seksist” në librin e fundit të Ismail Kadaresë (një dialog i shkrimtarit me gazetaren Alda Bardhyli, të sapobotuar nën titullin “Kohë për rrëfim”): “Në letërsi femrat i kam trajtuar zakonisht si femra problematike, me një moral jo të përsosur. Femra të tilla më dukeshin interesante. Dhe është e vërtetë kjo që këto lloje femrash të lirshme, jo fort të moralshme, janë interesante. Të tjerat nuk më kanë interesuar. Më duket se të gjithëve nuk u interesojnë të tjerat. Femrat me një tis ‘negativ’ janë interesante. Sepse ato krijojnë edhe problemet, edhe pakënaqësitë, edhe dramat.”

Bazuar në këtë pasazh, ajo e merrte Kadarenë për antigrua, dhe me këtë rast jepte edhe ndonjë mendim të vetin mbi qëndrimin e shoqërisë, sidomos burrave, ndaj grave. Të njëjtën gjë bënte edhe Irma C. në një shkrim tjetër që pasoi atë të Edës. Unë do kisha dashur që ato të shprehnin diçka më shumë mbi qëndrimet e ndjeshmëritë e tyre, por edhe me kaq sa shprehën del qartë se ato janë feministe e progresiste (ç’është e vërteta, mbi Eda Derhemin, të cilën e kam ndjekur në vijimësi, nuk kam dyshime që është e tillë). Dhe mua më duket se gërnja e tyre me Kadarenë është në thelb një gërnjë midis progresistëve e konservatorëve, sido që këto dy terma kanë nevojë në çdo rast të përkufizohen, pasi rëndom secili i shtrin dhe i mbledh si llastik. Konservatorë mund të quajmë edhe ata që mendojnë se gruaja duhet rrahur; e duhet rrahur për të mirën e saj. Dhe progresistë mund të quajmë edhe ata që mendojnë se gruaja është një konstrukt social para se të jetë një fakt biologjik. Por Kadareja nuk bën pjesë te të parët. Ndërsa për Edën e Irmën nuk e di nëse bëjnë pjesë te të dytët. Kohët e fundit janë shtuar shumë progresistët që duan ta heqin fjalën “grua” prej leksikonit të tyre në debatin publik. Te kjo pikë do kthehem më pas, sidoqoftë.

Të rrimë shtrembër e të flasim drejt, Kadareja ngjan herë-herë edhe më konservator sesa del prej pasazhit të bujshëm. Në librin e tij, ai lë të kuptohet se numri i vogël i grave të shquara e të suksesshme në historinë tre mijë-vjeçare të letërsisë botërore nuk është provë se atyre u është bërë ndonjë padrejtësi. Historia e njerëzimi nuk bëjnë gabime, sintetizon ai. Por kjo nuk është ide vetëm e tij. E thonë edhe shumë konservatorë të tjerë. Deri edhe Jordan B. Peterson-it, që përfaqëson shprehjen më të stërholluar të mendimit të sotëm konservator, nuk i mbushet kaploqja se gratë kanë qenë viktima të patriarkalizmit. E kam dëgjuar në një intervistë televizive ta shpjegojë mosshkëlqimin e grave në histori me disa karakteristika të tyre, që i bën të painteresuara të shkëlqejnë, apo ndoshta edhe të sundojnë botën.

Në këtë pikë, kam frikë se J. Peterson e I. Kadare janë gabim. Bota ka qenë prore e sunduar nga burrat, të cilët, për ta legjitimuar këtë të drejtë për të sunduar, kanë shpikur norma morale, ideologji të ndryshme e institucione të posaçme. Këto institucione, ku përfshihen edhe fetë, sidomos fetë, e kanë përcaktuar qartë vendin dhe rolin e grave. Vendi i tyre ishte në shtëpi, e roli i tyre ishte t’u bindeshin e shërbenin burrave. Në këtë kontekst, është e pakuptimtë dhe e padrejtë të mos e lidhësh mosshkëlqimin e grave në histori me patriarkalizmin. Unë nuk them se, në mungesë të patriarkalizmit, gratë do të ishin më të suksesshme se burrat, apo se domosdoshmërisht do të kishim më shumë gra filozofe, shkencëtare, apo ku di unë çfarë tjetër. Nuk kemi si ta dimë këtë, pasi suksesi në fusha të caktuara nuk përcaktohet vetëm nga mundësia e hapësira për t’u shprehur e realizuar. Përcaktohet edhe nga disa cilësi e dispozicione gjinore. Fjala vjen, gratë kompozitore e gjenerale ndoshta do të ishin me pakicë. Por doktoreshat, shkrimtaret, piktoret, politikanet e kleriket (nëse do të lejoheshin të ushtronin përgjegjësi në hierarkinë ekleziaste) do të ishin të shumta. Mes papëve, artistëve të rilindjes europiane, iluministëve, udhëheqësve të revolucionit francez, themeluesve të shtetit amerikan etj., etj., do të kishte pasur mirëfilli edhe gra.

Edhe historia e vendit tonë prej Krishtit e tëhu është një histori burrash. Patriarkalizmit, që ka qenë karakteristikë e kohëve, ne i kemi shtuar diçka nga vetja. Në Shqipërinë e fundit të mesjetës, frymën mizogjine të librave të shenjtë e kemi përforcuar edhe me kanunet tona, për të cilët gruaja vlen më pak sesa kafshët. Kanuni i Lekë Dukagjinit, fjala vjen, e “xen gruen si një tepricë në shpi” dhe e konsideron “shakull për me mbajt”. Mos do duhej të prisnim në këto rrethana që në vend të, apo krahas, Gjon Buzukut, Pjetër Budit, Pjetër Bogdanit, të dilte edhe ndonjë grua që ta shkruante e para gjuhën shqipe? Kurrsesi. Më lehtë mund të vinte fundi i botës. Po kështu, nuk kishte se si, ndër themeluesit e drejtuesit e lëvizjes për emancipim kombëtar, të kishte edhe gra, s’ka gjë se në të njëjtën kohë, në Europë, gratë kishin filluar të bëheshin të zëshme në jetën publike e në veprimtarinë intelektuale, si aktiviste politike, shkrimtare, piktore, përkthyese, publiciste (Elena Gjika ishte njëra syresh). Shqiptarëve do t’u duhej të prisnin edhe disa dekada për të parë ndonjë grua të shfaqej si protagoniste në jetën e tyre kombëtare. Të parat ishin motrat Qiriazi, të cilat, sidoqoftë, ishin më shumë një episod, sesa rrjedhojë e ndonjë ere emancipimi që kishte mbërritur mes shqiptarëve. Po njësoj, episodike, ishte edhe shfaqja nja njëzet vjet më vonë e Nexhmie Zaimit, të cilën një dreq e di pse nuk e përmend askush. Është një nga personazhet më interesantë të historisë sonë të shekullit XX. Ishte adoleshente kur, në vitet ‘920, ndonëse lindur e rritur mes njerëzve që faleshin pesë herë në ditë, pati guximin t’i thoshte të atit, që ishte mysliman i thekur: “Nuk e vë ferexhenë në kokë; më mirë vras veten”. Për mua, kjo është e pabesueshme, po aq sa është sot e pabesueshme të dalë një djalë nga ndonjë fshat i Mallakastrës apo i Malësisë së Madhe e t’i thotë të atit, se ka ndërmend të martohet me një djalë tjetër, me të cilin ka rënë në dashuri. Sikur ta kisha unë në dorë, jetëshkrimin e Nexhmie Zaimit me titullin “Bija e shqipes” do ta përfshija në kurrikulat e shkollave tetëvjeçare.

Shkurt, ky qëndrim i I. Kadaresë (dhe i J. Peterson-it) nuk ta mbush shumë mendjen. Por progresistët nuk ka pse të marrin zjarr e t’i mbrehin qetë në raste të tilla. Kanë përballë ca ide, me të cilat mund të debatojnë, e jo një njeri, i cili duhet linçuar. Ta quash tjetrin seksist, është si t’i kesh vënë një damkë. Në të kundërt, ta quash konservator, është si të shohësh tek ai një njeri që ka një vizion alternativ mbi gjërat, njerëzit, jetën. Ismail Kadare duhet marrë pra, për atë që është. Është një konservator, një konservator tipik, një nga intelektualët më konservatorë të Europës, ku ka edhe shumë të tjerë që e shohin botën me syze si të tijat. Tani, t’i quash këta “të prapambetur, të paemancipuar, provincialë, old white men”, mua më ngjan me një kuturí të panevojshme.

Përsëris: Njerëz të tillë janë konservatorë. Dhe kjo do të thotë se ata besojnë (unë besoj se ata besojnë), që ndryshimet e duhura e të sigurta në shoqëri nuk janë ato që imponohen në mënyrë të sforcuar prej ideve të bukura, por janë ato që vijnë natyrshëm, rryeshëm, pikë-pikë, e që njihen si arritje e pranohen si norma vetëm pasi janë testuar prej kohës. Ata besojnë (unë besoj se ata besojnë) se logjika binare, që biologjia ka imponuar në botën e qenieve të gjalla, e ka një kuptim. Ndërsa orientimi homofilik apo identitetet transgjinore janë përjashtime. Dhe në këtë mes, kanë frikë se përjashtimi, nëse valorizohet, mund të shndërrohet në modë, e në të kundërt, norma (organizimi binar gjinor e orientimi heteroseksual), nëse nuk mbrohet, mund të kthehet në démodé, duke kërcënuar kështu rendin e moçëm të gjërave, që është aq i shtrenjtë për ta. Ata besojnë më tej se gruaja është grua e burri është burrë. Dhe kjo nuk do të thotë që i përbuzin gratë. Mua nuk më rezulton që Kadareja i përbuz gratë (përtej pasazhit problematik të cituar prej librit të tij, në të cilin nuk e kuptoj pse ngatërrohen gratë e pamoralshme me gratë e lira). Në veprën e tij nuk gjen seksizëm. Gjithnjë, nëse me seksizëm kuptojmë përpjekjen për ta paragjykuar gruan, për ta quajtur inferiore, e mbi këtë bazë për t’i përcaktuar vendin në shoqëri si një lodër në duart e burrit. Kjo është ajo që unë kuptoj prej librave të tij.

Shqetësimi i Edës e i Irmës prej objektifikimit seksual që u bëhet grave në botën e sotme është me vend, por kjo vjen më së shumti prej hiperseksualizimit të frikshëm të mjedisit, të territorit e të jetës së përditshme (gjë që shkaktohet prej siteve pornografike që janë vetëm një click larg, prej filmave të Netflix-it si “Cuties”, e deri prej filmave multiplikativë për fëmijë, ku shfaqen hirushe e princesha me sy të mëdhenj, bel të hollë, bythë të kërcyera, e pamje e vështrime epshndjellëse), i cili synon t’i japë gruas një e vetëm një funksion në këtë botë, atë të objektit seksual, ta bëjë atë të jetojë me idenë se ka për detyrë e për qëllim thjesht të jetë e qishme. Dhe hiperseksualizimin e kemi dhuratë prej progresistëve, jo prej konservatorëve. Po të ishte për këta të fundit, edhe një pjesë të madhe të filmave të Hollywood-it do t’i censuronin me qejf të madh.

Të merremi vesh, t’i këndosh bukurisë fizike të grave nuk ecën në këtë drejtim. Nuk është sjellje seksiste. Edhe t’i këndosh “pëllumbit të bardhë” (piçkës) nuk është seksiste. Asgjë e keqe nuk u ka ardhur grave prej çalltisjes së burrave për të poetizuar trupin e tyre. Nuk mund të thuhet kurrsesi se është kryer ndonjë mbrapshtí prej artit e letërsisë botërore të të gjitha kohëve, që e kanë bërë me zell këtë poetizim. Absolutisht, jo. Bukuria femërore nuk është një stisje burrash seksistë. Nuk është as edhe një konstruksion socio-artistik. Ajo është një e vërtetë e kësaj bote, shí siç është pohimi matematik 2+2=4, apo ligji i tretë i Newton-it, apo formula E=mc2, apo kënaqësia e mishit, emfatizimi i së cilës shihet nga ca e ca si një qasje mizogjine. Shihet kështu për arsyen e thjeshtë se kënaqësia e mishit lidhet me të dëshiruarit, që është më së pari e më së shumti një atribut meshkujsh në botën e sisorëve. Grave u vjen më osh (ua heq zemra) të dashurojnë. Burrave u bie më për shtat të dëshirojnë. Kështu besojnë konservatorët. Ia fusin kot? Edhe sikur të jetë kështu, nuk kemi të bëjmë me ndonjë tinëzí burrash, me synimin për të fuqizuar e përjetësuar pushtetin e tyre. Më e shumta, kemi të bëjmë me një turr të tyrin për t’i ardhur pas midesë, një dispozicioni a angështie natyrale. Gjë që gratë e bëjnë në mënyrën e tyre.

Kënaqësia e mishit, sidoqoftë, është e shoqishoqme. Seksi nuk është një zero-sum game, në të cilën burri fiton çfarë gruaja humbet. As me kafshët nuk është kështu. Nuk ka pse të jetë as me ne që, të paktën në këtë pikë, jemi kafshë si të gjitha kafshët, paçka se, në ndryshim nga to, edhe mund t’i këndojmë kësaj kënaqësie. Është për të ardhur keq që gratë nuk para e bëjnë. Në Shqipëri nuk e bëjnë as burrat, ç’është e vërteta. Jo se janë progresistë e se, për këtë arsye, tuten të mos përcjellin idenë që gruaja vlen vetëm për seksin e saj, por sepse janë konservatorë (në këtë rast termi “konservator” duhet marrë edhe në kuptimin “i prapambetur”). Unë, edhe për t’iu kundërvënë kësaj qasjeje, e kam bërë një gjë të tillë në romanin tim “Një javë në Manastir”. I vura disa personazhe, burra sigurisht, teksa po udhëtonin natën prej stacionit të trenit në qytet (këta ishin pjesëmarrës e organizatorë të Kongresit të Alfabetit në Manastir), t’ia merrnin një kënge fare të shthurur. Kënga bën kështu në toskërishten e fillimshekullit XX:

“Në lumë më ishe, në breg unë rrinja
Ti nuk më shihnje, veç unë të shihnja.
Cicat e – moj – tua, doja të t’i lanja
Si moll’ Korçe ishin, më vinte t’i hanja.

T’u-afrojta tinëz, të zura nga beli
Ti nuk bëre zë, mirë – u-duk – të erdhi.
Thithkat të kërcyen si saçme dyfeku
Sa hap e mbyll sytë, kari piçkën preku.

Në fillim m’the “Mos! Prit edhe ca!
Më fërko cicat, piçkën mos ma nga!
Se s’është si kari që prandaj është kar
Digjet e shkrumbohet ende zjarr pa marrë”.

Por nuk zgjati shumë, trupi t’dridhësh zu’
Po dridhesha dhe unë, nëne, ububu!
“Ja, erdhi çasti,” the, “mos më lër të pres!
Qimë tani, qimë! Qimë gjersa të vdes!”

2. Rreth polemikave bashkëkohore për gjininë

Në botën e sotme, unë kam një parehatí që nuk puqet (në fakt, bie ndesh) me atë të Edës, Irmës, e progresistëve të tjerë. Dua të them se kur vjen puna te vlerat e te qëndrimi ndaj tyre, më shqetësojnë të majtët (këtu nuk po llogaris lëvizjet/dukuritë Black Lives Matter, Cancel Culture, Identity Politics, Political Correctness, apo sulmin ndaj monumenteve të mbështetësve të racizmit, skllavërisë, kolonializmit etj., me synimin absurd për të bërë purifikimin e historisë) para se të më shqetësojnë të djathtët (te “të djathtët” nuk po llogaris trumpistët e marrosur pas teorive të konspiracionit e QAnon-istët). Kam zbuluar rishtas te vetja një simpati për një numër vlerash e idesh konservatore, dhe ky “revelacion” on the road to Damascus shenjon një rysní interesante në jetën time. Nuk është një konvertim i plotë, si ai i Shën Palit. Dua të them, se nuk jam bërë konservator 100%, e me shumë gjasë nuk kam për t’u bërë ndonjëherë i tillë (lëri të tjerat, por mbi të gjitha nuk e kuptoj se si një njeri mund të jetë 100% konservator e 100% progresist; këto kategori të identifikimit politik nuk i konsideroj koherente; një progresist nuk ka pse të jetë propalestinez, e në të njëjtën kohë të jetë pro choice; janë dy çështje që nuk i shoh të lidhura në ndonjë mënyrë me njëra-tjetrën). Dhe ç’është më e rëndësishmja, ky “konvertim” më ka ardhur prej një vëzhgimi kritik që u kam bërë disa prirjeve e prurjeve në botën e sotme, para se të më ketë ardhur prej simpatisë për ide e vlera konservatore. Dhe bota e sotme – le ta themi këtë – është ashtu si kanë dashur progresistët (liberalët) të jetë. Mirëpo puna është që kjo botë është si mos më keq. Pothuajse.

Për t’u shpjeguar, nuk po e hap fizarmonikën e diskutimit më shumë sesa duhet. Po rri tek e njëjta temë e fillimit, te gratë, marrëdhëniet e tyre me burrat, e marrëdhëniet mes sekseve e gjinive në përgjithësi. Ky është një diskutim që tërheq shumë njerëz. Në Shqipëri jo edhe aq (ne jemi sot paradoksalisht më të izoluar sesa në kohën e Enver Hoxhës), por një numër shqiptarësh që banojnë në vende të tjera janë të përfshirë në të. Ndërsa paria e shoqërive perëndimore është e thëthirë. Sipas meje, me të drejtë. Pasi çështja është e rëndësishme. Fenomeni “Trump” (që është në një masë të caktuar një tëhuajtje apo arratisje prej botës konservatore) nuk do të ngjiste ashtu si ngjiti pa mllefosjen e një pjese të mirë të shoqërisë amerikane prej vizionit liberal mbi sekset e seksin, që është tanimë all-pervasive.

Një anëtar demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA e përfundoi lutjen, me të cilën përuroi legjislaturën e re të Kongresit, me fjalët A-men dhe A-women. Ai, si veteran i Kongresit, kishte bërë edhe herë të tjera lutje të ngjashme, por gjithnjë i kishte mbyllur me fjalën e vetme: “Amen”, që të shumtët e shqiptarëve e shqiptojnë: “Amin”. Ka pak a shumë kuptimin: “Ashtu qoftë”, apo “Zoti e bëftë ashtu”. Është e qartë pra, se “amen” nuk ka lidhje me “men” (burra). Por kongresmeni amerikan, i sigurt se i kishte rënë në të me zhbirimin etimologjik, me saktë me lidhjen që kish gjetur mes fjalës “amen” e fjalës “men”, kuturisi të bëjë shpikjen e duhur. Dhe e mbylli lutjen me fjalët: “Amen and A-women”, që në shqip do silleshin: “Amin dhe A-gra”. Shkurt, një profkë, që ai e këputi, teksa ishte i mbërthyer prej ethes liberale (më konkretisht, prej fiksimit për të qenë asnjanës e politikisht korrekt me transgender-at).

Një nga urdhrat ekzekutivë që Presidenti Biden nënshkroi me t’u ulur në tryezën e punës së Zyrës Ovale ishte edhe ai që ka të bëjë së pari me të drejtën e atletëve trasngender për të marrë pjesë në garat e femrave, s’ka gjë se seksi i tyre në regjistrat anagrafikë është mashkull; së dyti me të drejtën e transgender-ave në përgjithësi për ta zgjedhur WC-në në mjedise publike (shkolla, restorante, aeroporte etj.) në përputhje me identitetin gjinor që ata i njohin vetes; së treti me të drejtën e të njëjtëve persona për të shërbyer në ushtri. Ishte një gjest që synonte të zhbënte politikat e Trump-it në këtë drejtim. Mirëpo ka gjetur kundërshtime. Ka edhe progresistë që nuk e kuptojnë pse vajza e tyre në shkollë duhet të shkojë të kryejë nevojat në të njëjtin tualet ku hyn edhe ndonjë djalë, që mendon se është vajzë. Të tjerë kanë frikë se ushtria amerikane, e cila është mishërim i rregullit, disiplinës, përqendrimit, përpikërisë e rreptësisë morale (kjo e fundit e kuptuar në mënyrë konservatore), mund të kalojë në një fazë ligështimi e topitjeje prej këtij vendimi, sido që kjo ishte ndërkohë një praktikë e instaluar më herët prej Obama-s. Ndërsa numri i atyre që nuk e kuptojnë pse një person me cilësi fiziologjike, përmasa trupore e masa muskulore të një mashkulli, e për këtë shkak me testosteron më të lartë, duhet të garojë me femrat, është shumë më i madh. Dhe njerëz të tillë nuk janë domosdoshmërisht kundër transgender-ave.

Mass-media jep përshtypjen e rreme se shoqëria i ka pranuar tanimë transgender-at, por komentet e diskutimet në rrjetet sociale të bindin sakaq se kjo nuk është e vërtetë. Dhe në këtë rrethanë, të luftosh për ca të drejta që nuk janë bazike (e drejta e djemve për të urinuar në një vend të caktuar, për të shërbyer në ushtri, apo për të qenë pjesë e garave atletike mes vajzave nuk janë të drejta bazike), mund të sjellë në sytë e shumicës së heshtur e konfuze butaforizimin e një kauze reale. Dhe të parët që penalizohen pas kësaj janë vetë transgender-at. Kuptohet pse. Do të ishte si të kërkoje në Shqipëri të drejtën e gay-ve për t’u martuar, në një kohë që ata nuk gjejnë dot vend ku të futen për shkak të homofobisë së përhapur si një flamë. A nuk do të ishte kjo një tallje me hallet e tyre? Edhe vëmendja e madhe dhe e shpërpjesëtuar që mass-media botërore i kushton komunitetit LGBTQ jep të njëjtin efekt. Kështu ndodh gjithnjë kur ngatërron përparësitë e kur djeg etapat.

Në Kanada janë shtyrë edhe më tej. Në ca amendamente që iu bënë Aktit mbi të Drejtat e Njeriut deshën të përfshinin edhe detyrimin për të përdorur në publik përemra të caktuar për transgender-at. Për një burrë/grua që ndihet grua/burrë nuk duhej të përdoreshin përemrat “ai/ajo” e “ky/kjo”, por përemra të tjerë që u sajuan me këtë rast. Parashikoheshin edhe ndëshkime për ata që  nuk do binin dakord të përdornin përemrat e posaçëm. Në fund, ligjvënësit hoqën dorë prej kësaj ideje, por vetë diskutimi tregon se sa e madhe është distanca mes establishmentit politik e kulturor liberal dhe masës së madhe të njerëzve, që thellë-thellë nuk i miraton nisma të tilla, sido që rëndom nuk bëzajnë përballë tyre.

Po marr një shembull tjetër. Nën trysninë e politikave “gender-inclusive”, dhe me synimin për të luftuar transfobinë, drejtuesit e qendrave obstetrike të Universiteteve në Brighton e Sussex urdhëruan personelet e tyre të mos përdornin fjalët “qumësht gjiri”, por të përdornin në vend të tyre “qumësht gjoksi”. Me termin “qumësht gjiri” mund të fyhen e diskriminohen transgender-at. Pse? Sepse fjala “gji” asociohet me gruan. Ndërsa fjala “gjoks” është asnjanëse në planin gjinor. Në morinë e komenteve të lexuesve në fund të raportimit të këtij lajmi në versionin online të gazetës “Daily Mail”, numëroheshin me gishtat e duarve ato që shprehnin mirëkuptim me këtë gjetje. Të tjerët, që ishin mbi katër mijë, sforcoheshin shumë e mobilizonin skrupujt e tyre për ta shprehur në mënyrën më pak të vrazhdë mospajtimin e trazimin. Dhe po flasim për Britaninë e Madhe, ku duket se çdo gjesti apo ligjërimi publik e kanë merak t’i bëjnë një test transfobie. Në këto përpjekje e sipër, e kanë bërë të udhës të kërkojnë qimen në përpeq.

Përpara ca muajsh, ishin të shumtë VIP-at që s’e patën për gjë ta kryqëzonin faqe botës shkrimtaren J. K. Rowling (ka shkruar “Harry Potter”-in, librin më të lexuar në botë) për një shënim në Tweeter, nëpërmjet të cilit ajo polemizonte me një shkrim të një aktivisti transgender, ku gratë pagëzoheshin me emrin: “ato që kanë menstruacione”, që në shqipen vernakulare do të rezultonte një lojë e lezetshme fjalësh: “ato me ato”. Ja çfarë shkroi saktësisht kjo “grua” në Twitter:

“Unë jam e sigurt se ka qenë përdorur një fjalë tjetër në vend të ‘atyre me ato’. Por nuk po më kujtohet. Më ndihmoni pak, dreqi ta hajë! Prit, se diçka po më vjen në mendje: Prua? Grea? Grui?”

Duket një ndërhyrje e pafajshme dhe e padëmshme, apo jo? Për të shumtët, po. Por ca e ca kaq deshën. E bënë për një lek. Të parët që iu sulën ishin aktorët që kanë luajtur në filmat e saj. Pas tyre u bë e gjallë edhe Warner Bros., kompania e famshme e kinemasë dhe e mass-medias, po ajo kompani që ka prodhuar filmat me Harry Potter-in. Deri edhe Stephen King, autori i famshëm i romaneve me ngjarje që të ngjethin mishin, gjeti mënyrën të distancohej prej J. K. Rowling-ut. Vetëm ndonjë tek-tuk iu bë krah. Dhe kjo tregon edhe një herë se idetë liberale në Perëndim, edhe ato më kontroverset, kanë hedhur rrënjë si asnjëherë e asgjë tjetër më parë. Te elita, kuptohet.

Nuk them se të gjitha këto qëndrime liberale, për të cilat fola më sipër, i përkasin edhe Edës e Irmës. Nuk e di këtë gjë. Por nuk do të çuditesha, po t’u përkisnin. Është ndjeshmëria e tyre ndaj vizionit konservator të Ismail Kadaresë, dhe ndonjë ide mbi seksizmin e hedhur me këtë rast që më bën ta mendoj këtë. Edhe në mos qentë kështu, unë i pashë reagimet e tyre si një ngajë për t’u ndalur e për të trajtuar probleme të tilla nga këndshikimi im. Më nguci më së shumti ndonjë qëndrim i Eda Derhemit, sipas së cilës duhet me qenë feminist në këtë botë, apo se ne shqiptarëve na duhen vështrime progresive në letërsi e në diskursin publik. Personalisht, nuk është se jam kundër këtij pohimit të fundit. Nuk ka pse. Përkundrazi. Por në të njëjtën kohë mendoj se na duhen edhe vështrime konservatore, të cilat duhen shprehur pa pasur frikën se dikush mund t’i shohë bartësit e tyre si “të prapambetur, të pagdhendur, fshatarë, palo burra, në mos më keq: palo pleq etj.”, e mund të zbulojë prapa çdo zëri, që mbron publikisht idenë se gruaja është grua e burri është burrë, një intelektual të stampës së vjetër.

Një gjë të fundit. Me këtë shkrim nuk i kam thënë të gjitha. Nuk mund të thuhen të gjitha. Është çështje që meriton të rrihet në një debat të gjerë e të thellë, me pjesëmarrjen e sa më shumë vetëve. Amen and Awomen!

 

(c) 2021, Mustafa Nano. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen e autorit.

Shënim: Nëntitujt janë redaksionalë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin