TRASHËGIMIA

nga Elson Zguri

Muajin e kaluar isha i ftuar në një shkollë fillore greko-gjermane në Berlin dhe pata një bisedë të gjatë e të hapur me nxënësit e klasës së 6-të, ku folëm mbi stereotipet sociale, racizmin, çfarë do të thotë të jesh ndryshe, pranimin e të huajit dhe identitetet e shumëfishta në jetën e një emigranti. Biseda u zhvillua mbi studimin dhe analizën, që nxënësit kishin bërë më herët rreth librin tim “Të gjitha macet janë të bukura”. Përpos të papriturave që pati ai takim, ajo çka më befasoi më tepër, ishte rasti i një vajze të lindur në Turqi nga një nënë shqiptare dhe një baba kurd, e cila kish jetuar në Athinë dhe në Tiranë, fliste katër gjuhë dhe ishte mbartëse e shumë identiteteve. Dhe mbi të gjitha, ndihej shumë krenare për të gjitha këto identitete!

Fëmijët e asaj klase nuk rreshtnin së pyeturi, por edhe kishin shumë për të treguar, kur unë fillova me pyetjet e mia për jetën e tyre të përditshme në një vend “të huaj” si Berlini. Nxënës të ndryshëm më bënë të njëjtën pyetje, herë në mënyrë të drejpërdrejtë e herë të tërthortë, nëse ndihem krenar për origjinën time shqiptare; nëse përvojat që kam jetuar në Greqi ose në Gjermani dhe që përshkruaj në libër, kanë pasur ndonjë ndikim në qëndrimet e mia sot. Para se të përgjigjesha, i pyeta fëmijët se çfarë konsiderojnë krenari. Pas shumë analizash, ramë dakord që fillimisht asnjë person nuk duhet të ketë turp për vendlindjen  ose vendin ku ka jetuar. Mbas kësaj, u rrëfeva një histori që kish ndodhur pak muaj para takimit tonë.

Gjyshja ime në Shqipëri jeton e vetme në fshat, ku tani kanë mbetur vetëm të moshuarit; nuk ka më fëmijë apo të rinj në lagje. Një kushëriri im i gjeti dy teknikë për t’i instaluar një kondicioner në shtëpi. Atë ditë, ajo ishte e sëmurë, kishte probleme me tensionin e gjakut dhe i dhimbnim gjunjët. Megjithatë, ajo u ngrit nga shtrati, shkoi në kotecin e pulave, kapi dhe theri një pulë, e rropi, e pastroi dhe e gatoi me patate të skuqura dhe speca. Nona shtroi një tavolinë jashtë pasi dielli po shkëlqente, dhe ndërsa bënte të gjitha këto, gati u rrëzua tri herë – pasojë e tensionit të gjakut, ndërsa dy teknikët i luteshin të ulej dhe të mos bënte asgjë pasi nuk ishte e nevojshme!

Kur i thashë nonës me ton filozofi, se dikur paguanim artizanët, teknikët, punëtorët me një vakt të mirë dhe që tani nuk është më e nevojshme, sepse puna e tyre është e  përfshirë në çmim, ajo më habiti duke thënë se “deri sot na shpia ime nuk ka dal njëri pa drekë”!

Kjo frazë jo vetëm që më tronditi por edhe më bëri të rishikoj, të reflektoj për të kaluarën dhe të ardhmen; më bëri të ndihem mirë, por edhe disi i turpëruar. Shumë gjëra janë modernizuar por mesa duket jo se si i ka trajtuar dhe vazhdon t’i trajtoi nona gjithë njerëzit që hynin dhe po hyjnë në shtëpinë e saj, çfarë do të thotë krenari për të, se sa vlerë ka për të mikpritja e çdo lloj miku, pa marrë fare parasysh kushtet e as gjendjën e saj shëndetësore.

Dhe kështu kjo histori e vërtetë, e ndodhur pak kohë më parë në Shipërinë moderne dhe të “mbytur” nga turistët, dukej se mjaftoi për t’iu përgjigjur pyetjeve këmbëngulëse të fëmijëve për krenarinë time që jam nga Shqipëria. Ranë dakord me deklaratën time se mbi të gjitha, ndjej krenari që jam rritur përkrah njerëzve të tillë e me këto vlera dhe se kjo frazë e nonës sime është trashëgimia ime më e rëndësishme!

Pra, po u drejtohem dy teknikëve të kondicionerit:

“Ju lumshin duart dhe ju bëftë mirë”!

(c) 2024 Elson Zguri. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.

Rreth Autorit

Elson Zguri lindi në Belsh të Elbasanit. Bashkë me familjen, emigroi në Greqi në moshë të vogël. Ka shkruajtur librin e tij të parë në greqisht "Të gjitha macet janë të bukura". Ka përkthyer në gjuhën greke librin e Rudi Erebarës "Epika e yjeve të mëngjesit". Është një prej përfaqësuesve të njohur të brezit të dytë të shqiptarëve në Greqi, i cili pavarësisht se prej disa vitesh jeton në Berlin, vazhdon të jetë zë shumë aktiv përsa u përket kërkesave e të drejtave të komunitetit shqiptar. Gjithashtu në Berlin organizon evente të ndryshme për letërsi dhe për eksperiencën e emigracionit.

Author Archive Page

2 Komente

  1. Xenophobia sipas autorit te librit Sapiens eshte ne genet tona si qenie humane. Biologjikisht qeniet humane i ka bere natyra te jetojne ne grupe jo me te medha 125 persona .Ajo qe mban te lidhur miliona njerez jane mite ne kokat e tyre si feja ,kombi etj. Gabimi qe behet eshte xenophobia paraqitet si mospranim i te huajve nga ana e europianeve sidomos i atyre me ngjyre por edhe racat e tjera jane raciste ndaj atyre te ndryshem prej tyre .Pra duhet trajtuar si nje defect i qenieve humane ne pergjithesi.

  2. Shume e bukur dhe tronditese, sic u shprehet. Duhet t’ia kujtojme vetes here pas here se lehtesisht mund te perfundojme ne njerez qe dijne cmimin e gjithckaje duke mos ditur vleren e asgjeje.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin