TË MITURIT E BRAKTISUR

Mediat italiane njoftuan për një problem shumë delikat: Braktisjen e të miturve shqiptarë nga ana e familjeve të tyre.

Lajmi i referohet situatës në krahinën Emilia Romanja e posaçërisht deklaratës së zv/Presidentes së Krahinës dhe njëkohësisht Asesores për welfare-n dhe politikën e banimit, Elisabetta Gualmini. “62% e të miturve të pashoqëruar janë shqiptarë” titullon Ansa (29 tetor 2015). “Gualmini, është një fenomen i braktisjes së familjeve në kurriz të Komunave”. Ndërsa një televizion lokal titullon: “Shumë të mitur shqiptarë të braktisur”.

Por ndoshta informacionin më shterues e jep komunikata e shtypit e vetë Elisabetta Gualmini-t. Sipas saj, kemi të bëjmë me një dukuri të braktisjes së të miturve nga ana e familjeve, një tentativë për të anashkaluar rregullat në kurriz të komunave që mezi po e përballojnë situatën. Gjatë një takimi për temën, zyrtarja e lartë jep edhe shifra alarmante: të miturit e pashoqëruar janë 565, nga të cilët 349 shqiptarë (pra 61,8% e totalit). Të gjithë këta të mitur janë strehuar në strukturat e komunave, ndonëse nuk i përmbushin kriteret.

Sipas zv/presidentes së krahinës Emilia Romanja, jemi përballë një fenomeni që nuk mund të futet në sistemin e të miturve që mbërrijnë në brigjet italiane e kanë nevojë për mbrojtje. “Këtu jemi përballë një situate të rëndë braktisjeje të të miturve nga ana e familjeve”. Në këtë pikë, Shqipëria është vendi i dytë pas Egjiptit, ndërsa për të rriturit rezultojnë vende të tjera në klasifikim.

komunikatën e shtypit (29 tetor 2015) thuhet se po shtohen shumë rastet e të miturve shqiptarë që vijnë me vizë turistike e pastaj qëndrojnë në Emilia Romanja në strukturat e shërbimit social, ku strehohen e futen në shkollë. “Në këtë mënyrë futen në sistemin e mbrojtjes së të miturve të pashoqëruar, por duke pasur familje e të afërm në Shqipëri e Itali”.

Autoritet e krahinës italiane mendojnë ta zgjidhin çështjen e të miturve shqiptarë duke i identifikuar e duke i gjetur të afërmit për t’ua besuar atyre, natyrisht duke respektuar konventën e OKB-së për të drejtat e çdo fëmije që të jetojë me familjen e vet.

Pak kohë më parë sinjalizuam problemin e krahinës së Toskanës, për trafikimin e të miturve. Tani shfaqet problemi i të miturve të pashoqëruar. Duhet të themi se është hera e parë që ky problem përballohet me tone kaq të ashpra, duke folur haptazi për braktisje të të miturve. Me sa dihet, vetë braktisja e të miturve konsiderohet si shkelje e ligjit, si vepër penale, sepse ligji mbron të drejtat e fëmijës.

As mediat e as institucioni krahinor nuk flet për përpjekje eventuale për të bashkëpunuar me Shqipërinë, vendin nga ku nisen këta të mitur. Sepse, po të shikosh numrat, fenomeni është vërtet shqetësues, e sidomos po të kemi parasysh se të miturit janë pjesa më e brishtë e shoqërisë, në mbrojtje të të cilëve janë miratuar plot ligje kombëtare e konventa ndërkombëtare. Por shqetësimi nuk mund të jetë vetëm i autoriteteve vendore italiane, sepse problemi i tejkalon kufijtë e një krahine të vetme.

12 Komente

  1. Te mos jesh ne gjendje t’u sigurosh nje te ardhme brezave te rinj, t’i shtysh familjet te besojne se femijet e tyre jane me te sigurte jashte kufijve te pashoqeruar se sa brenda tyre te “shoqeruar”, atehere duhet besuar se nuk kemi te bejme me nje shtet e shoqeri njerzore, por me nje rezervuar per rasate peshqish, ku ne menyre te rastesishme perziejne peshq femra e meshkuj sa per te krijuar kushte qe njera pale te hedhe vezet diku e te prese sa te kaloje pala tjeter per t’i fekonduar dhe pastaj peshqit e vegjel, me qellim qe te mos i hane ata te rriturit e fshatit (deputete, bandite, gazetare, police, kaubojsa, doganiere, taksambledhes e qeveritare bashke), i marrin e i leshojne gjetiu ne liqene te tjera, qe te rriten e te arrijne peshen e nevojeshme per treg.

  2. Ka një keqkuptim si në këtë artikull, si në lajmin e Agon Channel.

    Te “minori non accompagnati”, si thotë vetë komunikata për shtyp, futen edhe fëmijë që kanë familje në Itali, por që duhet të ndjekin këtë rrugë për të çuar fëmijët në shkollë e spitale. Nuk bëhet aspak fjalë për fëmijë të braktisur, por për fëmijë mbi të cilat administrata italiane përton apo nuk arrin që të bëjë verifikime. Nuk është, si thotë ky xhaxhi në artikull, që fëmijët zhduken, por thjesht kthehen në familjet e tyre me të cilët nuk i humbasin kontaktet.l

    1. Shkruani:

      Nuk është, si thotë ky xhaxhi në artikull, që fëmijët zhduken

      Për cilin “xhaxhi” e keni fjalën?

      Përtej këtij sqarimi të nevojshëm identitar, shtoj se edhe mua më shkoi mendja se kemi të bëjmë me raste heterogjene. Unë vetë kam jetuar gjashtë vjet në Itali, me një vajzë të vogël të cilën sistemi burokratik i atjeshëm nuk e pranonte.

      Megjithatë, kam frikë se ka edhe shumë raste kur familjet kërkojnë “loopholes” në ligjin italian, për të rrjepur disa ndihma më tepër. Dhe ashtu nuk di të them nëse është më e rëndë të braktiset fëmija, apo të përdoret nga prindi si burim fitimi. Në të dy rastet, po ushqehet një shtresë sociale e cila nesër do të jetë profesionalisht e stërvitur për të shkelur ligjin.

    2. Keqkuptim? Nuk besoj në artikullin e mësipërm, sidomos për ata që e kuptojnë drejt dukurinë. Më sipër madje citoja edhe burimin. Po i përsëris fjalët e zyrtares: “Në këtë mënyrë futen në sistemin e mbrojtjes së të miturve të pashoqëruar, por duke pasur familje e të afërm në Shqipëri e Itali”. Të miturit e pashoqëruar janë të tillë sepse deklarohen të tillë, pra pa familje ose të afërm me të cilët mund të jetojnë. Mund të vijnë nga Shqipëria, por edhe nga Italia, ose nga ndonjë vend i tretë, p.sh. nga Greqia.
      Sidoqoftë, në rast se duhet të bëjmë me faj autoritetet italiane, që përtokan ose nuk arrikan të bëjnë verifikime, përse nuk mund të bëjmë me faj familjet shqiptare që i lënë të miturit të ikin nga familja? Nuk mund ta quajmë braktisje? Përse jo, për sa kohë ka edhe ligje e konventa që largimin e fëmijëve dhe moskujdesin e familjes e konsiderojnë braktisje? Po institucionet shqiptare ç’bëjnë për këtë problem?
      Në fund, më lejoni të kujtoj se të miturit janë qenie të brishta, që kanë nevojë për mbrojtjen, praninë e kujdesjen e familjes.

    3. Edhe një saktësim tjetër: në shkrim unë nuk e kam përdorur fjalën “zhdukje”. Apo e ke fjalën për lajmin e televizionit Agon Channel?

  3. E kisha fjalën për xhaxhain e Agonit, jo Xha Xhain këtu. 🙂

    Xha Xhaxhai – nuk mendoj se është ndonjë shkelje e madhe ligji, formalisht ata mund të jenë të braktisur, mirëpo ata bëjnë interesin e tyre, e i përket Administratës që t’i kontrollojë. Kështu mendoj unë, të paktën. 🙂

    Pishak Zhgaba – mendoj që ka pasaktësi sidomos te Agon. Duket sikur këta fëmijë janë lënë rrugëve apo, më keq që janë zhdukur blerë nga trafikantë, por në fakt nuk është kështu. Megjithëse fjala teknike është “braktisje”, nënkuptohet diçka tjetër, të paktën në këndvështrim zyrtar. Po, po të duam mund t’ua vëmë fajin edhe bonjakut shqiptar, por personalisht nëse ajo është mënyra e vetme (dhe kështu është) për t’i dhënë fëmijës tim spital do bëja të njëjtën gjë.

    1. Nuk e përjashtoj të ketë edhe raste shëndetësore tek ata të mitur, por duhet të jenë të rralla, sepse më pas sëmundjet kërkojnë edhe përkujdesje në spital nga ana e prindërve. Gjithsesi, autoritetet italiane do të kishin bërë diferencimet e duhura, mendoj.
      Mbetem i idesë se të miturit, për vetë brishtësinë e moshës, kërkojnë kujdesje të veçantë nga familja kur ekziston e nga kolektiviteti (shteti) kur mbeten jetimë. Institucionet shqiptare nuk bëhen të gjalla për këtë problem.

      1. Ah, mendoj se institucionet shqiptare thjesht janë të kënaqur që kanë më pak njerëz që u çajnë kokën me kërkesa pune a me asistencë sociale a me gjëra të tilla që kanë parë në Avropë.

      2. Pishak, nuk eshte fjala per “raste shendetesore” te renda e te veçanta. Praktikisht ata femije, duke qene prinderit pa leje qendrimi, nuk kane dokumente, nuk kane rezidence formale, nuk kane kod fiskal, nuk kane libreze shendetesore, nuk kane nje pediater qe t’i ndjeke e t’i vizitoje kur i ze gripi, nuk ka kush t’u shkruaje nje recete antibiotikesh, sepse nuk jane te regjistruar ne listat krahinore te sherbimit shendetesor.

        Rregullat burokratike te sherbimit shendetesor ne Itali ndryshojne nga njera krahine ne tjetren; diku jane me tolerante e diku me te rrepte. Ky eshte nje nga ato rastet kur thuhet “fatta la legge, trovato l’inganno”.

        Ne ate krahine regjistrimi formal si “femije te pashoqeruar” u lejon atyre te pajisen me dokumentet e nevojshme per te pasur asistence shendetesore dhe te drejta te tjera qe perndryshe u mohohen. Pra vetem nga pikepamja statistikore rezultojne si “femije te pashoqeruar”, sepse burokratikisht nuk kane rruge tjeter; ligji krahinor nuk i lejon te deklarohen si femije te shoqeruar nga prinder pa leje qendrimi.

        1. Relapso, e njoh disi problemin. E do t’i kthehem sërish. Por po të jap si paradhënie disa informacione. Para se të liroheshin vizat, sipas ekspertëve e statistikave, problemi i të miturve shqiptarë të pashoqëruar erdhi duke u shuar. Numrat ishin në rënie. Kohët e fundit, numri i të miturve shqiptarë të pashoqëruar po rritet progresivisht. Unë nuk u ndala tek tipologjia e tyre, as tek përqindja e atyre që janë të sëmurë, të parregullt nga ana e lejeqëndrimit, me familje në Shqipëri, me të afërm në Itali, etj. etj. Fola për problemin, sepse cilado qoftë arsyeja që i shtyn ata të largohen nga vendi ose familja, ose që i shtyjnë familjet t’i nisin për në Itali, ose drejt qendrave të pritjes për të mitur, problemi i situatës së tyre të brishtë mbetet.

          Përqindjet e sakta askush nuk i njeh, por mes tyre ka plot që kanë të afërm në Itali. Kanë hallën, dajën, e ndonjë kushuri tjetër. Në fakt, ndodh që familjet i çojnë në Itali pikërisht sepse atje kanë të afërmit. Mirëpo, kushurinjtë kanë problemet e tyre dhe nuk e kanë të lehtë të merren me fëmijët, prandaj edhe i dërgojnë (apo ia përplasin?) tek qendrat për të miturit. Në këtë mënyrë sigurojnë lejeqëndrim, shkollim, etj.
          Mirëpo kemi një problem. Për ligjin kjo quhet braktisje e fëmijëve, natyrisht kur familjet konsiderohen si të afta për ta ushtruar rolin e kujdesjen prindërore.

          Në Itali, çdo i mitur i pashoqëruar duhet t’u sinjalizohet autoriteteve përkatëse. Ata nuk mund të dëbohen në rast se kanë qëndrim të parregullt, por mund të riatdhesohen për të siguruar unitetin familjar. Me sa di, ka edhe fonde për këtë punë, pra për të bërë hetime për familjen e të miturit.

          Duhet të thellohem më shumë, por më duket se të afërmit nuk i marrin përsipër, ngaqë nuk është e thënë që ta marrin lejeqëndrimin kur mbushin 18 vjeç. Prandaj preferohet që t’u besohen shërbimeve sociale. Mirëpo, siç kuptohet vetvetiu, po luajmë në kurriz të të miturve, dhe ende nuk po pyesim veten si komunitet e si shtet se përse të miturit largohen nga gjiri i familjes. Largim që, pavarësisht nga arsyet, mbetet gjithnjë traumatik.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin