FLATRA

Në teorinë e kaosit, “efekti flutur” është metafora që shpjegon varësinë nga kushtet fillestare – Edward Lorenz pat sjellë shembullin e një tornadoje diku në Texas, që merr pikënisje nga një flutur që përplas krahët, diku në Brazil (*).

strange attractorJean Baudrillard na fton ta përfytyrojmë efektin në kah të kundërt: një tornado diku në Texas që përfundon me rrahjen e krahëve të fluturës diku në Brazil (Cool Memories, IV).

Ta çojmë pra edhe më tej këtë fantazi: vala goditëse e bombës atomike në Nagasaki, kur mbërrin në brigjet e ShBA, merr trajtën e një afshi të ngrohtë dhe mbytës, që del përmes grilës së metrosë dhe ia fërfëllon flatrat e fustanit Marilyn Monroe-s, në filmin “Seven Years Itch.”


(*) Çuditërisht, imazhi i mësipërm, që paraqet grafikisht një “strange attractor” të Lorenz-it për vlerat ρ=28, σ = 10, β = 8/3 (marrë mekanikisht nga Wikipedia), ka edhe ai pamjen e një fluture. 

1 Koment

  1. I dhashë edhe unë flatra fantazisë sime dhe përfytyrova sesi “efektin flutur” e paskemi patur midis nesh si kategori filozofike qysh kur, të vegjël nëpër shkolla, na mësonin se dhjetat tona ishin plumb për armikun.

    Ajo që jam rrekur gjithnjë të kuptoj është nëse dhjeta e shënuar në regjistër krijonte rezonancë të ajrit që kështu manovronte plumbin drejt e në zemër të armikut, apo nëse në të kundërt vijaskat që plumbi linte në grykë të pushkës (tamam aty ku ne hidhnim valle – apo ishte në grykë të ujkut?) mbresonin shenjën “10” para se të shponin gjoksin e armikut.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin