TË JETOSH PËR TË VDEKUR

nga Ines Topi

Sytë ngjyrë lajthie të Lirës rrezatojnë ngrohtësi ndërsa ajo më tregon odisenë e saj për të gjetur një ilaç për të atin, i cili duhet të kurohet sa më shpejt pas heqjes së një tumori. Mjeku që kontrolloi të atin pas operacionit i kishte dërguar recetën e ilaçit me WhatsApp. Pa shpjegime shkencore, thjesht një mesazh të shkurtër: Ky është ilaçi më i mirë. Shpjegimet ballë për ballë kushtojnë ekstra. Doktori mbahet për më të mirin në Tiranë. “Doktori më i mire” i rekomandoi “ilaçin më të mirë” me komunikim virtual një gruaje, e cila deri para pak kohe bënte tri punë për të mbajtur standardin minimal të jetesës për familjen e saj si edhe për të paguar mjekët, qëndrimet në spital dhe ilaçet për prindërit pensionistë, deri sa kriza e pandemisë i përgjysmoi punën dhe rrogën. Dhe nga kush të kërkosh ndihmë, thotë ajo, te tërë janë me halle; po hidhen djemtë e rinj nga kati i pestë se nuk dinë nga të shkojnë.

Shteti nuk ekziston, veç pushteti. Sigurimet paguhen dhe, kur problemi shëndetësor troket në derë, nuk mbulojnë asgjë. Njerëzit futen direkt në operacion për gjënë më të vogël ose edhe për sëmundjen e gabuar, sepse operacionet i sjellin më shumë para një rrjeti të gjerë personash në fushën e shëndetësisë. Kjo e fundit është bërë një società onorata, e cila kërkon pizzo-n sa herë që i mbron qytetarët nga vdekja e sigurt. Për tu shtruar në spital do të lësh fëmijët pa ushqyer dhe të marrësh borxhe për të paguar çarçafin e krevatit, infermieren, mjekun, ilaçin, mjekun që të hapë gojën edhe njëherë, infermierin që të të sjellë një gotë me ujë etj. Ndryshe pacienti le të vdesë si ai burri tjetër që ulëret në korridorin e spitalit. Ekuacion i thjeshtë, mos e merr personalisht, thonë mjekët që kanë dhënë betimin e Hipokratit: Në çastin kur po hyj në radhët e anëtarëve të profesionit mjekësor premtoj solemnisht se jetën time do ta vë në shërbim të humanitetit. Burri në korridor nuk dëgjohet më dhe me të vdes dhe pika e fundit e njerëzillëkut. 

Tranzicioni nga diktatura e përfolur në demokracinë edhe më të përfolur në fakt nuk ka ndodhur akoma, sepse populli vazhdon të përjetojë përditë traumat e viteve ‘90 dhe është akoma në nivel lufte për mbijetesë. Ohnmacht e quan gjuha gjermane gjendjen paralizuese të të fikëtit, gjendjen e alivanisë e te pafuqisë. Ohnmacht vjen nga fraza ohne Macht = pa pushtet. Një ndjenjë, e cila veç të pëshpërit në vesh që sado të mundohesh ti, do të të shtypë me këmbë përbindëshi i kalbur që zotëron shoqërinë shqiptare. Nuk ke siguri në punë, në shkollë, në shëndetësi, në familje, në rrugë apo në shtëpi. Nuk ke besim te ushqimi, policia, mjekësia, politikat, energjia elektrike apo uji i pijshëm. 

Një ditë djali im i vogël ishte duke udhëtuar me makinë drejt Vlorës, thotë Lira, (unë edhe dua edhe s’dua që ajo ta vazhdojë historinë, por nuk e ndërpres), kur i erdhi njëri me shpejtësi në korsinë e gabuar dhe e hodhi në kanal. Vetura u bë copë, por djali im shpëtoi. Unë u nisa si e çmendur te vendi i ngjarjes me frikën dyfish. Kisha frikë nga plagosjet e mundshme prej aksidentit, por edhe nga ideja që ata të cilët kishin qenë shkaku i aksidentit, mund ta rrihnin djalin sepse i kishte “bllokuar rrugën”. Shikimi i saj humbet diku në kujtimet e ngjarjes. Nuk më zë gjumi natën, thotë ngadalë, por dhe lot nuk kemi më të qajmë. 

Lira ka ngecur në grackën e personave që kanë prindër të moshuar dhe fëmijë që nuk janë aq të rritur, sa të bëhen autonomë. Këta njerëz duhet të merren si me fëmijët, si me prindërit dhe në shumicën e rasteve janë gratë ato që mbajnë peshat më të rënda. Në këtë periudhë të pandemisë së koronës i shoqi është pa punë dhe Lira me gjysmë rroge. Lira merr frymë, punon, vrapon, gatuan, por nuk jeton. Ajo ka mbaruar studimet në ekonomik dhe banon në Tiranë, ku edhe ka lindur. Në një shtet social kjo grua e shkathët dhe e dashur nuk do të ishte në këtë situatë. Në një shtet social asaj do t’i ishte dhënë të paktën mundësia të tregonte veten dhe të ndërtonte një jetë më të mirë për familjen e saj. Ajo nuk kërkon as lëmoshë dhe as të mblidhet në qoshen e errët të humbjes së dinjitetit. Unë dua thjesht të punoj, thotë, dhe të kem një lloj sigurie që po më ndodhi diçka, familja ime nuk do të përfundojë direkt në rrugë. 

Ilaçi qe i rekomandoi mjeku nuk gjendet në Shqipëri. As personi që mban një depo me ilaçe për farmacitë, nga i cili Lira pati blerë nën dorë një mjekim për të ëmën, nuk e kishte. Lira i pati harxhuar të tëra kursimet e saj për të ëmën, e cila kishte kaluar një sëmundje të gjatë me disa qëndrime në spital. Ndoshta jashtë shtetit e ëma do të ishte kuruar. Ndoshta jashtë shtetit nuk do të ishte sëmurur aq keq në radhë të parë. I ke parë lajmet tona kohët e fundit, më pyet Lira. Jo, përgjigjem unë, nuk shoh më as lajme as emisione televizive shqiptare se më bëjnë me zemër. Ajo qesh. Unë ndjehem në faj që mund ta fshij realitetin e saj nga mendja, nëse do të doja. Mund të fshija realitetin e një vendi të tërë, nëse do të doja. E kanë bërë disa të njohurit e mi. Nuk dua të dëgjoj më as edhe një rrokje për atë vend, thonë. 

Nuk e ka fajin vendi dhe prapë ndoshta dheu ynë prodhon një helm të veçantë që i zymton e i nguros shpirtin njerëzve që jetojnë atje, sidomos të atyre që e quajnë veten elita e vendit. Ata që kurorëzojnë veten me fjalë si socializmi apo demokracia, kur 90% e popullit që përfaqësojnë jetojnë në gjendje të mjerueshme, ndërkohë që ata vetë jetojnë në vila private, drejtojnë vetura luksoze private, dërgojnë fëmijët në shkolla private dhe prindërit në spitale private jashtë shtetit. Ata që kujtojnë se duke bërë kështu, mund ta fshijnë edhe ata realitetin e hidhur të vendit nga e përditshmja e tyre. Ilaçi për këtë të moshuar shqiptar që merr 120 euro pension në muaj kushton në Gjermani 180 euro doza. Mjekimi kërkon 8 deri në 10 doza. Normalisht ky mjekim administrohet në spital nga persona të shkolluar për këtë punë, por Lira e di që do të duhet t’ia japë vetë të atit. Kështu bëhet babai pacient, e bija mjeke, mjeku gjykatës dhe gjykata një lojë teatri me kukulla.

Diaspora mundohet të ndihmojë, por diaspora shpesh nuk arrin të kuptojë mirë çdo të thotë të jetosh në Shqipëri. Shumë nga shqiptarët e shqiptaret e diasporës që e njohin disi Shqipërinë lëkunden midis nostalgjisë së ekzagjeruar dhe idesë se shqiptarët në Shqipëri pinë tërë ditën kafe dhe prandaj nuk i del leku për bukën e gojës. Sidoqoftë, pa diasporën shumë familje në trojet shqiptare nuk do të mbijetonin dot as një javë. Patriotët e fortë nuk do të kishin fuqi të shanin e shkumonin pa ndihmën nga vendet e tjera. Por kjo ndihmë i shpëton njerëzit nga mbytja, jo nga stuhia. Në jetojmë për të vdekur, thotë Lira dhe qesh.

(c) 2020, Ines Topi. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen e autores.

5 Comments

  1. Pohime si i mëposhtmi:

    Njerëzit futen direkt në operacion për gjënë më të vogël ose edhe për sëmundjen e gabuar, sepse operacionet i sjellin më shumë para një rrjeti të gjerë personash në fushën e shëndetësisë.

    …janë, natyrisht, të pavërteta. Por të thëna kështu, bashkë me pohime të tjera, ua heqin këtyre të fundit krejt forcën.

    1. Shkrimi ka stil dhe të rrëmben, Lira është një personazh që e njohim të gjithë, e kemi fqinjë, kushërirë, motër, apo jeton në shumë prej nesh.

      Gjithsesi, shkrimi mbetet abortiv sa kohë që përpiqet të evokojë fakte të paverifikuara. Psh nëse prindërit e moshuar të Lirës kanë nevojë për këtë ilaçin doza mujore e të cilit kushton 150% të pensionit të tyre, atëherë duhet edhe përmendur cili është ky ilaç dhe pse nuk është I rimbursueshëm për pacientët shqiptarë? Apo vallë mjeku ka shkarravitur në whatsapp emrin e markës më të shtrenjtë (sepse ka marrëveshje me farmacistin e lagjes) ndërkohë që në Shqipëri rimbursohet versioni gjenerik i ilaçit?

      Nëse përkundrazi, sa thotë autorja është e vërtetë, administratorëve të fondit të sigurimeve shëndetësore duhet t’u dalin djersët shtatë palë që të përgjigjen, por për këtë, duhen dhënë edhe fakte dhe jo thjesht rrëfime emocionale.

      Po ashtu, me shumë respekt për Lirën dhe prindërit e saj, po rrëfej edhe unë si u ndodhi familjarëve të mi që përfunduan në urgjencat e spitaleve publike shqiptare në rrezik për jetën. Im atë u dërgua në spital me ambulancën e thirrur nga kalimtarët e rastit në rrugë kurse ime më me ambulancën e thirrur pas mesnate nga burri i saj i moshuar. Teksa im atë luftoi me vdekjen për dy javë në një prej pavioneve të QSUT, mamaja ime vajti në spital gjysmë e vdekur dhe u fut urgjentisht në operacion nga mjekët (jo të famshëm) që qëlluan roje atë natë. Im vëlla këmbësor u aksidentua në një rrugë pa dritë të cilës i ishin hequr kapakët e pusetave, u mor për i vdekur nga kalimtarët e rastit e u dërgua në spitalin e traumës nga patrulla e policisë. Iu bënë disa ndërhyrje që jo vetëm i shpëtuan jetën, por edhe shumë kocka të thyera. Nuk iu kërkua asnjë para’ ; asnjë shërbim nuk iu krye kundrejt ndonjë premtimi për pagesë, ndonëse të vetmit që i vajtën natën në spital ishin prindërit tanë pensionistë.

      Prindërit e mi nuk kishin para’ për të dhënë kur u shtruan në spital. As njërit dhe as tjetrës nuk u kërkoi njeri para’. As njërit dhe as tjetrës nuk iu rekomandua të blenin ilaçet jashtë spitalit, ndonëse antibiotiku për tim atë kushtonte 8000 lekë (të rinj) në ditë që është 10 herë më shumë se porcioni ditor i pensionit të tij mujor.

      Kështu që këto deklaratat përgjithësuese se “Njerëzit futen direkt në operacion për gjënë më të vogël ose edhe për sëmundjen e gabuar….” duhet të ishin të tejkaluara në një shoqëri që po synon të civilizohet duke përdorur faktet më shumë se sa emocionet. Të paktën të mos përdoren nga njerëz pena e të cilëve, si ajo e zj Topi, është kaq e mirë, saqë, e përdorur siç duhet, do t’i bënte shërbime të mëdha emancipimit shoqëror, zgjerimit të solidaritetit, dhe përdorimit të arsyes mbi dogmën.

      Në fund, dua të sqaroj se as jetoj në Shqipëri, as nuk mund të votoj për ndonjë prej palëve (shyqyr se do e kisha bërë votën të pavlefshme gjithsesi). E them këtë nëse ndokush mendon se jam një prej trolleve të paguar për të bërë propagandë.

      Por e ndjek me dorë në zemër Shqipërinë, u dërgoj para prindërve të mi të cilët nuk jetojnë dot me pensionet shtetërore, indinjohem për pabarazitë dhe padrejtësitë, por gjithsesi përpiqem t’i jap Cezarit atë që i takon Cezarit.

      P.S. Cezari këtu nuk është as Edi Rama e as Ogerta Manastirliu. Cezari për mua në këtë rast është bashkësia e mjekëve dhe infermierëve që me dedikim dhe profesionalizëm u shpëtuan jetët prindërve dhe tim vëllai, pa shpërblime ekstra, me modesti e pa bujë.

  2. Në një shtet social kjo grua e shkathët dhe e dashur nuk do të ishte në këtë situatë..”
    Shteti social financohet me taksa qe shqipot nuk kane qejf ti paguajne.Kemi nje vend nga I cili mosha aktive qe paguan taksa largohet dhe ata qe mbeten punojne ne te zeze apo nuk paguajne taksa .

  3. Nuk e di, mbase millenialet e sotem terhiqen nga keto lloj skicash poetiko-sociale por brezit tim I eshte fryre koka me hartime te tilla qe I lexonim me detyrim-percaktim ne shkolle e me tutje. Me Migjenin si perfaqesuesi me I madh dhe emocionues I letersise para-marksiste e nje lukuni te tere studentesh te jashteshkolluar pas. Qe lexoheshin nga I njejtin grup studentesh tek Kafja e Madhe dhe Bar Kursali. Historia qenkesh spirale paska thene Hegeli ne muhabet e siper.

  4. Shqipua i varfer kur arrin njefare suksesi behet derr i kenaqur e bezdiset kur degjon vuajtjet e fatkeqeve .

Comments are closed.