FIFA DHE FIFA®

Ka futboll dhe futboll.

Ka futboll që luhet në stadiumin përjashta, dhe futboll që luhet në stadium, brenda kompjuterit tënd.

Shumë prej nesh e kanë provuar dorën me FIFA, videolojën nga Electronic Arts (të tjerë me PES – Pro Evolution Soccer).

Si amator i lojës, unë kam të paktën 20 vjet që ia ndjek transformimet – dhe kam arsye të admiroj teknologjinë, e cila sjell sot, në ekranin e kompjuterit, lojtarë që u ngjajnë atyre “prej vërteti” edhe në pamje, edhe në gjeste, edhe në stilin e të luajturit, pa folur për efektet zanore dhe telekronikën live.

Loja vetë (gameplay) vazhdon të udhëtojë nga arcadesimulim.

Siç mund të merret me mend, rendimenti i lojtarëve në fushën virtuale varet nga një numër parametrash – si ato për shpejtësinë, rezistencën, teknikën, saktësinë në gjuajtje, e kështu me radhë.

Dhe parametrat vendosen, me gjasë, në bazë të një gjykimi “të drejtpeshuar” për secilin lojtar, nga ana e ekspertëve përkatës.

Por lojtarët nuk janë gjithnjë dakord. Dy futbollistë të Interit, Romelu Lukaku dhe Ashley Young kanë ngritur zërin, kundër disa parametrave që u ka dhënë loja.

Të dy besojnë se janë shumë të shpejtë në jetë, se në virtualitet; prandaj loja u ka bërë padrejtësi.

Kjo mbase tingëllon qesharake, për të gjithë ata që nuk e rrokin dot sa thellë ka shkuar gërshetimi i realitetit me virtualitetin, edhe në futboll.

Njëlloj si pilotët, që trajnohen në simulator, edhe futbollistët profesionistë kalojnë tani me orë të tëra, çdo javë, duke luajtur FIFA-n dhe lojëra të tjera të ngjashme.

Dhe jo vetëm futbollistët: listës i duhen shtuar trajnerë, drejtorë sportivë dhe agjentë të lojtarëve.

Nuk do të më dukej e çuditshme, sikur një drejtor sportiv të interesohej për të blerë një lojtar, pasi ta kish admiruar lojën e tij në FIFA.[1]

Termi simulim nuk përdoret pa arsye: nëse sot arrijmë të parashikojmë motin përmes simulimit, por edhe të projektojmë parametrat e ngrohjes globale për dekada në të ardhmen – atëherë pse të mos i bazojmë vendimet për menaxhimin e një skuadre futbolli, mbi simulimin e aktorëve përkatës?

Zhvillimi i një loje aq komplekse sa FIFA nga EA kërkon investime prej qindra milionë dollarësh. Por tani ka rrezik që efektet e lojës t’u kushtojnë klubeve të mëdha po aq.

Si guxoni ju, zotërinj të EA-së, ta nxirrni Lukakun më pak të shpejtë se Icardi? Kush ju ka paguar?

Për një lojë të llojit arcade, askush nuk do të guxonte të pretendonte përkim me realitetin: por simulimi është diçka tjetër. Aq sa krijuesit e lojës kanë – si të thuash – një detyrim moral, për t’i qëndruar besnik realitetit, nëse duan ta ruajnë seriozitetin. Çfarë do të ndodhte, bie fjala, sikur Insigne-n e Napolit ta shihnim në fushë dy-metrosh dhe hero të lojës në ajër? Ose Cristiano Ronaldon qendërmbrojtës?

Edhe vetë marketing-u i lojës e kërkon “efektin realitet”: shumica e blejnë lojën jo aq sepse u pëlqen të luajnë “futboll” në kompjuter, por sepse u pëlqen iluzioni i të pasurit nën kontroll, të atyre yjeve që i admirojnë përndryshe në realitet.

Përtej zotërimit të një niveli teknik të caktuar në konsolë, videoloja FIFA, si teatër i futbollit ndërkombëtar, është një drogë surrogato për të adiktuarit pas spektaklit real. Tek e fundit, Mesi dhe Ronaldo, në kompjuter, nuk të tradhtojnë kurrë: janë simulakra që prodhojnë përsosmëri. Deri edhe arbitri nuk gabon – sepse nuk gabon dot. Simulimi vjen dhe i ngjan, kështu, një bote jo vetëm më konsistente, por edhe më të drejtë se realja.

Ngjashmëria me universin e reklamës nuk do shumë mund, për t’u pikasur: çfarë simulon realen, sa më shumë që përsoset, aq edhe i afrohet hiper-reales. Avatarët e futbollistëve, në fushën virtuale, janë imazhet e tyre ideale – ose materializime të dëshirës.

Problemi i kapërcen kufijtë e vlerësimit teknik: në këtë epokë tundimesh anti-meritokratike, kur do të vijë dita që një lojtar të ngrihet dhe të thotë se ndihet “i diskriminuar” nga FIFA dhe të kërkojë shpjegime?

Dhe ashtu mbase loja vetë do të fillojë të shitet me lojtarët virtualë të parametruar të gjithë njëlloj: liberté, égalité, fraternité. Me kusht që t’ua lërë “lojtarëve” të tjerë, atyre me duart në gamepad, që t’i personalizojnë.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Mua gjithnjë më ka pëlqyer Khedira, siç luan me Juventusin në FIFA; pa çka se fushë është zakonisht hija e vetes, edhe kur qëllon të shfaqet ndonjëherë… Përkundrazi, Higuain-in e kam hequr gjithnjë nga formacioni, që pas ndeshjes së parë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin