TË FLUTUROSH LART

Më zuri syri një përshëndetje të Ministres së Kulturës Mirela Kumbaro në një event të sportit të aeronautikës shqiptare, ku mes të tjerash ajo tha:

Sporti dhe Arti kanë shumë të përbashkëta. Qëllimi më i rëndësishëm është arritja e rezultatit më të mirë të mundshëm. Të dyja orientohen nga qëllimi për sukses Artisti dhe sportisti kanë si synim për të fituar Garën, garën skenike, ose garën sportive.

Meqë lajmin e pata gjetur tek “Tema, prita me një farë padurimi që ministrja vetë ose institucioni përkatës ta përgënjeshtronin me forcë këtë enormitet; por pastaj e pashë sërish të botuar, me titullin “Gjithçka është stil”, në faqen e MinKultit në FB dhe mendova – jo pa tmerr – se krahasimi sa institucional aq edhe pindarik mes artit dhe sportit paskësh qenë bërë vërtet.

Mund të flasim sa të duam, për të përbashkëtat mes sportit dhe artit – por me siguri “arritja e rezultatit më të mirë të mundshëm” nuk është “qëllimi më i rëndësishëm” as në sport as në art, sikurse nuk është i tillë “qëllimi për sukses” dhe “synimi për të fituar garën.” Ministrja Kumbaro duket sikur po i ngatërron edhe artin edhe sportin jo vetëm mes tyre, por edhe të dyja me një konkurs televiziv për amatorë.

Kjo, sepse sporti përmbledh shumëçka në vete, njëlloj si edhe arti; dhe ndoshta po të duam të kërkojmë menjëherë të përbashkëtën mes tyre, do të ish më logjike ta kërkonim te kënaqësia ose më mirë liria që na jep krijimtaria, ose veprimtaria e çinteresuar dhe përjetimi estetik – madje edhe në kuptimin etimologjik të kësaj fjale – i botës. Dhe jo te ky ideal neoliberal i “qëllimit për sukses”, të cilin e kanë bërë të tyrin shumë pak nga ata që ushtrojnë sportin dhe akoma më pak nga ata që ushtrojnë artin.

Po merrem me këto gjykime të hapërdara, ngaqë ato – në gojën e Ministres së Kulturës – pasqyrojnë ose parashtrojnë politikën kulturore të kësaj qeverie, por edhe mënyrën si ajo e vështron edhe sportin edhe artin – si të ishte fjala për veprimtari argëtuese (në mos argalisëse), ose forma të cirkut, të cilat synojnë të tërheqin duartrokitjet e suksesit. Pa çka se suksesi mund të vijë si kurorëzim i mundimit për të arritur diçka, por përndryshe nuk ka fare lidhje as me esencën e sportit, që është kultivimi i virtyteve fizike dhe morale, dhe as me esencën e artit, që është kultivimi i virtyteve estetike.

Për sportin, do të prisja nga qeveria që të kujdesej për të mbështetur masivizimin dhe olimpizmin, meqë sporti është edhe ai një rrugë e sprovuar drejt edukimit qytetar; çfarë do të thotë se qeveria, dhe krejt shteti, mbase duhej të mbështetnin sportin si veprimtari të shkëputur nga “fitorja” dhe narcisizmi i kujt e sheh a e kujton veten, për një çast, si më të mirë se Tjetri. Sepse nuk është detyrë e institucionit publik të kujdeset për lulëzimin e egoizmit dhe të lojërave me shumën zero (zero-sum games) në shoqërinë shqiptare. Përkundrazi, vëmendja ndaj veprimtarive në natyrë, klasave sportive dhe sporteve minore – pa lënë jashtë as aeronautikën – kushedi do të ndihmonin për t’i çliruar sado pak shqiptarët e sotëm nga ethet për t’u pasuruar dhe për t’i vënë në kontakt me një realitet tjetër, ku të ndihen më të çliruar, në mos më të lirë.

E kam fjalën, pra, për sportin si lojë me shumën pozitive (positive-sum game).

Sa për artin, e kam të vështirë deri edhe të kuptoj se çfarë ka parasysh Ministrja Kumbaro kur flet për “arritjen e rezultatit më të mirë të mundshëm”. Cili do të ishte ky rezultat, bie fjala, për një kompozitor? Që kënga e kompozuar prej tij të shfaqej në skenën e Eurosong-ut? Po për një regjisor filmi? Vallë që filmi i tij të shihej nga 153 vetë në Shqipëri, apo të fitonte Çmimin Special në Festivalin Kinematografik të La Valletta-s? Po për një skulptor? Vallë që monumenti i gdhendur prej tij të fitonte konkursin e posaçëm për t’u vendosur në hyrje të Muzeut të Bëmave?

“Artisti dhe sportisti kanë si synim për të fituar garën, garën skenike ose garën sportive”, tha Ministrja Kumbaro. Mirëpo këtu kam frikë se fjala “garë” do t’u tingëllojë si lapërdhi shumë artistëve; të paktën atyre që krijojnë, që botojnë, që ekzekutojnë dhe që ekspozojnë jo sepse marrin pjesë në ndonjë garë (dhe aq më pak me kolegët e tyre), por sepse nuk bëjnë dot ndryshe, meqë dëshirën për të krijuar e kanë më të fortë se frenimi që u vjen nga vetëdija e pengesave dhe ndonjëherë edhe bindja se nëpërmjet artit nuk e fitojnë dot garën e jetës në një vend ku realizimi i vetes matet numerikisht: kaq para, kaq pikë, kaq kopje.

Mirëpo edhe sporti, edhe arti, si veprimtari çliruese, ndoshta kanë për synim pikërisht që të na lejojmë të dalim nga kurthi i garave, ku përpiqet ta futë qytetarin mendësia neoliberale, të cilën e ka bërë të vetën qeveria e tanishme e PS-së, përfshi këtu edhe ministren Kumbaro vetë; sepse garat – në sport a në art qofshin – kanë një prirje të çuditshme për t’i kthyer pjesëmarrësit në gladiatorë; dhe të prodhojnë jo vetëm një numër të vogël “fituesish”, por edhe një numër të madh “humbësish”, çfarë i shndërron në pasqyrë të vetë shoqërisë neoliberale, të udhëhequr nga një oligarki “fitimtarësh”, që e kanë arritur qëllimin e suksesit.

Dhe kjo na sjell tek argumenti i elitave. Për Ministren Kumbaro, elitat edhe në sport edhe në art do të ishin ato të fituesve (tre vjet më parë, Ministrja Nikolla, që mbulon efektivisht sportet, e pat shprehur vullnetin e saj për t’u dhënë prioritet “sportistëve elitarë”[1]); dhe, sikur kjo të mos mjaftonte, institucioni që ajo drejton, së bashku me institucione të tjera publike të lidhura me të, marrin drejtpërdrejt pjesë në caktimin e fituesve, të paktën në fushën e artit, drejtpërdrejt dhe tërthorazi, nëpërmjet jurive, komisioneve dhe mekanizmave të tjerë[2]. Dhe nëse është kështu, atëherë ky seleksionim imagjinar i elitave nëpërmjet kriterit të suksesit, në një shtet klientelist si ai i Tiranës, mund të krijojë iluzionin e rrezikshëm se edhe në art, fitorja a suksesi do të varen, në thelb, nga një vendim politik.

Por nuk ma merr mendja se Ministrja Kumbaro do ta nënshkruante përfundimin e mësipërm, edhe pse logjik.

Të them të drejtën, unë ende nuk po e gjej dot se përse ka përshëndetur Ministrja e Kulturës te një mbrëmje gala e sportistëve të aeronautikës shqiptare, që i kushtohet një sporti detyrimisht elitë madje niche, qoftë edhe thjesht për shpenzimet e mëdha që kërkon. Kam një dyshim se mos kjo ka të bëjë, njëfarësoj, me idenë fikse të promovimit të turizmit, që ka pushtuar brutalisht mendjet e qeveritarëve në Tiranë, dhe nuk është gjë tjetër veçse vullneti obsesiv për të nxjerrë në treg gjithçka me vlerë që pushteti i sotëm është akoma në gjendje ta shfrytëzojë për ta monetizuar. Se sporti i aeronautikës mund të jetë tejet tërheqës për ata që e praktikojnë; por përndryshe nuk përfaqëson asgjë të përgjithësueshme, as për sportin vetë dhe as për kulturën në Shqipëri.

E megjithatë:

Ministria e Kulturës do të vazhdojë të mbështesë FSHAir dhe aktivitetet sportive, turistike dhe kulturore, duke besuar që edhe këtë vit do të jetë pjesë e pandashme e rrugëtimit së bashku për promovimin e vlerave kulturore të vendit tonë.

Thuhet në komunikatën e Ministrisë së Kulturës (theksimi im).

Mirëpo, sado të robtohet Ministrja Kumbaro dhe kolegët e saj në qeverinë Rama, lidhjet mes turizmit dhe kulturës janë të dënuara të mbeten sipërfaqësore dhe kitsch, pavarësisht nga burimet njerëzore dhe monetare që mobilizon MinKulti për restaurimin dhe mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës, si pika tërheqëse për turistët. Unë i mbetem mendimit, që e kam shprehur edhe vite më parë, se kujdesi e mbështetja për kulturën dhe kujdesi e mbështetja për trashëgiminë kulturore nuk duhej të ishin bashkuar nën të njëjtën çati institucionale. Sikur MinKulti të kish për detyrë të kujdesej vetëm për kulturën si veprimtari aktive të përftimit dhe të përvetësimit të vlerave kulturore në Shqipëri, ndoshta edhe krahasimet mes artit dhe sportit, në gojën e qeveritares së lartë, do të ishin formuluar tjetërlloj.

Dhe pikërisht – ndoshta Ministrja Kumbaro, Ministrja Nikolla dhe dinjitarët e tjerë të ftuar në mbrëmjen gala do të kishin gjetur rastin për të krahasuar sportin e bukur të aeronautikës me veprimtarinë e tyre si politikanë; dhe sidomos me gatishmërinë e tyre për të rrezikuar, në emër “të arritjes së rezultatit më të mirë të mundshëm.” Prej sportit, politika ka shumëçka për të mësuar, përtej kompetitivitetit të sëmurë, rivalitetit shtazarak dhe dopingut të ndonjëhershëm nga “më të mirët”; sepse politikës i duhet më shumë se kurrë një kulturë e fair play-t, por edhe e besimit tek tjetri dhe e sakrificës për interesin kolektiv. Por kjo varet edhe nga përkufizimi që do të pranojmë t’i japim fitores, në një lëmë si politika, ku fitimtarë deri më sot kanë dalë vetëm ata që kanë fituar kundër njëri-tjetrit.

© 2018, Peizazhe të fjalës. Lutemi mos e vidhni.


[1] Ishte viti kur shteti shqiptar i blatoi 100 mijë euro Daniel Godellit dhe Romela Begajt si “simbol i vlerave shqiptare në peshëngritje në arenën ndërkombëtare”; kujtoj këtu se Godelli u dënua më pas për doping, dhe Begaj ka rrezik të dënohet edhe ajo. Jam kurioz se çfarë do të konsiderohej si doping për një artist fitimtar.

[2] Këtu gjithnjë po supozoj se këta mekanizma funksionojnë në bazë të ligjit dhe me paanshmëri.

1 Koment

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin